Moisi Dalipaj bilbili nuk ka rënë ende…
-Në 70-të vjetorin e një jete, që i dha zë sportit dhe shpirtë miqësisë
Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Kur stadiumet heshtin, memoria fillon të flasë
Ka njerëz, që e jetojnë jetën e tyre në heshtje. Ka të tjerë që kalojnë mes nesh, bëjnë punën e tyre dhe largohen pa lënë gjurmë. Por ka edhe nga ata, të rrallët, që bëhen zë i kohës së tyre. Zë emocionesh, zë kujtese, zë i një brezi të tërë. Kur mendoj për Moisi Dalipajn, nuk më vjen ndër mend fillimisht fytyra e tij. Më vjen zëri.Ai zë i ngrohtë, i ngarkuar me temperament vlonjat, me ritmin e njeriut që e njeh mirë sportin dhe nuk e tradhëton emocionin. Një zë, që për dekada ka hyrë në shtëpitë shqiptare si mik i mirëpritur. Ka treguar gola, penallti, fitore e humbje, por mbi të gjitha ka treguar njerëz.Sepse Moisi Dalipaj, nuk ka qenë vetëm komentator sportiv. Ka qenë edhe dëshmitar i një kohe. Ka qenë, kronikan i pasioneve tona. Ka qenë ruajtës i memories sportive. Ndërsa mbush 70-të vite jetë, nuk feston vetëm ditëlindjen. Feston një rrugëtim, që ka lënë gjurmë. Një jetë, që nuk është matur me vitet e kalendarit, por me emocionet që ka përcjellë.
Sepse për njerëz si Moisi Dalipaj, mosha është vetëm statistikë. Ajo që mbetet është fryma. Dhe fryma e tij, vazhdon të jetë e re.

Vlora e mësoi të dëgjojë zërin e detit
Më 25 qershor 1956-të, në Vlorën e historisë dhe të detit, lindi një djalë që shumë vite më vonë, do të bëhej nga zërat më të njohur të gazetarisë sportive shqiptare. Vlora nuk është qytet i zakonshëm. Ajo të mëson krenarinë, pa të bërë mendjemadh. Të mëson guximin, pa të bërë të pamatur. Të mëson, të mos e pranosh lehtë humbjen.Në atë qytet, ku valët përplasen mbi gurë me një këmbëngulje shekullore, u formua karakteri i Moisi Dalipajt. Në damarët e tij, rrjedh edhe gjaku krenar çam. Ka qenë gjithmonë kryelartë për këtë identitet, me urtësi, me fisnikëri dhe me respekt për rrënjët.Vlora i dha shpirtin e lirë. Çamëria i dha qëndrueshmërinë. Sporti i dha misionin. Dhe mikrofoni i dha zërin.

Takimi me mikrofonin dashuria që nuk njohu ndarje
Ka dashuri që zgjasin pak. Ka pasione që shuhen. Por ka edhe takime, që vendosin fatin e njeriut. Për Moisi Dalipajn, ky takim ndodhi me mikrofonin. Që nga nëntori i vitit 1978, nisi bashkëpunimin me Radio Tiranën. Ishin vitet kur radiokronika sportive, përjetohej si ngjarje kombëtare. Shqiptarët nuk kishin bollëkun e ekraneve të sotme. Ata dëgjonin.
Dhe duke dëgjuar, imagjinonin. Në këtë magji të radios, Moisiu gjeti vendin e vet. Më pas erdhi “Radio Studenti”, nga viti 1980 deri më 1984, një tjetër shkollë profesionale që i dha hapësirë talentit të tij. Zëri u bë identitet. Fjala u bë përgjegjësi. Emocioni u bë profesion. Nuk komentonte vetëm atë që shihte.Përkthente ndjenjat e tribunave. I bënte dëgjuesit pjesë të lojës. Dhe kështu nisi një histori dashurie, që vazhdon edhe sot. Në Radio Tirana, çdo të hënë, Moisi Dalipaj mbetet besnik i rubrikës sportive.Nuk ka dalë në pension nga pasioni. Sepse pasioni, nuk njeh pension.
1297 herë zemra në transmetim
Një mijë e dyqind e nëntëdhjetë e shtatë ndeshje. Shifër që të bën të ndalesh. 1297 herë para mikrofonit. 1297 herë, me përgjegjësinë për të qenë i saktë. 1297 herë, me detyrimin për të mos tradhëtuar emocionin.Sa stadiume? Sa tribuna? Sa net pa gjumë? Sa udhëtime? Sa përgatitje? Sa faqe shënimesh? Askush nuk mund t’i numërojë. Por një gjë dihet. Në secilin transmetim, Moisi Dalipaj nuk hynte si funksionar i fjalës, por si njeri që e donte sportin.Temperamenti i tij, nuk e lejoi kurrë të bëhej i ftohtë. Ai debatonte. Këmbëngulte. Sfidonte. Nuk e pranonte mediokritetin. Dhe mbi të gjitha, ruajti gjithmonë ndershmërinë profesionale. Në profesionin tonë, kjo është medalja më e vështirë për t’u fituar. Dhe më e vështira për t’u ruajtur.

Gazetari që shkruan edhe atë që të tjerët e harrojnë
Nëse mikrofoni është frymëmarrja e tij e parë profesionale, pena u bë mushkëria e dytë. Ka gazetarë që shkruajnë për të mbushur faqet. Ka të tjerë, që shkruajnë për të mos humbur vendin e punës. Por ka edhe nga ata si Moisi Dalipaj, që shkruajnë sepse ndiejnë detyrimin ndaj kujtesës.
Mbi tetë mijë shkrime. Tetë mijë herë, përballë letrës së bardhë. Tetë mijë herë, për të kërkuar faktin, për të verifikuar datën, për të respektuar emrin e sportistit, për të mos lënë në harresë një rekord, një fitore, një sakrificë.Është një pasuri e jashtëzakonshme. Në gazetën “Puna”, në “Bashkimi”, në “Zëri i Popullit”, në “Sporti Shqiptar”, në “Sport Ekspres”, në “Telegraf”, në “Panorama Sport”, në “Nacional”, nuk ishte thjeshtë bashkëpunëtor. Ishte dhe mbeti kronikan i kohës së vet.Shkrimet e tij nuk kishin vetëm rezultatin. Kishin njeriun. E dinte se pas çdo medaljeje, fshihej një nënë që kishte pritur natën vonë. Pas çdo fitoreje, ishte një trajner që kishte sakrifikuar jetën familjare. Pas çdo kampioni, ishte një histori mundimi.Dhe ai i shkroi ato histori. Kështu shpëtoi nga harrimi shumë emra, që ndoshta nuk do t’i kujtonte askush. Në këtë kuptim, Moisi Dalipaj nuk është vetëm gazetar sportiv, por edhe arkivist i shpirtit sportiv shqiptar.
Vlora, Flamurtari dhe detyrimi ndaj kujtesës
Njeriu mund të udhëtojë. Mund të jetojë mes qytetesh. Mund të ndryshojë adresa. Por vendlindja mbetet busulla e shpirtit. Për Moisi Dalipajn, ajo busull quhet Vlorë. Qyteti i flamurit, nuk është për të vetëm vendi ku lindi. Është burim frymëzimi. Është krenari. Është borxh.
Moisiu ka shkruar për futbollin vlonjat, për peshëngritjen, mundjen, boksin, notin, volejbollin, atletikën dhe çdo disiplinë, që i ka dhënë emër këtij qyteti. Ka qenë pranë kampionëve dhe pranë atyre, që nuk u bënë të famshëm. Sepse për të, çdo sportist meritonte respekt.
Kulmi i këtij misioni, erdhi në vitin 2023, me botimin e librit “Yje në fushën time”, në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të Flamurtarit. Nuk është vetëm një libër. Është një akt mirënjohjeje. Një përkulje para brezave. Një përpjekje, që historia të mos shkruhej me boshllëqe.
Ata që nuk ruajnë kujtesën, humbin identitetin. Moisi Dalipaj e ka kuptuar këtë, më mirë se shumë të tjerë. Prandaj shkruan. Prandaj kërkon. Prandaj dokumenton.
Dy ndeshje me jetën, një fitues Moisi Dalipaj
Jeta nuk i ka kursyer sprovat Moisi Dalipajt. Kur ishte ende i ri, në moshën kur ëndrrat kanë më shumë vrull se përvoja, u përball me një aksident të rëndë, që i mori pëllëmbën e dorës. Ishte një goditje, që mund të kishte thyer vullnetin e kujtdo. Por jo të Moisiut. Me një protezë në dorë dhe me një forcë të jashtëzakonshme shpirtërore, vazhdoi rrugën e tij, pa kërkuar mëshirë dhe pa e përdorur kurrë fatkeqësinë si justifikim. Përkundrazi, e ktheu atë në forcë.Vitet kaluan dhe jeta e vuri sërish në provë. Këtë herë, beteja ishte edhe më e ndërlikuar, problemet e rënda në fyt, aty ku banonte mjeti i tij më i çmuar, zëri. Për një komentator sportiv, zëri nuk është vetëm një instrument pune, është identiteti, pasioni dhe vetë ekzistenca profesionale. Dukej sikur fati po e sfidonte, pikërisht në pikën e tij më të fortë. Ishte sikur një violinisti t’i kërcënoheshin duart. Një piktori sytë. Një shkrimtari kujtesa. Miqtë u tronditën. Familja u shqetësua. Shumëkush u frikësua. Por jo ai.Por edhe këtë ndeshje, Moisi Dalipaj nuk e humbi. Me kurajë, besim dhe mbështetjen e njerëzve të dashur, e fitoi edhe betejën e dytë. Prandaj, kur flasim për 70-të vite, nuk festojmë vetëm ditëlindjen e një komentatori të njohur. Festojmë jetën e njeriut që rrëzimet i ktheu në ngritje, dhimbjen në forcë dhe sprovat në mësime krenarie.Nëse sporti e ka mësuar, se ndeshjet fitohen deri në sekondën e fundit, Moisi Dalipaj na ka mësuar se edhe jeta, duhet luajtur me të njëjtin shpirt luftëtari. Ai nuk është zëri, që ka komentuar fitoret e të tjerëve, por protagonisti i fitoreve të veta.
Tribuna më e bukur familja
Pas çdo burri që përballet me jetën, ekziston një port ku ai rikthehet. Për Moisiun, ky port ka emrin Tatjana. Bashkëshorte e përkushtuar, bashkudhëtare e viteve të bukura dhe të vështira, dëshmitare e netëve pa gjumë, e udhëtimeve, e emocioneve dhe e ankthit të profesionit.
Ajo mbetet qetësia e shtëpisë së tij. Mbështetja pa zhurmë. Forca që nuk kërkon duartrokitje. Fatosi dhe Ledjona, të dy juristë, janë krenaria e ligjshme si prind. Në suksesin e tyre, reflektohet edukata e familjes.Puna. Korrektësia. Ndershmëria. Por nëse ka një dritë të veçantë në sytë e Moisiut, ajo ndizet kur flet për nipërit. Bianti dhe Sihana. Njëri vazhdimësia e pasionit. Tjetra ëmbëlsia e brezit të ri. Ata nuk njohin vetëm gjyshin e famshëm të radios. Ata njohin edhe gjyshin që u tregon histori.Qesh me ta. I përqafon. U mëson se fitorja është e bukur, por krenaria është më e rëndësishme. Kjo është medalja më e çmuar, që ka fituar Moisi Dalipaj. Jo ajo që vendoset në gjoks. Por ajo që jeton në zemrat e njerëzve të tij.
Miqësitë që nuk dalin në pensionNë jetë ka njohje të rastit. Ka përshëndetje kortezie. Ka bashkëpunime që zgjasin sa një projekt. Por ka edhe miqësi, që lindin nga idealet dhe bëhen pjesë e vetë jetës. E tillë është miqësia ime me Moisi Dalipajn. Nuk na lidhi interesi. Nuk na afroi përfitimi. Na bashkoi radiokronika. Na bashkoi dashuria për gazetarinë. Na bashkoi bindja, se ky profesion nuk është vetëm zanat, por mision.I përkasim atij brezi, që u rrit me respektin për fjalën e dhënë, për burimin e informacionit, për etikën profesionale dhe për përgjegjësinë ndaj publikut. Kemi njohur ditë të bukura dhe ditë të vështira. Kemi ndarë gëzime. Kemi përcjellë me dhimbje, miq e kolegë që nuk janë më mes nesh. Kemi parë ndryshimin e kohëve dhe transformimin e gazetarisë.Por një gjë ka mbetur e pandryshuar, besnikëria ndaj miqësisë. Moisiu është nga ata njerëz, që nuk të telefonojnë vetëm kur kanë nevojë. Ai të kujton. Të pyet. Të uron. Të gjendet pranë. Është i pranishëm në ditët e gëzimit, por sidomos në ato të hidhërimit. Nuk bën zhurmë për të treguar se është mik.Ai thjeshtë është. Dhe kjo është forma më e lartë e fisnikërisë njerëzore. Në një botë, ku marrëdhëniet shpesh maten me interesin e çastit, mbetet besnik i një kodi të vjetër burrërie, të mos harrosh njerëzit me të cilët ke ndarë rrugën.
Prandaj, kur sot shkruaj për të, nuk shkruaj vetëm për një koleg të respektuar. Shkruaj për një mik të çmuar. Për një njeri, që ka ditur të mbetet njeri.
Mirënjohjet që i takojnë një zëri të ndershëm
Shoqëria ka detyrimin moral, të falënderojë ata që i shërbejnë me përkushtim. Ndonjëherë e bën në kohë. Ndonjëherë vonon. Por puna e vërtetë, nuk mund të mbetet pa u vlerësuar. Edhe në rastin e Moisi Dalipajt, vlerësimet kanë ardhur si shprehje e respektit, për një jetë të tërë në shërbim të sportit dhe gazetarisë.Në vitin 2009-të, u nderua me çmimin “Anton Mazreku”, emër që për çdo radiokronist shqiptar, përfaqëson majën e profesionit. Një vit më pas, në vitin 2010-të, mori çmimin “Tribuna Sportive”, si vlerësim për ndihmesën e spikatur në publiçistikën sportive.
Qyteti i Vlorës, të cilit i ka kushtuar aq shumë energji dhe dashuri, i shprehu mirënjohjen e vet. Më pas erdhën nderime edhe më të larta. U dekorua me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë, titull që mban peshën e angazhimit kombëtar.Dhe mbi të gjitha, iu dha titulli i lartë “Mjeshtër i Madh”. Vlerësim, që nuk jepet për një moment të vetëm suksesi. Jepet për një jetë të tërë pune. Për një integritet të provuar. Për një emër, që nuk e zbehu koha.Megjithatë, njohësit e vërtetë të Moisi Dalipajt e dinë, se dekorata më e madhe nuk është ajo e vendosur në një ceremoni zyrtare. Dekorata më e bukur është respekti. Respekti i sportistëve. I trajnerëve. I kolegëve. I lexuesve. I dëgjuesve. Dhe i qytetarëve të thjeshtë, që kur e takojnë, vazhdojnë ta përshëndesin me dashurinë që ruhet vetëm për njerëzit e mirë.
Njerëzit që e ndihmuan të ecë përpara
Asnjë rrugëtim i madh, nuk ndërtohet krejtësisht vetëm. Edhe njerëzit më të talentuar, kanë nevojë për një dorë që i orienton, për një fjalë që i inkurajon, për një mik që u qëndron pranë. Në fillimet e veta profesionale, Moisi Dalipaj pati fatin të gjejë mbështetjen e Ismet Bellovës.
Emër i madh i gazetarisë sportive shqiptare. Autoritet i respektuar. Bellova pa tek djaloshi vlonjat energji të veçantë, zë ndryshe dhe pasion, që nuk mësohej në libra. E inkurajoi. I hapi dyert. I dha besim. Dhe ndoshta pa tek ai, vazhdimësinë e një tradite të bukur profesionale.
Vitet kaluan. Koha ndryshoi. Por edhe në etapën e sotme të jetës profesionale, Moisi Dalipaj ka pranë tjetër mik dhe koleg të çmuar, Defrim Methasanin. Një marrëdhënie e ndërtuar mbi respektin reciprok. Mbi mirëkuptimin. Mbi dashurinë për gazetarinë sportive.Këto mbështetje, nuk e zvogëlojnë aspak meritën personale të Moisiut. Përkundrazi. Tregojnë se njerëzit e mirë, dinë të vlerësojnë njëri tjetrin. Dhe se profesioni ynë, kur ushtrohet me kreanari, ndërton jo rivalitete të verbëra, por miqësi të qëndrueshme. Pikërisht këto lidhje njerëzore, i kanë dhënë kuptim rrugëtimit të gjatë të Dalipajt.
Për njerëz si Moisi Dalipaj, bilbili nuk bie kurrë
Shtatëdhjetë vite jetë, janë rrugë e gjatë. Në të ka pasur duartrokitje dhe heshtje. Ka pasur fitore dhe zhgënjime. Ka pasur lodhje, sakrifica, sprova dhe ringritje. Por duke e parë sot Moisiun, njeriu kupton se mosha nuk matet me numrin e viteve. Mosha matet me energjinë që shpërndan.Me dashurinë që fal. Me gjurmët që lë.Ti vazhdon të jesh, po ai djaloshi energjik i Vlorës, që dikur mori mikrofonin në dorë dhe vendosi t’u tregonte shqiptarëve historitë e sportit. Vazhdon të jesh i drejtpërdrejtë. Me temperament. I papajtueshëm me padrejtësinë. I gatshëm për debat. I qendrueshëm përballë vështirësive.Dhe mbi të gjitha, mbetesh i vërtetë. Në një kohë, kur shumë gjëra ndryshojnë me shpejtësi, autenticiteti është virtyt i rrallë. Ti e ke ruajtur atë. Në këtë 70-të vjetor, familja jote Tatjana, Fatosi, Ledjona, Bianti dhe Sihana ,kanë arsye të jenë krenarë. Vlora ka arsye të jetë krenare. Çamëria ka arsye të jetë krenare. Gazetaria sportive shqiptare, ka arsye të jetë krenare.Dhe ne, miqtë e t’u, kemi arsye të falënderojmë jetën, që na dha mundësinë të ecim përkrah teje, në një pjesë të këtij udhëtimi. Të uroj shëndet! Qetësi! Gëzim familjar! Miqësi të shumta! Dhe atë zjarr të bukur, që të ka shoqëruar gjithmonë!Vazhdo të jesh pranë mikrofonit! Vazhdo të jesh pranë njerëzve! Vazhdo të jesh pranë sportit! Sepse, i dashur mik, për njerëz si ti, ndeshja nuk mbaron në minutën e nëntëdhjetë. Dhe bilbili nuk bie kurrë.Gëzuar 70-të vjetorin e lindjes Moisi Dalipaj!
Telegraf/ Gëzuar 70-të vjetorin e lindjes Moisi Dalipaj!
Gazeta Telegraf, botuesi Agim Çiraku dhe Drejtori Ëngjëll Musai i përcjell urimet më të sinqerta për ditëlindjen e Moisi Dalipit. Si ish-bashkëpunëtor i gazetës sonë, kontributi juaj ka lënë gjurmë të vlerësuara duke u dalluar për profesionalizëm dhe përkushtim . Qoftë kjo ditëlindje e mbushur me gëzim, pranë familjes dhe njerëzve të dashur, dhe ju sjelltë shumë vite të tjera të begata.




















