Cano Nora: Xhevat Avdalli, këngëtari që la pas një thesar me këngë

23
Sigal

* JA Ç’FARË MË THA NË SH.B.A, PROFESORI LAZARATAS, ZIJA BASHA:- SI E NJOHA XHEVAT AVDALLIN DHE SI U DASHUROVA ME KËNGËT E TIJ

 

* NGA KËNGËT E DASMAVE DHE TË FESTIVALEVE, PROTAGONIST NË FILMAT ARTISTIK “PRANVERË NË GJIROKASTËR”,”LIRI A VDEKJE” DHE “DASMË GJIROKASTRITE”.

Një prej këngëtarëve më të shquar të të gjithë kohrave, që mblidhte rreth vetes dhe shumë të tjerë që e donin dhe kishin pasion të kënduarin. Një jetë të tërë e ndezi flakë këngën dhe kënga ia shpërbleu, se e bëri të njohur ndër të tjerë grupin e tij, ku dhe sot e kësaj dite edhe pse ka vite që ka ndërruar jetë, përsëri jo vetëm në “Qafën e Pazarit” ku mblidhen dhe e përmëndin ata që e kanë njohur dhe   kanë mbajtur në kujtesë për gjithë këto vite, por dhe ata më të rinjtë në Gjirokastër dhe në gjithë jugun, kanë dëgjuar për atë këngëtar që e deshi këngën sa dhe jetën. Xhevat Avdalli punoi mbi tridhjetë vite në një furrë buke në këtë qytet, por Ai s’rreshti së kënduari asnjëherë dhe këngët gjirokastrite, duke u bërë i njohur që herët me këngët e që i buronin thellë prej zemrës. Emri i tij edhe sot përcillet si një legjendë, nga zemra në zemër, nga goja në gojë. Nuk këndonte vetëm nëpër dasma e në podiume festivalesh, por rritej bashkë me këngën dhe një ditë prej ditësh e pa veten edhe si pjesmarrës të filmave artistik, Liri a vdekje, Pranverë në Gjirokastër dhe në premierën dasmë gjirokastrite.

Kohët e fundit profesor Zija Bashës në ShBA, i morëm këtë intervistë për emblemën e këngëve gjirokastrite, Xhevat Avdallin.

Zoti Zija,si e ke njohur Xhevat Avdallin?

E kush nuk e njihte Xhevat Avdallin, bilbilin e këngëve tradicionale gjirokastrite! Ai u rrit me këngët e qytetit të tij qysh fëmijë dhe kur u burrërua do të shkëlqente si këngëtar virtuoz mes shokësh të zgjedhur që ju bënë krahë gjithë jetën e trashëguan meloditë e këngëve të bukura që shpirti i popullit i kishte sajuar në vite të largëta plot vuajtje e derte zemrash. Gjirokastritët e fshatarët e krahinave që rrethojnë qytetin e gurtë kanë patur fatin e mirë që të dëgjonin këngët popullore të tyre që transmetonte Radio Gjirokastra. Qysh i vogël, në vitet 50-të mbaj mend se qyteti kishte 3 altoparlantë, një tek hekuri në mes të pazarit, një në krye të kalasë nga perëndimi dhe një tek sheshi i Çerçizit. Në orën një e gjysmë fillonte transmetimet radioja me melodinë e këngës “Një zë po del nga grykë e Mezhgoranit”. Pastaj fillonte transmetimi i këngëve popullore të reja e të vjetra në pllaka gramafoni. Dhe këngët e Xhevatit zinin një vënd të veçantë se u këndohej trimave, që dhanë jetën për mëmëdheun në breza të tërë luftëtarësh deri tek dëshmorët e luftës që luftuan e u vranë ballë për ballë me nazifashistët.

Në fillim të vitit 1956 në drejtim të Dropullit u shtri linja e radios duke përfshirë dhe fshatin tim, Lazaratin. Çdo fshat u pais me altoparlant të ri çek “Tesla”. Radioja filloi transmetimin edhe greqisht. Një kontribut të veçantë dhanë teknikët e papërtuar gjirokastrit Shpëtim Karaulli dhe Enver Kaci me shokë. Këngët popullore e veçanërisht ato të grupit të Xhevatit ishin kënaqësi shpirtërore për dëgjuesit. Në shkollën e mesme pedagogjike kur vazhdoja studimet, Xhevatin dhe grupin e tij e shikoja në koncerte e festivale, por nuk kisha komunikuar me atë këngëtar vetëm me Demo Çenkon e Skënder Tushën. E përshëndetja xha Xhevatin kur delte nga furra në mes të pazarit se e adhuroja për zërin magjik e më tërhiqte veshja me kostumin si burrat qëmoti.

Ç’farë kujtoni nga ndonjë aktivitet ku edhe ju kini qenë pjesmarrës së bashku me të?

Me Xhevatin e grupin e tij jam njohur mirë në një festival rajonal folklorik në Vlorë, organizuar nga Instituti i Folklorit e Radio Tirana, qershor- korrik 1966. Nga rrethi ynë morën pjesë: Grupi miks i Gjirokastrës i Xhevat Avdallit e Majnure Kadënës, grupi i burrave të Lazaratit, grupi i valleve të Peshkëpisë në Dropullin e sipërm i klarinetistit virtuoz Shomo Mandi nga Peshkëpia dhe disa të tjerë.

Grupet tona i drejtonte djali lunxhot, regjizori i talentuar Petro Kosta nga Suha. Na vendosën në hotelin “Adriatik”çdo mëngjez në lulishte, në verandë, në holl të hotelit “kurdiseshin” violinat e grupeve dhe në orën 10-00 niseshim me këmbë drejt kodrës “Kuz-Baba” për prova në skenë. Çdo grup kishte repertorin e këngëve dhe stilin e të kënduarit që ruhej me fanatizëm, pahuazuar asgjë. Mbaj mend që në grupin e Xhevatit bënin pjesë: Xhevat Avdalli marrës, Lavo Erindi kthyes, Demo Çenko marrës, dhe për iso disa këngëtarë të tjerë. Për radhën skenike ishte një regjizor nga Tirana që quhej Telat Agolli. Ai mbante në krahqafë një aparat fotografik dhe pozonte grupe ose individë që kishin performancë e disa herë filmoi xha Xhevatin. Ditën e dytë ai, kur pa mjeshtërinë skenike të regjisorit tonë, u dorëzua dhe me miratimin e “kompetentit” që erdhi nga Tirana, Zihni Sakua, ja dorëzoi detyrën Petro Kostës.

“Xhaxhai”, siç i thoshnim Zihni Sakos, anulloi me urdhër nga lartë këngët e politizuara dhe duhej të këndoheshin këngë popullore burimore të vjetra, sepse në festival do të vinin studjues të folklorit nga Rumania, Turqia, Greqia, Bullgaria, Hungaria, Austria, Italia dhe Anglia. Të gjithë u çliruam nga këngët e politizuara, sepse tekstet e këngëve bëheshin nga amatorë që nuk ndërtonin mirë sidomos vargun 8 rrokësh popullor e duhej që melodia t’i përshtatej tekstit  se çdo fjalë politike kishte rëndësi për kohën. Vetëm më vonë Roland Çenia e Naxhi Kasoruho i shmangnin me lezet. Atëherë të gjithë pjestarët e të dy grupeve rikujtuan këngët e traditës dhe regjizori Petro e unë i hidhnim në letra të bardha e grupet i këndonin. Kjo vazhdoi çdo ditë dhe çdo darkë vinte “Xhaxhai” dhe shefi seksionit të arsimit për Vlorën, biri i  Gjirokastrës, Eqrem Kallfa, i cili nuk na u nda për 15 ditë dhe këndonim në ambjentet e hotelit. Xha Xhevati këndoi një mbrëmje këngën e bukur lunxhote që e kishte shumë për zemër.

Xha Zihniu i kërkoi që të këndonte këngën “Telat po venë e vijnë”, por Xha Xhevati i tha: -Mbi të kënduarit e Jaho Skrelit e grupit të Kardhiq -Prongjisë për këtë këngë unë s’ve grup tjetër. Profesor Eqrem Kallfa i tha që t’ja merrte një kënge tjetër vlonjate e xha Xhevati ia filloi menjëherë.

Në çdo tre -katër ditë këngët inçizoheshin në shirita magnetikë në pallatin e vogël të kulturës së Vlorës, një vilë dy katëshe në krah të djathtë të rrugës Vlorë -skelë , në prani të sekretarit të parë Llambi Shella e kryetarit të komitetit ekzekutiv Rrapo Dervishi. Festivali u zhvillua në Kodrën “Kuz Baba” në prani të studjuesve të huaj. Pas mbarimit të festivalit grupet tona të Gjirokastrës u vendosën në birarinë e sheshit “Pavarësia” për t’u shplodhur e për të pirë ndonjë birrë, por aty na erdhën qindra dashamirës vlonjatë që donin të na qerasnin. U ndodhëm ngushtë. Xha Xhevati na urdhëroi që të jepnim një koncert për këta dashamirës, me të cilët e kaluam këndshëm. Shpejt e shpejtë, improvizuam një skenë aty për aty dhe dhamë një koncert me këngë vlonjate e gjirokastrite, që edhe sot ne të vjetrit i kujtojmë me nostalgji.

Xhevat Avdalli, që ishte kthyer në një legjendë, si vazhdoi më pas me grupin e tij të këngëve gjirokastrite?

Grupi i xha Xhevatit vazhdoi aktivitetin në vitet 70 e në vijim duke kënaqur adhuruesit e këngëve popullore, por edhe duke dhënë

kontribut të shquar për zhvillimin e folklorit me këngë të traditës që transmetonin radio Gjirokastra e Radio Tirana. Me kalimin e viteve, grupi që drejtonte xha Xhevati mori edhe emërtimin nga populli “Grupi i pleqve të Gjirokastrës”

Çfarë kujtoni nga takimi me Bedri Spahiun?

Në qershorin e vitit 1978 u mblodh një aktiv për masat që duheshin marrë për festivalin e tretë kombëtar, ku ishin thirrur edhe disa grupe folklorike duke perfshirë edhe grupin e pleqve gjirokastrit të xha Xhevatit. Nga Tirana kishte ardhur edhe kompozitori i paharruari djali Gjirokastres Fehmi Ibrahimi, profesor doktor Ramazan Bogdani  studiues i folkloristikës dhe një partiak i lartë. Ky i fundit i tha Xha Xhevatit, duke shkelur regullat e etikës si nëpër dhëmbë se ky u kish kënduar të gjithëve. Salla nuk reagoi , se nuk dëgjuan të gjithë. Ai vet foli e vet dëgjoi. Xha Xhevati e mbajti gjakftohtësinë. Si mbaroi aktivi të gjithë dolëm për një orë pushim. Duke dalë nga pallati, profesor Muharem Bejleri më dërgoi që të thërrisja Xha Xhevatin, i cili u largua vetëm. Iku vetëm nga sporteli i biletave të kinemasë e ta sillja tek klubi i gjuetarëve. Shpejtova dhe e arrita tek banka e kursimeve. I thashë porosinë e profesorit, por ai më tha:-Eja, eja, se do të shplodhemi bashkë nga bahçeja. Ashtu bëmë. Qëndruam në hijen e një plepi ku sot është Medreseja.

-E pe si më tha mo?!Tha se u kam kënduar të tërëve unë.

-Ne s’dëgjuam gjë,- i thashë unë me të drejte. Ai vazhdoi:

Po. Unë u kam kënduar trimave shqiptarë e trimëreshave që luftuan për këtë dhe e ranë dëshmorë: Zenel Gjolekës, Damo Lengos, Brahim Sinos, Bajos e Çerçizit, Koto Hoxhit e Pandeli Sotirit, Avniut e dëshmorëve të luftës që lozja me ta, u rrita me ta, ndaja kafshatën e bukës me ta; Muzafer Asqeriut, Bules, Bukurie Bazos, Fato Berberit, Astrit Karagjozit, Isuf Omarit e të tërë djemve të popullit që ranë për këtë tokë.

Edhe komandantit të tyre, Bedri Spahiut i kam kënduar:

Kush e njeh Bedri Spahinë?!

I vogël sa një stërlinë….

Dhe heshti. Pastaj tha:-Po atë e dënuan, e cili është faji im?!

Ishte fillim marsi i vitit 1955 dhe erdhi Bedriu në Gjirokastër si përherë. Fjeti tek shtëpia e pritjes që ishte e Emin Kokalarit. Më dërgoi haber ta takoja atje. Shkova. E takova dhe e pashë të ligur. Si bëmë pak muhabet ia mori këngës ngadalë dhe unë ia ktheva:

Të ketë mallë ajo derë, për Damo Lengon e mjerë…

Si ndenja ndonje orë me muhabet më tha që atë darkë të mblidhja shokët që të këndonim. U mblodhëm nja 6 veta e Bedriu i shtati dhe kemi kaluar bukur deri natën vonë, me këngë, shaka, kujtime e fjalë burrash, që s’i harroj përjetë. Andej nga fundi i muhabetit Bedriu na tha ngadalë:

-Vëllezër! Vamë 10-12 vjet e premtimet nuk i kemi mbajtur. Populli ende merr bukën që bën Xhevati me triska racioni. Më shikoni mua ministrin e arsimit ?! Këtë mijshe kam në xhep. Jemi mbrapa e duhet të shpejtojmë. Po këto që ju them, mos i zini në gojë. Pas nja dy muajve e shkarkuan nga të gjitha detyrat.

U tremba nga këto që më tha Xha Xhevati, por e lashë që të fliste e s’bëra zë. Kaluam në bisedë tek kënga. Ai më tha:

-Dëgjo xhaxhanë! Kënga lind nga dashuria. Vjershëtori kur nis e bën këngën, ka dashuri dhe e nxit pasioni që ka për natyrën tonë të bukur, për Shqipërinë, për jetën. Edhe në dëshpërim bën këngë.

E këngëtari që ta këndojë mirë duhet ta dashurojë këngën, ta këndojë për të kënaqur vehten e të tjerët, por duhet të pranojë edhe korigjime që i bëjnë sidomos muzikantët e ta luftojë egon.Të kënduarit është profesion që të zbukuron shpirtin e ta pastron nga ndyrësitë e jetës. Edhe kur je mirë, edhe kur je keq ja merr kengës se lehtësohet shpirti e përtërihet.

Kaluam më shumë se një orë bisedë me xha Xhevatin, e dëgjonim me vëmëndje dhe vetëm çukitja e gurëve të mjeshtrave muratorë që gdhendnin gurë për ndërtimin e stadiumit të lojrave me dorë. Aty afër dëgjoheshin. Si e falenderova për bisedën me mjaft interes për mua, me shumë kujdes e me ndrojtje i thashë që për rastin e Bedriut të mos ja thoshte askujt, sepse ishte me zarar të madh për kohën. Më pohoi me kokë e më ra supeve duke me thënë:

-Po, biri Xhaxhait!

Atë vit, si çdo herë tjetër, xha Xhevati u aktivizua shumë me grupin simpatik duke shpalosur talentin e tij. U bë protagonist në filmin artistik “Pranverë në Gjirokastër” si dhe një vit më vonë tek filmi artistik “Liri a Vdekje” me mono melodinë “Ky valiu qan me lotë , kam Çerçizë e s’e zë dot…” si dhe në premierën “Dasmë gjirokastrite “në 1983. Këngët e grupit të tij sot janë në fondin e artë të kulturës popullore shqiptare dhe ai dhe pjestarët e grupit të tij janë të pavdekshëm në zemrat e popullit shqiptar.

Këtu po i japim fund intervistës së profesorit nga Lazarati, Zija Basha, për Xhevat Avdallin, për njohjen dhe adhurimin e këngëve të tij.