Ilirian Ballaj: Pse Enveri e çoi për punë fizikë në Gjorm të Vlorës, piktorin e tablove të rralla, Fatmir Haxhiu, në vitin 1981?

Tabloja  “Beteja e Gjormit” mbetet si si “Beteja e Albulenës”, “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”,  “Beteja e Tendës së Qypit”, “Këshilltarët e Hekalit.

Nga ILIRIAN BALLAJ

NOA

Fatmir Haxhiu

“Lufta e Gjormit” Tablo.

Duke rilexuar Historikun e Gjormit 1400-2000, kapa një frazë: ” Në vitin 1981 piktori Fatmir Haxhiu erdhi në Gjorm për të bërë punën fizike”(! ). Sikurse ishte atëherë, në Gjorm të Vlorës kishte shkuar për “punë fizike” edhe ZihniSako, folklorist i madh, profesor i UT.Atë kohë ai ishte takuar më vjershëtorët e fshatit, me Halo Askushin, me Hava Seitin, ShezaiSeitin, ishte hedhur në Lepenicë te Miserdhe Rexhepi, në Velçëetj, në fshatrat për rreth dhe krijimtarinë gojore që kishte vjelë aty e kishte hedhur te botimi Epika Historike tre volume botuar 1983. Plot 36 këngë flisnin për Gjormin dhe 27 këngë ishin thurur në Gjorm nga Gjormiotë. Madje Zihniu kishte bërë edhe një vjershë për Luftën e Gjormit ’42 dhe e kishte botuar te gazeta “Drita” ku i këndonte heroizmit popullor sikurse më 1920 ku “kishin luftuar burra dhe gra”.Këtë punë kishte bërë edhe Fatmir Haxhiu, një vit më  pas, piktori i madh i quajtur si edhe të tjerët i Realizmit Socialist.Kishte shkuar për të bërë punë fizike, por që lopatën a shatin nuk i kishte zënë me dorë as edhe një ditë si edhe ZihniSako, sepse fshati ua njihte vlerat edhe i respektonte, për fshatin ishte thyer  me vajtjen e tyre nga qendra edhe një tabu, që s’para e begenisnin shumë njerëzit e lidhur me pushtetin, përjashto ndonjë kokëfortë si Ibrahim Dervishi që shpirtin e kishte paturGjorm që me Çetën Plakë dhe Gjorm e kishte ende. Kishte fjetur në odën e SadushTafilit, vëllait të dëshmorit BakoTafili vrarë në Luftën e Gjormit, të gjitha këto nuk kishin qenë të rastit. Ai ditët e shtynte në biseda me njerëz pa patur frikë se cilën të kaluar lufte kishin pasur ata. Kjo në Gjorm ato vite ishte një vëmendje që duhej patur. Ai njihej aty se ishte piktor i veprave të mëdha si “Beteja e Albulenës”, “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”,  “Beteja e Tendës së Qypit”, “Këshilltarët e Hekalit. .. .dhe si duket kishte ideuar në kokën e vet edhe “Betejën e Gjormit”.Por nuk e dinin se kishte shkuar enkas për Luftën e Gjormit, që do ta ngrinte në art të madh pikture.Ajo është një nga tablotë e njohura monumentale të piktorit të madh Fatmir Haxhiu e realizuar në vitin 1981.Kjo vepër i dedikohet  Betejës së Gjormit e zhvilluar në janar 1943 kundër forcave italiane dhe shquhet për detajet e theksuara historike në terrenin e thyer dhe heroizmin e luftëtarëve. Gjinia: Pikturë monumentale, tablokompozicionale, pjesë e fondit të Galerisë së Arteve, ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar Tiranë. Piktura përfaqëson një monument kulturor të Luftës ANÇl dhe shquhet për kompozimet e fuqishme  dhe pasqyron realitetin e luftës në Gjorm.

Ruhet sot e depozituar në ripërtritjen që i bëhet Muzeut Kombëtar. Ai ishte piktori që kapte gjithmonë tema të mëdha. U mundova të gjeja relikekujtesash nga dëshmitarë në Gjorm, që e mbanin mend atë vajtje të piktorit atje në vitin ’81 edhe pse kohë e largët, apo që  ishin  takuar me të dhe gjeta disa.Më thanë se Fatmiri mbante një kasketë të zezë me pipë në majë, se kishte një trup relativisht të gjatë, se rrinte gjithherë me trupin drejt dhe pak gatitu si ushtarak, se pyeste shumë për luftën e Gjormit kundër mercenarëve, nga kishin sulmuar, se ngjitej për ditë në kodrat e Gjormit në Majën e Kodrës dhe në Majën e Ndrere, ulej në një shkurre të vogël dhe shikonte malin. Këtë e bënte gati për ditë. I afroheshin njerëzit dhe gjithherë kërkonte të dinte për Luftën e Gjormit 31 dhjetor 1942-2 janar 1943.Madje donte të njihte nga ata që kishin marrë pjesë në atë luftë, kishte raste që aty për aty skiconte shpejt portretin e tyre.Kur bëri tablonë Lufta e Gjormit dhe u vendos ajo në Muzeun Kombëtar, në Gjorm vajti fjala se terreni ishte Gjormi i vërtetë i përflakur, se ndër luftëtarët e tablosë ndonjëri ngjante me ata që kishte takuar Fatmiri në Gjorm, e sidomos me BakoTafilin që ra aty, se Kalbaqi ishte ai që kishte qenë vend poshtë pjerrësive të malit, në gropë, në zall, mes rrepesh, por që dilte prej tij edhe tym edhe flakë si ato ditë janari të 1943-së ku u vranë 7 vetë nga luftëtarët e Labërisë, edhe shkëmbi ku ishin pozicionuar luftëtarët ishte po ai, Harca e Vrizit, Rrethi i Kalbaqit buzë përroit.Këtë Fatmiri e bënte për secilën punë që kryente, shkonte në Hekal për këshilltarët, në Albulenë, në Mat, në Tendën e Qypit,  në Skroskë, ai ishte piktori i tablove të mëdha, i ngjarjeve të mëdha të kombit, merak kishte patur Betejën e Fushkosovës që nuk ia kishte dhënë ngjyrimin përfundimtar.

Ai kishte dy diplomime, për ushtarak artiljer në Jugosllavi dhe për artet e pikturës në Akademinë e Arteve në Tiranë, ai radhitej me OdhisePaskalin, Foto Stamon, Guri Madhin, Zef Shoshin.Ai punonte telajon e rrafshit epik, shpirtëror,monumental, klasik, me tematikë ngjyrash atraktive për t’u dhënë të tjerëve rrugën nga erdhëm e atë që duhet bërë për më tej.Antroponimia e tij, toponimia, sintaksa e tij ishin puro shqiptare, me elementë ushtarakë, pjesë e jetës sonë. Madje ushtarakllëku e kishte bërë të ishte rreptësishtë kërkues ndaj vetes, i disiplinuar dhe i palodhur në punë. Ndërsa artet i kishin dhënë hapësirën, ndjeshmërinë për t’i perceptuar gjërat sikurse ishin atje ku kishin ndodhur dhe me ata njerëz që i kishin bërë.Në një takim të shkurtër në një prezantim artistik të vitit 1997, në mos gaboj, iu afrova dhe e falënderova për tablonë “Beteja e Gjormit”, unë jam prej andej i thashë dhe të përcjell edhe falënderimin e atij populli. Më pa me kujdes dhe tha”popull i zgjuar me një zhguall kohe mbi shpinë që ia hodhi padrejtësisht koha, atje në pikturë janë edhe ata që në libra nuk thuheshin, shikojeni me kujdes atë tabllo deri te vëllai dëshmor i atij në odën e të cilit ndenja”.Jetëshkrimi Fatmir Haxhiut: Ka lindur në qytetin e Gjirokastrës më 26 dhjetor 1927, rrjedh nga një familje qytetare përmetare atdhedashëse, më 1930 familja e tij vendoset në Tiranë. Kreu shkollën fillore dhe të mesme aty, më 1943 doli në mal për liri, shkoi në Jugosllavi në Kroaci dhe diplomohet oficer artilerie, punon pedagog në Shkollën ushtarake Tiranë, oficer në Berat, më pas në Komandën e Artilerisë në Tiranë, më 1965 mbaron  Institutin e Arteve për pikturë dhe punon piktor i lirë. Mjeshtër i madh, Artist i Merituar, pjesmarrës në shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, autor i një seri veprash si “ElezIsufi”, “Bashkëluftëtarët e Vlorës, IsmailQemali”, “1920”, “Luftëtarët e Spanjës”, “Lufta e Tiranës”, “Lufta e Gjormit”, “Kryengritja Popullore e Matit”. Tematika femërore, natyrë e qetë, mbresëlënëse është “Mirënjohja e kujave”… Është quajtur piktori i historisë. Ajo ndjesi ose ndjeshmëri si dhe ngarkesa e madhe që përballoi në jetë e bënë që të mos rronte gjatë e të kishte realizuar edhe ëndrrën e tij, tablonë e madhe për Betejën e Fushëkosovës.Aq shumë i kishte vrojtuar konfiguracionin dhe njerëzit e Luftës së Gjormit, paskan thënë atje, sa as ata që shkruan historikun e asaj lufte nuk treguan aq shumë zell. Ja pse kishte shkuar në Gjorm ai “për punë fizike”.Ajo pikturë është sa një libër i mirë dhe i vërtetë për Gjormin, ajo tablo duhet të jetë e varur në murin e institucioneve komunale të tij, në shkollë mbase edhe familje.