Ismail Kadare për Brigadën e XII Sulmuese: Parakalojnë ish-partizanët, ata që bënë luftën, mungojnë midis rreshtave të rënët, parakalojnë plagët, luftrat, këngët
Detyra e parë që iu ngarkua Brigadës XII ishte mbrojtja e punimeve të Kongresit të Përmetit.
– Në ditën e Çlirimit të Atdheut efektivi i Brigadës arriti në 1250 luftëtarë, nga të cilët 108 luftëtarë ranë dëshmorë për Çlirimin e Shqipërisë
80-vjet Br XII (20 maj 1944-2024”
Kastriot Bezati, historian
Përmeti u pushtua ushtarakisht nga fashistët e Romës më 11 prill 1939 dhe u çlirua më 13 shtator 1943. Qëndroi i pushtuar dhe luftoi me pushtuesit 1615 ditë. Edhe pas kësaj dite pushtuesit hitlerianë e kanë riokupuar Përmetin edhe tri herë të tjera gjatë operacioneve të tyre ushtarake: më 3 nëntor 1943, 1 ditë, më 28 janar – 2 shkurt 1944, 6 ditë, më 11 – 29 qershor 1944, 19 ditë, por pa mundur të ngrejnë pushtetin dhe, administratën e tyre në qytetin e Përmetit. Edhe pas çlirimit, përmetarët e vazhduan luftën për çlirimin e Shqipërisë. Në hapësirën kohore tetor 1943 – janar 1944 në trevën e Përmetit kemi formimin e 4 batalioneve partizane: “Dëshnica”, “Naim Frashëri”, “Çome Mandi”, “Hiqmet Dusha”, të 1 grupi partizan: Grupi V Zonës V Operative apo “Grupi i Dëshnicës” dhe të 1 brigade: Brigada VI UNÇSH, “Heroinë e Popullit”, me komandant Tahir Kadarenë (1913 – 1962) nga Gjirokastra dhe komisar Mustafa Matohitin (1912 – 1944) nga Lekdushi i Tepelenës, formuar në Përmet më 26 janar 1944. Sukë, 20 maj 1944 formohet Brtigada XII e UNÇSH. Urdhëri i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH drejtuar Shtabit të Zonës I Operative Vlorë – Gjirokastër – Mallakastër, për formimin e Brigadës XII S, u lëshua më 5 maj 1944, ku ndër të tjera thuhej: “Kemi vendosur organizimin e Brigadës XII – të Sulmuese. Forcat e Brigadës: 400 veta nga Vlora dhe Mallakastra, 200 veta nga Gjirokastra. Organizimi do të bëhet në Dëshnicë”. Partizanët për formimin e Brigadës XII erdhën nga Gjirokastra e Vlora, nga krahinat e Kurveleshit, Mesaplikut, Tepelenës, Mallakastrës, nga fshatrat e Lunxherisë e të Libohovës, të Bregdetit e të Himarës, të Sarandës, nga zonat e Delvinës, Konispolit e Përmetit. Në ato ditë u rrjeshtuan bashkë me ta edhe vullnetarë të rinj nga Dëshnica si dhe nga krahinat e tjera të Përmetit dhe, në ditën e përurimit, më 20 maj 1944, numri i partizanëve arriti në 670 veta, të cilët u rrjeshtuan në 4 batalione në një lëndinë midis kodrave të fshatit Sukë të Dëshnicës. Haxhi Lleshi (1913 – 1998), “Hero i Popullit”, nga Reshani i Dibrës, në përurimin e Brigadës XII, lexoi përshëndetjen e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH drejtuar Brigadës XII, ku thuhej: “Ushtria Nacionalçlirimtare lindi dhe u rrit në luftë. Brigada XII Sulmuese do të shkojë përpara duke dhënë kontributin e saj në luftën për çlirimin e Shqipërisë”. U bë parakalimi i forcave të brigadës mes entusiazmit të popullit të Dëshnicës, i cili i priti me dashuri, u hapi dyert e shtëpive dhe u vëllazërua me partizanët e Brigadës XII të UNÇSH.
Kuadri drejtues i Brigadës XII: komandant – Refat Bajrami nga Gumenica e Labërisë, komisar – Qemal Klosi nga Klosi i Mallakastrës, n/komandant – Mehmet Jaho (Luftar Bolena) nga Bolena e Kurveleshit, zv/komisar – Rahman Parllaku nga Novosej i Lumës, i cili pas 4 ditësh u transferua në detyrën e zv/komisarit të Brigadës III të UNÇSH dhe, në vënd të tij, u caktua Vasil Nathanaili nga Dhrovjani i Delvinës. Anëtarë të Seksionit Politik të Brigadës, të cilët ishin njëkohësisht edhe anëtar të Shtabit të Brigadës, u caktuan: Veiz Gjebero, Vangjelo Sotiriadhi dhe Veiz Pipa. Detyra e parë që iu ngarkua Brigadës XII- të ishte mbrojtja e punimeve të Kongresit të Përmetit (24 – 28 maj 1944). Nga Tri Urat gjer në Berat, Skrapar, Zagori e Lunxhëri, Kolonjë e Vithkuq, zunë pozicionet e zjarrit partizanët e brigadave V – të, XII – të, VII dhe VIII të UNÇSH. Brigada XII u vendos që nga Këlcyra, Katundishta, Potgorani, Suka, Ballabani e në Qafën e Kiçokut mbi rrugën Berat – Këlcyrë. Në një hapësirë më të gjërë, në mbrojtje të Kongresit, u vendosën brigadat e tjera të UNÇSH. Delegatët e Brigadës XII në Kongresin e Permetit ishin: Refat Bajrami, Qemal Klosi, Luftar Bolena, Vasil Nathanaili, Veis Gjebero, Vangjelo Sotiriadhi, Luto Haxhiu dhe Gjeovarf Bançi.Organi politiko – ushtarak i brigadës e kishte emrin “Flaka”. Më 2 qershor 1944 Brigada XII mori urdhër për të hyrë në luftime në zonën e qarkut të Beratit së bashku me Brigadën VII UNÇSH. Kishte filluar operacioni armik i Qershorit 1944. Më 3 qershor Brigada XII u rrjeshtua përkrah forcave të Brigadës VII dhe, më 3 – 4 qershor, të dy brigadat zhvilluan luftime të ashpra nga Therepeli e Shkoza, nga fshatrat afer Çorovodës e deri në Grykën e Rehovës, duke i detyruar forcat armike më 4 qershor të tërhiqen në Paraspuar, Zhitom e Tërpan e gjer në afërsi të Bogovës në zonën e Beratit, Më 5 qershor duke u gdhirë 6 qershori, të dy njësitë partizane, sulmuan në shkallë të gjërë pozicionet armike në Paraspuar, Tërpan e Zhitom. Vazhduan luftimet edhe të nesërmen, më 7 qershor, ndërsa më 8 qershor, partizanët u përleshën me nazistët në rajonin e Vokopolës. Më 9 qershor Brigada XII zhvilloi luftime me kolonën gjermane në Qafën e Gllavës, Qafën e Kiçokut dhe Malin e Trebeshinës. Në këto luftime u vranë mbi 50 – 60 ushtarë e oficerë nazistë të Grupeve të luftimit “Hirshfled” dhe “Burgmaister”. Në fazën e dytë të Operacionit të Qershorit, 11 – 30 qershor, Brigada XII në bashkëveprim me Brigadën VI dhe me forcat e Zonës I Operative Vlorë – Gjirokastër – Mallakastër, si dhe me forcat e Brigadës VII e të Brigadës III, u ndesh me armiqtë në krahinat e Tepelenës dhe të Kurveleshit. Brigada XII në bazë të urdhërit të Komandës së Përgjithshme të 2 korrikut 1944, shkëmbeu zonën e veprimit me Brigadën VI, u vendos në sektorin Vlorë – Kurvelesh – Bregdet. Nga 17 – 27 korrik forcat e Brigadës goditën nazistët e garnizonit në Kalanë e Borshit, të garnizonit të Vajzës dhe të garnizonit të vendosur në Spile – Himarë si dhe në rajonet Çorraj, Qafa e Gjiri i Dushkut, Dukaj të Tepelenës dhe në zonat Qeparo – Ura e Palasës dhe Qafa e Llogarasë – Drashovicë – Mavrovë. Më 28 – 29 korrik 1944, partizanët e Brigadës XII, në bashkëpunim edhe me forcat britanike, zhvillojnë luftime kundër garnizonit gjerman të Spiles në Himarë. Së bashku me partizanët u bashkuan edhe banorët e Himarës. Garnizoni nazist shpartallohet. Më 28 korrik 1944 çlirohet Himara nga Brigada XII. Brigada XII nga 29 korriku deri më 19 gusht, i jep goditje armikut rreth xhadesë Vuno – Himarë, në rajonet Porto Palermo, Vuno – Ilias – Dhërmi, Mavrovë – Vodicë, Kropisht – Treblovë, në rrugën Borsh – Sarandë, sulmon qëndrat e armikut në Mavrovë, Vodicë, Qafa e Buallit, Maja e Shtares, Kaninë, godit armikun në Lubonjë, Armen e Penkovë, Mekat, Llakatund, Bunavi, Beshisht, Trevëllazër, zhvillon luftime në zonat Dukat – Tragjas – Radhimë. Më 17 – 18 shtator, Brigada XII dhe Brigada XIV, sulmojnë e detyrojnë forcat gjermane të largohen nga Kalaja e Borshit. Më 11 tetor 1944, brigadat partizane XII, XIV dhe XIX, në bashkëpunim edhe me komandot britanike (nr.40 dhe nr.20) çliruan nga pushtuesit gjerman qytetin e Sarandës dhe Delvinës. Çlirimi i Vlorës. Pas çlirimit të qytetit të Sarandës, Brigada XII morri urdhër nga Komanda e Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, në atë kohë me seli në Odriçan të Përmetit, të çlirojë sa më shpejt edhe Vlorën, ashtu siç mori urdhër disa ditë më parë po nga Odriçani edhe për çlirimin e Sarandës. Vlora u çlirua më 15 tetor 1944 pas luftimesh të ashpra me nazistët e Hitlerit nga Brigada XII. Ismail Kadareja ka ngritur edhe një poezi për Brigadën XII. E titullon: ‘’Në festën e Brigadës XII’’ dhe shkruan vargjet: ‘’Parakalojnë ish-partizanët, ata që bënë luftën,/ Mungojnë midis rreshtave të rënët,/ Parakalojnë plagët, luftrat, këngët,/ Midis tyre,/ Një grua shtatëzënë,/ E pashë dhe mendova: Ja Shqipëria,/ Një lëndinë e qeshur, shkëlqejnë bajonetat,/ Dhe që në bark të nënës fëmija, / Si ushtar është radhitur në rreshtat’’. Më 10.10.1944 Brigada XII u inkuadrua së bashku me Brigadën XIV dhe Brigadën XIX në Divizionin III, ndërsa më 18.11.1944 u inkuadrua së bashku me Brigadën X si dhe me Brigadën XV, në Divizionin I të UNÇSH. Në ditën e Çlirimit të Atdheut efektivi i Brigadës arriti në 1250 luftëtarë, nga të cilët 108 luftëtarë ranë dëshmorë për Çlirimin e Shqipërisë.