Ja si anglezët organizuan në fshehtësi Kongresin e Lushnjes

40
Sigal

Kongresi i Lushnjes lindi si domosdoshmëri për ekzistencën e shtetit shqiptar, duke ju kundërvënë fitimtarëve të Luftës së Parë Botërore që kërkonin coptimin e Shqipërisë. Historia e konsullit anglez Iden që takoi Sheh Karbunarën dhe dhe roli i Sër Eyres. Intrigat italiane, organizimimi i klerikëve dhe patriotëve shqiptarë, plagosja në Fush-Krujë e konsullit, delëgatët, shtabi i mbrojtjes dhe pse përfundimi me sukses i Kongresit dhe Tirana Kryeqytet shpëtoj Shqipërinë. Një skic e Vlorës e vitit 1859 dhe konsullata britanike

Konsulli anglez Iden që takoi Sheh Karbunarën para Kongresit të Lushnjës

Niko Ferro*

Më 21 janar 1920, diplomati anglez Morton Frederik Iden ishte me forcat, që siguruan Kongresin e Lushnjës

Në nëntor të vitit 1919, në Teqenë e Karbunarës, mbërriti një vizitor krejt i veçantë. Veshur allafrënga, i krehur bukur, me një gjuhë të pakuptueshme për vendasit, ai gjithsesi nuk donte të tërhiqte vëmendjen. I ardhur nga Evropa, ishte konsulli anglez Morton Frederik Iden dhe shoqërohej nga shqiptari Mahmud Bidri, njeri i Aqif Pashë Elbasanit. Në Teqe ai u takua me Sheh Ibrahim Karbunarën dhe nënprefektin e Lushnjës Veli Vasjari. Vizitori u komunikoi qëllimin e atij udhëtimi të çuditshëm. Ai kishte mësuar se në qarqet e patriotëve shqiptar qe hedhur ideja e mbajtjes së një mbledhjeje të gjerë. Fakti që shoqërohej nga njeriu i Aqif Pashës, fliste vetë. Konsulli nuk e përmendi Karbunarën, as Lushnjën si vendi i kuvendit të ardhshëm, pasi flitej për Krujën, Tiranën, Elbasanin etj. Nga Myzeqarët ai donte fjalën e pranimit, kudo e kurdo që të bëhej, pra mbështetje dhe, natyrisht, kontribut. Ai dinte shumë, kur përmendi se independenca e Shqipërisë ishte në rrezik.

Takimi

Bashkëbiseduesit e vlerësuan vizitorin dhe problemin, ndaj pas 5 ditësh, po aty, u bë një takim shumë i gjerë, ku ishte edhe Ideni. Mbledhja zgjodhi një komitet, formuloi një thirrje për patriotët në të gjithë Shqipërinë dhe caktoi njerëzit që do të shpërndanin postën, gjithsej 9 vetë. Pas këtij vendimi, Ideni kaloi në Peqin, Tiranë, Mat e Shkodër, me rojet personale Taullah Sinani, që ishte njeri i ditur dhe i pushkës, Muç Bani e Idriz Çela. Kur ishte duke udhëtuar për në Shkodër bashkë me Preng Pashën, në Fushë-Krujë konsulli u plagos, por ai e fshehu këtë fakt. Me anë të letrave Komiteti vuri në dijeni patriotët për domosdoshmërinë e mbajtjes së Kongresit. Përgjigjet nuk vonuan dhe ato ishin pozitive. Atëherë Komiteti u rimblodh, duhej caktuar vendi i mbajtjes së kuvendit. Mendimin që ai të mblidhej në Lushnjë e dha Vasil Tromara nga Korça dhe ashtu u vendos. Në emër të vendasve, Shehu e quajti nder që Kongresi të mbahej këtu, por ai kërkoi 10 ditë kohë për ca përgatitje sa më të plota.

Kongresi i Lushnjes

Siç e dimë tashmë, Kongresi Kombëtar i Lushnjës i çeli punimet më 21 janar 1920. Sipas të dhënave gjatë tërë atyre ditëve, konsulli anglez Iden ka qëndruar në Lushnjë. Ai takohej çdo ditë me oficerët italianë, kurse netëve qëndronte në Teqenë e Karbunarës, bisedonte me delegatët, të cilët i njohu të gjithë personalisht. Për mbrojtjen e tij përgjigjeshin 3 vetë të caktuar nga shtabi: Muç Bani, Ram Dervishi dhe Sil Keqi. Sipas dëshmive, një natë ai ishte ftuar në shtëpi nga Zija Mullaj, figurë e njohur e kohës. Në orën tetë, të ftuarit kishin shkuar, ndërsa Konsulli u paraqit një orë më vonë, i shoqëruar nga rojat vetjake. Shehu i tërhoqi vëmendjen për vonesën, duke i kujtuar edhe merakun sipas traditës shqiptare të ruajtjes së mikut. Ideni i lutet Myqerem Hamzarajt (pasi ishte i vetmi që dinte anglisht) t’u thotë të tjerëve: “Po të jetë se këtë natë do ta kalojmë pa ndonjë incident, unë nesër jam i detyruar t’iu uroj se me të vërtetë populli shqiptar di përse lufton dhe di përse sakrifikon jetën e tij”. Të tjerët kërkuan sqarime edhe ai informoi se Myfit Libohova, ministër i qeverisë së Durrësit ishte nisur me 500 milicë dhe është duke ardhur në Lushnjë për t’u shpartalluar. Lushnjarët u mobilizuan shpejt. Vetë Ideni në orën 4 pas mesnate gjeti në kodrën e Kalifasë qindra luftëtarë të armatosur. Ai shkoi tek koloneli italian dhe i tha “se tërë kodrat përreth qytetit ishin plot luftëtarë, prandaj i thuaj gjeneral Piaçentinit të tërheqë forcat nga Kolonja se do të turpërohet”. Pas aktit të Shpalljes së Pavarësisë, Kongresi i Lushnjës qe fati i Shqipërisë së lirë dhe Shtetit Shqiptar. Vetvetiu rritet edhe interesimi ynë për konsullin Iden, këtë vizitor disi misterioz të Teqesë së Karbunarës.

*Mbështetur në dorëshkrimin e Ahmet Shehut, i cili në atë kohë ishte prezent i kësaj ngjarje. Sot ky dorëshkrim ruhet në Shtëpinë Muze Kongresi i Lushnjës.

 02Shtabi për mbrojtjen e Kongresit

Mbledhja përfundimtare e Komitetit Organizator u bë nën mbrojtjen e xhandarmërisë së Lushnjës, pasi komandanti i saj, kapiten Meleq Frashëri ishte me ta. Ndërkohë Komiteti organizoi forca të shumta mbrojtëse vullnetare nga Karbunara, Kolonja, Darsia, Divjaka, Libofsha etj. Kryetari i shtabit për mbrojtjen e Kongresit u zgjodh Llazar Bozo, që ishte edhe delegat. Delegatët e parë erdhën më 18 janar 1920. Ata priteshin nga grupi përkatës dhe strehoheshin në shtëpitë e caktuara, të cilat merrnin furnizimin me ushqime enkas. Mjaft prej tyre qëndruan në shtëpinë e Teki Libohovës, e cila u dogj nga nazistët në 18 tetor 1944. Në janar të vitit 1920 kur u mbajt Kongresi i Lushnjes, 300 djem të armatosur nga Skrapari të komanduar nga Riza Cerova, Ali Koprecka, Muço Kapinova, Servet Saloshnje, Nuri Volusho, së bashku me forcat e tjera vullnetare nga krahinat e ndryshme u vendosën në pozicione te manastiri i Ardenicës dhe në Libofshë për të mbrojtur punimet e Kongresit. Kuvendi kombëtar i Lushnjes e ngarkon Rizain të organizonte forcat e Skraparit që në rast nevoje të godisnin forcat e huaja. Në këtë kohë Riza Cerova u caktua në përbërjen e komisionit që të çlironin Vlorën. Pas mbarimit të luftës së Vlorës Rizai emërohet oficer në regjimentin e ushtrisë në Gjirokastër. Në vitin 1923 Ahmet Zogu e largon Rizanë nga Skrapari dhe e emëron prefekt të Kosovës , që përfshinte Krumën, Tropojën, Kukësin e Bicaj. Atje Rizai u lidh ngushtë me patriotin Bajram Curri.

03 Anglezët shihnin me dyshim influencën në rritje të Italisë mbi shtetin e dobët e të varfër shqiptar
 Sir Harry Eyres dhe Kongresi i Lushnjës

   Klodi Strralla

 


Sir Harry Eyres (1856-1944) ishte një diplomat anglez kariere që, pas daljes në pension (1919), u caktua si përfaqësues, jo zyrtar, i Madhërisë të Saj në Shqipëri, në periudhën më kritike kur Konferenca e Paqes në Paris (1919-1920) kish vënë në diskutim qenien ose jo të shtetit të pavarur shqiptar të 1913- ës. Si një “eminace grise” (person në hije) ai luajti fijet e politikës shqiptare të kohës, duke përzgjedhur njerëzit, përcaktuar axhendat dhe orientuar politikën shqiptare, që kulmuan me thirrjen e Kongresit të Lushnjës (21 – 31 janar 1920). Me nuhatjen e diplomatit me përvojë ai evidentoi të riun energjik e ambicioz, 24 vjeçarin Ahmet Bej Zogolli, mes shumë personaliteteve më të moshuar të kohës dhe e ndihmoi atë të ngjitë shkallët e karierës politike, duke parë tek ai njeriun që do të ndërtonte shtetit modern shqiptar në vitet që do të vinin. Me sa duket anglezët shihnin me dyshim influencën në rritje të Italisë mbi shtetin e dobët e të varfër shqiptar (Qeveria e Durrësit – dhjetor 1918) dhe veçanërisht të dhënat premtuese për naftën shqiptare (Anglo-Persian Oil Company). Këto interesa, që të mbroheshin, kërkonin një shtet të konsoliduar shqiptar, gjë që Zogu e realizoi pjesërisht, ndonëse iu desh të përballej me mentalitetin oriental, të trashëguar në shekuj, si të elitave (bejlerëve), ashtu edhe të pjesës dërmuese të popullit shqiptar. Sot, rolin e anglezit Harry Eyres e luajnë amerikanët Palmer e Co, por mesa shohim, janë larg nahatjes dhe synimeve angleze të kohës, si në përzgjedhjen e njerëzve ashtu edhe në qëllimet për ndërtimin e një shteti modern për shqiptarët e shek. 21-të. Fatkeqësi!