Hyqmet Zane: Plumbi që vrau Vilsonin dhe Gencin ishte litari që do varej Avzi Nela

Drama e familjes Blloshmi si metastazë komuniste për të vrarë shpirtin nëse thonë të vërtetë

Nuk di të them se sa e drejtë dhe e nevojshme është që të sjellësh në kujtesë atë ngjarje të 17 korrikut 1977 kur plumbi vrau dy djem : Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Poetët u vranë, por vepra dhe kujtimi i tyre mbeti. Ata sot janë mesazh për shoqërinë shqiptare se heshtja ndaj së keqes, bëhet një e keqe sunduese për shoqërinë. Ajo që po ndodh sot në këtë vendin tonë është refleksion i përsëritjes së historisë në mënyrë tragjike. Plumbi që vrau Vilsonin dhe Gencin ishte thurja e  litarit, që do të varej Avzi Nela më 10 gusht 1988.

Në retospektivën e kohës do sillja në kujtesë pohimin që më bëri im atë në atë gusht 1988 pasi u mor vesh se ishte varur Avzi Nela, 3 muaj para se të ndërronte jetë, kur më ka thënë në koefidencë me djalin e tij: “Këta edhe të vrasin, edhe të varin ke apo nuk ke faj, sepse i kanë duart me gjak, se ashtu e morën pushtetin dhe ashtu do e mbajnë. Të lutem bir, ruaje pak veten se Zoti të deshi që të solli në jetë dhe jetën duhet të ta marrë veç Zoti”. Pas kaq shumë vitesh them se sa gjatë ka vazhduar kjo vrasje e rinisë si ajo e Vilsonit dhe Gencit dhe sa plagë ka hapur litari i atyre që u varën si Avziu, duke lënë të hapur gropën që e majta kërkon të sfidojë Shqipërinë që luftoi për Liri dhe Demokraci dhe që korri Izolim dhe Diktaturë, siç po ndodh edhe sot.

NOA

Ndërsa babai i Vilsonit jetoi 94 vite deri më 30 qershor 2023 si dëshmi e shpirtit të një prindi që u tha për djalin e pushkatuar, si edhe për nipin e tij, po aq sa edhe për burgosjen e djalit tjetër dhe ai vetë dhe familja e tij si edhe gjithë shqiptarët, jetoi si i “burgosur” në vendin ku atdheu është katandisur si një burg i madh për shqiptarët. Më shoshte shpesh Hasan Rami ish mësuesi i Enver Hoxhës në liceun e Korçës, pasi e persekutuan për këshillën që i tha këtij nxënësi të dobët, duke më këshilluar edhe mua “Ndoshta mund të rrëzohemi shpesh duke tentuar të realizojmë ëndrrën tonë, por, pavarËsisht kësaj, nuk duhet të dorëzohemi asnjëherë”.

Ndoshta Sami Blloshmi nuk donte të jetonte kaq gjatë sa të mbyllte sytë 46 vjet më pas, më shumë sa do të donte të shihte drejtësinë që të vendosej për atë dënim të padrejtë që iu bë djalit të tij, poetit të vlerave dhe i “Saharasë” madhështore që i dha plumbin në një ditë të 17 korrikut 1977. Ky baba kishte dëgjuar natën poshtë mureve të birucës së degës së brendshme të Librazhdit rënkimet e dhimbjeve, që shprehte i biri, Vilsoni dhe i kushëriri i tij Genc Leka.

Kam pasur fatin ta takoj këtë burrë të malësisë së Bërzheshtës së Librazhdit dhe të bisedoj me të për atë përjetim të trishtë, që ka përjetuar në ato vite një patriot shqiptar që iu pushkatua djali pse ishte intelektual dhe pse shkruante poezi. Baba Samiu më tha se kishte dëgjuar dhimbjen që kishte djali nga torturat e hetuesve të sigurimit të shtetit të diktaturës staliniste dhe në sytë e Sami Blloshmit nuk kishte shkëlqim, por vetëm dhimbje të thellë.

Nga goja e vetë Samiut në Librazhd kam dëgjuar historinë e asaj kohe të zezë, që nxiu jetën e familjes Blloshmi dhe Leka kur u dha dokumentari i përgatitur nga regjisori i mirënjohur Namik Ajazi më 30 qershor 2005. Më shumë se dokumentarin e mirëpërgatitur unë ktheja kokën dhe shikoja potreretin e babait Sami, të rreshkur dhe të vrarë, shikoja njeriun që gjente forcën të përballonte përjetimet e një kohe që nuk ka fjalë ta rrëfesh. Isha bashkë me presidentin e TV Dardan Isa Kreka që po e vështronim atë burrë dinjitoz dhe prindin e një poeti që la veprat, por që plumbi i firmave që u hodhën kundër poezive të tij e çuan në varr Vilsonin.

Në sytë pa lot të një babai që i qante shpirti, ndjehej dhimbja prekëse e njeriut që njëherazi vuante padrejtësinë kriminale të sistemit vrastar të stalinistit Enver Hoxha dhe nga ana tjetër ndjehej mirë, që ndodhej mes miqsh të shumtë që i jepnin kurajo, aq sa mund të merrte zemra dhe shpirti i një prindi, që i pushaktuan djalin në lulen e rinisë.

Kisha vite pa e takuar, por nuk ka se si të harroj momentet e veçanta kur fotografoja mes pjesëmarrësve që morën pjesë në shfaqjen e dokumentarit dhe tanimë nuk do ta kemi plakun e urtë dhe fisnik, njeriun e dhëmbshur dhe dinjitoz, burrin e fortë të sakrificave, por jo kokëulur, babain e një poeti që la pas veprën e madhe të antikomunizmit që mendja dhe dora kriminale e vrau atë fizikisht, por jo veprën e tij që la pas.

Ndoshta sot nuk ka më dënime me pushkatim apo me varje, por heshtja që përdor një qeverisje si kjo e rilindjes së zezë për të kujtuar ngjarje të tilla kriminale është plumbi që po vret rininë shqiptare dhe që po e var në litar shpresën e një populli që çuditërisht ka harruar se historia përsëritet nëse atë nuk e kujton dhe nuk je pjesë e protestës ndaj krimit shtetëror. Ndaj dhe thuhet shpesh nga të mençurit “Ruaje të kaluarën për të treguar se kush je dhe ndërto të ardhmen për të treguar se çfarë je në gjendje të bësh!!!”.