Rrezikohet pakti i detit Tiranë-Athinë

619
Pakti për detin me Greqinë, opsionet e diskutimit
Pas kërkesës së qeverisë për marrjen e plotfuqisë për negociatat për një marrëveshje të re Tiranë-Athinë, Presidenti i Republikës vijon konsultimet 
Kërkesa e Ministrisë për Evropën dhe Politikën e Jashtme për të marrë plotfuqinë për negociatat me Greqinë mbi një marrëveshje të re për ndarjen e kufirit detar i dhanë startin disa raundeve intensive konsultimesh në Presidencë. Kreu i Shtetit, Ilir Meta, zhvilloi gjatë ditëve të fundit takime me ish-presidentët e Republikës, si dhe me drejtuesit e Komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme. Megjithatë, ende Presidenti i Republikës nuk ka shpallur një vendim, ndërsa gjatë diskutimeve me Nishanin, Moisiu, Topin, Meidanin, Berishën, Kodhelin e Shehun janë trajtuar disa opsione. Sipas burimeve, politikanët i kanë sugjeruar Kreut të Shtetit rrugë të ndryshme veprimi, në varësi të situatës së krijuar me rrëzimin nga Gjykata Kushtetuese të paktit të vitit 2009. Pikërisht Gjykata Kushtetuese e thekson me forcë në vendimin e saj rolin e rëndësishëm që ka Presidenti i Republikës në një negociatë për ndarjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë. 

Opsioni i parë është ai i miratimit në parim të kërkesës së ministrit të Jashtëm, bazuar edhe në vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2010. Sipas ekspertëve, në këtë rast do të bëhej fjalë për dhënien e plotfuqisë, pa kufizime apo detajime për qeverinë, Ministrinë e Jashtme apo negociatorët, të cilët mund të jenë përfaqësues të disa institucioneve.

Opsioni i dytë është ai i miratimit të kushtëzuar të kërkesës së qeverisë për negociata me Greqinë. Në këtë rast, Presidenti mund të përcaktojë kufizimet apo detajimet që ai gjykon për negociatat me palën për caktimin e vijës së kufirit detar. Ekspertët nuk specifikuan detajet që mund të përfshiheshin në një miratim të plotfuqisë me kushte, por ato mund të jenë specifike që rrjedhin edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. 

Opsioni i tretë është ai i zgjerimit të rrethit të konsultimit dhe vendimmarrjes përpara firmosjes së një marrëveshjeje të dytë me Greqinë. Në këtë rast, një rol të shtuar mund të kishte Kuvendi apo komisione specifike të tij, të lidhur me politikën e jashtme. Përfshirja edhe e Kuvendit në këtë proces do të çonte edhe në angazhimin e opozitës, e cila e ka qortuar deri më tani sjelljen qeveritare. Një rrugë e tillë mund të nxiste dakordësinë qeveri-opozitë për të evituar një “goditje” tjetër të marrëveshjes në Gjykatën Kushtetuese. 

Opsioni i katërt është i spostimit të diskutimit Shqipëri-Greqi në një gjykatë ndërkombëtare të specializuar për të trajtuar çështjet e ndarjes së kufirit detar. Kjo linjë është diskutuar edhe më parë mes dy vendeve pas rrëzimit të marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, duket se qeveria shqiptare dhe ajo greke deri më tani kanë preferuar ta evitojnë këtë rrugë, duke zgjedhur atë të rinegociimit direkt mes tyre. 

Opsioni i pestë mbetet ai i rrëzimit të kërkesës së ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, për shkak të mungesës së transparencës në bisedimet e zhvilluara deri më tani në dy raunde mes Shqipërisë dhe Greqisë. Këto bisedime nuk janë miratuar paraprakisht nga Presidenti i Republikës dhe pak detaje dihen deri në çfarë pike kanë mbërritur. Qeveria ka deklaruar se ato kanë qenë thjesht bisedime politike dhe jo negociatë. 

Mungojnë emrat e negociatorëve
Media bëri të ditur se letra e dërguar nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati për Presidentin Meta, ku i kërkon autorizimin për plotfuqinë e ekipit negociator me Greqinë, nuk përmban asnjë emër. Burimet për “Top Channel” e cilësuan plotfuqinë në këto kushte po aq të pamundur sa një akt noterial pa emër. Ndaj pyetja shtrohet si do të veprojë presidenti? Ajo që njihet si “plotfuqia” që kreu i shtetit i jep një grupi që negocion një marrëveshje ndërshtetërore, është në fakt një autorizim për ministrin e Punëve të Jashtme. Forma fizike e këtij autorizimi është një letër me kokë e institucionit të Presidentit të Republikës, ku renditen të gjithë anëtarët e delegacionit, emër-mbiemër dhe funksionet e tyre. Letra e autorizimit përmban emërtimin e saktë të marrëveshjes, pra titullin e saj, objektin e saktë të negociatës dhe metodologjinë që do të përdoret. Negociatorët duhet të jenë persona me certifikatë sigurie që lëshohet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, me integritet moral dhe të njohur për aftësi në fushat e tyre të ekspertizës. Çështja është se kërkesa e mbërritur në presidencë nga ministri Bushati nuk përmban emra. Burimet thanë se kërkesa prej 4 faqesh e ministrit Bushati për Presidentin nuk ka asnjë emër negociatori. Ndaj natyrshëm shtrohet pyetja, a do ta japë presidenti autorizimin e tij? Burimet e cilësuan autorizimin në këto kushte, si një akt noterial pa emër. Kushtetuta i njeh të drejtën Presidentit të Republikës si kreu i shtetit që të marrë vetë kryesimin e një negociate. Por në praktikën ndërkombëtare, kreu i shtetit e delegon këtë të drejtë. Mirëpo në momentin që delegacioni merr plotfuqinë, çdo anëtar i delegacioni, pavarësisht rangut, konsiderohet se negocion në emër të presidentit. Dhe rasti me Greqinë, përveç mungesës së emrave të ekipit negociator, ka një tjetër specifikë: kompleksitetin e çështjes. Shqipëria me Greqinë kanë mbi 200 pika takimi në kufirin detar, për shkak të thyerjes së vijës bregdetare. Kur Shqipëria negocioi paktin detar me Italinë, kishte vetëm 15 pika takimi. Ekipi negociator italian kishte 24 persona, kurse Shqipëria vetëm 10. Negociatat filluan në vitin 1983 dhe marrëveshja u firmos në vitin 1991 për të hyrë në fuqi në vitin 1994. Negociatat u ndërprenë vetëm 2 vjet pasi familja Popa hyri në ambasadën italiane në dhjetor të 1985-s, kurse përgjatë 7 vjetëve të tjera u zhvilluan negociata të rregullta. Në këto kushte, kur pikat e kontaktit në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë janë 13 herë më të shumta se ato me Italinë, a do të mund të mbyllen këto negociata për 2 muaj? Në çdo rast, nëse gjatë bisedimeve do të duhet të shtohet ose të hiqet diçka nga objekti për të cilin është kërkuar plotfuqia, ministri i Jashtëm duhet të rikthehet te presidenti për të marrë një tjetër autorizim. Kjo theksohet edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Deklaratat e ish-presidentëve

Rexhep Meidani:
“Konsultimet paraprake janë një praktikë normale në vende të tjera. Vendimi për të dhënë më shumë detaje dhe një qëndrim të qartë i përket presidentit Ilir Meta”.

Bamir Topi: 
“Biseda qe jashtëzakonisht konstruktive. U njoha me materialin që ministri i jashtëm Bushati i ka dërguar Presidentit. Një nga sugjerimet që unë i kam dhënë, në bisedë Presidentit Meta, është shumë e rëndësishme që të zbatohen detyrimet kushtetuese, që do të thotë, se në çdo hallkë ose pas çdo raundi bisedimesh duhet patjetër që të involvohet Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë Kombëtare. Pashë një predispozicion që gjërat të ecin, sepse është detyrim nga të gjitha institucionet. Në momentin që fillojnë negociatat mbi hartë, do të thotë se ti nuk mund të negociosh pa marrë plotfuqinë. E rëndësishme është qe ky proces, ndryshe nga procesi i vitit 2009 ka filluar me një korrektësi institucionale dhe konstitucionale. Që problemet që kanë mbetur pezull me Greqinë të mbyllen, po delimitimi i kufijve i hap patjetër rrugë një komunikimi pa paragjykime”.

Bujar Nishani:
“Me një arrogancë ekstreme, Qeveria Shqiptare mban sekret marrëveshjen dhe nuk bën me dije asnjë informacion nga kjo marrëveshje e negociuar dhe përfunduar sipas ministrit të Jashtëm të Greqisë para pak kohësh dhe medias greke. I kërkoj publikisht si ish-President i Republikës, Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës që të nis verifikimin ligjor kur kanë nisur negociatat dhe bisedimet, theksoj, “negociatat dhe bisedimet” për Marrëveshjen e Detit dhe nëse gjatë këtyre bisedimeve është marrë “Plotfuqishmëria” sipas detyrimit të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast Prokurori i Përgjithshëm i Republikës dhe prokuroria shqiptare janë përpara një përgjegjësie të madhe ligjore kushtetuese mbi Sovranitetin e Shtetit”.
Berisha: Marrëveshja u rrëzua me korrupsion
Marrëveshja e detit që qeveria “Berisha” bëri me shtetin grek ka qenë një temë e fortë debati në politikë. Ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha ai që bëri akuza të forta nga foltorja e Kuvendit lidhur me rrëzimin e Marrëveshjes së Detit me Greqinë nga Gjykata Kushtetuese. Berisha tha se janë përdorur; para e korrupsion, duke iu referuar Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi marrëveshjen mes dy vendeve në vitin 2009, e cila sipas vendimit, cenonte integritetin territorial të Shqipërisë. “Përmende marrëveshjen e detit, do të them kaq: Bëre gjithçka me para dhe korrupsion”, tha Berisha, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama. Sipas Berishës, gjithçka është bërë për interes të një pale të tretë. 
Shehu: Të shmangen hijet dhe pazaret me Greqinë
Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i PD, Tritan Shehu, ka komentuar takimin që zhvilloi me presidentin Ilir Meta në kuadër të konsultimeve që Kreu i Shtetit po zhvillon pas kërkesës së ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushatit, për të marrë plotfuqinë për negociatat me Greqinë. Shehu u shpreh se me presidentin ka shkëmbyer mendime dhe ka ndarë shqetësimin për hapat e ndërmarra. “Takimi me presidentin ishte një shkëmbim mendimesh dhe folëm për diplomacinë dhe politiken e jashtme. Ne ndajmë shqetësim të madh për hapat e ndërmarra në lidhje me ecurinë e negociatave. Greqia na ka mbështetur në procesin e integrimit dhe nuk e ka bllokuar asnjëherë integrimin e Shqipërisë. Traktati i Miqësisë nuk ka skaduar dhe ka edhe 5 vite afat, ndërsa nuk ka ‘gogol grek’ ndaj Shqipërisë”, tha Shehu. Ish-ministri i Jashtëm u shpreh se marrëveshja e detit e vitit 2009 ishte normale, por ajo u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për mungesën e aktit të plotfuqishmërisë. Sipas tij, sot ka një mostransparencë nga ministri i Jashtëm shqiptar. “Marrëveshja e detit në vitin 2009 ishte një marrëveshje normale dhe racionale, por fatkeqësisht u anatemua politikisht dhe u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për mungesën e aktit të plotfuqishmërisë. Plotfuqishmëria jepet para marrëveshjes. Sot kemi një moment anormal dhe të paqartë, pasi ministri grek thotë se marrëveshja me detin është arritur, ndërsa kemi një mostransparencë nga ministri i Jashtëm shqiptar. Unë i besoj ministrit grek, pasi mendoj se ai thotë të vërtetën dhe nga ministri ynë ka heshtje. Kjo marrëveshje duket si çështje pazari. Ne kemi kërkuar transparencë për ketë çështje”, tha Shehu. Ai shtoi se çështja e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë duhet të zgjidhet në Gjykatën e të Drejtës Ndërkombëtare në Hagë. “Mënyra më racionale për të mbyllur këtë marrëveshje dhe këtë çështje mendoj se duhet të shkojë në Gjykatën e të Drejtës Ndërkombëtare në Hagë. Kjo është një praktikë që e kanë ndjekur edhe shtete të tjera. Përmes kësaj mënyre do hiqen hijet dhe mostranparenca. Kjo është zgjidha më racionale për mua që të shmanget hijet dhe pazaret për këtë çështje”, tha Shehu.

Kocias: Me Shqipërinë po negociojmë prej 2 vjet e gjysmë
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias ka deklaruar në një intervistë për televizionin grek “Alfa” se para një muaji janë mbyllur të gjitha çështjet e hapura prej vitesh me Shqipërinë. Para një muaji mbyllem të gjitha çështjet e hapura me Shqipërinë, që kanë qenë të tilla prej vitesh me radhë. Diplomati grek pohon se çdo negociate ka luhatje, dhe se nuk mund të japë asnjë opinion para mbylljes përfundimtare. “Për pozitivitetin duhet bërë kompromise, por ato te jene dypalëshe dhe ne favor te te gjithëve. Me Shqipërinë, po negociojmë rreth 2 vjet e gjysmë dhe është normale te kemi një rezultat pozitiv. Shpresoj te jete kështu”. Ministri i Jashtëm grek tha gjithashtu se Greqia nuk ushtron presion për zgjidhjen e çështjeve. Sipas tij, Greqia nuk ka ngut, ndërsa fqinjët e saj po. Ai u shpreh se vendi i tij ka ndjenjën e përgjegjësisë si vendi më i fuqishëm në Ballkan për stabilizimin e rajonit. Kocias shprehu besimin se në të ardhmen Shqipëria, madje edhe Shkupi ku temat janë më delikate, do të jenë aleatët më të mirë të Greqisë në Ballkan. Lidhur me negociatat me Shkupin, Kocias nuk ishte aq optimist sa për ato me Shqipërinë. “Shpresoj të prezantoj zyrtarisht paketën e marrëveshjes me Shkupin. Zaev është optimist për negociatat, dhe unë do doja të kishte të drejtë, por nga pikëpamja jonë, nuk ka akoma një marrëveshje. Me sa duket është çështje perceptimi”, tha ai. I pyetur për incidentet me Turqinë në Egje, Kocias pohoi se Turqia është e irrituar nga zgjidhja e problemeve Shqipëri-Greqi, pasi po humbet harkun ballkanik dhe luhatet mes arrogancës dhe pasigurisë. Ai shtoi se Greqia është shtet me aleatë, diplomaci e sistem mbrojtës te fuqishëm, nuk është Irak e Siri dhe nuk ka hapësire për provokime te tilla. “Ballkani dhe Turqia nuk duhet të besojnë se Greqia ka humbur influencën nga kriza ekonomike. Greqia me ekonomi të fuqishme dhe miqësore me fqinjët ballkanas, gjë që është ilaçi më i mirë ndaj Turqisë”, tha ai. Kocias e përfundoi intervistën e tij të gjatë me një mesazh paqësor, kur tha, se “mbyllja e çështjeve ne Ballkan synon paqen dhe stabilitetin e rajonit”. “Duam të rikthejmë Ballkanin bashkëpunues, paqësor e miqësor në rajon. Mos të kemi grindje, por të orientohemi drejt të ardhmes. Historia të bëhet shkollë e jo burg”, tha Kocias.
Sigal