Mark Rica: 20-vjetori i vdekjes së gazetares italiane Oriana Fallaci, zërit që nuk u përul para pushtetit

Po në Shqipëri, a ka gazetarë si Oriana Fallaci?

Mark Rica
Emigrant në Ravenna Itali

Por, duke kujtuar Oriana Fallacin, nuk duhet të harrojmë se edhe gazetaria shqiptare ka pasur dhe ka njerëzit e saj të guximshëm, profesionistë .Unë do të përmendja sidomos ata që kanë lënë gjurmë si: Tajar Zavalani, Teodor Keko, Fatos Baxhaku, Ardian Klosi, Andrea Stefani, Artur Zheji, etj. Gjithashtu, në këtë kuadër, do të doja të përmendja gazetarët e sotëm, si Marin Mema, Klodiana Lala, Artan Hoxha, Blendi Fevziu,Engjëll Musai dhe të tjerë kolegë të tyre që punojnë në terren, hetojnë, kërkojnë dokumente, ndjekin ngjarjet dhe shpesh përballen me presione e vështirësi në ushtrimin e profesionit.

Sigal

-PARAFJALË

Me rastin e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të ikonës së gazetarisë italiane, Oriana Fallaci, gjatë muajit shtator të këtij viti, në mediat e ndryshme të Italisë u zhvilluan shumë aktivitete, u transmetuan emisione televizive, por edhe u publikuan artikuj të ndryshëm në gazetat kombëtare, e sidomos në rajonin e Toskanës, ku ajo ka lindur. Oriana Fallaci është një figurë jashtëzakonisht interesante e gazetarisë italiane, por me famë ndërkombëtare, e shekullit XX si; gazetare, shkrimtare, reportere lufte dhe intervistuese e personaliteteve më të fuqishme të kohës.

-KUSH ISHTE ORIANA FALLACI? (1929–2006)

Oriana Fallaci lindi në Firence më 29 qershor 1929 dhe vdiq 20 vjet më parë, më 15 shtator 2006. Ajo hyri në gazetari që në adoleshencë dhe shumë shpejt u shndërrua në një prej zërave më të njohur të gazetarisë italiane. Enciklopedia “Treccani” e përshkruan atë si: “Gazetare dhe shkrimtare italiane, korrespondente speciale e L’Europeo dhe bashkëpunëtore e disa prej gazetave më të mëdha ndërkombëtare”. Fallaci nuk ishte gazetare që kënaqej duke raportuar vetëm atë që thoshin të tjerët. Stili i saj ishte i drejtpërdrejtë, këmbëngulës dhe shpesh konfrontues. Përpara intervistave me figura të rëndësishme politike, ajo përgatitej në mënyrë shumë të hollësishme dhe intervistat mund të zgjasnin me orë… Kështu lindi ajo që në gazetarinë italiane, por jo vetëm, shpesh quhet “stili Fallaci” i intervistës. Përballë njerëzve më të fuqishëm të botës, Fallaci intervistoi disa prej personaliteteve më të rëndësishme politike të kohës së saj: Henry Kissinger, Indira Gandhi, Golda Meir, Yasser Arafat, Zulfikar Ali Bhutto, Willy Brandt, Mohammad Reza Pahlavi, Muammar Gaddafi, Ajatollah Khomeini, Haile Selassie dhe shumë të tjerë. Një pjesë e këtyre intervistave u përmblodh në librin e saj të famshëm “Intervista me historinë”  (Intervista con la storia). Veçantia e saj ishte se nuk e konsideronte intervistën thjesht si “një seri pyetjesh dhe përgjigjesh”. Ajo përpiqej të zbulonte njeriun pas politikanit, kontradiktat, frikën, ambicien dhe mënyrën se si mendonte. Oriana Fallaci ishte një gazetare që shkoi në disa vende ku zhvilloheshin luftëra, si korrespondente lufte. Ajo raportoi nga Vietnami, Lindja e Mesme, konflikti indo-pakistanez dhe zona të tjera të trazuara. Në vitin 1968, gjatë trazirave në Meksikë, u qëllua dhe u plagos rëndë, por vazhdoi punën e saj gazetareske. Përvojat e saj në luftë u kthyen edhe në libra. Një prej tyre, “Niente e così sia”, lidhet me përvojën e saj si korrespondente në Vietnam.

Oriana Fallaci, përveç gazetarisë, la shumë vepra të rëndësishme letrare. Ndër librat e saj më të njohur janë: “Il sesso inutile” (Seksi i padobishëm, 1961); “Penelope alla guerra” (1962); “Se il sole muore” (1965); “Niente e così sia” (1969); “Intervista con la storia” (1974); “Lettera a un bambino mai nato” (Letër një fëmije të palindur, 1975); “Un uomo” (Një burrë, 1979); “Insciallah”  (1990). Disa nga veprat e Oriana Fallacit janë përkthyer edhe në shqip. Ndër më kryesoret janë: “Intervistë me historinë” (Intervista con la storia), përkthyer nga Drita Siliqi; “Një burrë” (Un uomo), përkthyer nga Yllka Beshirja; “Penelopa në luftë” (Penelope alla guerra), që figuron në katalogun e veprave të Fallacit; “Letër fëmijës së palindur kurrë” (Lettera a un bambino mai nato), përkthyer nga Klodeta Dibra, etj.

Pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, Fallaci hyri në një fazë tjetër të jetës së saj intelektuale. Në librat “La rabbia e l’orgoglio” dhe “La forza della ragione”, ajo shprehu qëndrime shumë të ashpra ndaj fundamentalizmit islamik dhe debatit mbi marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Islamit. Këto shkrime sollën një reagim të madh publik dhe edhe kritika të forta ndaj saj. Prandaj, trashëgimia e Fallacit sot shihet në mënyra të ndryshme: për disa, ajo është një simbol i gazetarisë së guximshme dhe të pavarur; për të tjerë, veçanërisht për shkrimet e saj të fundit, një figurë thellësisht polemizuese. Këto janë vlerësime të ndryshme që kanë shoqëruar veprën e saj. Një gjë është e padiskutueshme: Fallaci e ngriti intervistën nga një rubrikë gazetarie në një përballje intelektuale me pushtetin. Ajo nuk kishte frikë t’i bënte pyetjet që të tjerët shmangnin. Kam ndjekur katër nga intervistat e saj më interesante dhe më të famshme të Fallacit, të ritransmetuara: me Kissingerin, Khomeinin, Arafatin dhe Gadafin. Meqenëse jam marrë që nga mosha studentore me shkrime në gazeta të ndryshme, jam ndjerë i impresionuar se si i ndërtonte pyetjet dhe si e vinte të intervistuarin përballë vetes. Aty kuptohet vërtet madhështia e metodës së saj gazetareske.

-ITALIA E KUJTOI ORIANA FALLACIN NË 20-VJETORIN E NDARJES NGA JETA.

Më 15 shtator 2026, në Firence, qytetin e saj të lindjes, përkujtimet nisën në varrezat “Allori”, ku prehet gazetarja dhe shkrimtarja e njohur. Në praninë e kryetares së bashkisë së Firences, Sara Funaro, presidentit të Rajonit të Toskanës, Eugenio Giani, përfaqësuesve të institucioneve, familjarëve dhe qytetarëve, u vendosën kurora në varrin e saj. Më pas, në hapësirën pranë Fortezza da Basso, “Piazzale Oriana Fallaci”, e emërtuar që në vitin 2016, u inaugurua kopshti me emrin e saj dhe u mboll edhe një pemë në kujtim të saj. Vetë Bashkia e Firences e cilësoi këtë ditë si një mënyrë për ta përcjellë figurën dhe veprën e saj te brezat e ardhshëm. Përkujtimet vazhduan me veprimtari kulturore e shkencore. Këshilli Rajonal i Toskanës dhe Gabinetto Scientifico Letterario G.P. Vieusseux, organizuan më 15 shtator konferencën “Oriana Fallaci. L’eretica. A vent’anni dalla sua scomparsa”, ku morën pjesë studiues, ish-bashkëpunëtorë të saj, nipi Edoardo Perazzi dhe persona që e kanë njohur nga afër. Në të njëjtën ditë u hap edhe ekspozita “Oriana. Donna, giornalista, scrittrice”, e cila qëndron e hapur deri më 10 tetor 2026 dhe paraqet materiale nga arkivi i saj, fotografi, shkrime, dokumente, kaseta të intervistave të famshme dhe dorëshkrime. Më 14 shtator 2026, “la Repubblica” botoi një artikull me titullin “20 anni senza Oriana Fallaci e quel giornalismo che non esiste più”, duke e lidhur përvjetorin jo vetëm me kujtimin e Fallacit, por edhe me një diskutim mbi gazetarinë e sotme dhe mënyrën e saj të drejtpërdrejtë, kërkuese dhe përballuese me pushtetin.  Edhe RAI dhe ANSA e pasqyruan 15 shtatorin si ditën e nisjes së përkujtimeve për 20-vjetorin e vdekjes së saj. Duke ndjekur disa nga aktivitetet e zhvilluara në disa televizione lokale e shtetërore dhe disa artikuj në dy-tre gazeta italiane, kam menduar: “Italia është vendi që i ruan vlerat njerëzore, i promovon ato dhe i mbron me fanatizëm… Po pse nuk ndodh kështu edhe me gazetarët, reporterët, intervistuesit në Shqipëri, ku jo rrallëherë, jo vetëm nuk promovohen e vlerësohen për punën e jashtëzakonshme që bëjnë, por edhe përçmohen, shpifet për ta, por edhe dhunohen e burgosen?..” Shumë gazetarë të shquar që kanë ndërruar jetë; po u harrohet emri… Kjo është dhe arsyeja pse po shkruaj sot, duke e dhënë këtë si një apel për shtetarët e vendit tim, dhe jo vetëm… Ekziston një metaforë politike dhe publicistike se: “Media, e cilësuar shpesh si pushteti i katërt, ka një mision themelor në një shoqëri demokratike: të informojë qytetarin, të kërkojë llogari nga pushteti dhe të bëjë publike ato të vërteta që mund të mbeten të fshehura.” Pra, gazetaria nuk është thjesht përcjellëse e lajmit, por edhe vëzhguese dhe kontrolluese e pushtetit.

-ORIANA FALLACI, NJË ZË QË NUK U PËRUL PARA PUSHTETIT. PO NË SHQIPËRI, A KA GAZETARË SI ORIANA FALLACI?

Disa kolegë të saj, në 20-vjetorin e ndarjes së saj nga jeta, këto ditë shtatori shkruanin: “Kur ndahet nga jeta një gazetare si Oriana Fallaci, nuk ndahet vetëm një njeri i madh i gazetarisë italiane. Mbyllet një kapitull i një gazetarie që e shihte profesionin si mision, si guxim dhe si përgjegjësi përballë shoqërisë.” Fallaci kishte një armë të fuqishme: FJALËN. Ajo nuk druhej të pyeste, të kundërshtonte dhe të përballej me njerëzit më të fuqishëm të kohës. Pikërisht për këtë, ajo mbeti një emër i madh i gazetarisë botërore.

Por, duke kujtuar Oriana Fallacin, nuk duhet të harrojmë se edhe gazetaria shqiptare ka pasur dhe ka njerëzit e saj të guximshëm, profesionistë dhe këmbëngulës, të cilët, në rrethana jo gjithmonë të lehta, kanë zgjedhur të vazhdojnë të bëjnë gazetari. Unë do të përmendja sidomos ata që kanë lënë gjurmë si gazetarë, publicistë, analistë ose intelektualë të shtypit, si: Tajar Zavalani, Teodor Keko, Fatos Baxhaku, Ardian Klosi, Andrea Stefani, Artur Zheji, etj.

Gjithashtu, në këtë kuadër, do të doja të përmendja gazetarët e sotëm, si Marin Mema, Klodiana Lala, Osman Stafa, Artan Hoxha, Blendi Fevziu, Mero Baze, Rudina Xhunga, Mentor Kikia, Arian Çani, Andi Bushati, Alfred Peza, Sokol Balla, Anila Basha, Engjëll Musai dhe të tjerë kolegë të tyre që punojnë në terren, hetojnë, kërkojnë dokumente, ndjekin ngjarjet dhe shpesh përballen me presione e vështirësi në ushtrimin e profesionit.

Kështu, për shembull: -Marin Mema ka zgjedhur shpesh rrugën dhe terrenin për të kërkuar historinë, gjurmët dhe të vërtetat që nuk gjenden gjithmonë në zyrat e redaksive. -Klodiana Lala është dalluar për ndjekjen e çështjeve të drejtësisë, kronikës dhe investigimit. -Engjëll Musai dhe gazeta “TELEGRAF”, që ai drejton, kanë zgjedhur rrugën për t’i thënë troç gjërat, etj., etj. Të gjithë janë profile të ndryshme, por kanë dy pika të përbashkëta: 1. Gazetaria kërkon guxim për të kërkuar. 2. Gazetaria kërkon përgjegjësi për të treguar.

Dhe, krahas gazetarëve, një vend të veçantë e meritojnë edhe ato media që vazhdojnë të mbajnë gjallë gazetën dhe fjalën e shkruar. Gazetat “Telegraf”, “Panorama”, “Sot”, “Dita” dhe shumë gazeta të tjera shqiptare online vazhdojnë të jenë pjesë e peizazhit mediatik shqiptar. Në një kohë kur lajmi kalon me shpejtësinë e sekondave në telefon, mbijetesa e gazetës së shkruar nuk është një gjë e vogël. Ajo është edhe një dëshmi se fjala e menduar, analiza, opinioni dhe dokumentimi kanë ende vend në shoqëri.

Prandaj, kur kujtojmë sot Oriana Fallacin, mund të themi se ajo nuk i përket vetëm Italisë. Ajo i përket historisë së gazetarisë. Dhe çdo vend që ka gazetarë të guximshëm, profesionistë dhe të përkushtuar ndaj së vërtetës, ka edhe një pjesë të asaj trashëgimie.

Fallaci iku, por pyetja që ajo la pas mbetet: “A ka gazetaria ende guximin për të bërë pyetjen që pushteti nuk dëshiron ta dëgjojë?”  PO…KA….

Por në Shqipëri, përgjigjen nuk duhet ta japin vetëm gazetarët.  Duhet ta japë koha…