Sapo nisën temperaturat e larta, qyteti i Vlorës po përballet me mungesë të ujit të pijshëm. Për këtë shkak, banorët i janë drejtuar burimit të Ujit të Ftohtë. Mungesa e ujit në qytetin bregdetar dhe turistik të Vlorës po rëndon përditshmërinë e banorëve dhe po rrezikon sezonin turistik që sapo ka nisur.
Sipas qytetarëve të shumtë, Vlora ndodhet prej më shumë se dy javësh në një krizë të rëndë uji, duke goditur jetesën dhe aktivitetin turistik. Në lagje të ndryshme të qytetit, furnizimi me ujë mungon totalisht ose vjen për vetëm 20 minuta në ditë, duke e bërë të pamundur përballimin e temperaturave të larta dhe nevojave bazë të përditshme.
Banorët raportojnë se punimet për kanalizime të reja kanë lënë pas rrugë të shkatërruara, pluhur dhe pisllëk, por ende nuk ka asnjë sinjal për rikthimin e furnizimit me ujë në shtëpi. Ata shprehen të dëshpëruar nga mungesa e transparencës dhe komunikimit nga institucionet vendore, përfshirë edhe kryetarin e bashkisë.
Lagjja “Partizani”, lagjja “24 Maji”, lagjja “Pavarësia” dhe shumë lagje të tjera të qytetit të Vlorës vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Gjithashtu, edhe fshati Nartë dhe fshati Zvërnec po thahen për një pikë ujë. Banorët e lagjes “24 Maji” shprehen për Syri TV se kanë 20 ditë pa ujë. Një nga banorët detyrohet të dalë me kafshë për t’u furnizuar me ujë të pijshëm nga burimet. “Jemi bërë si xhungël,” tregon qytetari.