Prof. Vladimir Peza: Shkëlqimi dhe rënia e industrisë minerare, bumi i vërtetë i takon viteve 1960- 1990

51
Sigal

– Shqipëria, dhe pse është vendi me sipërfaqen më të vogël në Europë, është një nga vendet më të pasura me minerale.

-Volumi fizik i nxjerrjes së mineraleve, në vitin 1989 e kaloi shifrën 30 milion metër kub mineral ose mbi 100 milion ton.

– Në industrinë minerale, nga 500 punëtorë që punonin në vitin 1960, shkoi në mbi 85 mijë puntorë në vitin 1989. 

-Industria e bakrit, e kromit, e hekur- nikelit u realizua me cikël të mbyllur, pra ne prodhonim bakër elektrolitik të cilësisë së parë, tela bakri, çeliqe e ferro krom, duke rritur në maksimum vlerën e produkteve të shitëshme.

-Nga shitja e metaleve dhe mineraleve, Shqipëria siguronte 50% të valutës dhe 30% të GDP dhe të buxhetit vjetor.

-Shqipëria zinte vendin e parë për frymë në shitjen e kromit, vendin e 11 në shitjen e nikelit dhe vendin e 38 në shitjen e bakrit në botë.

Prof. Vladimir Peza

Nëntoka e shqiptarëve a ka minerale ?

Pyetja e parë që bën çdo kureshtar është, a ka minerale në vendin tonë?

Unë do t’i përgjigjesha në mënyrë indirekte, me fjalët e mençme të gjeologëve, që janë si baballarë të shkencës së gjeologjisë shqiptare, profesorëve të 100 vjeçarit të shkuar, Iniac Ndoja, Luan Peza, akademik Teki Biçoku e që pasohen nga të rinjtë e shekullit XXI, si Kujtim Onuzi, Nezir Nekshiqi, Vesel Hoxha e hartuesit e tjerë të hartës dixhitale gjeologjike të Shqipërisë pas vitit 2010, që në mënyrë të prerë, univoke shprehen:

-Shqipëria, dhe pse është vendi me sipërfaqen më të vogël në Europë, është një nga vendet më të pasura me minerale të saj, në llojshmëri e sasi. Kjo, falë ndërtimit gjeologjik të vendit, në kapërcyellin e tërheqjes së oqeanit të madh Tetis, lëvizjes së pllakave Euroaziatike, Afrikane e Amerikane në periudhën e mesozoit të hershëm, që quhet Triasik e që u krijuan kontinentet, rreth 500 milion vjet më parë. Ndodhi një përzierje apokaliptike e përmbysje gjithë shkëmbore. Shkëmbejtë e lindjes, groposen e dalin jashtë disa herë deri sa u vendosën në ata që quhen Alpet perëndimore ( Apeninet e Alpet Europiane, Dinaridet, Aibanidet e Helenidet dhe masivet qëndrore  masivet e Rodopit, Karpatet, Transilvanet në Ballkan, Uralet në Rusi.

50 deri 200 milion vjet më parë, pak a shumë mbeti kjo gjendje e kores së tokës dhe pikërisht, mineralet e Shqipërisë janë depozituar në këtë periudhë, 50 milion deri 500- 600 milion vjet të shkuara…Zoti e shikoi me përparësi truallin shqiptar, si të thuash, mbi këtë shkatërrim apokaliptik, solli edhe shkëmbejtë magmatikë, ofiolitet, që nuk janë sedimente të detit, as prurje të lumejve e të shkëmbejve të errozionit, por shkëmbej meme, të krijuar në fazën e parë të ngurtësimit të magmës. Dhe jo pak, por 1/3 e sipërfaqes së Shqipërisë mbulohet nga këto shkëmbej, që zënë të gjithë Shqipërinë e brendëshme, nga Shkëlzeni i Tropojës e Cukali i Shkodrës e deri në Rehovë të Ersekës dhe që në Gjeologji quhet zona Mirdita. Në këtë zonë, shfaqen pothuajse të gjithë mineralet metalore, që njihen në mineralogji dhe gjenden vendburime të rëndësishme të polimetalorëve, të metaleve me ngjyra, metaleve të zeza hekur, krom, mangan, të aluminit, metaleve të çmuar, metaleve radioaktive e të tokave të rralla etj. Mineralet jo metalore, silikatet e karbonatet janë të panumërta në Shqipëri në shkëmbejtë magmatikë e sedimentarë. Në shkëmbejtë sedimentarë, gjenden me shumicë nafta e bitumet, qymyrgurët, booksitet, dolomotet, gëlqerorët, gipset e anhidritet, karbonatet, kripërat alkaline të Na, K, Li, argjilat cilësore për qeramikë, porcelan e për prodhimin e çimentos etj.

Deri tani, fola me gjuhën e një gjeologu kopetent, të atyre që përmenda më sipër, por natyrshëm lind pyetja tjeter.

A i kanë dashur shqiptarët zejet dhe artin e nxjerrjes së mineraleve?

Meqë kjo pyetje lidhet me profesionin tim, edhe njohjet janë më të mëdha.

Shqipëria 110 vjet ka si shtet, por shqiptarët, arbërit, ilirët kanë mijëra vjet në këto troje.

Shkrimet antike greke e romake, me qindra faqe, tregojnë që ilirët ishin mjeshtër të shquar të zejtarisë, përpunimit të bakrit, të bronxit e të plumbit, të armëve e veglave të hekurit, të barotit, arit dhe argjendit.  Roma, me pushtimin e Ilirisë, zejtarinë e përgatitjes së shpatave dhe mburojave, pjesëve të korracuara etj. e çvendosi në Iliri në shekujt e I dhe II, pikërisht në Mirditë e Kosovë, që në atë kohë ishin principata ilire të Pirusteve dhe të Dardanëve.

Qytetet e Artanës dhe Demetros ( Novo Brdo dhe Mitrovica) në Dardani, qytetet e Pukës, të Matit, të Skampës ku u zhvillua zejtaria e metaleve, ishin pranë minierave të mëdha ku nxirrej hekur i pastër, bakër, plumb, zink, ar dhe argjend. Gjurmët e minierave, furrave shkrirëse, galerive me shina druri, janë gjetur sot në Artanë, Mitrovicë, Gjegjan të Kukësit, Pukë, në Mat, në Lin e në zonën e Mokrës e të Çermenikës, për gjatë rrugës Egnatia etj.

Por më vonë, Roma zbuloi vendburime të mëdha ari e Argjendi në Karpate e Transilvani, në Vllahi e Trake dhe a e dini çfarë ndodhi? Perandorët e Romës, Deokleciani e më pas Justiniani, Adriani e Kostandini i madh etj. që ishin me origjinë ilire, nga shekulli i III deri VI, i dërgonin mjeshtrat ilire të minierave në malet e Vllahisë e të Trakisë, ku ata u bënë minatorë e mjeshtra të metaleve dhe emigruan me familjet e tyre e janë deri në kohët e sotme atje.

Janë dhjetra fshatra e qytete në malësitë e Rumanisë e Bullgarisë, ku ruhet gjuha shqipe në shumë banorë të këtyre trevave. Në mesjeten e vonëshme, u zbeh shumë puna në miniera në trojet shqiptare. Edhe në perandorinë turke, të dhënat e shkruara për aktivitete minerare janë të vakëta, ku përmendet vetëm miniera e bitumit Selenicë, një nga më të mëdhatë në botë edhe sot.

Mbase në arshivat turke, mund të gjenden të dhëna për miniera në këtë periudhë, por nuk i ka lexuar kush deri sot.

-U desh tatëpjeta e Turqisë pas luftës ruso – turke dhe e fitoreve të rusëve, francezëve e anglezëve në kohën e Napoleon Bonapartit e sidomos pas luftës së dytë ruso- turke të vitit 1878, që gjeologët europianë, sidomos francezë, anglezë dhe austrohungarezë, të marrin ekspedita ushtarako- gjeologjike e gjeografike për zbulimin e mineraleve në trojet shqiptare, që konkretizohet me ndërtimin e dhjetra hartave gjeologjike e gjeografike deri në vitin 1920- shprehet akademiku i njohur shqiptar, prof. Teki Biçoku.

  1. Cila mund të quhet koha e artë e nxjerrjes së mineraleve?

Pa dyshim është periudha e socializmit pas vitit 1960, pavarësisht që në aspektin gjeologjik të kërkim- zbulimit, edhe në kohën e monarkisë dhe në vitet e para të pushtetit popullor, është bërë një punë e lavdërueshme. P.sh nafta dhe qymyrgurët, dhe bakri i Pukës, filluan të nxirren pas vitit 1924 me koncensionarë të huaj, sidomos italianë, anglezë dhe francezë ( bitumi i Selenicës).

Në vitet 1939- 40 filloi të nxirrej edhe mineral bakri në Rubik, ku ndërtohet edhe uzina e parë e shkrirjes për prodhimin e bakrit blister. Merrej bakër edhe nga Derveni, Kaçinari, nga disa vende në Pukë etj. Në kohën e pushtimit gjerman, merrej me intensitet të lartë me kariera mineral kromi nga Kalimashi, Bulqiza e disa zona të Matit e Pogradecit. Në Korthpule të Pukës nxirrej Kaoline, lëndë e parë për porcelan, në Gomsiqe nxirrej Magnezitë, lëndë e parë për qeramika zjarrduruese, në Pukë Azbest, lëndë e parë për amiant etj. Ndërtohen TEC-et e para në kohën e monarkisë në Tiranë, Shkodër Korçë e Vlorë, që përdornin qymyrguret e minierës së Krrabës, të Mborje Drenovës etj.Ndërtohen fabrika çimentoje në Vlorë, Elbasan e Shkodër me sipërmarrës shqiptarë, ku funksiononin miniera sipërfaqësore të gurit gëlqeror dhe të argjilave. Gëlqerja cilësore prodhohej në çdo qytet të Shqipërisë, po kështu qeramika, tullat, tjegullat e poçeria.

Fatkeqësisht, historia jonë e politizuar nuk flet asnjë fjalë për këtë periudhë të rilindjes së minierave shqiptare, dhe kjo është e gabuar. Por, duhet pranuar, që bumi i vërtetë në drejtim të zhvillimit të industrisë minerare i takon viteve 1960- 1990.

Ku duket ky bum?

Dua të kthehem pak në kohë. Në periudhën moderne të zhvillimit industrial, që ne e quajmë periudha Viktoriane, rreth vitit 1850, filloi shftytëzimi intensiv i mineraleve, sidomos metaloreve dhe qymyrgurit. Kërkesat për çelik e metale për hekurudhat e makineritë e bakrit, për energjinë elektrike, bënë dallimin e madh midis vendeve të zhvilluara dhe atyre të pazhvilluara. Anglia, USA, Gjermania, Franca, Rusia, Japonia, Austrohungaria dhe Italia u bënë avanguarda e nxjerrjes së mineraleve dhe morën një zhvillim të dallueshëm ekonomik e emancipim social shkencor të jashtëzakonshëm. Vendet e tjera, përmbi 50 vjet, nuk kishin industri minerale dhe mbeten të pazhvilluara. Më pas, pas krizës së viteve 20-40, pas luftës së parë botërore, ndryshoi strategjia e vendeve të zhvilluara, duke hapur e shfrytëzuar mineralet në vendet koloniale e të pazhvilluara, shfrytëzim i paskrupullt e pasurim progresiv i vendeve, që u konfrontuan në një Luftë të dytë Botërore. Ne, shqiptarët, të vonuar si përherë, u zgjuam nga gjumi i feudalizmit dhe i një vendi të pazhvilluar vetëm pas vitit 1925. Si duket, që nxjerrja e mineraleve do të sillte zhvillim ekonomik e social u kuptua më në fund, por varfëria e tejskajshme, mungesa e profesionistëve dhe e investitorëve vendas, detyroi shtetin e varfër të shesë e të japë me koncesione tek të huajt të gjithë pasuritë natyrore të vendit. Duke qenë se minierat, duan një 10 vjeçar që të maturohen, të shlyejnë investimet e të fillojnë të dalin me fitim, nga ana tjetër pushtimi fashist, mund të shprehemi që çlirimi i vendit, e gjeti popullin dhe vendin në prag të një katastrofe ekonomike e sociale. Shtetëzimi i ekonomisë pas vitit 1944 nga shteti komunist, solli vështirësi të mëdha, por ndihma sovjetike pas vitit 1949, e vuri në hulli industrinë minerare. Në vitet 50, gjeologët sovjetikë punuan me përkushtim në një vend të paeksploruar me një shumllojshmëri mineralesh. Nga ana tjetër, përgaditja e dhjetra inxhinierëve shqiptarë në Rusi, Poloni, Çeki, RD Gjermane etj, bënë që, bashkë me specialistët e huaj, të kërkohen e zbulohen vendburime të fuqishme nafte, qymyrgurësh, hekur-nikeli, kromi, bakri, jo metalore etj.

Dhe ja ky bum, që i hapi më në fund Shqipërisë rrugën e zhvillimit ekonomik industrial dhe emancipimin e shoqërisë urbane e rurale, rritjen e mirqenies së popullsisë, ndodhi pas vitit 1960.

Për 30 vjet, volumi i nxjerrjes së mineraleve të ngurta, planifikohej çdo vit 50% deri 75 %  më lart dhe ky plan ishte ligj e realizohej e tejkalohej deri në vitin 1989.

Volumi fizik i nxjerrjes së mineraleve, në vitin 1989 e kaloi shifrën 30 milion metër kub mineral ose mbi 100 milion ton. Në industrinë minerale, nga 500 punëtorë që punonin në vitin 1960, shkoi në mbi 85 mijë puntorë në vitin 1989. Industria e bakrit, e kromit, e hekur- nikelit u realizua me cikël të mbyllur, pra ne prodhonim bakër elektrolitik të cilësisë së parë, tela bakri, çeliqe e ferro krom, duke rritur në maksimum vlerën e produkteve të shitëshme.

Nga shitja e metaleve dhe mineraleve, Shqipëria siguronte 50% të valutës dhe 30% të GDP dhe të buxhetit vjetor. Shqipëria zinte vendin e parë për frymë në shitjen e kromit, vendin e 11 në shitjen e nikelit dhe vendin e 38 në shitjen e bakrit në botë.

Ari dhe Argjendi shqiptar, edhe pse në sasi modeste, të moderuar, depozitohej si valutë në bankat e Zvicrës e të Shqipërisë. Emancipimi i shoqërisë, kultura qytetare sidomos në vendet rurale ishte mahnitëse. Ritme të kënaqshme kishte edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, në infrastrukturën rrugore hekurudhore, elekticitet dhe në nxjerrjen e naftës, që të gjitha së bashku tejkalonin 80% të buxhetit. Por vihej re varfëria e tejskajshme në fshat e zonat rurale, ku jetonte mbi 60% e popullsisë e bujqësia mbulonte vetëm 20% të buxhetit.

Pra minierat, u bënë indikatori kryesor në rritjen e mirëqenies së popullit dhe në një ekonomi të centralizuar, mbulonin boshllëqet edhe në sektorët me humbje të ekonomisë.

Këto janë fakte kuptimplota, që duken si drita e diellit, prandaj pse mos ta quajmë një BUM, që e gjeti Shqipërinë në 1.5 milion banorë në vitin 1960 dhe e çoi në mbi 3, 5 milion banorë në vitin 1989, me një standard jetese me rritje progresive. U vërtetua që nxjerrja e mineraleve zhvillon ekonominë dhe shoqërinë.

Por çfarë ndodhi pas viteve 90-të në industrinë minerare?

Është e pabesueshme, por është fakt, që politik- bërja dhe ekonomia shqiptare, ka ndjekur pothuajse gjithmonë, në çdo kohë, shembujt më të këqij të shteteve të Europës industriale e të civilizuar. Në vitet 70 të shekullit të kaluar, pati një stanacion, rënie të nxjerrjes së mineraleve në vendet e Bashkimit Europian, për arsye të ndryshme e të shumta, që nuk mund t’i shpjegoj në këtë shkrim, për arsye kohe. E pikërisht, politikbërja shqiptare, mori këtë shembull, që e çoj këtë industri rentabël deri në vitin 1989, drejt një katastrofe shumë planëshe.

Këtë fat pësoi edhe bujqësia, kollona e dytë e ekonomisë socialiste, por ajo, pra bujqësia u shkatërrua nga miratimi i një ligji absurd e famëkeq, ligji 7501, që i coptoi tokat are, fermat e kooperativat në parcela disa dylymëshe e duke i kthyer ata në troje për ndërtime siç ndodhi psh. me fermën e Kamzës, e cila mbante me ushqime një Tiranë me 300 mijë banorë. Edhe energjia, nxjerrja e naftës u përfshinë nga kriza shumë planëshe. Po pse pushoi pothuajse së egzistuari industria rentabël ( me fitim) minerare? Dikush mendon që u ndoq rruga e vendeve të zhvilluara në Europë që e zvogluan në minimum nxjerrjen e mineraleve. Nuk është e vërtetë!

Politikanët e majtë, shprehen se e pat fajin ndryshimi i sistemit shoqëror. Prape nuk është e vërtetë. Të djathtët guxojnë të tregojnë që në ekonominë e tregut ka prioritet individi dhe fitimi maksimal e informaliteti në një vend të pazhvilluar e pa kritere të forta demokratike.

Në fakt, u munduan disa të tregonin çekun e bardhë, duke rrënuar çdo gjë të realizuar nga populli punëtor për 45 vjet, por edhe ky nuk është shkak substancial.

Sipas mendimit tim dhe disa analistëve, kriza minerare, kur mendohej të ishte pika kulmore e arritjeve në këtë fushë, ishte vetizolimi dhe parimi i mbështetjes me forcat e veta në një ekonomi të centralizuar, ku një degë e zhvilluar e me fitim e saj, mbyllte 100 vrimat e një shoshe që rridhte gjithandej. Kromi dhe bakri, çajnë bllokadën, ky ishte sllogani i viteve 78- 85, kur filloi amortizimi i asaj industrie, me teknologji të vjetruar nga ndihmat kineze. Të ndërtojmë socializmin me forcat tona, ishte sllogani i prag krizës minerare. Dhe ndodhi e paimagjinueshmja, makineritë e industrisë së rëndë dhe industrive të tjera të amortizuara, të vjetruara, mbushnin sheshet e uzinave, fabrikave e minierave. Paratë e fituara në shitjen e kromit, të bakrit e të naftës, nuk përdoreshin më për të çarë bllokadën, por për të paguar 1 milion punëtorë me 80%, pa punuar, sepse teknologjia e vjetëruar doli jashtë përdorimit. Rendimenti i ulët, kostoja e lartë e prodhimit falimentoi gjithë ekonominë shqiptare. Varfëria, rënia e prodhimit industrial, bujqësor, vetizolimi etj. sollën revolucionin paqësor demokratik.

Por, një revolucion shoqëror, që zhvillohet nga forca jo antagoniste, aq më tepër, i importuar nga jashtë, është i dështuar në një vend ku një pjesë e shoqërisë merr rrugët e emigracionit për mbijetesë.

Mua më takon të flas vetëm për mineralet.

Minierat, që e mbajtën gjallë ekonominë për 30 vjet, mbeten në udhëkryq.

Viti 1991, vit i dështimit të demokracisë, ishte vit i mbijetës. -2 ditë bukë ka- çirrej kryeministri i Shqipërisë së një qeverie kukull të akeancës Ps e PD në tetor 1992.  Viti 1992, viti më i mbrapshtë i ekonomisë shqiptare. Legjislavion hibrid komunist me ekonomi tregu.

5 vjet krizë dhe rënie në miniera, metalurgji e në industrinë e rëndë, deri sa vjen viti 1997, ku nuk flitej më për industri minerare.

  1. Kur filloi rigjadhërimi i industrisë minerale dhe a ka strategji kombëtare për zhvillimin e saj?

Kjo temë është e vështirë të trajtohet, në një vend ku ekonomia e tregut dhe prona private edhe në burimet natyrore e minerare, që me kushtetutë janë të popullit e shtetit, ka shtrirë tentakulat e saja mafioze. Shteti ka miratuar një legjislacion minerar në vitin 2010, por ky ligj shkelet me qindra herë, në dëm të pasurimit të popullit e në dobi të sipërmarrësve informale, disa herë edhe mafioze të huaj e vendas. Pa u zgjatur, kuvendi ka hequr rentën minerare 20% të fitimit në shitjen e mineraleve, që duhet t’i kalojë shtetit. Ky është ligj kushtetues në të gjithë vendet e botës, i parevokueshëm.  Unë do ta përfundoj diskutimin tim me këto paradigma.

  1. Zhvillim të industrisë minerare ka pasur pas vitit 2000, por ky zhvillim është krejtësisht i pakontrolluar dhe informal. Të kontrollohet çdo vendburim.
  2. Privatizimi i minierave t’i besohet vetëm bisnesit vendas.
  3. Të automatizohen e modernizohen minierat, në drejtim të rritjes së rendimentit, përmirësimit të kushteve shëndetësore dhe të sigurimit teknik, futjes së teknologjive të reja.
  4. Të fillojë kërkim zbulimi gjeologjik, i ndërprerë para vitit 1990, që të sigurohen rezerva industriale të paktën për 15 vjetët e ardhshme.
  5. Minierat me prodhimtari nën 10 000 ton në vit, të lejohet të shfrytëzohen vetëm me kariera.
  6. Minierat mbi 300 000 ton në vit, të kenë investitorë 51% shtetin dhe 49% investitorë privatë ose të huaj, kurse minierat mbi 500000 t/ vit mund të investohen 100% nga shteti.
  7. Të bëhet e detyrueshme derdhja e fitimit 20% në buxhetin e shtetit, për ndryshe miniera të quhet e falimentuar.
  8. Minierat duhet të fillojnë, pasi të jetë bërë studimi i fizibilitetit dhe i VNM. Në studimin e plotë të shfrytëzimit të një vendburimi afati i shlyerjes së investimeve, nuk duhet të zgjasë mbi 6 vjet, pas kohës kur fillon nxjerrja e mineralit.
  9. Të mendohet strategjia e afërt e mbylljes së ciklit të plotë e të mbyllur për metalet ferrokrom, bakër, hekurnikel etj., siç ishte para vitit 1989, duke rritur deri 10 fish vlerën e shitjes së tyre.
  10. Të shikohet mundësia e nxjerrjes së qymyreve me mënyra bashkëkohore dhe të ndërtohen termocentrale në zonat e qytetet me potenciale qymyrgurore.