Kujtim Cako: Pensionistët në radhë për një karton aboneje, si dikur qumështin

  • Karta e identitetit e pensionistit mund të zëvendësojë abonen pasi pensionistët presin në radhë si dikur për qumështin
  • -Temperaturat e larta i kthejnë radhët e abones -në një sprovë të vërtetë fizike për pensionistët
  • – Shumë prej tyre vuajnë nga tensioni, sëmundjet e zemrës, diabeti apo probleme të tjera shëndetësore dhe nuk e përballojnë dot pritjen e gjatë nën diell
  • – Burra dhe gra të moshuar presin me orë të tëra në radhë, në vapë ose në të ftohtë, vetëm për të marrë një karton aboneje sikur të ishte flori
  • -Një indeksim prej 2.7% vështirë se mund të konsiderohet një indeksim real i fuqisë blerëse. Çmimet e shumë mallrave dhe shërbimeve bazë që konsumojnë pensionistët nuk janë rritur me 2.7%, por në shumë raste me 15-20%, madje edhe më shumë
  • – Ushqimet, energjia, qiratë, transporti dhe mbi të gjitha ilaçet kanë pësuar rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit.

Nga Kujtim Cako

Prej kohësh, në fund të çdo muaji, më lind e njëjta pyetje: pse pensionistët duhet të kalojnë sërish në një proces të lodhshëm për të marrë abonetë e transportit urban? Është një problem që prek mijëra qytetarë dhe që mund të zgjidhet fare thjesht, nëse hiqet dorë nga burokracia e panevojshme. Pamjet që shohim çdo muaj janë të trishta. Burra dhe gra të moshuar presin me orë të tëra në radhë, në vapë ose në të ftohtë, vetëm për të marrë një karton aboneje. Të krijohet përshtypja sikur koha ka mbetur në vend, sikur janë rikthyer vitet kur njerëzit prisnin për një bidon vajguri apo për mallrat e pakta të dikurshme.Në stinën e verës kjo situatë bëhet edhe më e rëndë. Temperaturat e larta i kthejnë radhët në një sprovë të vërtetë fizike për pensionistët. Shumë prej tyre vuajnë nga tensioni, sëmundjet e zemrës, diabeti apo probleme të tjera shëndetësore dhe nuk e përballojnë dot pritjen e gjatë nën diell. Nuk është e pranueshme që, në moshën e tretë, qytetarët të detyrohen të kalojnë një kalvar të tillë vetëm për të marrë një dokument që mund të zëvendësohet me një zgjidhje shumë më të thjeshtë. Së fundmi, një gjest human i Bashkisë tërhoqi vëmendjen: pensionistëve që prisnin në radhë u shpërndahej ujë. Ishte një veprim i mirëpritur dhe njerëzor, por ai nuk e zgjidh problemin. Ai vetëm e lehtëson për pak çaste një situatë që nuk duhet të ekzistojë.Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: pse të mos përdoret Karta e Identitetit të Pensionistit në vend të abonesë?Çdo pensionist është i regjistruar në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe disponon kartën e pensionistit, e cila vërteton statusin e tij. Për më tepër, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore zbaton procedurën e “gjallësisë” çdo gjashtë muaj. Ky verifikim është i mjaftueshëm për të garantuar se përfitimi u takon vetëm personave që kanë të drejtë. Prandaj, zgjidhja më e mirë do të ishte qëKarta e Identitetit e Pensionistit të shërbejë si dokument përfitimi për transportin urban, duke u mbështetur te verifikimi i “gjallësisë” çdo gjashtë muaj. Nëse kjo nuk është e mundur menjëherë, atëherë të paktën abonetë të mos jenë mujore, por gjashtëmujore, në përputhje me afatin e verifikimit të pensionistëve.

Sigal

Kjo do të eliminonte gjashtë herë në vit radhët, lodhjen dhe shpenzimet administrative.Një tjetër problem është afati tepër i shkurtër për tërheqjen e abones.Aktualisht pensionistët duhet ta marrin atë deri më datën 4 të muajit. Ky afat është i pamjaftueshëm për shumë të moshuar, të cilët shpesh kanë probleme shëndetësore, vizita mjekësore, trajtime apo nuk kanë mundësi të dalin menjëherë nga shtëpia. Për këtë arsye, afati duhet të zgjatet, të paktën deri në datën 10 ose edhe më tej, në mënyrë që askush të mos penalizohet për shkak të moshës apo gjendjes shëndetësore. Një shoqëri matet edhe nga mënyra se si trajton të moshuarit e saj. Ata kanë punuar për dekada, kanë kontribuar për zhvillimin e vendit dhe meritojnë respekt e dinjitet, jo radhë të gjata, vapë përvëluese dhe procedura të panevojshme. Shpresoj që ky propozim të mos mbetet vetëm një reflektim, por të dëgjohet nga institucionet përgjegjëse. Zgjidhja ekziston dhe është e thjeshtë. Mjafton vullneti për ta zbatuar. Le ta zëvendësojmë burokracinë me logjikën, radhët me dinjitetin dhe procedurat e panevojshme me një sistem më njerëzor: ose përdorimin e Kartës së Identitetit të Pensionistit, ose abonetë gjashtëmujore, të shoqëruara me verifikimin e “gjallësisë” çdo gjashtë muaj.

***

Indeksimi 2.7% kur çmimet janë rritur me 15-20%

Rreth 777 mijë pensionistë do të marrin bonus prej 5 mijë lekësh. Vendimi është miratuar në qeveri këtë të martë dhe kostoja në buxhet parashikohet 3.7 miliardë lekë. Gjithashtu nga 1 korriku indeksohen pensionet me 2.7%… Po të shihet nga këndvështrimi ekonomik dhe nga përvoja e përditshme e pensionistëve, një indeksim prej 2.7% vështirë se mund të konsiderohet një indeksim real i fuqisë blerëse. Çmimet e shumë mallrave dhe shërbimeve bazë që konsumojnë pensionistët nuk janë rritur me 2.7%, por në shumë raste me 15-20%, madje edhe më shumë. Ushqimet, energjia, qiratë, transporti dhe mbi të gjitha ilaçet kanë pësuar rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Në këto kushte, rritja e pensionit mbetet kryesisht statistikore dhe jo një përmirësim i prekshëm i jetës së tyre. Për një pension mesatar prej rreth 20 mijë lekësh, indeksimi 2.7% përkthehet në afro 540 lekë në muaj. Me këtë shumë nuk blihet as një kuti e vetme e shumë ilaçeve që përdorin pensionistët kronikë. Për ata që marrin disa medikamente çdo muaj, shpenzimet shtesë për ilaçe arrijnë në mijëra lekë, duke e bërë këtë rritje pothuajse të papërfillshme. Edhe bonusi prej 5 mijë lekësh, megjithëse është i mirëpritur, mbetet një ndihmë e përkohshme. Ai nuk zgjidh problemin e përhershëm të kostos së jetesës dhe as nuk kompenson humbjen e fuqisë blerëse të krijuar ndër vite. Pas një muaji, pensionisti rikthehet sërish te i njëjti pension, ndërkohë që çmimet vazhdojnë të mbeten të larta. Një tjetër problem është se indeksi zyrtar i inflacionit nuk pasqyron domosdoshmërisht “shportën” reale të konsumit të pensionistëve. Ata shpenzojnë përqindjen më të madhe të të ardhurave për ushqime, energji elektrike dhe ilaçe, pikërisht kategoritë ku rritjet e çmimeve kanë qenë më të ndjeshme. Për këtë arsye, shumë vende përdorin indekse të veçanta për pensionistët ose politika kompensuese për shpenzimet shëndetësore. Nëse synohet një mbështetje reale, nuk mjafton vetëm indeksimi i pensioneve. Duhet të rritet lista e barnave të rimbursueshme, të ulen pagesat që pensionistët bëjnë nga xhepi për ilaçet, të subvencionohen medikamentet për sëmundjet kronike dhe të rriten pensionet minimale mbi ritmin e inflacionit real. Në fund të fundit, pyetja që shtrojnë vetë pensionistët është e thjeshtë: Nëse një pensionist shpenzon çdo muaj 3–5 mijë lekë më shumë vetëm për ilaçe dhe qindra lekë më shumë për ushqime, çfarë ndryshon në jetën e tij një rritje prej 500–600 lekësh? Për shumicën, përgjigjja është se ajo nuk ndryshon dot cilësinë e jetës, por vetëm zbut në mënyrë simbolike pasojat e shtrenjtimit.