Justina Aliaj këngëtare dhe aktore e lindur

677
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Që studente, ti luajte rolin kryesor në dramën “Një shok i klasës sonë” të K. Spahivoglit

nga Prof. Josif Papagjoni

Në Facebook mësova se Justina ALIAJ, Justi, ka ditëlindjen. Dhe saora gishtat donin të shkruanin diçka për këtë mike të hershme të rinisë sime studentore, ecejakur në po të njëjtin kurs për aktrim, në vitet 1968-1972.

E shtrenjta Justi!

Po të drejtohem miqësisht se s’mundem dot ndryshe! Ke qenë një nga miket e mia të dëlira atyre viteve, kur optimizmi dhe drita e rinisë sonë ngrihej lart qiejve si avuj ëndrrash të bukura arti, prej të përzgjedhurish të fatit a Hyjit, atyre shpresave dhe bukurive, asaj aventure dhe marrive të papërsëritshme rinore për të hedhur supeve mantelin e të bukurës, e famës, lazdrimet e egos dhe emrit. Shumëkush nga ne nuk e arriti këtë përkëdhelje, ti e arrite. E pive kupën e artit të tërën, ani pse diku-dikur donin të ta hiqnin nga dora. Të kujtoj Justi atyre shkallëve të Institutit të Lartë të Arteve, atyre studiove të katit të tretë ku merrnim dije, atyre studiove poshtë e në kat të dytë, ku mësonim aktrimin dhe vigjëlonim ditë- natë mbi fjalët, etydet, fragmentet, pjesët. Ti spikate menjëherë ndër ne, sepse kishe brenda dhuntinë e falur, vertikalen e Hyjit, ashtin e bukur të aktrimit, stolinë e artistes. Ishe aktore dhe këngëtare e lindur. Ishe bijë e Shkodrës me atë gegnishten tënde poetike, por sidomos me dëlirësinë tënde si njeri, me bukurinë tënde si femër, me prezencën tënde dhe ndjesinë e sigurisë së epërme kundruall të tjerëve. Ne ju donim si motrat tona ju, vajzat e bukura poetike të kursit tonë, me Klaudetën, Olimbinë, Meritën, Shpresën…

Ti ishe për mua një njeri i frymës, biseda dhe prania e jote ishte aq e ëmbël. Viteve të shkollës ti ndrite me rolin e vajzës në shfaqjen e pedagogut tonë të jashtëzakonshëm Kujtim Spahivogli. “Një shok i klasës sonë”. Interpretoje dhe këndoje. Unë zëvendësova ca ditë Niko Kanxherin në atë shfaqje, sepse duhej dikush që t’i binte kitarës. I kujtoj ato ditë në Durrës me Fllokon, Ndrenikën, Kamen, Radën, kujtoj shumë gjëra të bukura prej teje, dhe mbi të gjitha, Justi, kujtoj diçka, që ti mbase edhe e ke harruar. Shpesh vija në Shkodër nga Puka dhe shikoja shfaqjet e teatrit dhe estradës aty. Atyre viteve të ngujimit dhe mërzive të mia, në një koncert a shfaqje estrade ti këndove një porpuri këngësh shkodrane. Ti më vure re dhe më përshëndete hijshëm dhe doje, gati-gati, sikur të ma dedikoje mua një prej atyre këngëve lirike. Dhe unë ndjeva fare afër Justin e dëlirë të viteve studentore. Ndjeva atë shoqe përdëllyese, që derdhte nga skena respektin e saj. Ndjeva ajrinë´ e njeriut SHPIRTBUKUR… Një tjetër rast ishte shfaja “Djem të mbarë” e Fadil Krajës, me trupën e ardhur në Pukë, ku ti luaje rolin kryesor. E si mund të rrija pa thënë dy fjalë për shfaqjen tuaj dhe për ty, në një artikull botuar në revistën “Nëntori”. Dhe plot copëra të tjera kujtimesh, që treten viteve, por që e bëjnë portretin tënd në sytë e mi më shumë se ai i dritësimeve të viteve studentore.

Por, këto copëza të memories sime, që befasisht u ngacmuan, doja të t’i blatoja ditëlindjes tënde, Justi. Paçka se ti studiove për dramë në ILA në harkun kohor 1968-1972, diplomën e mbrojte më 1985 me Bernada Albën te drama e Lorkës “Shtëpia e Bernarda Albës”, ku vërtet shkëlqeve dhe realizove një nga rolet e tua kulmore, që edhe sot të nderon. Qysh studente, siç ta thashë, ti luajte rolin kryesor në dramën Një shok i klasës sonë të K. Spahivoglit, ndërsa në vitin e fundit, 1972 dhe më pas ti luajte disa role kryesore në dramat Shkallët, Rrënjët, Të pamposhturit. U bëre një nga këngëtaret më në zë në fundvitet ’60 dhe më tej, ku përveç vokalit të fortë solle një interpretim “ndryshe” të këngës me gjeste, lëvizje e qëndrime të shpenguara, me energji e dinamikë, duke e thyer formën e ngurtë të performimit vokal skenik. Ti e rrëmbeve spektatorin me këngët e interpretuara mrekullisht si: Mall për vendlindjen, Interesant, Ne të dy (1970). U bëre një EMËR që i dhe rinisë së kohës kënaqësitë e munguara, një tjetër imazh. Iterpretimet e tua të çlirëta dhe dinamika e mënyrës së të kënduarit, përfaqësonte për kohën përqafimin e prirjeve bashkëkohore që u vunë re në muzikën e lehtë shqiptare në fillim të viteve ’70. Famëkeqi Plenum IV e fshikulloi Festivalin 11, dhe tok me të tjerët ti e ndjeve atë fshikull mbi lëkurën tënde…

Por ti ishe si Fenix-i Justi, rilinde nga zjarri, sepse kishe në shpirt dhuntinë dhe magjinë e Talies, hyjneshës dhe muzës së Teatrit. Ti punove si aktore në Teatrin “Migjeni”* të Shkodrës, gjer më 1992, kur emigrove jashtë vendit. Në këtë teatër interpretove shumë role, si në pjesët: Djem të mbarë, Lindje në shtrëngatë, Vizita e inspektorit, Gjenerali i ushtrisë së vdekur etj. Interpretimi yt spikati edhe në disa filma, sidomos te Rrethi i kujtesës i regjisorit Esat Musliu, shoku ynë i kursit, në rolin e kujdestares së grave të internuara. Krijove një model tëndin, një karakter tëndin: gruan e ashpër, sunduese, plot personalitet, e mëvetësishme, autoritare. Loja jote përherë ka spikatur nga fuqia, energjia dhe integriteti psikosocial.

E shtrenjta Justi!

Të kam përcjellë, si shumëkush shqiptar, ato ditë të vështira të Covid dhe zemra më drithëronte. Por, ti je një grua e fortë dhe e mposhte të ligën, sikurse e ke mposhtur gjithë jetën tënde çdo të ligë që, jo një herë, të është përplasur padrejtësisht dhe ta ka hidhëruar shpirtin. E pra, ditët dhe vitet ikin, rrjedhin, diku humbasin nëpër kujtesë e nostalgji, ndonjëherë i gëlltit harresa. Por ja që kësaj kohe të mbrame, unë doja të ta shprehja publikisht simpatinë time të pafund e të merituar, jo thjesht si aktore e këngëtare, si artiste, por edhe si mike, si shoqen time të vyer. Dhe pra:

Gëzuar Justi, jetë të bukur paç, mirësitë e Zotit rënçin mbi shpirtin tënd e lumturi të dhënçin përherë!…

Një pjesë nga rrëfimi i saj për dënimin

“Isha 18 vjeç kur u dënova në Festivalin e 11-të”, pohon Justina. Teatri ‘Migjeni’ më mundësoi mbijetesën me aktrimin dhe këngën popullore. Nuk e dija se pas shpine isha e survejuar. Më thanë: ‘Mos fol më, se ti e ke të shkruar me shku në Dukagjin’. Më shpëtoi nga katastrofa e shpërnguljes dhe largimit nga arti im, kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Bilal Paruca”.

“Çifti i lumtur” ishte filmi që e realizoi kur ishte 25 vjeç Piro Milkani e donte portretin e aktores dhe mundi ta marrë, pavarësisht faktit që ishte e dënuar. “Nga ai film më kujtohet druri i madh që kam ngrënë nga partneri im. Kam bërë vetëm një dubël. Por nuk do harroj të rrahurën që më ka bërë Bistoli. Aq shumë më rrahu Bistol Soja, saqë iu lodh krahu. Në këtë film njoha edhe tim shoq, Pjerinin, mjeshtër dekori”, tregon ajo. “Kur kryetari i Komitetit Ekzekutiv më hapi dosjen time të shihja ç’qe shkruar për mua, jam llahtarisur. Por ai më qetësoi. ‘Unë tani do të ta fshij dhe do të shkruaj tjetër gjë, atë që duhet’, më thotë ai. Kjo më shpëtoi. Pas kësaj më porositi që kurrë të mos guxoja t’i kthehesha muzikës së lehtë. E tmerruar, unë i thashë: ‘Shoku Bilal. Mua kanë me mgjujtë me mollatarta’. ‘Jo,- më tha ai. Do të mësosh këngën popullore me Bik Ndojën. E kështu do vijosh e qetë rrugën tënde të këngës’. Dhimbja që kalova me Festivalin e 11-të më bëri të fitoja përvetësimin e një zhanri të ri, atë të muzikës popullore. Më pas nisën të më tërhiqnin veshin, sepse gjestikuloja me të dyja duart. Në momentin e tekstit ‘ment e kresë’, instinktivisht ngrija duart për të treguar kokën. Aty ndërhynte klarinetisti i orkestrës, që ishte edhe sekretari i partisë: ‘Domethënë, ti thua që ka mbaru qeveria?’ – Po çfarë të bëj?- i thashë. ‘Me një dorë’,- më korrigjon ai.