88.5 hektarë tokë publike u kalojnë turqve, “Osmani” kthehet… këtë herë jo me shpatë, por me investim

Ndërsa qeveria vazhdon të promovojë “investimet strategjike” si motor zhvillimi për vendin, vendimet e fundit po ngrenë pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si administrohet pasuria publike dhe kush janë përfituesit realë të saj.
Në mbledhjen e 30 qershorit, Këshilli i Ministrave vendosi të transferojë 88.5 hektarë tokë shtetërore në Vlorë në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, për t’ia vënë më pas në dispozicion subjektit investues RAMS Albania sh.p.k., në kuadër të projektit strategjik “Vlora TEDA/RAMS Free Zone”. Vendimi bazohet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike të 11 shkurtit 2026, ndërsa për zbatimin e tij janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, AIDA dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Por kjo nuk është e vetmja hallkë e historisë.
Dokumentet dhe njoftimet publike tregojnë se prej 14 marsit 2025, aktori turk Burak Özçivit, i njohur nga publiku shqiptar si “Osmani”, është bërë zyrtarisht partner dhe ambasador i RAMS Global. Vetë kompania e ka prezantuar si pjesë të familjes së saj, duke e lidhur emrin e aktorit me projekte si Pavilion by RAMS në Erbil dhe RAMS Beyond Almaty në Kazakistan.
Pak muaj më vonë, Burak Özçivit vizitoi Vlorën dhe u prit nga autoritetet lokale. Sot, pas vendimit për transferimin e 88.5 hektarëve tokë shtetërore kompanisë me të cilën bashkëpunon, lind natyrshëm pyetja: ishte kjo vetëm një vizitë promovuese apo pjesë e një strategjie më të gjerë biznesi?
Ndërkohë, qeveria vazhdon ta justifikojë çdo transferim të pronave publike me termin “investim strategjik”. Por për shumë qytetarë, panorama duket gjithnjë e më e njohur: prona shtetërore kalon në dispozicion të korporatave, ndërsa publiku informohet vetëm pasi vendimet janë marrë.
Kur bëhet fjalë për dhjetëra hektarë tokë publike, transparenca nuk duhet të jetë luks. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë jo vetëm kush investon, por edhe çfarë jep shteti, çfarë përfiton realisht vendi dhe pse prona publike po kalon gjithnjë e më shpesh në duart e kompanive private nën etiketën “investim strategjik”.
NOA