Inxh. Isuf Tushe: Marrëveshjet hidrokarbure “shumë të mira”, që ndihmojnë konҫesionarët të vjedhin dhe shkatërrojnë pasuritë natyrore të shqiptarëve!

– Shqipëria nuk duhej të ishte futur fare në lojën e rrezikshme mashtruese dhe të pistë të konҫesioneve

-Në vendburime është bërë batërdia, kanë që prej vitit 1994 që vetëm vidhen dhe shkatërrohen pa mëshirë

Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike

Sigal

Edhe njëherë për marrëveshjet hidrokarbure. Inxh. Agron Shehu, si një nga ish-specialistët dhe ish-drejtues kryesor në grupin për kontratat në Shqipëri gjatë periudhës 1990-2000, mbase ka marrë pjesë edhe në hartimin e Legjislacionit mbi Pasuritë Natyrore, në këtë intervistë hedh pakëz dritë mbi disa nga paҫavuret që kanë hartuar dhe lidhur qeveritë e pas vitit 2000 me investitorët e huaj ose shkurt me konҫesionarët, marrëveshjet hidrokarbure, në vendburimet ekzistuese të naftës dhe parashikon se ҫfarë mund të ndodhë me kërkimin në strukturën e Shpiragut dhe për fatin e mëtejshëm se ҫfarë mund të fitojë Shqipëria, sigurisht, në rast se vërtetohet dhe deklarohet produktiviteti (naftë-gazmbajtja) me leverdi ekonomike që mendon Kompania Shell. Pak me ndrojtje dhe shumë i vonuar në kohë i thotë ca fakte dhe jo të gjitha, por ato pak që trajton janë në përputhje dhe në mbështetje të plotë me konkluzionet dhe rekomandimet që kemi arritur, nëpërmjet analizës së fakteve, ne një pjesë e specialistëve të naftës në shkrimet dhe diskutimet tona qysh kur filloi dhënia me konҫesion e këtyre pasurive natyrore. Inxh. Agroni, Shqipëria nuk duhej të ishte futur fare në lojën e rrezikshme mashtruese dhe të pistë të konҫesioneve në vendburimet ekzistuese hidrokarbure dhe minerare, ato duhet të qëndronin shtetërore dhe nën administrimin e Kompanive Shtetërore përkatëse Albpetrol, Albchrome, etj. Lidhur me atë koefiҫientin “R”, që ju e trajtuat në këtë intervistë, ai është një minë me sahat dhe është futur qëllimisht në marrëveshjet hidrokarbure nga negociatorët, Axhensia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), Albpetroli dhe Ministria Energjitikës, në mënyrë që kupola politike dhe qeveritarët të vjedhin pasuritë natyrore për t’u pasuruar duke përdorur letrat zyrtare dhe vulën e shtetit, ndërsa vetë shteti të marrë zero fitm. Kemi shkruar disa herë se ky koefiҫient favorizon vetëm konҫesionarët dhe kurrsesi shtetin shqiptar dhe në Shqipëri abuzimin me këtë koefiҫientin “R” (që “përkthehet”-Rrëno Gjithҫka), konҫesionarët bashkë me politikanët grabitqarë e kanë avancuar apo thelluar më tej rolin e tij që të vjedhin sa më shumë nga gjithë këto pasuri hidrokarbure për të rritur fitimet e tyre. Prandaj e vetmja rrugëzgjidhje mbetet ri-shtetëzimi i kësaj pasurie natyrore, që edhe ju në intervistën tuaj, megjithëse i ndrojtur, goxha i frikësuar dhe me një gjysëm zëri, e paskeni kuptuar tani vonë pas 32 viteve siҫ theksuat se: . . . “Po të isha unë fillimisht, unë s’do merrja investitor të huaj aty, . . . unë po të isha sot me këtë mëndje që kamë, me këto dije që kamë . . . do ta bëja vetë si Shqipëri . . . . me këtë Shqipëri që është sot” . . . . , pra vendburimet nuk duheshin dhënë me konҫesion, por ti shfrytëzonte vetë Shteti Shqiptar. Je shumë i vonuar Inxh. Agroni!

Sot, je shumë i vonuar në kohë

Sot, je shumë i vonuar në kohë, sepse në ato vendburime është bërë batërdia, kanë që prej vitit 1994 që vetëm vidhen dhe shkatërrohen pa mëshirë sikur të jenë mall pa zot, vetëm për të mbushur llogaritë bankare rrongoxhongot e kupolës politike, qeverive, oligarkët e saj, konҫesionarët hajdut, etj. Ju si specialistë me eksperiencë në naftë dhe më vonë me kurse kualifikimi për kontratat, siҫ pretendoni, dhe që keni punuar direkt me këto marrëveshje hidrokarbure bashkë me disa nga kolegët tuaj, duhet të ishit bërë që në fillim një barrier e fortë për qeveritarët e “ҫmendur” që donin të vidhnin këto pasuri për t’i frenuar në privatizimin e këtyre vendburimeve, ndërkohë që ju e dinit mirë se kërkesa e naftëtarëve dhe punonjësve të Instituteve të Naftës, që në fillim kur ju pranuat të futet Kompania Konҫesionare Premier Oil (Joint Venture-JV me Kompaninë Shtetërore Albpetrol) në pellgun më të madh naftëgazmbajtës në Shqipëri dhe në Europë, Patos-Marinës, i cili ishte se në vendburimet ekzistuese të naftës dhe strukturat e reja perspektive të përgatitura për kërkime nuk duhet të jepeshin me konҫesion, por të administroheshin nga Kompania Shtetërore e Naftës Albpetrol. Mos vallë ju u entuziazmuat shumë kur kapët një karrike tjetër të ngrohët, më lartë, pranë pushtetit me benefite të mira dhe ju errësuan syt dhe nuk po dëgjonit dhe shikonit më se ҫfarë po kërkonin naftëtarët dhe ҫfarë po bënit ju? Sot, kur edhe bujqëritë e thjeshtë e kanë marrë vesh dhe po shikojn se si po shkatërrohet dhe vidhet nafta jonë, ju na dolët dhe hodhët një pushkë si puna e kolaboracionistëve në prag të ҫlirimit Shqipërisë në 1944′. Që në gjuhën popullore kjo quhet, mbas pilafit. Tani kjo pushka juaj, me fishek manovre, që duket sikur anon në anën e “partizanëve” nuk bënë më sens, sepse dëmet në vendburimet e naftës janë të pallogaritëshme dhe të pariparueshme. Mbase ju në atë kohë nuk kishit aq forcë sa të ndalonit këta qeveritar të “ҫmendur” në rrugën e tyre të gabuar dhe të babëzitur për të vjedhur këto pasuri apo mbase qeveria nuk ju ka kërkuar mendim fare, por ju duhet, të paktën si atdhetar, të kishit thënë fjalën tuaj si specialist, në mbështetje të Armatës Naftëtarëve, sepse vinit në atë pozicion nga Industria Naftës dhe konkretisht nga sektori vendburimeve. Konkretisht, për kontratat e vendburimeve dhe për Shpiragun, në një nga shkrimet tona është trajtuar gjithҫka me detaje se ҫfarë ka ndodhur deri tani dhe ҫfarë do ndodhi në të ardhmen: Pas intervistës spektakolare propagandistike mashtruese të z. Stavri Dhima, ne kemi shkruar se: Në intervistën e tij z. Dhima lidhur me marrëveshjet hidrokarbure theksoi se . . . “Marrëveshjet që neve kemi bërë janë marrëveshje shumë të mira, . . . Janë marrëveshje . . . të standartit ndërkombëtar, kështu operohet gjithandej” . . . Atëherë, si ka mundësi që ne kemi dështuar me këto marrëveshje kaq të mira në vendburimet ekzistuese?- sepse shteti nuk merr tatimin mbi fitimin. Por marrëveshjet paskëshin probleme që janë të rëndësishme, siҫ deklaroi “eksperti”, sepse lidhen pikërisht me paaftësinë profesionale dhe mungesën e kualifikimit të specialistëve militant në institucionet dhe qeveritë e korruptuara, prandaj për ne që në fillim ato ishin të dështuara…“Një problem është që të jemi kështu transparent në këto raste këto lloj marrëveshjesh kërkojnë një kualifikim dhe një profesionalizëm shumë të lartë në monitorim, në ndjekjen e tyre”.. Mirëpo nuk është e lehtë të marrësh fitim nga kompanitë konҫesionare në një vend si yni ku lulëzon korrupsioni, sepse në ato marrëveshje kompanitë kanë futur atë, koefiҫentin “R”, i cili është i rrezikshëm dhe të fik derën. Realisht ky ka brenda një tjetër “r”, që kompanitë e sjellin me vehte bashkë me “specialistët” përkatës, që kur fillojnë punën. Aty futen vjedhjet dhe manipulimi i investimeve dhe shpenzimeve të tjera, por tek ne ku politikanët tanë qeverisin me “duar të pastërta” ai do bëhet “R” = “R”+”r” dhe Shelli nuk do derdhi asnjë EURO në arkën e shtetit. Lind pyetja si ja bënë bota se kështu, sipas “ekspertit”, operohet gjithandej? Bota e ka zgjidhur se, s’ka qeveri të korruptuara si tek ne! Jo vetëm kaq, por tek ne edhe hallkat e tjera të administratës shtetërore si AKBN-ja, Albpetroli dhe deri tek doganat, nga ku eksportohet nafta, janë mbushur plot me militantë hajdutë, që janë të paaftë në detyrë dhe tepër të korruptueshëm. Prandaj me këtë keq-qeverisje, shteti do marri vetëm Royalty Taxrreth 2% të prodhimit të naftës, ku edhe ky nuk është i sakët, sepse do të manipulohet, njëlloj si në vendburimet ekzistuese. Ku shteti nuk vjel tatimin mbi fitimin nga nafta që nxirret prej tyre, ku investimet kapitale dhe shpenzimet operative janë minimale, sepse kompanitë raportojnë zyrtarisht se “punojnë me humbje”, atëherë ta harrojmë se mund të marrim fitim nga zbulimi Shellit në Shpirag. Kjo situatë do vazhdojë deri sa shteti të veprojë dhe jo të vjedhi vetë fitimin bashkë me konҫesionarët, prandaj premtimi i Qeverisë dhe politikës për të festuar ne bashkë me rajonin janë vetëm mashtrimi i radhës. Shkrimi i plotë mund të lexohet në linkun:  https://www.epokaere.com/nga-zbulimi-ne-shpirag-ne…/

Ju folët shumë pak, e kaluat shkarazi, marrëveshjen hidrokarbure me Kompaninë Premier Oil, e cila u fut në partneritet me Kompaninë Shtetërore Albpetrol për të operuar në vendburimin Patos-Marinës, në vitin 1994. Ju deklaruat se ajo bëri rreth US$50 milion investime të ndryshme dhe shumë studime, futi injektimin e avullit dhe u largua vetë në vitin 1999, kurse Shteti Shqiptar nuk humbi asgjë nga kjo marëveshje! Se ҫfarë përmbante ajo marrëveshje hidrokarbure, cili ishte objektivi i kësaj kompanie në këtë vendburim, si ishin parashikuar treguesit e prodhimit dhe ato financiar, pra detyrat dhe termat kryesore tekniko-financiare, si dhe detyrimet dypalëshe, midis saj dhe Shtetit shqiptar, e ato i dini vetëm ju bashkë me ata që e hartuan atë, ata që e miratuan dhe ata që e zbatuan atë marrëveshje, që ju nuk i përmëndët fare. Sa për dijeni, ju mbase do e kishit dëgjuar se në vendburimin Patos-Marinës, injektimi i avullit, gazit karbonik dhe ujit në shtresë krahas me përdorimin e holluesitë, ishin aplikuar para vitit 90′ për të rritur prodhimin e puseve, prandaj futja e avullit nuk ishte investim i Kompanisë Premier Oil, por mbase ajo ka bërë ndonjë shërbim të vogël për mirëmbajtje apo zgjerim të sipërfaqes. Sipas informacioneve që rrodhën menjëher në atë kohë, kjo kompani do të investonte për të ndërhyrë me punime intensifikuese në puset e fondit ndalur në vendburim për t’i vënë ato në punë dhe rritur prodhimin, prandaj ju duhet ta kishit sqaruar objektivin kryesor të investimit të Kompanisë Premier Oil në këtë marrëveshje. Mirëpo, prapë sipas informacioneve, menjëherë sa ajo filloi nga puna, nuk u muar fare me puset ekzistues të fondit të ndalur, por filloi loja. Nga Kompania Shtetërore Albpetrol është dhënë urdhër zyrtar Nd/jeve të nxjerrjes naftës në këtë vendburim, që puset me prodhimin më të mirë të kalonin në fondin e ndalur dhe kështu është vepruar. Pasi kompanitë i kalonin në fondin e ndalur, njëri pas tjetrit këto puse, mbas ca ditësh i kalonin në inventarin e Kompanisë Premier Oil dhe kjo i vinte menjëherë në punë. Kështu Premier Oil filloi të marrë puset me prodhimin më të lartë (30-50 ton naftë bruto/ditë), sepse ato ishin në zëmër të vendburimit Patos-Marinës dhe loja vazhdoi deri sa ajo i mori gjithë puset e vendburimit. A është e vërtetë kjo? N.q.se kjo është e vërtetë, atëherë ҫfarë investimesh bëri kjo kompani? Instaloi ndonjë vulf, zëvëndësoi apo lidhi ndonjë nga kabllot e puseve, ndërroi ndonjë motor apo rrip, shtroi rrugët apo bojatisi depot dhe tubacionet? Këto ishin të gjitha gati, sepse puset ishin në shfrytëzim për rreth 4 dekada. Ju duhet t’i dini mirë këto allishverishe, që bëri Kompania Premier Oil bashkë me Kompaninë Albpetrol në vendburimin Patos-Marinës, sepse ishte detyra e drejtorisë tuaj që të kontrollonte zbatimin e kësaj marrëveshje hidrokarbure dhe ishte produkt i dalë nga ky institucion.

Objektivi kryesor

Të fokusohemi pak në objektivin kryesor, arsyen pse u lidh kjo marrëveshje hidrokarbure me Kompaninë Premier Oil, e cila do të operonte në vendburimin Patos-Marinës dhe vlerën e investimit ta ndante me Kompaninë Shtetërore Albpetrol, që ju nuk e përmëndët fare në intervistë? Atëherë për sa më sipër, bazuar në informacionet që kanë rrjedhur nga punonjës të Nd/jeve të nxjerrjes, rezultojnë dy opsione që dallojnë esencialisht midis tyre:

-Kompania Premier Oil është kontraktuar që të operonte, duke zbatuar teknologji të reja dhe punime intensifikuese, në kategorinë e puseve të fondit të ndalur në vendburim që t’i kthente në punë dhe me debite të mira! Ka plotë shëmbuj në botë, ku disa kompani kanë ngritur biznesin e tyre duke investuar në vendburimet me energji natyrale shtresore të konsumuar dhe me puse jo në shfrytëzim ose një pjesë që prodhonin disa litra naftë/ditë, por me investime dhe ndërhyrje në shtresë është vërejtur rritje e ndjeshme në debitet e naftës dhe gazit.

– Kompania Premier Oil është kontraktuar që të operonte në gjithë puset e vendburimit (mbase përfshi dhe ato të fondit të ndalur) duke zbatuar teknologji të reja dhe metoda intensifikuese në rezervuar për të rritur prodhimin e naftës dhe gazit. Cili qëndron nga këto dy opsione? Po të analizojmë faktet më sipër dhe veprimet konkrete, n.q.se informacioni rrjedhur është i sakët, në opsionin e parë Kompania Premier Oil e kontraktuar për të operuar në puset e fondit ndalur në vendburim, duhet të operonte menjëherë sipas projekt-programit të saj të miratuar në marrëveshje për t’i vënë ato në punë. Atëherë lind pyetja, pse KompaniaAlbpetrol, urdhëroi Nd/jet e nxjerrjes që të kalonte në fondin e ndalur puset me debite më të larta në vendburim dhe më pas ato puse ti merrte Kompania Premier Oil, e cila i vinte menjëherë prapë në punë dhe i shfrytëzonte për llogari të saj? Pra, Kompania Premier Oil, nuk paska operuar në puset ekzistues të fondit ndalur sipas marrëveshjes, por në puset në prodhim që Kompania Albpetrol ja kalonte asaj si puse të fondit të ndalur. Për të mbuluar abuzimet, ajo formalisht mbase ka ndërhyrë edhe në ndonjë pus ekzistues të fondit të ndalur. Në opsionin e dytë, që sipas marrëveshjes hidrokarbure, Kompania Premier Oil do operonte në të gjithë puset, në prodhim dhe në fondin e ndalur, në një sipërfaqe të vendburimit, për të rritur debitet e tyre! Atëherë lind pyetja, pse Kompania Albpetrol, urdhëroi Nd/jet e nxjerrjes që të kalonte në fondin e ndalur puset me debite më të larta në vendburim dhe më pas t’ia jepte Kompanisë Premier Oil, kur mund t’ia jepte të gjithë puset në sipërfaqen e caktuar në marrëveshje, n.q.se ajo ishte e tillë? Sepse me këto veprime Kompania Albpetrol kryente punime për t’i kaluar puset në fondin e ndalur, ndërsa Kompania Premier Oil kryente punime për t’i vënë në punë dhe gjatë kësaj periudhe puset nuk do prodhonin naftë! Do rriteshin shpenzimet, pra të dy palët investonin për asgjë, në humbje kohe dhe para! Këto veprime, n.q.se informacioni është i sakët, të ҫojnë në opsionin e parë që Kompania Premier Oil, sipas marrëveshjes, duhet të operonte vetëm në puset ekzistues të fondit të ndalur. Llogjikisht ky është një abuzim i rëndë me pasurinë shtetërore, është faj, sepse është shkelur marrëveshja hidrokarbure. Puset në prodhim ishin pronë e shtetit, Kompanisë Albpetrol dhe s’kishte arsye teknike të bëheshin abuzime që këto puse ti merrte Kompania Premier Oil, jashtë parashikimit në marëveshje.Megjithëse këto abuzime, dalin jashtë përgjegjësisë së grupit kontraktor-negociator, prapë ky grup e kishte për detyrë të kontrollonte zbatimin e marëveshjes mbi aktivitetin e të dy kompanive dhe të raportonte në organet përkatëse dhe personat përgjgjegjës të shkonin para ligjit. Inxh. Agroni e njeh mirë këtë marëveshje hidrokarbure, prandaj duhet ti kishte sqaruar në atë intervistë qëllimin kryesor për të cilin ajo ishte lidhur midis Shtetit Shqiptar dhe Kompanisë Premier Oil, si dhe zbatimin e saj në praktikë, por ai u mjaftua vetëm me pak gjëra duke kaluar shkarazi. Ai u hallakat mjaft, rreth ca termave në marëveshjet e lidhura pas vitit 2000 dhe ato nuk i sqaroi plotësisht, por theksoi se ato ishin gabim dhe la të kuptohej se ato që kishte negociuar ai me grupin e tij para këtij viti ishin shumë të mira, “FLORI”, ndërkohë që të gjitha kontratat e lidhura për vendburimet ekzistuese të naftës dhe gazit, bile edhe për Shpiragun, janë jashtë standartit dhe kanë dështuar, ku Shteti Shqiptar ka humbur gjithë pasuritë natyrore minerare dhe nuk përfiton asgjë prej tyre. Ato shkatërrohen dhe ҫdo ditë vidhen, pikërisht nga këto marëveshje të negociuara gabimisht që janë hartuar dhe miratuara nga specialistëtë paaftë dhe të papërgjegjëshëm, ndërsa kupola politike, qeveritarët, oligarkët, opozitarët, etj., vjedhin dhe ndajnë fitimet me konҫesionarët, kurse qeveria vazhdon me heshtjen e saj të stërgjatur. Ky veprim është pa dyshim, një sabotim i heshtur i institucioneve shtetërore mbi pasuritë natyrore publike dhe përbën vepër penale!

Specialistët që kanë punuar me kontratat kanë qënë të paaftë në negociata dhe pa eksperiencë në prodhim

– Shkatërrimi i vendburimeve nga shfrytëzimi pa kriter solli abuzimet dhe vjedhjet pa masë

– Korrupsioni politikanëve dhe qeveritarëve bashkë me konҫesionarët mos pagimi i detyrimeve shtetit, shkatërruan naftën

– Të gjithë jemi dëshmitar se pas vitit 90’, kur gjoja erdhi “demokracia” shpërthyen pucetat dhe Shqipëria u mbulua nga llumi i qelbur

 

Ju theksuat se bëri studime, ҫfarë studimesh bëri ajo dhe sa kushtuan ato? Vendburimi ishte i kompletuar me puse në ҫdo objekt, me paisjet mbi dhe nën tokësore, kishte plotë studime të kryera nga specialistët tanë me eksperiencë të Instituteve të Naftës dhe Nd/jet e nxjerrjes. Kompania Premier Oil, mbështetur në studimet tona fondamentale, që i merrte falas, mori të dhënat mbi ecurinë e treguesëve të shfrytëzimit të puseve dhe vendburimit deri në atë kohë, që prodhimi ishte në nivelin më të ulët në historinë e shfrytëzimit tij, sepse rrëmujat e hajdutëve të “demokracisë” influencuan edhe në sektorin e naftës. Këto tregues dhe ca konkluzione bashk me ndonjë përmbledhje, kompania Premier Oil ja dha ndonjë kompanie gjoja me emër, që nuk e njihte fare këtë vendburim dhe as Shqipërinë, por që ishte e besueshme për bankat. Ajo bëri ca manipulime, ekstrapolime me ngjyra dhe e ҫoi prodhimin në nivelin që ishte para “demokracisë” dhe në marëveshje me ju kjo “diferencë” e manipuluar ishte rritja e prodhimit, e cila mbase është ndarë midis kompanive Premier Oil dhe Albpetrol. Këto janë “studimet shkencore” me tregues që kërkojnë bankat si garanci për të dhënë kredi për investime. Këtë e keni bërë “mirë” ju “specialistët” e Albpetrolit në atë kohë dhe më vonë këta të AKBN-së. Pra, specialistët që kanë punuar me kontratat kanë qënë të paaftë në negociata dhe pa eksperiencë në prodhim.

Ne në atë kohë nuk dëgjonim për ndonjë investim kapital në vendburim, me përjashim të zëvendësimit të ndonjë kabëlli të vjedhur apo vulfi, që vidhej nga militantët e partisë dhe shitej në Albpetrol. Këto ishin investimet që bëri Kompania Premier Oil? Kompania fitoi, sepse vodhi naftën tonë për 5 vjet dhe pasi mori gjithë informacionin mbi vendburimin bashkë me studimet tona, të cilat ja fali kontraktorëve të saj hajdut, që më vonë erdhën dhe krijuan Kompaninë Konҫesionare Bankers Petroleum dhe u largua vetë, kurse Kompania Albpetrol dhe Shteti Shqiptar humbën sasi të konsiderueshme nafte, që vendburimi prodhoi në ato vite, ku në këtë partneritet Kompania Albpetrol mbase ka marrë gjysmën e fitimit. Kompania Premier Oil e prishi marrëveshjen, atëherë ju në atë kohë pse nuk i propozuat qeverisë që të kërkonte ligjërisht penalizimin e saj?

 

Prandaj ju duhet të ishit treguar i sinqertë në atë intervistë, sepse shteti humbi vendburimin dhe aty filloi: historia e hidhur e dhënies me konҫesion edhe e vendburimeve të tjera; shkatërrimi i tyre nga shfrytëzimi pa kriter; abuzimet dhe vjedhjet pa masë; korrupsioni politikanëve dhe qeveritarëve bashkë me konҫesionarët; mos pagimi i detyrimeve shtetit etj. Nga kjo histori me këtë konҫesion, Ministria Energjitikës, AKBN-ja, Albpetroli, Qeveria dhe të gjithë militantët që punonin në këto dikastere fituan një eksperiencë të madhe, atë që ju mungonte, se konҫesionet në vendburimet e naftës ishin shkatërrimtare dhe Shteti Shqiptar nuk përfitonte asgjë prej tyre, por humbi gjithҫka, pasuritë natyrore të zbuluara nga Specialistët dhe Naftëtarët shqiptar me paratë e popullit për 45 vite, humbi institucionet shkencore dhe specialistët. Prandaj, ju dhe kolegët tuaj duhet të ishit bërë një barrierë e fuqishme kundër konҫesioneve. Këtë prisnim ne në atë intervistën tuaj, kurse ju deklaruat se shteti nuk humbi gjë!

 

Po atëherë ҫfarë fitoi shteti nga kjo marrëveshje hidrokarbure?

 

Siҫ deklaruat, ju jeni njohës i mirë i marrëveshjeve hidrokarbure dhe specialisti kryesor i asaj kontrate, ku pothuajse me atë tip janë dhënë me konҫesion gjithë vendburimet ekzistuese. Atëherë ju duhet të kishit sqaruar se në cilat raste abuzimesh apo shkeljesh në terma të marrëveshjeve, shteti ligjërisht ka të drejtë t’i pezullojë kompanitë konҫesionare nga aktiviteti dhe këto pasuri natyrore ti ri-shtetëzojë pa u penalizuar. Sipas informacioneve që rrjedhin nga kompanitë dhe kontrollet, janëkonstatuar se vendburimet shfrytëzohen barbarisht pa projekte përpunimi të miratuara në institucionet përgjegjëse të Shtetit shqiptar dhe po shkatërrohen, ndotja e ambientit në zonat naftëmbajtëse është masive dhe ka sjellë pasoja të rënda në shëndetin e banorëve, si dhe shkatërrime të pronave private të tyre, ndërsa kompanitë nuk mbajnë përgjegjësi. Ato kanë rreth dy dekada, që luajnë me shpenzimet operative dhe investimet për punime të pakryera me fatura fallco etj., dhe nuk paguajnë detyrimet financiare shtetit! Nxjerrin fitime kolosale dhe raportojnë zyrtarisht se “punojnë me humbje”. Sipas ligjit ato duhet të deklarojnë falimentimin, ndërsa shteti nuk vepron, por i lejon të vazhdojnë aktivitetin. A janë këto raste shkeljesh, të mjaftueshme që shteti t’i pezullojë atyre aktivitetin dhe të ri-shtetëzojë vendburimet pa u penalizuar dhe a ka këtu elemente korrupsioni? Ju si specialist, duhet të kishit dhënë mendimin tuaj me kompetencë të plotë për këto probleme kryesore që kanë të bëjnë me të drejtat dhe detyrimet midis shtetit dhe konҫesionarit.

 

Dëgjuam me vëmëndje intervistën tuaj dhe menduam se ju do përqëndroheshit, pikërisht, në këto probleme delikate për të cilat naftëtarët, specialistët dhe populli kërkon të njohë të vërtetën mbi këtë katraurë në Industrinë e Naftës, ku ju dhe kolegët tuaj nuk jeni pa përgjegjësi. Por ju nuk i prekët fare këto momente, i anashkaluat me kujdes dhe deklaruat se kompanitë kanë të drejtë të shtyjnë afatin e kontratës edhe 5 vjet të tjera. Pra, në fund të marrëveshjeve hidrokarbure, që keni hartuar ju bashkë me kolegët tuaj, Shqipërisë do i mbeten vetëm ca relike pa vlerë dhe një tokë e djegur me ndotje masive!

 

Për ne specialistët e naftës, këto janë shkelje të rënda në termat e marrëveshjeve hidrokarbure, bile edhe njëra prej tyre mjafton që shteti t,i pezullojë kompanitë nga aktiviteti dhe të ri-shtetëzojë vendburimet. Në gjithë botën ku kompanitë konҫesionare operojnë në naftë, këto terma të kontratës janë kryesore dhe të panegociueshme për ҫdo shkelje dhe abuzim me to kompanitë humbasin aktivitetin, humbasin investimet e tyre, penalizohen ligjërisht, si dhe paguajnë detyrimet dhe dëmet ndaj shtetit dhe privatëve. Por tek ne kjo nuk ndodh, sepse të drejtat dhe detyrimet midis shtetit dhe kompanive konҫesionare janë kthyer në pazare ku bëjnë korrupsion kupola politike dhe qeveritarët që ka fshehur AKBN si “aksionerë” pas tyre dhe që po shkatërrojnë pasuritë natyrore.

 

Të gjithë jemi dëshmitar

Të gjithë jemi dëshmitar se pas vitit 90’, kur gjoja erdhi “demokracia” shpërthyen pucetat dhe Shqipëria u mbulua nga llumi i qelbur që ishte grumbulluar në dekada, i cili kapi majat e politikës dhe pushtetit, por nga mëllefi dhe urrejtja që kishin krijuar, si hakmarrje ndaj popullit, zgjodhën rrugën e shkatërrimit dhe vjedhjen e gjithë pasurisë së shqiptarëve. Industrinë e Naftës nuk e dhanë me konҫesion vetëm qeveritë apo nuk po e vjedhin dhe shkatërrojnë vetëm kupola politike, qeveritarët dhe oligarkët e tyre bashkë me konҫesionarët, sigurisht këta marrin pjesën e luanit, por jo pa një mbështetje të fortë ligjore dhe pa një “ombrellë” mbrojtëse dhe këtë “ombrellë” e ndërtuan me zell të madh një pjesë e specialistëve të saj, pikërisht një pjesë e kolegëve naftëtarë. Prandaj qeveritë prishën gjithë Institucionet Shkencore, hoqën nga puna nëpërmjet reformave famëkeqe apo formave të tjera gjithë specialistët jo militantë, krijuan ca institucione shtesë si kjo drejtoria e negociatave apo AKBN dhe këto bashkë me të tjerat i mbushën me specialistë të paaftë profesionalisht, militantë partish dhe servila të politikës, karieristë apo njerëz me karierë të munguar, në mënyrë që ti përdornin lehtë si të donin, atje ku donin dhe kur të donin, sepse e dinin frikën e ligjit që një ditë mund të veprojë. Pikërisht këta janë ata që, qeveritë dhe politika, i përdorën si mashë për të realizuar qëllimet e tyre grabitqare.

 

Këta ustallarë rregulluan ligjet kushtetuese mbi privatizimin dhe konҫesionet, hartuan dhe lidhën marrëveshjet hidrokarbure-minerare me terma teknike-fiskale në favor të kompanive konҫesionare dhe hajdutëve, që fshihen pas tyre si “aksionerë”, shkatërruan fondet e instituteve shkencore dhe i falën atyre gjithë studimet me eksperiencën tonë apo i shitën ato për një dorë para apo për një vend pune. Manipulojnë dhe fshehin abuzimet që bëjnë këto kompani me pasuritë natyrore shtetërore. Ka disa nga këta “specialistë apo ekspertë”, që në vend që të kërkojnë ndjesë publike mbi keq-administrimin apo keq-qeverisjen e pasurive natyrore,ku edhe këta kanë përgjegjësinë e tyre për dështimin e kontratave, që i kanë sjelë pasoja të rënda ekonomisë, dalin ekraneve për intervista dhe bëjnë propagandë të hapur, në mbështetje të klaneve politike, si zëdhënës të tyre dhe na përrallisin akoma se këto kontrata janë nga më të mirat, të standartit ndërkombëtar, etj., etj. A e kanë marrë vesh këta se kontratat e tyre kanë dështuar dhe si pasojë e tyre po vidhen dhe shkatërrohen gjithë pasuritë natyrore? Inxh. Agroni u hallakat shumë me marrëveshjet hidrokarbure të lidhura pas vitit 2000 dhe me atë të Shpiragut, që vetë ai si kishte të qarta termat e tyre dhe “harroi” të na jepte detaje rreth asaj që kishte lidhur vetë me Kompaninë Premier Oil, ku ai ka patur rolin kryesor në hartimin, aprovimin dhe kontrollin gjatë zbatimit të saj derisa atë e larguan apo iku vetë, por dhe këtë nuk e kishte shumë të qartë. Ai nuk tha asgjë se cili ishte qëllimi ose objektivi kryesor i kësaj kompanie në vendburimin Patos-Marinës, arritjet e saj, dështimet, detyrimet ndaj Shtetit Shqiptar dhe si i realizoi ajo! Mos vallë ai e kërkoi këtë intervistë për të testuar opinionin rreth tij apo si “i penduar”në heshtje për kontributin që dha në këtë marrëveshje hidrokarbure të dështuar, të cilën e paraqiti si më të mirën!

Kompanitë konҫesionare nuk sollën me vehte as eksperiencë, as teknologji dhe as kapital investues, por vetëm ndonjë administrator kryesor dhe pjesën tjetër të administratës, nëpërmjet lidhjeve partiake apo shtetërore, i zgjodhën midis specialistëve tanë, i vendosën në pozicione drejtuese kyҫe dhe për t’i mbyllur gojën i caktuan nga një rrogë të mirë për të realizuar planin e tyre që të grabisin lehtë këto pasuri natyrore. Po ashtu, specialistët e vendburimeve ato i gjetën po këtu, disa prej tyre i mbajtën në punë dhe i dhanë nga një rrogë të zakonëshme dhe e përdorin mirë eksperiencën e tyre në operimin e proceseve teknike në shfrytëzimin e vendburimeve. Këta hallexhinj i shikojnë mirë të gjitha abuzimet dhe pasojat e shfrytëzimit barbar që po shkatërrojnë vendburimet dhe si po vidhet pasuria jonë, por halli i ka bërë që të heshtin. Kompanitë konҫesionare, këtu i gjetën të gjitha dhe erdhën vetëm për të vjedhur pasuritë tona natyrore, prandaj ky ishte rezultati dhe fati që pësoi Industria e Naftës dhe ajo Minerare.