Prof. Dr. Ago Nezha: Labëria dhe Çamëria si dy motra binjake i njeh historia

10
Sigal

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” dhe Shoqata Kulturore Atdhetare Labëria (Nderi i Kombit), organizuan ditën e enjte, më 25 prill, aktivitetin në kujtim të jetës dhe veprës së Fatos Mero, Rrapajt, Njeriut – Institut, Mjeshtër i Madh i folklorit dhe trashëgimisë shqiptare. Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” solli në këtë aktivitet librin “Rënkimet e Çamërisë”, botim i dytë.

Fatos Mero Rrapaj, porsi një bletë punëtore, hyri në çdo shtëpi për të mbledhur nektarin e çmuar të folklorit shqiptar të Çamërisë e Labërisë. Ai la pas vetes një thesar të jashtëzakonshëm të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare.

Profesorë, gazetarë e studiues të njohur, që e kanë njohur dhe takuar nga afër mjeshtrin Fatos Mero, Rrapaj, u shprehën se ai i kushtoi jetën mbledhjes së folklorit, duke e shpëtuar trashëgiminë çame nga vdekja e sigurt.
   

Labëria dhe Çamëria

Labëria dhe Çamëria ngjajnë si dy motra, dy ishuj etnokulturor, që i ka ndarë koniunkturat politike, por jo ato historike. Jo vetëm shpirtërisht, por dhe gjeografikisht, Çamëria është një zgjatim i Labërisë, ndaj dhe Fatos Mero, Rrapaj ka bërë një punë unike për të dy trevat. Gjetja e një veprimtarie të përbashkët e Fondacionit Çamëria”Hasan Tasim” iniciuar nga Alket Veliu, është për t’u përgëzuar. Populli shqiptar ka shumë thesare të vyera shpirtërore të krijuara gjatë gjithë historisë së tij shekullore, që janë transmetuar gojë më gojë ose nëpërmjet gëzimeve dhe hidhërimeve, që kanë përjetuar në bashkësi fisnore ose krahinore. “Heroi” i folklorit që përkujtojmë ne një veprimtari të përbashkët mes Shoqatës “ Labëria “ dhe Çamëria “, ka qenë një kalorës i palodhur, i papërtuar, i pamërzitur, për të trokitur në çdo derë si bleta lule më lule, për të mbledhur perlat e folklorit popullor. Puna dhe veprimtaria e Fatos Mero, Rrapaj për të mbledhur folklorin e Labërisë dhe Çamërisë, ka qenë një sipërmarrje cfilitëse, që kur njihesh nga afër me këtë pasuri të çmuar dhe je duke e lëvruar, përfytyron se kemi të bëjmë me një institucion dhe jo me një person. Pasuria folklorike që është derdhur në librat e tij, zë fill nga thellësitë e shekujve e vendosur në piedestalin trekëndor të grupeve epike, lirike dhe satirike. Tematika e këtyre poezive që në shumicën e rasteve janë kthyer në këngë popullore rrok stinët e tërë brezave. Aty shfletohet historia autentike e fshatrave me karakteristikat e tyre dalluese. Librat e Fatos Mero, Rrapaj, ngjajnë me Kanunin e Labërisë, ku gjen traditat, zakonet, gjuhën, toponiminë, ekonominë, kulturën, etnografinë, etj. Autori ka ruajtur me fanatizëm etnicitetin e folklorit, duke respektuar frymën virgjërinë të këngës, siç ka dalë nga goja e popullit. Kënga folklorike e veçanërisht ajo historike ka vlerë të konsiderueshme kur është në rezonancë të plotë në çdo ind të saj, me logjikën historike të ngjarjes siç është kënduar nga populli, pa operacione e ndërhyrje kirurgjikale, duke futur OMGJ-të e sotme “moderne”. Këngët e mbledhura nga krahina të ndryshme të Labërisë apo Çamërisë, kanë identitetin e tyre dhe në një farë mënyrë tregojnë dhe fytyrën e vërtetë të zonës nga burojnë. Nëpërmjet këngëve epike, lirike apo satirike, zbulon dhe lexon veçoritë dhe karakteristikat në njësi të vogla etnike. Poezia e kthyer në këngë polifonike labe dhe çame, ka lindur si nevojë jetësore në njësi të vogla familjare e fisnore dhe janë trashëguar në breza. Origjinën e kanë në truallin amëtar dhe jo në “Sirenat greke dhe muzikën kishtare, bizantine siç duan të na i shesin pseudoakademikët pro helenë, që e kanë regjistruar në UNESCO dhe që përbën një rrezik për të ardhmen për ta përvetësuar si pasuri të tyre, siç ndodhi me Lahutën, po nuk u tjetërsua dhe korrigjuar ky deformim tinzar. Labëria dhe Çamëria u ka kënduar dhe i ka qarë trimat me vargje të shndritshme, që lëshojnë dritë deri në ditët e sotme. Kjo dukuri lexohet qartazi edhe te dijetari ynë Sami Frashëri që te fjalori i tij Enciklopedik kur shkruan për banorët e Labërisë thotë se …” kanë prirje e aftësi natyrore për poezi, gratë e tyre kanë zakon të vajtojnë të vdekurit me elegjitë që krijojnë aty për aty”. Këngët labe karakterizohen nga vargje me muzikalitet dhe figuracion që në shumicën e tyre përcjellin dhe mesazhe filozofike. Dy vargje flasin për një epope. Mjafton të kujtojmë vargjet e Lefter Çipës: “ Kemi derdhur gjak me Okë, ndaj lulëzon kjo tokë “. Këto dy vargje kanë densitet të madh dramatik që flasin për luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar dhe shoqëror. Këngët labe janë refleksione të ngjarjeve, situatave, zakoneve, traditave e riteve fetare. Autori me sqimën e tij të hollë, ka ditur t’i zbulojë, etiketojë, motivojë , t’i adresojë dhe klasifikojë sipas gjinive të tyre.

Vëllimet me këngët popullore janë një magje e madhe, që ke me se të gatuash, ku gjuhëtarët bashkëkohor duhet t’i ndajnë e klasifikojnë sipas gjinive dhe tematikës që trajtojnë. Puna e Fatos Mero, Rrapaj, është një thesar i çmuar për trevën e Labërisë dhe Çamërisë, që i janë mirënjohës dhe aktiviteti i organizuar nga dy shoqatat, është një homazh për jetën dhe veprën e tij.