Pjesëmarrje masive nga votuesit në Korçë, pajisjet elektronike patën probleme

261
Sigal

Salianji: Sot Korça votoi ndryshimin. Faleminderit!

Mendohet të kenë votuar më shumë se 50% e zgjedhësve

 Vepror Hasani

Qarku i Korçës, zgjedhjet e 25 prillit i përcolli me interes të veçantë. Në orën 07.00 të mëngjesit qytetarë të këtij rajoni ishin të pranishëm në të gjitha qendrat e votimit. Qetësia dhe mirëkuptimi mbizotëroi atmosferën e zgjedhjeve të kandidatëve  të Kuvendit të Shqipërisë; traditë kjo e hershme e qarkut Korçë. Kjo gjë u vu re edhe në të gjitha qytetet e këtij qarku: Korçë, Pogradec, Devoll, Ersekë, Leskovik, Maliq dhe Pustec, pa përjashtuar asnjë prej fshatrave të këtij rajoni. Ata që ende nuk kishin votuar, vijonin të vinin në qendrat e votimit në orët e pasdites, madje në një numër shumë më të madh. Gjithsesi gjatë paraditës shumica e pjesëmarrësve në votime ishin mosha e tretë.

Të interesuar edhe emigrantët

Lajmet e mbërritura në Korçë bënë të ditur se, gjatë ditës së diel dhe dy-tri ditë më pare, emigrantët shqiptarë ishin përpjekur të hynin në Shqipëri, jo vetëm nëpërmjet doganave, por edhe nëpërmjet rrugëve këmbësore nga mali, por ndërsa për të parët u kërkua karantinimi, për të ardhurit nga mali, nuk u lejua pjesëmarrja në votim. Sipas banorëve të Korçës, votimi i emigrantëve mund të ishte realizuar me postë ose duke shfytëzuar mundësi të tjera.

Probleme me pajisjet e identifikimit biometrik

Në disa qendra votimi, pati mosfunksionim të mirë të pajisjeve të identifikimit biometrik. Ndodhte që pajisjet nuk identifikonin votuesin, gjë që solli ndërprerje të procesit, por në intervale të shkurtra, pasi në raste të tilla, identifikimi bëhej sipas mënyrave të mëparshme. Kjo u vërejt si një nga mangësitë e këtij procesi, sepse duhej të ishte menduar edhe për trajnime të tilla, që të zgjidhnin defektet e pajisjeve.

Salianji: Dilni masivisht në votime

“Siç duket nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve,  Korça ka një pjesëmarrje masive, ka vërshim, vrull të qytetarëve, për të bërë të mundur ndryshimin e shumëpritur në 8 vite, për të larguar keqqeverisjen dhe qeverisjen lokale me njerëzit që ka përfaqësues Partia Socialiste, të cilët e kanë kthyer në pronë private qytetin dhe jetën e qytetarëve. Ne bëjmë thirrje, – vijoi Salianji, – që edhe gjatë orëve të tjera të votimit, të ketë pjesëmarrje masive, të shkojnë të votojnë të qetë, të shmangin çdo tension dhe provokim që mund të ndodhë nga pala humbëse, nga Partia Socialiste apo nga drejtorët e diskredituar të administratës publike, që janë të vetmit që i kanë mbetur Partisë Socialiste, një grusht apo grumbull banditësh, që i përdor sa herë ka zgjedhje.

Incidentet u ndërprenë dy ditë më parë
Sipas denoncimit të drejtuesit politik të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, në qarkun e Korçës, dy ditë para zgjedhjeve, struktura e mbrojtjes së votës e Partisë Demokratike, kishte mundur të bllokonte automjetin e administratorit të njësisë administrative Vreshtas dhe ndërkaq, t’i kërkonte policisë kryerjen e kontrollit  të automjetit, sepse, sipas Spahos, te kjo makinë, ishin gjetur listat e fshatit Podgorie, listat e patronazhit të fshatit Podgorie dhe lista e shkruar me dorë e emrave të banorëve të këtij fshati, ku ndërkohë dy automjetet e tjera, u larguan me forcë.