Letra e Besim Nurit drejtuar 99 vite më parë, Presidentit Wilson

1223
Sigal

Me rastin e 99 vjetorit te letrës e 84 – vjetorit të vdekjes

Evdal NURI

1- Në 17 mars 1920, Besim Nuri i shkroi letër Presidentit Amerikan Wilson për mbrojtjen e Shqipërisë.

Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikës
I shteteve të bashkueme Vashington
Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpëtimin e atdheut tyne.
I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-ës, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufijtë natyralë ethnografike s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.
Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike.

Kryetari Katundaris së Lushnjes
Lushnjë, më 17.3.1920 .

Besim NURI, një burrë inteligjent, i kulturuar, njohës i situatës botërore përderisa ka ditur të zgjedhë një mik të tillë amerikan, si personin më me influencë prej të cilit kërkon ndihmën shpëtimtare të vendit të tij që aq shumë e deshi. Në fillim të vitit 1920, Wilson-i i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre, duke thënë se “populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten”. Wilson-i fuqishëm refuzoi, siç tha vet Ai, “padrejtësinë” ndaj popullit shqiptar. Ai prej njerëzve vlerësohet, që vetë i dha fund idesë së ndarjes dhe një mandati italian, që ka qenë në zemër të negociatave në Versajë. Bile, edhe në atë kohë, përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën ‘New York Times’ të 11 marsit: ‘Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara’.

Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Po kush e përktheu? Ai ishte Besim Nuri, patriot, një ndër figurat më të shquara të viteve ’20 të qytetit. Është njeriu që bëri gjithçka për Lushnjen. Me punën dhe përkushtimin e tij, ai ka lënë gjurmë në historikun e këtij qyteti, në brezat e banorëve dhe më gjerë.

2- Kush ishte Besim Nuri?

Kam kënaqësinë të shkruaj disa rreshta për Besim Nurin, disi të harruar në atë e në këtë kohë. Kam kënaqësinë, se jam degë e të njëjtit trung. Në diktaturë na ishte “mbyllur goja”. Edhe kur na flisnin prindërit, fjala vjen: “Ne jemi kushërinj me Nurasit e Lushnjes” ose kur mamaja (nga fisi Vrioni) thoshte: “Jemi fis me Iliaz Vrionin, tri herë Kryeministër e pesë herë Ministër i Jashtëm, në kohën e Zogut, ne heshtnim! Drejt, kishim frikë. Që të mbijetoje, duhej të mos flisje, të mos bëje biografi, por më e dobishme ishte të silleshe sikur s’kuptoje, s’dëgjoje…! Në fakt jemi popull i vogël. Shumica u lidh me P. K. Disa u lidhën me Ballin, të tjerë me Legalitetin. Të pasurit në fshat u quajtën kulakë e u dënuan, kurse në qytet u shpronësuan. Me të gjithë kishim lidhje gjaku, krushqie, miqësie, por ja që duhesh t’i mohoje në formë, por jo përmbajtje. Ca i mbuluan dhe shpëtuan! Të tjerëve ia zbuluan dhe e pësuan. Kjo ishte arsyeja që duhet të ishe i druajtur. Të mos bije në sy. Zemra na i donte, frika na frenonte!

Besim Nuri u lind në Berat në muajin gusht të vitit 1883. Mësimet e para me shkrim i mori në gjuhën fetare, atë arabe. Shkollën e mesme e kreu në Berat, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në Itali dhe Stamboll. Besimi Nuri fliste rrjedhshëm disa gjuhë: Turqisht, Italisht, Arabisht dhe Frëngjisht. Shkrimin e gjuhës shqipe e mësoi në mënyrë autodidakte. Në vitin 1907, erdhi familjarisht në Lushnjë. Këtu ai u shqua për veprimtari atdhetare. Në janar të vitin 1909, e gjejmë në krye të një demonstrate, bashkë me shumë patriotë lushnjarë për të kundërshtuar vendimet e padrejta të administratës osmane në kurriz të popullit lushnjar. Gjatë protestës Besim Nuri, i cili në atë kohë ishte vetëm 26 vjeç, u arrestua me akuzën si shkaktar i “turbullirave”. Në burg ai torturohet barbarisht, por shpirtin i tij luftarak dhe etjen për drejtësi, osmanët nuk e mposhtën dot. Më pas ata e lanë të lirë.

Besim Nuri ishte një mbështetës i flaktë i Kuvendit të Vlorës dhe vendimeve të tij

Në dhjetor të vitit 1919 në kohën kur po bëheshin përgatitjet e fundit për thirrjen e Kongresit në Lushnjë, Besim Nuri mbante postin e Kryetarit të Bashkisë. Marrja përsipër e zhvillimit të Kongresit në Lushnjë ishte një përgjegjësi e madhe. Kjo mund t’i kushtonte dhe jetën, por dashuria e madhe për Atdheun, e çuan atë të merrte parasysh kërcënimet “Për nder e liri u bëmë ballë bajonetave të huaja, e kemi thirr këtu (në Lushnjë) vëllezërit në besë që sot është Shqipnia e liberueme”. Besim Nuri ,si beratas nxiti e përkrahu Memorandumin e Berati me vendimin :” Shqipëria nën Mandatin Amerikan”. Ky Memorandum u firmos nga 21 beratas patriot me emër, s’i avokatë, direktorë arsimi, sekretarë të drejtësisë, tregtarë etj. U firmos dhe nga K. Kota që në të ardhmen kreu detyrën e Kryeministrit në qeverinë e Zogut. Memorandumi iu dërgua Konsullit Amerikan, më 30-04-1919. Besim Nuri, në vitin 1925, burgoset nga regjimi i kohës. Si rezultat i protestave të popullit të Lushnjes ai lirohet nga burgu. Vdiq në Lushnjë, më 17 Mars 1935. Plot 84 vjet më parë. Jetoi vetëm 52 vjeç, shumë pak në kohën që Atdheu kishte shumë nevojë për të. Sipas dëshmive, Besimi u varros në dalje të qytetit të Lushnjes në vendin e quajtur “Kodra e Kalifas”, aty ku dhe ai kishte lënë amanet. Vonë, shumë vonë, vetëm më datë 27 shkurt 2014, pas 79 vjetëve u arrit të gjendesh varri i tij. Në gurin e varrit shkruhej: “Velhac Ylbaki”. (Osmanisht). Pastaj vijon në shqip: “Qëndro o ti që para ks. fle Besim Nuri”. l. 8. 1883 vd. 17. m. 1935. Më saktë, shkrimi është: “Qëndro o ti që para kësaj fle Besim Nuri”. Vlen të përmendim se sipër mbishkrimit gjendet i skalitur një yll me gjashtë cepa, por që ruhen vetëm tre prej tyre. Pak është folur për këtë patriot, intelektual, politikan, për kontributin që ka dhenë për Atdheun e vet . Është interesant se në 17 Mars të 1919-s i dërgoi letër Presidentit Wilson e po në 17 Mars të 19 35-s , pas 16 vjetëve ndërroi jetë, për t’u vlerësuar shumë vonë! Të kuptohemi , unë tek ky artikull kam shkruar, ç’kam lexuar e dëgjuar, por sa aktivitete të tjera ka ky patriot i shquar?! Është detyra e historianëve që t’i zbulojnë e mbi bazën e kontributit t’i pasqyrojnë më vertetësi kontributin e tij.

Ky ishte Besim Nuri, që gjithë jetën ja kushtoj çështjes kombëtare! Letra e tij dërguar Presidentit Wilson ndikojë që Shqipëria të mos copëtohej nga shtetet fqinjë, që vazhdimisht kanë pasur pretendime territoriale ndaj vendit tonë. Dhe kjo s’është pak, por një akt patriotik i shkëlqyer i Besim Nurit.