Skandali në Ministrinë e Drejtësisë, si u thye arkiva dhe u grabitën dosjet e mikrokredive të ‘Zig’

23

“Mbi 100 mijë persona mendohet që të kenë rënë pre e kësaj skeme kriminale, duke paguar disa herë më shumë se borxhi, që kishin e madje në plot raste shumë prej tyre u janë marrë dhe tjetërsuar edhe shtëpitë që kishin në pronësi”.

“Fatet e dhjetëra mijëra familjeve varen sot në fijen e perit nga zbardhja dhe ndëshkimi i të gjithë atyre që kanë lejuar dhe mbështetur këtë skemë”

Skema që po detyron familjet të emigrojnë nga borxhet dhe roli i guvernatorit Sejko
 

Sigal

Dhjetra dosje përmbarimi, të gjitha të shoqërisë “Zig”, të një kategorie biznesmenësh që kishin kredi te bankat Societe General Bank, Banka Kombëtare Greke (NBG), Alpha Bank dhe Union Bank, janë vjedhur në Ministrinë e Drejtësisë gjatë festave të nëntorit të vitit 2022. Prapaskena shkruan se në nëntorin e vitit 2019, Arben Meskuti që ka krijuar një rrjet kompanish si Consulting Company, Final, Micro Credit Albania (MCA), ADCA, ZIG, FLASH, FS, Re/Plus, Re/Max, ka dorëzuar disa thasë me dosje të kompanisë “Zig” në Ministrinë e Drejtësisë, pasi iu hoq licensa e përmbaruesit. Në ato thasë kishte edhe dosje të blera nga Micro Credit Albania e Olsi Ibros. Por ky skandal, nuk është raportuar asnjëherë nga Ministria e Drejtësisë. Ministri Ulsi Manja deklaroi pak ditë më parë në Komision se kishte gjetur gjashtë mijë dosje të kompanisë përmbarimore “Zig”, të cilës i është hequr licenca.

Po dosjet e vjedhura ku shkuan?

Raportimet tregojnë se dera e arkivës së ministrisë u gjet nga punonjësit e shqyer një mëngjes nëntori të vitit 2022 dhe se Policia e rrethoi me shirita arkivën për disa muaj, si skenë krimi, si dhe sekuestroi pajisjen Regjistruese (DVR) për kamerat e sigurisë që vëzhgonte brenda ambjenteve të institucionit. Çështja është referuar në Prokurorinë e Tiranës, por deri më tani, edhe pse kanë kaluar dy vite, nuk ka zbardhur asgjë. Çudia qëndron në faktin se edhe kamerat e sigurisë së insitucionit ishin fikur në ditën e ngjarjes.

Skema e mikrokredive që po fundos xhepat e qindra familjeve shqiptare

Në vitin 2016, Kristo Puleshi nuk e mori seriozisht kërkesën e zyrës Albanian Debt Collection Agency, ADCA, për të paguar një detyrim prej 58 mijë lekësh. Në shkresën që zyra ligjore i nisi për llogari të institucionit Micro Credit Albania, MCA, ai njoftohej se rezultonte dorëzanës i një kredie të marrë nga shoku i tij i fëmijërisë me vlerë 30 mijë lekë – kredi e cila ishte gati dyfishuar dhe pretendohej se nuk ishte shlyer asnjëherë. Në një kallëzim të mëvonshëm në Prokurori, Puleshi tha se i injoroi shkresat, mesazhet dhe telefonatat për gjashtë vjet me radhë, pasi nuk kishte lidhje me kredinë dhe atësia në njoftime nuk përkonte me emrin e babait të tij. Por në tetor 2022, ai mori një mesazh që nuk mund ta injoronte: Apartamenti i tij në rrugën « Myslym Shyri » në Tiranë, ku banonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët, ishte vendosur nën sekuestro. Dokumentet e një hetimi të kryer nga Prokuroria e Tiranës, të cilat BIRN i disponon, tregojnë se Puleshi dhe miku i tij i fëmijërisë u përpoqën që të hetonin vetë se çfarë kishte ndodhur dhe pasi nuk gjetën zgjidhje, iu drejtuan me një kallëzim organit të akuzës në kryeqytet. Përpara hetuesve, ata deklaruan se nuk kanë marrë ndonjëherë kredi dhe se procedurat përmbarimore ishin kryer në shkelje të ligjeve. Një akt ekspertimi i kaligrafisë në kontratën e kredisë doli gjithashtu në përfundimin se firmat e tyre ishin falsifikuar. Kristo Puleshi raportohet se është vetëm një nga mijëra viktimat e një skeme të dyshuar abuzimi me mikrokreditë, që vazhdon prej të paktën 9 vitesh në Shqipëri. Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020 zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me penalitete të padrejta, sekuestrim pronash si dhe shkelje të procedurave përmbarimore.

Biznesi i kredive të këqija të Micro Credit Albania

Micro Credit Albania u themelua në maj të vitit 2014 nga ortakja e vetme, Elda Ibro, një kontabiliste në profesion, dhe u licensua më pas nga Banka e Shqipërisë për kryerjen e aktivitetit të mikrokredisë. MCA operoi më pas edhe në tregun e blerjes dhe ekzekutimit të kredive me probleme nga institucione të tjera bankare dhe jobankare. Pas ankesave të shumta të qytetarëve, Departamenti i Mbikqyrjes në Bankën e Shqipërisë nisi në korrik të vitit 2020 një ekzaminim tematik për shoqërinë MCA, ku të katër elementët e vlerësimit dolën në nivelin më të lartë të rrezikshmërisë të klasifikuar në kategorinë 4. Sipas raportit të Departamentit të Mbikqyrjes, subjekti MCA operonte në bashkëpunim me shoqërinë e licensuar në fushën e kredisë, Final, zyrën ligjore ADCA dhe shërbimet përmbarimore ZIG, Flash dhe Star. Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se në 5 vite të operimit, MCA nuk kishte depozituar asnjëherë pasqyra financiare të audituara, ndërsa dy shoqëri auditimi ndërkombëtare kishin refuzuar të jepnin opinion. Deri në korrik të vitit 2020, MCA kishte blerë 85 milionë euro kredi të pashlyera nga dhjetë institucione të ndryshme banka dhe jo banka, duke paguar vetëm 2-3% të vlerës së tyre dhe më pas kosto e blerjes është rritur në 10 dhe 20% vitet në vijim. Sipas raportit, MCA kishte paguar rreth 5.2 milionë euro për portofolin e kredive prej 85 milionë euro dhe kishte rikuperuar nga kredimarrësit rreth 10.7 milionë euro, duke siguruar një fitim operativ dy herë më të lartë.

Dyshimet për rolin e guvernatorit, Gent Sejko

Më 29 dhjetor 2022, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vendosi të pezullojë licensën e subjektit financiar jo-bankë ‘Micro Credit Albania’ për kredidhënien, por i lejoi asaj që të vazhdonte aktivitetin e mbledhjes së detyrimeve për portofolet e kredive të blera. Megjithatë, Prokuroria e Tiranës vlerëson se ky vendim ishte jo vetëm i vonuar, por edhe papërshtatshëm në raport me shkeljet e konstatuara. Hetimi ngre gjithashtu dyshime se masa e pezullimit u parapri nga një korrespondencë mes shoqërisë MCA dhe Bankës së Shqipërisë. Më 14 dhjetor 2022, ortaku i subjektit Micro Credit Albania i është drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me një mesazh elektronik, ku parashtrohen përpjekjet e kryera për realizimin e rekomandimeve, si dhe kërkohet që të merren në konsideratë masa alternative, të tilla që të mos bllokojnë tërësisht aktivitetin e subjektit. Prokuroria vlerëson se nevojiten hetime për veprat penale të mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, të dyshuara këto si të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Bazuar mbi këto të dhëna, Prokuroria e Tiranës vlerësoi se rezulton e nevojshme “të hetohen zyrtarë të lartë si guvernatori i Bankës së Shqipërisë për veprën penale shpërdorimi i detyrës“, kompetencë kjo e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për shoqërinë MCA me administratore Elda Ibro, Prokuroria vlerëson se nevojiten hetime për veprat penale të mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, të dyshuara këto si të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCR, ku në një rast, vetë gruaja e guvernatorit Gent Sejko, në postin e drejtoreshës së Tirana Bank, shiti 5 mijë kredi me një të rënë të lapsit te dyshja Olsi dhe Elda Ibro, të cilët me licencën e dhuruar nga Guvernatori nisën presionet dhe shantazhet mbi viktimat për të mbledhur paratë. Bashkë me ta, në treg janë dhe qindra zyra ligjore që ushtrojnë presion për mbledhjen e parave duke shkelur haptaz ligjin për njoftimin, kamatvonesat, apo kalimin e çështjes në gjykatë. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e “Pandorës” pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot?