Beqaj në Tërbuf të Lushnjes, inauguron Kabinetin e kontrollit mjekësor falas

629
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar nga deputetët Erion Braçe, Petrit Vasili, zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe Kryetari i Komunës Divjakë, Fredi Kokoneshi, morën pjesë sot në një takim të organizuar me rastin e vënies në funksionimin të kabinetit të kontrollit bazë mjekësor 40-65 vjeç në QSH të Komunës Tërbuf, Lushnje. Gjatë fjalës së tij, ministri i Shëndetësisë vuri në dukje se “Kontrolli mjekësor bazë pa pagesë për të gjithë shqiptarët 40-65 vjeç është një realitet. Me reformat e tjera që kemi ndërmarrë po e rikthejnë vëmendjen te kujdesi parësor, duke i dhënë mjekëve dhe infermiereve në parësor mundësinë që të merren realisht me kujdesin shëndetësor”. 
Ministri vuri ne dukje se “me përfundimin e zgjedhjeve të pushtetit vendor, njësitë e reja që do të krijohen në zbatim të reformës territoriale, do të kenë më shumë kompetenca edhe në shëndetësi, në drejtim të vendosjes së prezencës në territor të qendrave shëndetësore dhe të caktimit të lëvizjes së mjekëve dhe infermierëve sipas nevojave dhe flukseve të caktuara të vitit, sipas ngarkesave epidemiologjike apo edhe sipas nevojave të sezonit turistik”.
Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, tha se “ndaj kënaqësinë reciproke me ministrin që jo thjesht dhe vetëm të promovojmë Check-up apo kontrollin parandalues, por kthejmë përfundimisht vëmendjen dhe fokusin e shëndetësisë shqiptare drejt kujdesit parësor”. Sakaq, Vasili shtoi se infrastruktura edhe profesionalizmi i mjekëve bënë të mundur që çdo shqiptar të kontrollohet dhe të dijë se ç’ndodh me shëndetin e tij, pavarësisht se ku ndodhet ai, në Tiranë apo në pjesët më ekstreme të Shqipërisë.
Sigal