Suplementi Pena Shqiptare/ Lo Cascio Jonilda: Për librin “Vitet parisiane të Hasan Tahsinit”

Ju përgëzoj sinqerisht për këtë vepër, të cilën pres me kënaqësi ta kem në bibliotekën time. E konsideroj një kontribut të çmuar për njohjen dhe vlerësimin e një prej mendjeve më të ndritura të kombit shqiptar. Vlerësoj veçanërisht mënyrën se si e keni trajtuar figurën e Hasan Tahsinit në shkrim e statusit tuaj për këtë vepër. Me një stil të kultivuar, elegant dhe thellësisht meditativ, ju ndërthurni historinë, filozofinë dhe poezinë, duke na sjellë jo vetëm jetën dhe veprën e tij, por edhe universin e tij shpirtëror, idealet, dilemat dhe përkushtimin e palëkundur ndaj dijes.

Hasan Tahsini është një figurë që mund të krahasohet denjësisht me mendimtarë të mëdhenj të historisë. Ashtu si Kepleri, ai kërkonte harmoninë e kozmosit pa u shkëputur nga dimensioni shpirtëror; si Newtoni, ishte i mahnitur njëherazi nga ligjet e natyrës dhe nga pyetjet e mëdha filozofike e metafizike; si Galilei, pati guximin të përqafonte dhe të përhapte ide të reja në një mjedis shpesh mosbesues ndaj mendimit shkencor. Ndërsa me Al-Birunin dhe Lemaitre-n e afron përpjekja për të pajtuar arsyen, vëzhgimin shkencor dhe reflektimin mbi krijimin. Ai i parapriu kohës së vet, kuptoi se përparimi i një kombi nuk ndërtohet vetëm mbi lavdinë e së kaluarës, por mbi dijen, arsimin dhe shkencën. Prandaj, siç e shprehni edhe ju me shumë ndjeshmëri, i nderuar zoti Luan Rama, ai mbetet jo vetëm një figurë emblematike e Rilindjes Kombëtare, por edhe një simbol i modernitetit shqiptar. Hasan Tahsini nuk ishte thjesht një njeri që vështronte yjet. Ai ishte një njeri që dëshironte t’u mësonte shqiptarëve të ngrinin sytë drejt tyre. Pikërisht për këtë arsye, ai mbetet një nga “yjet polarë” të kulturës, mendimit dhe vetëdijes sonë kombëtare. Ju uroj suksese!

Sigal