5.2 ton turshi me metale te rënda dhe me mbetje të pesticideve të ndaluara jane bllokuar nga AKU, pas analizave që ky institucion i bëri këtyre produkteve në një laborator te akredituar Itali.
Por alarmi nuk qëndron vetëm te prania e substancave të rrezikshme. Më shqetësues është fakti se AKU nuk ka bërë asnjë njoftim publik për konsumatorët, as në faqen zyrtare dhe as në rrjetet sociale, duke i lënë qytetarët në errësirë për një rrezik të mundshëm që mund të ketë mbërritur në tryezat e tyre.
Ligji për sigurinë ushqimore detyron njoftimin e menjëhershëm të publikut për çdo rrezik, por institucioni ka zgjedhur të mbrojë imazhin e kompanive përpara shëndetit publik.
Pas kërkesave të përsërituar nga Tv “Ora News” AKU ka bërë pjesërisht publike specifikimet e etiketimit të produkteve që rezultuan me probleme.
Katër llojet e turshive që pas analizave të kryera në Itali rezultuan jokonform janë:
• Kornison Turşusu, Gurken Würzig Eingelegt (kastravec turshi) 700g – Me origjinë nga Turqia (Mostra nr.12-Prot.1039).
• Kornison Turşusu, Gurken Würzig Eingelegt (kastravec turshi) 700g – Me origjinë nga Turqia (Mostra nr.13-Prot.1039).
• Sallatë mikse (marinadë) “Pema” 680g – Me origjinë nga Maqedonia e Veriut (Mostra nr.09-Prot.1036).
Perime turshi – Me origjinë nga Elbasani (Mostra nr.220 Prot.-n°123)
Ajo që të bie në sy në përgjigjen e dhëne nga ky institucion ështe fakti se për produktet e importit janë bërë publik emrat tregtarë , ndërsa për produktin “Perime turshi” me origjinë Elbasan nuk është bërë publik as emri tregtar, as marka, as sasia e produktit .
Nga përgjigjia e AKU vihet re një trajtim i ndryshëm i rasteve të ngjashme. Ndërsa për produktet e importit janë specifikuar emrat tregtarë , për produktin “Perime turshi” me origjinë Elbasan nuk është bërë publik asnjë e dhënë.
Duke mos dhënë asnjë informacion për produktin vendas, AKU dëshmon se për të, bilanci financiar i një biznesi vlen më shumë se shëndeti dhe siguria e konsumatorëve.
Refuzimi i institucionit për të na vënë në dispozicion etiketën e këtij produkti dhe emrin tregëtar ua bën të pamundur qytetarëve që ta identifikojnë, nëse e kanë aktualisht në shtëpitë e tyre.
Ndërsa AKU bëhet “mburoje” e subjekteve private konsumatorët shqiptarë vazhdojnë të mbeten të pambrojtur dhe të painformuar përballë rreziqeve që u kanosen në tryezat e tyre çdo ditë.



















