Xhenet Sula: Ali Luzati, patrioti që i dërgoi telegram Konferencës së Paqes dhe Presidentit Uilson

485
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nëqoftëse të drejtat tona për lirinë e plotë nuk merren në sy, atëherë kombi shqiptar do të luftojë deri në vdekje

Më 1912, shkruan Gazeta “Zëri i Vlorës”më 28-11- 1985 Ali Kalo Luzati detyron telegrafistin turk me revolverin në dorë që telegramin e ardhur nga Ismail Qemali që të bënte të njohur ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë ai duhej ta transmetonte dhe në rrethet Përmet,Gjirokastër,Delvinë e Sarandë.

Ali Luzati

Ç’do memorial e pllakatë mermeri me emër, që është e vendosur në sheshe e kodra, rrugëve dhe lagjeve nëpër qytetet e Shqipërisë mbart në vetvete një histori. Një e tillë ndodhet dhe në qytetin e Tepelenës,e vendosur në  marsin e vitit 1987 me vendim të Komitetit Ekzekutiv të atëhershëm, në perëndim të rrugës së tretë të kalimit horizontal dhe mban emrin e patriotit, atdhetarit dhe fisnikut ALI KALO LUZATI. Më tej në hyrje të po kësaj rruge nga lindja shikon edhe një pllakat tjetër mermeri me ngjyrë të zezë, por pak më e madhe se kjo, ku brenda së cilës shkruhet: “TELEGRAM! Konferencës së Paqes Paris. Presidentit të SH.B. A. W.WILSON. Lajmërojmë Shkëlqesinë Tuaj se nëqoftëse të drejtat tona për lirinë e plotë nuk merren në sy, po ndahet Shqipëria mes fqinjëve lakmitarë, atëherë kombi shqiptar do të luftojë gjer në fund për të mbrojtur tërësinë e vendit.” Me përunjësi,  Ali Kalo Luzati. Kryetari i Partisë Politike Shqiptare Dega: Neë-BedFord-Massit SH.B.A. Më 12 Mars 1919.“Albania”  nr.48, datë 20, 03. 1919. Sa e lexon këtë telegram fillon e kuvendon me vetveten duke menduar e kujtuar se kush ka qenë ky Ali Kalo Luzati dhe ç’aktivitet e kontribut ka pasur e dhënë ai në Tepelenë në kohën që jetoi ?!

Dhe tek sa interesohesh për të del se Ali Kalo Luzati (Zenelaj) lindi më 1861 në katundin Luzat në një “fshat rebel”siç e quanin osmanllinjtë në një familje të varfër, por me tradita patriotike mbasi gjyshi dhe babai i tij Kalo Guçe  Zeneli kishin marrë pjesë në çdo përpjekje me luzatarët e tërë kundër osmanllinjve. Kryen filloren në turqishte në Tepelenë dhe me përpjekjet e të atit Kalos dhe ndihmën e dajove nga Turani ai vazhdoi e mbaroi të mesmen në Janinë, kthehet në vendlindje,duke zotëruar turqishten, greqishten, arabishten dhe anglishten, emërohet nëpunës monopoli në Tepelenë, detyrë të cilën Aliu e mbajti plot 25 vjet.  Aktiv dhe veprimtar nga 1900 -1926 ai nuk reshti së luftuari duke kontribuar për një Shqipëri të lirë e të pavarur,e sidomos në vitet kur qëndroi e punoi në Amerikë. Me punën që bënte ai fiton simpatinë në të gjitha rrethet nacionaliste të vendit tonë, si pjesë e grupeve kryesore që luftonin për çlirimin e atdheut nga pushtuesi turko-grek. Ai ishte anëtar i organizatës politike në Tepelenë ,e cila drejtohej nga Baba Ahmet Turani, që punonte me parrullën ”Ja Vdekje- Ja Liri”e bashkëpunues me patriotët e tjerë Tepelenas si, Selam Musai, Ismail Kasua, Arshi Dauti, Gani Shehu, Ali Rakip Salaria, Sheh Ali Bënça etj, dhe anëtar i kryesisë në Degën e Klubit Shqiptar Krahinor që përbëhej nga Gani Shehu, Avni Rustemi Libohova, Ali Rakip Salaria, e Beqir Sami (Mezhgorani) ku drejtohej nga patrioti Dervish Hima, të cilët mbanin korrespondencën me Klubin e Manastirit.

Nuk ka përpjekje më fisnike për njeriun se ajo për lirinë kombëtare.

Më 1912, shkruan Gazeta “Zëri i Vlorës”më 28-11- 1985 Ali Kalo Luzati detyron telegrafistin turk me revolverin në dorë që telegramin e ardhur nga Ismail Qemali që bënte të njohur ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë ai duhej ta transmetonte dhe në rrethet Përmet, Gjirokastër, Delvinë e Sarandë. Dhe telegrafisti turk i zënë ngushtë këtë telegram e transmetoi si rezultat i vendosjes së revolverit në gjoks nga Ali Kalo Luzati. Në fund të vitit 1913 ai arrestohet nga shovinistët grekë së bashku me shokët e tjerë si Daut Shehun, Shefqet Sadullahu, Arshi Daut Shehun dhe demaskohen në prani të 600 ushtarëve e oficereve grekë para sheshit në Tepelenë pse ishin kundër guvernës greke, shkruan revista“Përparimi”nr,5 – 1917.

Nga djegia dhe mizoritë e shumta që grekët bënë edhe në fshatin Luzat, Ali Kalua largohet nga vatani së bashku me të dy djemtë e tij e luzatarë të tjerë për në Vlorë, pasi kishte varrosur me 13 familjet e fshatit, të cilat i kishte vrarë greku dhe tre fëmijët e tij një djalë dhe dy vajzat jetime pasi dhe gruaja e tij kishte vdekur më parë.

I detyruar nga gjendja ekonomike e fukarallëku i madh i vitit 1914, ai së bashku me të dy djemtë Remziun dhe Arshiun nisen për në kurbet dhe shkojnë në Amerikë e vendosen në qytetin Nieë – Bedford- Mass,duke filluar punën si punëtor në fabrikat e tekstileve për shtatë vjet nga 1914 deri në 1921. Shqiptarët e Amerikës duke i njohur cilësitë e tij në Shqipëri e zgjedhin atë disa herë kryetar të kolonisë shqiptare për këtë qytet,e duke u shquar si patriot i flaktë për Shqipërinë kuvendi i “Partise Politike” të shqiptarëve të Amerikës, që u mblodh në Voçerster mass nga 7-12 mars 1919 Ali Kalo Luzatin e zgjodhi inspektor të kësaj partie, i cili punoi pa u lodhur mes shqiptarëve për t’u ngjallur atyre patriotizmin. Mbajti dhe bashkëpunoi dhe me partitë e tjera politike shqiptare në Amerikë, të cilat udhëhiqeshin nga Fan.S.Noli, Sevasti Dako (Qirjazi) Hasan Prishtina, Mihal Grameno, e Halil Gjirokastra, duke gëzuar një respekt të veçantë e duke marrë pjesë në kuvende si delegat bashkë me patriotët e tjerë të kohës ku në njerin nga këto kuvende ata zgjodhën dhe delegatët për në Konferencën e Paqes në Paris, të cilët ishin: Hasan Prishtina, Mihal Grameno, Halil Gjirokastra, Parashqevi Qirjazi etj. Përpiloi dhe firmosi bashkë me tetë delegatët thirrjen:VËLLEZËR SHQIPTAR shkruan Gazeta Albania mars 1919, që bënte thirrje për çlirimin e Shqipërisë e veçanërisht të Kosovës e Çamërisë të grabitura padrejtësisht nga fuqitë e mëdha, ku për këtë çështje shkruajti dhe shtypi i kohës.

Presidenti i Amerikës Uillson i mbytur me telegrame dhe me apel në emër të Shqipërisë, në Kongresin e Kombeve të Shtypura në Uashington më 4 korrik 1918 ku mbajti fjalimin e njohur mbi“Katërmbëdhjetë Pikat”në lidhje me kombësinë dhe vetëvendosjen, po atë pasdite do t’i premtonte Peshkopit Fan Noli, i cili përfaqësoi Shqipërinë në atë kongres për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve: “Në Kongresin e Paqes do ta kem një zë dhe atë zë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë.”Liria 27 nëntor 1974,2.

Qe ky zë që dëgjoi dhe qindra dhe mijëra zëra që dilnin dhe vinin nga thellësitë e të gjitha zemrave shqiptare e bashkë me ta dhe zëri i fuqishëm i patriotëve të Jugut të Shqipërisë që “bindën” Presidentin Uillson në Konferencën e Versajës të “largonin” synimin lakmitar të shteteve fqinjë për grabitjen dhe ndarjen e trojeve tona në tri pjesë.

I mençur është ai njeri që veç punës di e aktivizohet edhe me veprimtari politike në dobi të jetës shoqërore e të atyre në lidhje me interesat e përbashkëta që kanë të bëjnë për të mirën e popullit dhe vendit.

Me këtë mençuri patriotike veproi dhe Ali Kalo Luzati, i cili u anëtarësua në partinë politike ku ai militoi dhe vetë si kryetar i degës Nr.21 e të degës Nr.7, shkruan gazeta Albania Nr.32 e 21.11.1918. Përshkruhet si njeri i pajisur me cilësi të veçanta e të njohura mirë nga bashkëkohësit e më tej si burrë i zgjuar e i ndershëm me kulturë, patriot e atdhetar.  Është po kjo gazetë, e cila më 8.01.1920 do të shkruante: ”U këndua një letër prej zotit Ali Kalo, inspektorit të partisë, i cili këshillonte delegatët të mbarojnë punë si e do nderi i partisë” etj, etj. Veprimtari si këto janë të pasqyruara edhe në dokumentet zyrtare të asaj kohe e që ndodhen në Bibliotekën Kombëtare Tiranë…

Pasi kishte kaluar pragun e të 60- dhjetave Ali Kalo Luzati merr vendim dhe kthehet në atdhe me të dy djemtë e tij Remziun e Arshiun në vitin 1921 duke u vendosur përsëri në vendlindjen e tij Luzat, dhe vazhdoi përsëri aktivitetin e tij atdhetar. Kështu më 1923 në Tepelenë Ali Kalo pret mikun e tij Fan Nolin dhe ndihmon në regjistrimin e 600 vullnetarëve Tepelenas për Revolucionin Demokratiko –Borgjez.

Shtëpia e Kalos gjendej në qendër të Luzatit. Plaku i shtëpisë quhej Kalo Guçe Zenelaj, dhe i biri Ali. Aliu u soll në jetë nga gruaja e Kalos Fatimeja. Për fatin e tij të keq Aliu martohet dy herë. Me Xhevrien ai lindi dy djem Remziun dhe Arshinë. Fatimeja vdes dhe të dy këta djem ngelën jetim. Aliu i detyruar edhe nga dy djemtë e tij martohet përsëri po në Tepelenë ku me gruan e dytë ai pati tre fëmijë, Muzaferin, Barien dhe Sadeten. Për të nderuar të atin meqë i dha shkollë Aliu mbajti si mbiemër nga Zenelaj në Kalo, llagap ky i pakthyeshëm. Aliut i qëlloi fati që të jetonte periudhën e trazuar kur shqiptarët të vetëdijshëm kishin filluar të zgjoheshin, dhe u ngritën në këmbë duke kërkuar nëpër kancelaritë e botës padrejtësinë e munguar kombëtare shumëshekullore për liri, mëvetësi dhe autonomi. Libri “100 Familjet e mëdha Shqiptare” pjesa e dytë me autor Donika e Zenel Anxhakut e radhit familjen KALO jo pa qëllim të katërmbëdhjetën, sepse jetëshkrimi i kësaj familje është tipik i një familjeje atdhetare shqiptare, që nëpër breza ka jetuar dhe punuar me sakrifica, me djersë, ndershmëri e urtësi. Nga trungu i saj kanë dalë bij e bija  patriotë  e të shquar në luftën çlirimtare për liri,  por dhe në punë e  në shkencë. Njërit  ndër ta profesor Isuf Kalo  mjek  i njohur në Shqipëri e në Europë, ish drejtues   në Organizatën Botërore të Shëndetësisë i është akorduar edhe titulli” Qytetar Nderi i Tepelenës “