Të njëjtat dashuri mbaj brenda,
Të njëjtët engjëj gjithmonë zgjuar,
Veç miqtë që njoha kafeneve,
Përditë po shkojnë duke rralluar.
I njëjti mall më gërryen gjoksin,
E njëjta ëndërr rri te pragu,
E njëjta hënë vjen në dritare,
Dhe sjell të fala prej së largu.
Të njëjtët njerëz bëjnë ligje,
Gjithmonë armiq të së vërtetës,
Të njëjtat maska në fytyrë,
E njëjtë monotonia e jetës.
Të njëjtë servilët nëpër zyra,
Të njëjtë të mirët e të ligjtë,
E njëjta vesë spërkat mëngjeset,
I njëjti prill i çel qershitë.
Të njëjtat male me dëborë,
I njëjti dhe qielli me re,
E njëjta klasë politike,
Që na shton plagët mbi atdhe.
Të njëjtë kudo dhe mediokrit,
Që shqipja nënë në shpinë i mban,
Të njëjtët pasanikë gjithmonë,
Dhe fukarenjtë po ata.
E njëjta grua vjen në muzgje,
Të njëjtët zogj atje në krua,
Të njëjtët yje bëjnë dritë,
Të njëjtat dhimbje trazojnë mua…






















