Aktet e reja që solli Prokuroria e Posaçme SPAK kanë qenë shkaku i shtyrjes së seancës për Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili kërkon zbutjen e masës së sigurisë. Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, ka deklaruar pas seancës se ajo është shtyrë pasi ai duhet të njihet me aktet e reja dhe për këtë arsye gjyqi do të zhvillohet më 26 qershor, ora 10:30.
Cakrani mohoi çdo akuzë ndaj ish-presidentit të Republikës dhe theksoi se nga hetimet nuk ka dalë asnjë provë konkrete që të justifikojë ndonjë akuzë. Ai u shpreh se Meta po përballet vetëm me aludime dhe akuza të pabaza, ndërsa theksoi nevojën për një trajtim të drejtë dhe të paanshëm në procesin hetimor.
Avokati theksoi gjithashtu rëndësinë që prokuroria të sjellë fakte të qarta dhe jo thjesht spekulime, duke kërkuar që kjo çështje të mos shndërrohet në një proces përndjekjeje politike.



















