Suplementi-Pena shqiptare/ Poezi nga Martin Cukalla

774
Sigal

Martin Cukalla

Dafina

Kishte rënë në dashuri çmendurisht me trimërinë,
mori pafajësinë me vete dhe zbriti në një shkëmb të humnerës.
fëmijë ishte humnera përpara saj dhe e ruajti…

Dimri i pafytyrë zgjat gishtat e akullt t’i thajë gjelbërimin.
tërbohen ujrat poshtë, thirrje të zverdhura-okër, zëra bronzi-
rreze të fshehura dielli, buzëqeshje të trishtuara vashash…

Dhe dafina që flet:
“Ja ku jam! Ja ku jam!“

Pranvera nuk është rrugëtim nga fundi

Udhë dimërore. Zënë nga myshku
bari pranë gardhit. Vështrim i nënës
ndjek fluturimin e britmave gazmore të fëmijëve,
është në krahë të tyre madhështi e ditës.

Jeta merr frymë. Në degët e drurëve
spërkat hije të blerta sharmi i rrezeve të diellit.
Në të metat e rastit padurimi që nervozon Marsin
shtyn e tërheq disa gjethe kafe
të mëshiruara nga Dimri.

Grija hyn në strofull. Bota e tingujve
kthehet nga arratia. Dherat përzihen me insektet si iluzione
të humbura rehatie. Përndryshe bota e ngjyrave
ndjek gjurmët që la ujrave të vjeshtës
për të rizënë vend pranë frymëmarrjes së lirë.

Pylli është pranë zgjimit. Dielli i vetëdijshëm
krahëzjarrtë dhe pa turp ze vend në madhështi të heshtjes.
Këtu dhe atje dhe atje më tej burimet e paturp e lozonjarë
largojnë mjegullat e habitura. U duhet kaltërisia
për të njohur detin
e për të gjetur shtegun për ku rrjedhin.

Parnvera urëndërtonjëse ngrohtë
dhe kthejllet
nisi jetën.