Sula: Fermerët falimentojnë, tregu zaptohet nga Ballkani i Hapur

15

Numri i kafshëve të buta që mbarështohen nga blegëtorët në Shqipëri po bie me ritme shumë- shumë të larta. Ndërkohë tregun vendas po e zapton Greqia, Hungaria, Kosova e vendet e tjera të Ballkanit. Kemi qindra e mijëra shqiptarë që kanë emigruar.

Sigal

Të premten përmes një reagimi deputeti demokrat, Dashnor Sula tha se Shqipërisë po i mbarojnë produktet vendase. Ai denoncoi faktin sipas tij se numri i kafshëve të buta që mbarështohen nga blegtorët në Shqipëri po bie me ritme shumë të larta, ndërsa shtoi se tregun vendas po e zaptojnë vendet si Greqia, Hungaria, Kosova e vendet e tjera të Ballkanit. Në reagim deputeti tha: “ Shqipërisë po i mbarojnë produktet vendase! Pak ditë më parë denoncova se si qumështi që vjen nga Hungaria po zëvendëson atë vendas dhe blegtorët në Shqipëri po braktisin fshatin e po ikin në emigrim. Jo se dëshirojnë të ikin por për shkak se përballen me konkurencë të pabarabartë. Qumështi i tyre ka koston më shumë sesa ai që vjen nga Hungaria (pavarësisht rrugës së gjatë), sepse në Shqipëri dora e shtetit nuk ndihet për t’i ndihmuar, por për t’i fundosur. Me faktet e institucioneve të kësaj qeverie sot dua të denoncoj një tjetër fenomen. Numri i kafshëve të buta, që mbarështohen nga blegëtorët në Shqipëri po bie me ritme shumë- shumë të larta. Ndërkohë tregun vendas po e zapton Greqia, Hungaria, Kosova e vendet e tjera të Ballkanit. Kemi qindra e mijëra shqiptarë që kanë emigruar në Greqi prej dekadash. Detyrohen punojnë në stanet e Greqisë, larg vendlindjes së tyre. Arrijnë supër rezultate në vend të huaj, ndërsa në Shqipëri nuk arrijnë të mbijetojnë. Sigurisht kjo jo për fajin e tyre, por politikave të qeverisë. Të dhënat e INSTAT për tregtinë e jashtme në tremujorin e parë të vitit 2024 tregojnë se importi i kafshëve të gjalla në sasi u rrit me 62%, teksa një vit më parë në këtë periudhë ndryshimi vjetor ishte 22%. Të dhënat tregojnë se gati 30% e sasisë së kafshëve të gjalla vjen nga Greqia dhe theren për mish në Shqipëri. Ndërsa numri i bagëtive për mbarështim, që zakonisht vijnë nga Holanda dhe Danimarka është krejt i ulët dhe gati në vlera të papërfillshme në krahasim me importet për mish. Është e pakonceptueshme që një vend me kaq njerëz punëtorë e fisnik që ka Shqipëria, me fushat e Myzeqesë, Dumresë, me alpet e veriut të importojë mish të ngrirë nga jashtë vendit ndërkohë që mund të konsumonim mishin e freskët, qumështin e freskët nga fermat tona. Turistët që vijnë në Shqipëri duan të provojnë produktet vendase, sepse ndryshe s’kanë pse vijnë deri në Shqipëri për të konsumuar mishin e qingjit që rritet në shtetin grek e pret disa kohë në frigorifer dhe bën mijëra kilometra në kushte që nuk dihet se si për të ardhur deri në vendin tonë.”- tha deputeti Sula.