Skandali/Qeveria merr miliona euro kredi, por rimbursimi i ilaçeve të Covid-19 për qytetarët është minimal

247
Sigal

Deputetët:  Qeveria po merr miliona euro kredi, por rimbursimi i ilaçeve të Covid-19 për qytetarët është minimal 

Pavarësisht se qeveria po merr një sërë kredish për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19, nuk po parashikohet asnjë mbështetje për pacientët e prekur nga infeksioni, të cilët përballen me shpenzime të larta për blerjen e medikamenteve. Shqetësimi u ngrit nga deputetë e opozitës, në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë, teksa diskutohej një marrëveshje kredie prej 60 mln euro.

Paralelisht, deputetët thanë se për marrëveshjen e kredisë nuk janë detajuar sesi do të shpenzohen paratë, ndërkohë që vunë në dukje se paratë po merren për shpenzime që tashmë janë kryer.

Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të të infektuarve parashikon rimbursimin 100% , të formës së lehtë dhe të moderuar të trajtimit, por jo më shumë se respektivisht 1 650 lekë dhe 10 900 lekë, por sipas të dhënave zyrtare, rimbursimi i barnave për COVID-19 është në nivele shumë të ulta, në raport me numrin e personave të infektuar.

Më herët ekspertët kanë renditur disa arsye për mungesën e rimbursimit, ku një prej tyre është interesi i ulët i qytetarëve për shkak të vlerës së ulët që mbulojnë paketat, në raport me kostot reale për trajtimin e infeksionit.