Shqetësimi për zgjedhjet, KRIIK: Adresoni shpërdorimin e burimeve shtetërore në Reformën Zgjedhore

30

“Koalicioni sjell në vëmendje se Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023 vuajtën nga një numër problematikash të ngjashme me raunde të mëparshme zgjedhore, por një numër fenomenesh negative, që cenojnë seriozisht integritetin e zgjedhjeve, të cilat sipas KRIIK u thelluan më tej”

Sigal

 

Në qëndrim publik Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK)   ka shprehur publikisht një sërë qëndrimesh ndaj Kuvendit nëpërmjet të cilave është shprehur shqetësimi i thellë për mosfunksionimin normal e demokratik të parlamentit, e veçanërisht të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. KRIIK vë në dukje se çdo vendimmarrje e tyre duhet të jetë e përgjegjshme dhe vizionare në respektim të plotë të interesit më të mirë të qytetarëve dhe të së ardhmes demokratike europiane në vend, në respekt të plotë të lirive dhe të drejtave kushtetuese të qytetarëve. Koalicioni sjell në vëmendje se Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023 vuajtën nga një numër problematikash të ngjashme me raunde të mëparshme zgjedhore, por një numër fenomenesh negative, që cënojnë seriozisht integritetin e zgjedhjeve, të cilat sipas KRIIK u thelluan më tej. Sipas këtij koalicioni veçanërisht theksohet përdorimi i burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral. Përdorimi i burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral minon themelet e sistemit demokratik duke dëmtuar rëndë barazinë në garë, duke minuar besimin e qytetarëve në institucionin e zgjedhjeve dhe eliminuar vetë logjikën e votës si institucion, pasi shkel frymën e Dokumentit të Kopenhagës që thekson bazat e zgjedhjeve të lira si thelbësore për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, si dhe detyrën e shteteve për të mbrojtur institucionin e zgjedhjeve. Përdorimi i burimeve shtetërore apo ofiqit publik për avantazh elektoral nuk është një fenomen i ri në zgjedhjet shqiptare, ato janë përdorur në vazhdimësi në mënyrë të qëndrueshme nga partia apo individët në pushtet, si në zgjedhje qendrore, ashtu edhe në zgjedhje lokale. KRIIK thekson se problematika u thellua akoma më tej nga mosndjekja në mënyrën e duhur dhe mosndëshkimi në mënyrë të plotë dhe pa ekuivok nga ana e KQZ-së e rasteve të vërejtura apo denoncuara, nga mbyllja pa asnjë argumentim serioz e disa çështjeve të konsideruara haptazi në shkelje të ligjit, sipas KRIIK, apo edhe zvarritja ende e shqyrtimit të disa çështjeve në thyerje të çdo afati procedural. Problematika u thellua edhe nga pasiviteti i Komisionerit të Shërbimit Civil ndaj sjelljes së administratës publike dhe fenomeneve, që mbartnin rastet e denoncuara publikisht, duke e zbatuar kuadrin ligjor në mënyrë sipërfaqësore dhe vetëm sa për dukje, si dhe duke injoruar thelbin e zbatimit të tij. Po ashtu një ndikim të qenësishëm në thellim e kësaj problematike ishte edhe dështimi me një vullnet të plotë politik prej maxhorancës i Task-Forcës së ngritur me Vendim të Këshillit të Ministrave, task-forcë, të cilin KRIIK ia kërkoi publikisht Këshillit të Ministrave që në janar 2023, si një akt i nevojshëm në ndihmë të adresimit të boshllëqeve minore ligjore, e për më tepër si një akt i shprehjes së qartë të vullnetit politik të maxhorancës për të ndaluar me çdo kusht shpërdorimin e burimeve shtetërore, të ofiqit zyrtar dhe autoritetit shtetëror për qëllime elektorale. Si rrjedhim logjik, ligjzbatimi cedoi në nivelet më të ulëta të administratës në të gjitha nivelet, duke normalizuar një sjellje partizane dhe shkelëse të parimeve demokratike dhe të ligjit që është diametralisht e kundërt me sjelljen që duhet të ketë administrata e një vendi që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. KRIIK vlerësoi në Deklaratën e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake mbi zgjedhjet e 14 majit se “…shteti shqiptar dhe klasa politike vendimmarrëse nuk arritën të organizojnë një proces zgjedhor, i cili të jetë i ndërtuar për qytetarët dhe rreth interesave të qytetarëve, duke dështuar të garantojnë që këta të fundit të mund të zgjedhin në 14 maj në mënyrë të lirë e të pandikuar.”, vlerësim i cili reflekton në masë të konsiderueshme edhe përdorimin e burimeve shtetërore, përpos të tjera fenomeneve negative të vërejtura.

“Problematika u thellua nga mosndjekja në mënyrën e duhur dhe mosndëshkimi nga ana e KQZ-së e rasteve të vërejtura apo denoncuara, nga mbyllja pa asnjë argumentim serioz e disa çështjeve të konsideruara haptazi në shkelje të ligjit, apo edhe zvarritja ende e shqyrtimit të disa çështjeve në thyerje të çdo afati procedural”

Po ashtu Misioni i Vëzhgimit Ndërkombëtar të OSBE/ODIHR, në Deklaratën e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake, vlerësoi keqpërdorimin e burimeve publike si një nga tri shqetësimet më të rëndësishme, së bashku me presionin mbi administratën dhe blerjen e votave. Jo vetëm kaq por trajtimi që i bën ODIHR këtij fenomeni në përmbajtje të raportit është realisht shumë shqetësues në raport me reagimin dhe sjelljen e ofiqarëve më të lartë në vend . KRIIK vëren me shqetësim se fenomeni i përdorimit të burimeve publike për qëllime elektorale është shtrirë përtej mënyrave klasike, edhe në ndikimin e votuesve nëpërmjet kompanive private të cilat drejtojnë votën e punonjësve të vet apo edhe i intimidojnë ata, në shkëmbim të kontratave publike apo të tjera benefiteve; apo ofrimin e benefiteve financiare për mediat në shkëmbim të mbulimit të pakushtëzuar pozitiv për partinë në pushtet, duke i përdorur mediat thjesht si ritransmetues të mesazheve që vijnë të parapërgatitura nga ana e zyrave të shtypit të institucioneve apo partive politike, përgjithësisht të partisë në pushtet, pa asnjë filtër editorial. Korruptimi në këtë mënyrë i sipërmarrësve privatë apo medias, e komplikon fenomenin më tej duke dëmtuar edhe sistemin e ekonomisë së tregut dhe sipërmarrjes së lirë, deformimin e misionit të medias, përveç sistemit qeverisës. Sa më sipër e bën tejet alarmante situatën duke e shtrirë korrupsionin zgjedhor, i cili është i lidhur pazgjidhshmërisht me korrupsionin në përgjithësi, dhe kërkon një ndërhyrje të shpejtë dhe të vendosur për rikthimin e sistemit të llogaridhënies që duhet të karakterizojë një vend demokratik dhe që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. KRIIK ka vërejtur në më tepër se një rast të ketë ndodhur në adresimin e rasteve të përdorimit të burimeve shtetërore nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në zgjedhjet e fundit lokale, apo, akoma më keq, kur implementohet me qëllim në mënyrë të cunguar. KRIIK shpreh shqetësimin e vet të thellë për kontekstin në të cilin zhvillohen proceset zgjedhore në vend dhe, veçanërisht, për mungesën e reflektimit nga ana e aktorëve, veçanërisht atyre politikë në pushtet, duke shpënë në thellimin e mëtejshëm të praktikave negative të krijuara. Në një situatë të tillë, duke shtuar krizën e thellë në të cilën opozita shqiptare gjendet prej së paku shtatorit të vitit 2021, humbjen e moralitetit dhe kuptimit të fushatës zgjedhore, e cila u zhvillua për të disatën zgjedhje në radhë në mungesë të plotë të respektit ndaj qytetarëve, nxitet më tej pasiguri dhe humbje shprese tek institucionet dhe tek vetë sistemi demokratik, çka duket të jetë edhe një nga arsyet e pjesëmarrjes së ulët në votimet e 14 majit, e veçanërisht tek të rinjtë. Paraqitja e gjetjeve të përgjithshme, të cilat nuk bazohen në raste specifike, dhe analiza e tyre dhe më një gjuhë statike dhe klishe; vlerësimet e pabazuara në kritere të qarta të vlerësimit (specifikisht në kuadrin ligjor vendas, apo standardet e pranuara ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, të cilat janë kriteret për të vlerësuar integritetin e zgjedhjeve); apo mosevidentimi i problematikave madhore, me një qasje vizionare të efekteve negative që këto sjellin, dhe fokusimi në raste të shkëputura nga konteksti dhe problematika të dorës së dytë, sjellin pashmangshmërisht rekomandime të shkëputura nga realiteti, që nuk adresojnë problematikat reale, apo që nuk i adresojnë ato në thelbin e vet. Në këtë situatë të zymtë, deri alarmante, për cilësinë e demokracisë dhe të respektimit të të drejtave të njeriut, kur politizimi ka kapur thuajse çdo qelizë të shoqërisë, në kufijtë e kapjes së shtetit, reforma e pritshme zgjedhore (të cilën legjislatura aktuale e Kuvendit ka dështuar tërësisht ta adresojë deri në këtë moment, në një mungesë të dukshme të vullnetit për të përmirësuar kuadrin ligjor për zgjedhjet) do të duhet të ndjekë një proces radikalisht të ndryshëm nga ato të mëparshmet, nëse do të duhet të prodhojë një reformim real të kuadrit ligjor, i cili adreson problematikën në thelb dhe jo simptomat e saj nëpërmjet ndërhyrjeve minore a të pjesshme. Përpos një adresimi më të plotë të problematikës së përdorimit të burimeve shtetërore për avantazh elektoral, të tjera sfida madhore që reforma e pritshme do të duhet të adresojë janë e drejta e shqiptarëve me vendbanim jashtë vendit për të votuar pranë vendbanimit të vet; tre vendimet e Gjykatës Kushtetuese që janë ende për t’u adresuar, apo ngritja e një administrate zgjedhore totalisht të pavarur, në përputhje me aspiratat e Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020. Përpos sa më sipër, thelbësor është edhe adresimi i problematikave të mbartura në lidhje me financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, problematikat me demokracinë e brendshme të partive politike, si dhe mundësimi në praktikë i referendumeve, ndërhyrje, të cilat shkojnë përtej kuadrit ligjor për zgjedhjet dhe implikojnë edhe akte të tjera ligjore.

“Reforma e pritshme do të duhet të adresojë janë e drejta e shqiptarëve me vendbanim jashtë vendit për të votuar pranë vendbanimit të vet; tre vendimet e Gjykatës Kushtetuese që janë ende për t’u adresuar, apo ngritja e një administrate zgjedhore totalisht të pavarur, në përputhje me aspiratat e Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020.”

Në mënyrë që reforma të prodhojë një kuadër ligjor, i cili synon të garantojë integritetin e zgjedhjeve, në të gjithë kuptimin që ky term mbart, KRIIK rithekson, në linjë me qëndrimin konsistente të mbajtur prej së paku vitit 2012, se ajo duhet të jetë një reformë:

(1) e thelluar – të prekë të gjithë aspektet e procesit zgjedhor dhe të synojë e të garantojë integritetin e zgjedhjeve, në vend që të fokusohet veç në disa elementë problematikë, duke mbetur sërish një seri amendimesh që u mungon vizioni;

(2) transparente – çdo diskutim në tryezën e rekomandimeve të jetë plotësisht transparent për të gjithë aktorët e interesuar dhe publikun e gjerë, dhe jo të bazohet procesi i reformimit në marrëveshje të ngushta politike mes aktorëve kryesorë politikë; si dhe

(3) gjithëpërfshirëse – të gjithë aktorët me interes dhe që mund të kontribuojnë, së pari aktorët politikë si dhe ata jo-politikë, qofshin ata vendorë a ndërkombëtarë, të bëhen pjesë e konsultimeve publike dhe kontributi i tyre të merret në konsideratë e shqyrtohet me seriozitet. Një rol thelbësor e aktiv, në gjykimin e KRIIK, është i nevojshëm të luhet prej aktorëve ndërkombëtarë, veçanërisht prej partnerëve strategjikë të vendit në rrugëtimin drejt vlerave të demokracisë euro-atlantike, të cilët të mund të ofrojnë sa ekspertizën e nevojshme, aq edhe nxitjen e mbështetjen politike për aktorët vendorë, si dhe garancitë se procesi reformues do të përmbushë kriteret sa më sipër, sërish në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar për forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave e kërkesave të Dokumentit të Kopenhagës. Kuvendi i Shqipërisë dhe aktorët politikë parlamentarë të gjejnë dhe zhvillojnë rrugën e dialogut politik, duke i kthyer funksionimin normal e demokratik parlamentit, përditësuar Vendimin e tij për Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore duke e funksionalizuar e plotësuar atë me objektiva të arritshëm të nevojshme për zgjedhjet parlamentare të 2025, e të tjerë të nevojshëm për tu ndjekur e adresuar në vazhdim, në funksion të një reforme të plotë e të thelluar sikurse sa më sipër cituar. Në përmbyllje, KRIIK u bën thirrje të gjithë aktorëve të tjerë që mund të kontribuojnë në reformimin e kuadrit ligjor, qoftë ata ndërkombëtarë, qoftë ata vendas, përfshi organizatat e shoqërisë civile, mediat, përfaqësues të botës akademike, etj., të mbajnë qëndrim kritik e konstruktiv duke kërkuar një proces dialogu gjithpërfshirës, si dhe të përfshihen aktivisht në procesin e konsultimeve dhe ofrimit të rekomandimeve për reformimin e kuadrit ligjor që rregullon dhe garanton integritetin e zgjedhjeve në vend.