Engjëll Musai: Do na mungosh Lili Cingu, “Shqiponja e valles shqiptare”

36
Sigal

Engjëll Musai, Drejtor i ‘Telegraf”

Ndodh shumë rrallë që një personalitet me vlera të veçanta të bashkojë të gjitha grupimet politike, shoqërore, krahinore brenda dhe jashtë Shqipërisë, të marrë kaq shumë vlerësime dhe të shkaktojë një pikëllim tek ne të gjithë me ndarjen e saj nga jeta. Ajo është Lili Cingu, ikona e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, e cila me portretin fisnik, ndër vite nuk ka reshtur së mahnituri me elegancën e saj skenike publikun shqiptar dhe skenat botërore.  Me Lili Cingun njiheshim prej 33 vitesh, pasi banojmë në të njëjtën lagje ‘Ali Demi’ dhe në të njëjtën rrugë I.Dollaku në Tiranë. Fjalët janë të pakëta për të përshkruar humbjen, pasi ne do t’i kushtojmë një speciale të veçantë ‘Shqiponjës Kuq e Zi’, “Nderi i Kombit”.

Shuhet “Shqiponja e valleve shqiptare” Liljana Cingu

Artistja e madhe Lili Cingu ka ndërruar jetë. Liljana Cingu e cilësuar si “Perëndesha e valles shqiptare” është dekoruar me dekoratën e lartë “Nder i Kombit”.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj në një postim të dedikuar vallëtares ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta dhe theksoi se: “Artistja Liljana Cingu “Nderi i Kombit” do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si ikona e valles shqipe”.

Edhe Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta. “LAMTUMIRË. Ikja e Lili Cingut lë zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare. U prehtë në paqe”, shkruan Rama.

Kreu i PL, Ilir Meta u shpreh se: Trishtues lajmi për ndarjen nga jeta të artistes tonë të madhe Liliana Cingu, “Nderi i Kombit”, njërës prej emblemave të jashtëzakonshme të artit dhe kulturës.Falë mjeshtërisë së rrallë në interpretimin e valleve shqiptare, kontributi i saj i vyer për promovimin e denjë të vlerave të trashëgimisë tonë të pasur kulturore dhe përçimi i tyre tek brezat e artistëve të rinj do të mbetet gjithmonë i respektuar, frymëzues dhe i paharruar.Ngushëllime familjes dhe komunitetit të artistëve!


????????????????????????????????????