Pensionistët nuk paguajë dot energjinë dhe ilaçet,frigoriferët bosh, po ushqehen  me bukë dhe çaj

Forum në Telegraf/ Indeksimi dhe bonusi veror, flasin Nako Petro, Kujtim Çako, Nikollaq Gjergji dhe Kostandin Bushi: Bonusi prej 5 mijë lekësh dhe indeksimi i pensioneve me vetëm 2.7% janë larg të qenit një lehtësim real për pensionistët dhe synon të zbusë pakënaqësinë sociale në një klimë të tensionuar politike. Çmimet e ushqimeve, ilaçeve, energjisë, shërbimeve dhe qirave janë rritur me ritme shumë më të larta gjatë viteve të fundit. Për një pension mesatar prej rreth 20 mijë lekësh, indeksimi 2.7% përkthehet në afro 540 lekë në muaj. Me këtë shumë nuk blihet as 1 kg presh !

Forum/ Indeksimi dhe bonusi veror, flasin NakoPetro, Kujtim Çako, Nikollaq Gjergji dheKostandin Bushi:

NOA

Pensionistët nuk blejnë dot ilaçet, frigoriferët i kanë bosh, nuk paguajë dot energjinë, ushqehen vetëm me bukë dhe çaj

Bonusi prej 5 mijë lekësh dhe indeksimi i pensioneve me vetëm 2.7% janë larg të qenit një lehtësim real për pensionistët

Bonusi synon të zbusë pakënaqësinë sociale në një klimë të tensionuar politike.

Çmimet e ushqimeve, ilaçeve, energjisë, shërbimeve dhe qirave janë rritur me ritme shumë më të larta gjatë viteve të fundit

Për një pension mesatar prej rreth 20 mijë lekësh, indeksimi 2.7% përkthehet në afro 540 lekë në muaj.

-Me këtë shumë nuk blihet as një kuti e vetme e shumë ilaçeve që përdorin pensionistët kronikë

Albert Z. ZHOLI

Bonusi prej 5 mijë lekësh dhe indeksimi i pensioneve me vetëm 2.7% janë larg të qenit një lehtësim real për pensionistët. Për shumë prej tyre, ato përbëjnë më tepër një gjest simbolik sesa një mbështetje të prekshme, në një kohë kur kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm. Çmimet e ushqimeve, ilaçeve, energjisë, shërbimeve dhe qirave janë rritur me ritme shumë më të larta gjatë viteve të fundit, ndërsa qytetarët përballen çdo vit edhe me taksa e tarifa vendore në rritje, përfshirë taksën mbi banesën. Në këtë realitet ekonomik, një indeksim prej 2.7% nuk arrin të kompensojë humbjen e fuqisë blerëse të pensioneve, duke nxitur debatin nëse politikat aktuale mbrojnë vërtet dinjitetin e pensionistëve apo vetëm zbusin përkohësisht pakënaqësinë e tyre.

Ing. Nikollaq Gjergji:

Pushtetarët a mund të jetojnë me pensionet e qytetarwve që vetë i kanë cilësuar si “dinjitoze”?!

Dinjiteti, liria dhe pavarësia nuk dhurohen. Ato fitohen dhe mbrohen me përpjekje, punë, sakrifica dhe zgjuarsi. Kjo përgjegjësi nis nga vetvetja, vazhdon në familje, te fisi, te miqtë dhe shtrihet në të gjithë shoqërinë e kombin.Vetëm një komb që di të mbrojë dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë e tij është një komb vërtet sovran. Ai merr pjesë në zgjedhje të lira, voton për një qeveri që mbron interesin e popullit dhe i shërben qytetarëve. Por kur qeveria e zgjedhur largohet nga ky mision, cenon të drejtat e sovranit dhe e përdor pushtetin kundër interesit publik, atëherë qytetarët kanë të drejtën demokratike ta ndëshkojnë me votë, me protestë paqësore dhe me të gjitha mjetet që parashikon Kushtetuta. Sovrani është populli dhe ai ka të drejtën të zgjedhë përfaqësues që respektojnë dinjitetin njerëzor, Kushtetutën dhe ligjet e shtetit.Pushtetarët që nuk i kanë shërbyer qytetarëve nuk duhet të gëzojnë privilegje të pamerituara. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi morale, politike dhe ligjore për vendimet e tyre. Nëse kanë përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit, drejtësia duhet të veprojë pa kompromis, duke sekuestruar çdo pasuri të fituar në kundërshtim me ligjin. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Në mënyrë ironike, mund të thuhet se ish-pushtetarët duhet të jetojnë me të njëjtat pensione që vetë i kanë cilësuar ndër vite si “dinjitoze”, t’u indeksohen sipas formulave që kanë miratuar vetë dhe, në fund, të marrin si “dekoratë” gjykimin e qytetarëve për mënyrën se si i kanë shërbyer vendit. Vetëm kështu do ta kuptonin realisht peshën e vendimeve që kanë marrë për jetën e mijëra pensionistëve. Një shtet demokratik matet jo vetëm nga mënyra se si zgjedh drejtuesit, por edhe nga aftësia për t’i mbajtur ata përgjegjës. Sundimi i ligjit, transparenca dhe barazia para drejtësisë janë themelet mbi të cilat ndërtohet besimi i qytetarëve dhe forcohet shteti. Vetëm kështu mbrohen dinjiteti i njeriut, liria e qytetarëve dhe e ardhmja e kombit.

 

Dr. Kujtim Çako:

Indeksi zyrtar i inflacionit nuk pasqyron domosdoshmërisht “shportën” reale të konsumit të pensionistëve.

 Po të shihet nga këndvështrimi ekonomik dhe nga përvoja e përditshme e pensionistëve, një indeksim prej 2.7% vështirë se mund të konsiderohet një indeksim real i fuqisë blerëse. Çmimet e shumë mallrave dhe shërbimeve bazë që konsumojnë pensionistët nuk janë rritur me 2.7%, por në shumë raste me 15-20%, madje edhe më shumë. Ushqimet, energjia, qiratë, transporti dhe mbi të gjitha ilaçet kanë pësuar rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Në këto kushte, rritja e pensionit mbetet kryesisht statistikore dhe jo një përmirësim i prekshëm i jetës së tyre. Për një pension mesatar prej rreth 20 mijë lekësh, indeksimi 2.7% përkthehet në afro 540 lekë në muaj. Me këtë shumë nuk blihet as një kuti e vetme e shumë ilaçeve që përdorin pensionistët kronikë. Për ata që marrin disa medikamente çdo muaj, shpenzimet shtesë për ilaçe arrijnë në mijëra lekë, duke e bërë këtë rritje pothuajse të papërfillshme. Edhe bonusi prej 5 mijë lekësh, megjithëse është i mirëpritur, mbetet një ndihmë e përkohshme. Ai nuk zgjidh problemin e përhershëm të kostos së jetesës dhe as nuk kompenson humbjen e fuqisë blerëse të krijuar ndër vite. Pas një muaji, pensionisti rikthehet sërish te i njëjti pension, ndërkohë që çmimet vazhdojnë të mbeten të larta. Një tjetër problem është se indeksi zyrtar i inflacionit nuk pasqyron domosdoshmërisht “shportën” reale të konsumit të pensionistëve.

Ing. Kostandin Bushi:

Bonuset e herëpashershme për pensionistët ngjajnë më shumë me një lëmoshë

Bonuset e herëpashershme për pensionistët ngjajnë më shumë me një lëmoshë sesa me një zgjidhje të vërtetë. Janë si grepi me një krimb për të kapur peshkun: japin një përfitim të vogël e të përkohshëm, ndërsa problemi themelor mbetet i pazgjidhur. Ajo që pensionistët presin nuk janë bonuse sporadike, por një rritje e qëndrueshme dhe e drejtë e pensioneve, që t’u mundësojë një jetë me dinjitet. Mundësitë për ta bërë këtë kanë ekzistuar prej kohësh; ajo që ka munguar ka qenë vullneti për ta realizuar. Ky është mendimi im personal.

 Ing. Nako Petro

Indeksim 2.7% dhe bonus 5 000 lekë, nje zgjidhje e përkohshme për pensionistët

Qeveria miratoi indeksimin e pensioneve me 2.7% dhe një bonus prej 5 000 lekësh për pensionistët. Në pamje të parë, është një lajm pozitiv. Çdo rritje e të ardhurave është e mirëpritur për njerëzit që jetojnë me pensione, të cilat në shumë raste nuk mjaftojnë as për nevojat bazë.Por pyetja që shtrohet është , a e zgjidh ky vendim problemin, apo vetëm e shtyn atë për pak kohë ? Një indeksim prej 2.7% është një mekanizëm ligjor që synon të ruajë fuqinë blerëse të pensioneve. Ai nuk është një rritje reale e mirëqenies, nëse pensioni është i ulët, edhe 2.7% mbi një bazë të ulët mbetet një shtesë modeste, që vështirë se ndryshon jetën e përditshme të një pensionisti.Edhe bonusi prej 5 000 lekësh është një ndihmë e mirëpritur, por është një pagesë njëherëshe, ai mund të mbulojë disa ditë shpenzime, por nuk ndryshon realitetin e muajve që vijnë. Pas pak javësh, pensionisti do të përballet sërish me të njëjtat çmime, të njëjtat fatura dhe të njëjtin pension,prandaj, lindin natyrshëm disa pyetje. Përse u pa e nevojshme të jepet një bonus, kur vetëm pak ditë më parë u deklarua se inflacioni ishte rreth 3% dhe se çmimet nuk ishin në nivele të papërballueshme? Nëse situata është kaq e qëndrueshme, pse nevojitet një mbështetje shtesë?Ky kontrast lë vend për interpretime të ndryshme, njëri është se qeveria ka kuptuar se vetëm indeksimi nuk mjafton për të përballuar koston reale të jetesës. Një interpretim tjetër, që është bërë pjesë e debatit publik, është se bonusi synon të zbusë pakënaqësinë sociale në një klimë të tensionuar politike.Në mungesë të një deklarimi zyrtar, askush nuk mund të thotë me siguri se cili është motivi, por është legjitime të shtrohet pyetja. Një gjë është e sigurt, pensionistët përbëjnë një nga grupet më të mëdha të votuesve në Shqipëri, ata marrin pjesë masivisht në zgjedhje dhe vota e tyre ka peshë reale në rezultatin politik. Pikërisht për këtë arsye, çdo vendim që prek pensionet shihet jo vetëm si një masë ekonomike, por edhe si një akt me ndikim politik. Megjithatë, pensionistët nuk kërkojnë lëmoshë, ata nuk kërkojnë bonusesezonale, ata kërkojnë një pension që u garanton dinjitet pas një jete të tërë pune.Një shtet serioz nuk duhet ta ndërtojë politikën sociale mbi bonuse të rastit, ai duhet të ndërtojë një sistem pensionesh që u jep qytetarëve siguri çdo muaj, jo vetëm një lehtësim të përkohshëm.Në fund, pyetja mbetet e hapur, a ishte bonusi një korrigjim i heshtur i faktit se indeksimi 2.7% nuk mjafton?A ishte një përgjigje ndaj pakënaqësisë në rritje të qytetarëve,apo ishte thjesht një masë sociale e planifikuar? Përgjigjen e plotë mund ta dijë vetëm qeveria.Por përgjigjen e pensionistëve do ta japë jeta e përditshme, nëse edhe pas indeksimit dhe bonusit ata vazhdojnë të zgjedhin mes ushqimit dhe ilaçeve, atëherë problemi nuk është zgjidhur, është vetëm shtyrë. Në demokraci, qytetarët nuk gjykojnë qeveritë nga deklaratat apo bonusetnjëherëshe, ata i gjykojnë nga mënyra se si jetojnë. Në fund, vota mbetet bonusi ose ndëshkimi më i madh që qytetarët mund t’i japin një qeverie.

Një shtet serioz nuk duhet ta ndërtojë politikën sociale mbi bonuse të rastit, ai duhet të ndërtojë një sistem pensionesh që u jep qytetarëve siguri çdo muaj, jo vetëm një lehtësim të përkohshëm. Në fund, pyetja mbetet e hapur, a ishte bonusi një korrigjim i heshtur i faktit se indeksimi 2.7% nuk mjafton? A ishte një përgjigje ndaj pakënaqësisë në rritje të qytetarëve, apo ishte thjesht një masë sociale e planifikuar?

Inflacioni 3% në letra, a jeton ministrja në Shqipërinë e pensionistëve?

Ministrja e Ekonomisë, DelinaIbrahimajnënjëkonferencapër shtyp nëdatën 29 Qershor 2026 deklaroi se qeveria nuk e konsideron rritjen aktuale të çmimeve si të papërballueshme për qytetarët. Sipas saj, inflacioni është rreth 3%, ekonomia po rritet mbi pritshmëritë dhe qeveria do të ndërhyjë vetëm nëse situata përkeqësohet.Por lind një pyetje e thjeshtë, në cilën Shqipëri jeton ministrja, në atë të statistikave apo në atë të pensionistëve?Sepse Shqipëria reale nuk matet me grafikë dhe konferenca për shtyp, ajo matet në sportelin e pensionit, në tregun e lagjes, në faturën e energjisë, në farmaci dhe në tavolinën e darkës, dhe aty pamja është krejt tjetër. Një pensionist shqiptar, me një pension që shpesh nuk arrin as 200 euro në muaj, duhet të zgjedhë çdo ditë mes ilaçeve dhe ushqimit, duhet të vendosë nëse do të blejë mish apo do të paguajë energjinë elektrike, shumë prej tyre nuk arrijnë ta mbyllin muajin pa ndihmën e fëmijëve ose pa hyrë në borxh te dyqani i lagjes.Nëse inflacioni është vetëm 3%, atëherë përse shporta ushqimore kushton shumë më tepër se disa vite më pare ? Përse çmimet e mishit, bulmetit, vezëve, perimeve, kafesë, vajit, produkteve të higjienës dhe ilaçeve janë rritur shumë më shpejt se pensionet ? Pensionisti nuk jeton me “inflacionin mesatar”, ai jeton me çmimet e produkteve që blen çdo ditë.Statistikat mund të tregojnë një mesatare prej 3%, por pensionisti nuk konsumon makina luksoze, pajisje elektronike apo udhëtime turistike, që mund ta ulin mesataren. Ai konsumon bukë, qumësht, ilaçe, energji, ujë dhe transport, pikërisht këto janë shpenzimet që peshojnë më shumë në buxhetin e tij.Ministrja deklaroi se qeveria do të ndërhyjë vetëm kur çmimet të bëhen të papërballueshme, por kur konsiderohen të papërballueshme?Kur pensionisti të mos blejë më ilaçet, kur frigoriferi të mbetet bosh, kur të mos paguajë energjinë, apo kur të ushqehet vetëm me bukë dhe çaj?Edhe vendimi për ta zhvendosur indeksimin e pensioneve në korrik nuk ndryshon thelbin e problemit. Nëse pensioni rritet me disa qindra lekë, ndërsa çmimet janë rritur me mijëra lekë gjatë vitit, fuqia blerëse vazhdon të bjerë. Pensionisti nuk jeton me përqindje, ai jeton me lekët që i mbeten në xhep pas blerjeve të domosdoshme.Qeveria flet për rritje ekonomike rekord, kjo është pozitive nëse përkthehet në mirëqenie për qytetarët. Por kur ekonomia rritet dhe pensionisti varfërohet, atëherë kemi të drejtë të pyesim kush po përfiton nga kjo rritje?

Një ekonomi nuk matet vetëm me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ajo matet edhe me cilësinë e jetës së njerëzve. Nuk ka sukses ekonomik kur të moshuarit jetojnë me ankthin e faturave, kur të rinjtë largohen nga vendi dhe kur familjet detyrohen të shkurtojnë edhe ushqimin.Politika nuk duhet të ketë frikë nga e vërteta ,ajo duhet ta pranojë atë, sepse mohimi i realitetit është më i rrezikshëm se vetë kriza.

Një ekonomi nuk matet vetëm me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ajo matet edhe me cilësinë e jetës së njerëzve. Nuk ka sukses ekonomik kur të moshuarit jetojnë me ankthin e faturave, kur të rinjtë largohen nga vendi dhe kur familjet detyrohen të shkurtojnë edhe ushqimin.Politika nuk duhet të ketë frikë nga e vërteta ,ajo duhet ta pranojë atë, sepse mohimi i realitetit është më i rrezikshëm se vetë kriza.Në fund të fundit, pyetja nuk është nëse qytetarët duhet t’i besojnë ministres, pyetja është nëse ministrja u beson syve të pensionistëve, portofolit të tyre dhe jetës që ata bëjnë çdo ditë.Sepse mes statistikës dhe realitetit, shqiptarët nuk jetojnë në grafikët e ministries, ata jetojnë në treg dhe tregu nuk gënjen.