Projekti “Tavolara Bay Srl” do të përfshinte ndërtimin e një kompleksi turistik ultra-luksoz në zonën e mbrojtur të Cala Finanza (Sardenjë, Itali), përballë ishullit të mbrojtur të Tavolarës. Ai parashikonte një hotel me 5 yje, 26 deri në 30 vila luksoze, fushë golfi dhe një kamping luksoz, e gjitha me financim rreth 200 milionë euro.
Projekti u miratua nga qeveria italiane në Romë, duke anashkaluar rregullat standarde dhe duke injoruar kundërshtimet lokale. Qytetarët reaguan me protesta, – asnjë prej tyre nuk u etiketua si agjent i huaj, qeveria nuk përdori të gjitha kapacitetet për denigruar individët protestues dhe familjet e tyre, kryeministrja Meloni nuk fye dhe as denigroi kritikët, – dy institucione shtetërore përgjegjëse iu bashkuan kritikave, pavarësisht vendimmarrjes politike, dhe në fund, autoritetet përgjegjëse lokale sapo vendosën sot revokimin e të gjitha autorizimeve për ndërtimin e resortit.
Imagjino sikur ky rast të kishte ndodhur në Shqipërisë apo nëse Itali do të administrohej nga ata që kanë pushtetin real këtu: – qeveria qendrore, parlamenti dhe bashkitë do të ishin në unison pro projektit, kundër qytetarëve kritikë; protestuesit do të ishin dhunuar dhe denigruar, militantët e partisë do të kishin fyer e denigruar çdo zë kundër ose neutral, zërat e paguar në media do të kishin një fushatë intensive kundër kritikëve, oligarkët do të kishin bërë deklaratë mbështetëse në emër të zhvillimin, etj, etj, dhe natyrisht, projekti do të ishte imponuar, me forcë, me dhunën e pushtetit.
Por është Itali. Edhe aty ka kritika, por funksionon shteti i së drejtës dhe institucionet, vullneti politik nuk është absolut dhe reagimi komunitar lexohet dhe respektohet. Diçka që në Shqipëri mund ta imagjinojmë vetëm nëpër filma, shprehje që vijon të përdoret në mënyrë abuzive dhe cinike nga pushtetet arrogante dhe korruptive të radhës dhe avokatët e tyre! Italia “duhet të mësojë nga ne”, nga çunat problematikë të investimeve të suksesshme politike/strategjike, nga qeveria e shefit të gjatë, nga partia e shefit të gjatë dhe nga institucionet noterizuese shtetit personal të shefit të gjatë.






















