Albin Kurti: ‘Ballkani i Hapur’ për autokracinë dhe ndikimin rus e kinez

251
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kryeministri kosovar Albin Kurti ka komentuar takimin e tre shteteve fqinje për Mini-Shengenin, që tani quhet “Ballkani i Hapur”. Kurti ka thënë se problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën. Sipas tij, tregu i përbashkët duhet të nënkuptojë demokratizim dhe sundim të ligjit, por theksoi se kjo është e pamundur përderisa Serbia nuk e pranon të kaluarën kriminale.Ai tha se nuk është i entuziazmuar nga ky ndryshim, pasi ky emër, nënkupton hapje ndaj ndikimeve ruse dhe kineze.

“Në veçanti nuk mund të them që jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’ pasi duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse dhe Kina, si dhe Ballkan i Hapur për autokracinë, korrupsionin, kriminelët e luftës, siç e dimë që vazhdojnë të jenë masivisht jo vetëm të lirë në Serbi”, tha ai. Kurti siguroi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë vëllazërore, pa marrë parasysh raportet e krerëve shtetërorë. “Kosova dhe Shqipëria do t’i kenë e duhet t’i kenë marrëdhëniet e mira e gjithnjë e më të mira. Nuk i përket as kryeministrit të Kosovës e as atij të Shqipërisë që dy vendet tona që janë të një kombi, që të kenë marrëdhënie jo të mira.”.