Suplementi Pena Shqiptare/ Alma Zenellari: Mall gruaje

14
Sigal

Malli …

ma rrëzoi dhe pikën e fundit të lotit;
u shemb me forcë brenda meje!
gjëmoi ai, klithi rrebel para Zotit,
kthyer pelin gjakut tim ndër deje.

malli m’i lodhi gjymtyrët, zemrën,
duke të kërkuar më kot, pa shpresë.
Demon i heshtjes tënde, brenda meje vrau femrën,
femrën e dashuruar, që pa ty vdes!

Malli, malli, malli,
malli që zhurit shpirtin
dhe djeg për së gjalli!

FRYMËZIM

Në ç’trill e ngjyen penën tënde,

në ç’botë misteresh, fantazish,

në shilars vargjesh ndjej lëkundje

shpërthime magmash dashurish.

Me penën tënde jam pikturuar,

mirazh, mister, unë muza jote,

një ëngjëlldjall që s’fle, rri zgjuar,

një Mona Lizë që s’hesht në mote.

Unë s’jam prej ajrit as prej erës,

nga botë e yjeve nuk vij, as ngjaj?

Unë jam burim që lind prej tokës,

si magmë shpërthej nga barku i saj.

Unë jam nga tokë e përvëluar,

nga dhe i ngjeshur dhe i forte,

aty ku erërat shkumëzojnë

dhe ëngjëjt nuk e zbusin dot…