OSHEE dhe OST kërkojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike vitin e ardhshëm

277
Sigal

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit kanë aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritje të çmimit vitin e ardhshëm. Në Fletoren Zyrtare janë botuar dy vendimet për fillimin e procedurës së shqyrtimit të aplikimit për rritje çmimi nga dy kompanitë shtetërore të energjisë.

OSHEE kërkon një rritje të tarifës mesatare të shpërndarjes së energjisë me 34%. Pra, nga 4.79 lekë për kilovat orë që është sot, të bëhet 6.42 lekë për kilovat orë duke filluar nga viti i ardhshëm. Nga rritja e çmimit janë të përjashtuar qytetarët dhe bizneset e vogla, siç ishte deklaruar edhe më herët nga qeveria, teksa do të preken bizneset e mëdha, të lidhur në tensionin 6, 10 dhe 20 kilovolt, si dhe ato në tensionin 35 kilovolt, që janë kryesisht industritë. Burime nga OSHEE shpjegojnë se rritja e çmimit për këtë kategori është kërkuar për rregullim të tarifave në treg, të cilat për këto biznese ishin të pandryshuara prej vitesh, pavarësisht rritjes së kostove.

Ndërkohë që Operatori i Sistemit të Transmetimit propozon një rritje të tarifës mesatare të transmetimit të energjisë me 96%. Pra, nga 0.75 lekë për kilovat orë që është aktualisht, në 1.54 lekë për kilovat orë duke filluar nga viti i ardhshëm dhe për një periudhë rregullatore 3-vjeçare, 2022-2024, një tarifë mesatare transmetimi prej 1.47 lekë për kilovat orë.

Pas dorëzimit të aplikimeve nga dy operatorët e sektorit energjetik, i takon Entit Rregullator të Energjisë që të vendosë, pasi të analizojë ndryshimin e kostove të një kilovat orë energji dhe argumentet që japin kompanitë. Vendimi pritet të merret nga bordi drejtues i ERE-s brenda muajit dhjetor.