Kuvendi mblidhet të enjten në seancë plenare, dy interpelanca urgjente dhe dy projektligje në rendin e ditës

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet të enjten, më 24 shtator 2026, në orën 10:00, në seancën e radhës plenare. Mbledhja është thirrur me urdhër të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Në rendin e ditës janë parashikuar dy interpelanca urgjente, të kërkuara nga deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, do të thirret në interpelancë për çështje që lidhen me dikasterin që drejton, ndërsa ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, do t’u përgjigjet pyetjeve të opozitës për problematikat në fushën e arsimit. Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu projektligjin për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në operacionin ushtarak të NATO-s “Forca Ndërkombëtare të Stabilitetit” në Gazë. Ky projektligj kërkon shumicë absolute votash për miratim. Në seancë do të diskutohet edhe projektligji që parashikon ndryshime në ligjin.

Sigal

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10236, datë 18.2.2010, “Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike””. (Në mbështetje të neneve 78, 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, si dhe neneve 55 dhe 73 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim). Në përfundim, deputetët do të zhvillojnë diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. (Në mbështetje të nenit 45 të Rregullores së Kuvendit: Çdo deputet mund të flasë jo më shumë se 5 minuta dhe nëse diskuton në emër të grupit parlamentar, jo më shumë se 8 minuta. Koha e diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës nuk mund të jetë më shumë se 60 minuta.) Seanca do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH Kuvend dhe në faqen zyrtare të Kuvendit në Facebook, ndërsa televizionet do ta marrin sinjalin nga RTSH.