Nga Edmond Panariti
Në histori ekziston një moment që përsëritet pothuajse tek çdo regjim që ka nisur të humbasë kontaktin me realitetin.
Është momenti kur pushteti nuk flet më për përgjegjësi, por për komplote. Kur nuk flet më për zgjidhje, por për “forca të errëta”. Kur nuk i drejtohet më qytetarëve si qytetarë, por si “vëllezër e motra”.
Sa herë që dëgjojmë thirrje të tilla, ia vlen të kujtojmë një mësim të historisë: pushtetet e sigurta nuk kanë nevojë të shpikin armiq të padukshëm. Ato japin llogari. Vetëm pushtetet e pasigurta kërkojnë fajtorë jashtë vetes.
Kur protestat, pakënaqësitë dhe zemërimi qytetar shpjegohen me sabotatorë, me duar të huaja ose me komplotistë misteriozë, zakonisht kemi hyrë në fazën kur regjimi nuk arrin më të pranojë se problemi është vetë ai.
Kjo është arsyeja pse retorika e “forcave të errëta” ka shoqëruar pothuajse çdo pushtet që ka hyrë në rrugën e rënies. Sepse është më e lehtë të shpikësh armiq sesa të pranosh gabime.
Historia flet qartë: kur pushteti fillon të ketë frikë nga pyetjet, fillon të shpikë komplotet.
Dhe shumë herë, pikërisht aty nis… fillimi i fundit.






















