Kukësi frymon me erën dhe turizmin gjithëvjetor në Shqipërinë e veriut. Në Kukës kemi parë e po shohim turizëm nga Shishtaveci e Kallabaku deri në Vilë e Bushtricë, ku qielli i hapur është çatia më e mirë për këto zona. Shishtaveci është një stacion i domosdoshëm për një turizëm të hapur dhe alpin, që ngjan më shumë me peizazhet e Zvicrës. Ai është si një magnet për të gjithë ata që kërkojnë qetësi, ajër të pastër dhe bukuri të rralla natyrore. Gjatë verës ai është i mbushur me qindra turistë e vizitorë, nga gjithe vendet e botës, por mbushur edhe me kampingje e guida lëvizëse dhe fotografë që ndalojnë çdo pesë hapa për të kapur një tjetër pamje madhështore. Ndërsa në dimër aty ushtrohen rrëshqitjet me ski mbi dëborën e butë për disa muaj. Pak më tutje fshati Novosej dhe liqeni i Kallabakut janë një thesar tjetër natyror që shfaqet krejt natyrshëm mes një gjerbërimi të paparë. Për eksploruesit e Kuksit “Shtegu i Ngjyrave” dhe “Shkalla e Keqe” janë zbulimi më i vërtetë i Kukësit, ku çdo kthesë na tregon një ngjyrë të re nga jeshilja e errët e pyjeve, te e kaltra e qiellit pa re, deri tek e kuqja e luleve alpine që rriten të lira në ato livadhe pa fund. Mis Durham studiuese dhe albanologe e shquar angleze aso kohe kur po udhëtonte në trevat e Kukësit ka shkruar: Në çdo metër katror të livadheve alpine aty gjinden gjashtë lloje lulesh të ndryshme. Ndërsa unë me një grup studimorë në vitet 1988-1989 në trevat e Kukësit kemi evidentuar rreth 160 lloje bimësh mjekësore, tanifere dhe etero vajore, të cilat janë një pasuri e madhe për rrethin e Kukësit po të shfrytëzohen.

Turizmi në Kukës nuk është vetëm natyrë, por është edhe festë edhe kulturë, që festohet dhe ruhen me krenari. Gjatë gjithë verës Kukësi gjallohet me festat tradicionale që i japin zonave të kësaj bashkie shpirt, ritëm, gjallëri dhe histori. Me 1 qershor organizohet festa e Vilës, me 29 qershor festa e Bushtricës, me 1 korrik festa e Rrunës në Malëzi, pastaj festa e Gjallicës dhe e Shtiqnit, për të vazhduar me të qethmet e Tërthores dhe të Surrojt që edhe ato, shëndërrohen në festa popullore për gjithë Kukësin. Sot Kukësi qëndron si një destinacion turistik autentik ku gjen vende me pamje që të lënë pa frymë, por edhe vende për një jetë të vërtetë që nuk imiton askënd. Kukësi të ofron vendëpushime, por edhe përjetime të pashlyeshme. Pandaj ju bëjmë thirrje: Ejani në Kukës, aty ku fryn era, sepse besojmë fort se festat e bëjnë Kukësin që të “flasë” me njerëz dhe me gjithë Botën.

Prandaj këtë vit ne vendosëm dhe shkuam në Vilë në “Lakun e Erës”, aty ku era sjell festën e verës dhe e “shpërndan” në gjithë fshatrat, malet e livadhet alpine të rrethit të Kukësit. Shkuam në Vilë me ftesë personale të mësuesit të talentuar të shkollës së Bushtricës sot President i Kompanisë BILLA Z. Shefqet Billa. Përmes një telefonate shumë të ngrohtë e miqësore ai më përcolli këto fjalë: “Jeni i ftuar në festën e verës në Vilë. Merr me vehte kë të duash dhe sa të duash shokë e miq tanë”. Ashtu bëra. Njoftova shokë të shoqatës “Malziut”, por edhe ato të “Akademisë Mirdita” me të cilët bashkëpunojmë prej vitesh.

Kështu me 1 qershor 2025 me drejtues të dy shoqatave me zotrinjt Sali Gerën, Myrteza Miftarin, Enver Shpatën (malzias) dhe zotrinjt Pjetër Marku, Aleksandër Ndoja, Pjetër Ndrecën e Ndue Ndojn (mirditas) me dy makina, udhëtuam nga Tirana për në Kukës. Po shkonim për festën e verës dhe hapjen e sezonit turisatik 2025, nga Bashkia e Kuksit në fshatin Vilë të Bushtricës.
Për të shkuar në Vilë, zgjodhëm rrugën e re të Dibrës e cila bashkë me tunelet ishte ndërtuar me parametra normal. Rrugën deri në Peshkopi, e bëmë për një orë. Ndërsa pjesën tjetër nga Peshkopia deri në Bushtricë e bëmë përmes rrugës së vjetër, e cila që kur është ndërtuar është quajtur “Rruga e Rinisë”. Për ndërtimin e saj kanë punuar shumë kuksian, midis tyre edhe babai ynë, një kujtim për familjen tonë. Rruga gjarpëronte përmes 12 fshatrave malorë të Dibrës, me pamje fantastike, me toka të punuara nga bujq të talentuar dibranë, me pemë plot me fruta të stinës dhe me uji të mjatueshëm. Kafen e mëngjesit e pimë në fshatin Vasije, përballë shkollës, mes një grupi dibranësh bujarë e të mënçur dhe punëtorë të talentuar. Prej aty, bëmë edhe dhjetra kilometra të tjera rrugë, përmes maleve e kodrave të asaj zone me pamje nga më fantastike dhe të një pejsazhi me gjithë ngjyrat e ylberit, që rrallë në ndonjë vend tjetër mund të gjindet. Njëri nga shokët tanë, Enver Shpata avokat, që e njihte atë zonë, na dha lajmin e mirë se kishim mbërritur në Bushtricë, pjesë e Bashkisë së Kukësit. Ndërsa shokët e tjerë, anash rrugës, dalluan një tabelë të thjeshtë, por të domosdoshme “Festa e Vilës”. Për fatin tonë të mire, por edhe gjithë të tjerëve që po vinin mbrapa nesh, tabela të tilla ishin vendosur përgjatë gjithë rrugës deri në stacionin final, ku në sejcilën prej tyre ishte shkruar i njëjti tekst: “Festa e Vilës” me drejtim rrugën për në “Lakun e Erës”, një toponim ky shumë i bukur. Tabelat ishin të thjeshta, por më se të nevojshme për të gjithë ne që po shkonim në këtë ditë feste. Edhe një fakt tjetër, me të mbaruar malorja e parë, që shënonte fillimin e fshatit Vilë, rruga ishte zgjeruar e pastruar me traktorë dhe mjete të tjera të rënda për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve. Na informuan se, në atë segment rruge kishte punuar për disa ditë me rradhë,

një grup punëtorësh. Punimet i kishte ndjekur personalisht Z. Shefqet Billa i cili na tha me zë e figurë se këto punime janë sponsorizuar nga biznesmeni Arben Jata. Kurse Z. Shefqet i ka qëndruar punëve çdo ditë në këmbë. Vazhduam rrugën pa asnjë pengesë. Përpara dhe mbas nesh gjarpëronte një varg shumë i gjatë dhe i pa ndërprerë makinash. Dhe ja, ne kishim arritur në Vilë, njërin nga fshatrat më të bukur e më turistik të kësaj zone e këtij rrethi.
Në vlerësimin tonë, Bashkia e Kuksit me kryetarin e saj të nderuar Z. Albert Halili, kanë pasë gjithë të drejtën e zotit, që kanë zgjedhur dhe mbështetur këtë vit Z. Shefqet Billa me biznesmenë të tjerë kuksianë dhe u është besuar Vila për të hapur siparin e sezonit turistik 2025. Përsëri tabelë por kjo sigurisht ishte e fundit. Sapo pamë mbishkrimin “Laku i Erës” kuptuam se kishim mbrritur në vendin e duhur. Përpara nesh u shfaqën plot kulturë: Shërbimi i Policisë Rrugore, i Policisë së shtetit dhe i Policisë Bashkiake të Kukësit, të cilët na ndihmuan që të sistemoheshim. Sigurisht edhe ne falenderuam shërbimet e Policisë së Shtetit për kryerjen e detyrës. Por në atë shesh madhështorë shërbenin edhe civil të kompanisë “Billa” me Z. Isa Jatën në krye. Që të gjithë na pritën dhe na shërbyen gjatë gjithë kohës, me shumë respekt e kulturë të lartë, duke na caktuar edhe vendet tona në çadrat e qëndrimit apo edhe vendosjen e mjeteve, shpërndarjen e ushqimit në drekën e të ftuarve, pikat e shërbimit ambulant. Sapo u akomoduam kuptuam se, gjithëçka ishte në perfeksion. Shefqeti na priti si neve, por edhe gjithë mysafrët e tjerë duke na shprehur një mikpritje të sinqertë në këtë event thuajse kombëtar.

“Laku i Erës” në ato momente kishte marrë vërtetë pamjen e një qyteze turistike dhe i ngjante një feste kombëtare. Aty kishin ardhur 800-1000 autovetura me rreth 3500-4000 qytetarë. Ato ishin nga gjithë rrethet e Shqipërisë, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, por edhe shqiptarë e qytetarë që punojnë e jetojnë në Spanjë, Belgjikë, Itali, Greqi, Serbi, Angli, Turqi, Francë Filadelfia, Barcelonë dhe nga arbëreshët e Italisë, si dhe nga Çamëria. Shumë nga këta ishin punonjës që shërbejnë në shitjen e pllakave, si edhe zyrtarë të kompanisë Billa. Gjithë pjesëmarrësve u ishin caktuar vendet në dhjetra çadra të mëdha e komode me tavolina dhe karrige, si edhe për banorët e 5 lagjeve të Vilës: Lagjet Billa, Hasa, Dragjoshi, Jata, Tota.
Gjithë “Laku i Erës” kishte veshur, petkun festiv dhe njëherit me dekorin më të mirë të kohës, me stenda, flamuj e banderola të mëdha. Por ajo që e gjallëroi më shumë dhe i dha jetë kësaj qyteze të improvizuar ishte: Skenë – tribuna më e madhe dhe më moderne, me ekrane të mëdha, me drita e foni vendosur në majë malesh të Kuksit nga kompania Billa.

Këtë tribunë-skenë e kishte “pushtuar” gazetari i mirënjohur, moderatori i talentuar dhe aktori brilant i fjalës artistike, por edhe një dibran fisnik Z. Defrim Met’hasani. Ai u bë një zë i fuqishëm për gjithë publikun artëdashës të kësaj “qyteze”, që nga orët e para të mëngjesit për të vazhduar më tej, deri në orët e mbrëmjes. Zëri i tij kumbues, prezantues dhe dashamirës, bashkë me jehonën, përshkonte gjithë “Laku e Erës” dhe shpërndahej e përplasej në të 12 fshatrat e Bushricës, deri në malet Rrunës e Korab.
Aty u paraqitën dhe përformuan artistë, miq dhe të ftuar, grupe folklorike e artistike të Kukësit e të Bushtricës, këngëtarët më të mirë të Shqipërisë dhe të Kosovës si: Ylli i këngës shqiptare tenori ynë i madh Kastriot Tusha, “Mjeshtri i madh” i këngës Arif Vladi, Eranda Libohova, Flora Gashi, Osman Hasa, Rami Jata, Fadil Jata, Vëllezërit Sejdiu, Musa Dauti etj. Vend të veçantë zunë edhe grupet e valltarëve, veshur me
kostumet më të bukura popullore, zgjedhur enkas për këtë ditë të madhe, festën e verës në Vilë.

Përpara kësaj skene gjigande, në tapetin e gjelbërt e natyrorë të “Lakut të Erës” u zhvillua edhe një mini – kampionat i mundjes për të rinj. Mes duartrokitjeve të fuqishme e komentit të këtyre ndeshjeve nga Dëfrimi, u shpallën edhe fituesit e këtij kampionati.
Nga skena gjigande e “Lakut të Erës” në prani të qindra e mijëra pjesëmarrësve mes duartrokitjeve të fuqishme Z. Dëfrim Met’hasani, në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës të Ambasadorëve të Paqës për Shqipërinë i dorëzoi Z. Shefqet Billa dekoratën me titullin më të lartë “Ambasador i Paqës” një vlerësim ky më se i merituar si për Shefqetin, por edhe për kompaninë që ai drejton ashtu edhe për djemtë e tij.
Nga ajo tribunë e lartë Z. Defrim Met’hasani falenderoi gazetaren e mirënjohur të TV Klan Alma Çupi për pasqyrimin me korrektësi të gjithë këtij festivali mbarëkombëtar përpara gjithë shqiptarëve nga minuta e parë deri në fund ç’ka është për tu vlerësuar.
Të gjithë e dimë se në Vilë dhe kudo në Kukës vera, vjen shpejt. Ajo zgjohet bashkë me aromën e luleve e barit të njomë të shpateve dhe livadheve apine. Ajo zgjohet edhe me lëvizjen e qetë të reve mbi majat e larta të Gjallicës, Koritnikut, Zepës, Rrunës, Pashtrikut, Bjeshkëve të

Nëmura dhe të Korabit. Por mbi të gjitha vera këtu në Vilë zgjohet me frymën e mikëpritjes për çdo shqiptar dhe për vizitor të huaj. Prandaj, vlerësojmë maksimalisht organizimin e drekës në tryezat e tendave për lagjet e Vilës, si dhe gjithë të ftuarve, të cilët shijuan ushqimet tradicionale të zonës dhe gjithë Kukësit, si fli në saç, petë misri, petulla, djath e salcë kosi, çorbën me mish dhe peshk nga liqeni i Kukësit, byrek me mish të njomë e erëza që nuk gjënden në asnjë recetë përveçse në kujtesën e grave kuksiane. Z. Shefqet Billa me gjithë viljanët e tij, por edhe me drejtuesit kryesorë të Pushtetit Vendor të Kukësit, priti dhe përcolli edhe këtë vit, mysafirë të ardhur nga katër anët e Shqipërisë, të Europës e Botës me zemër të hapur duke i ftuar edhe në fillim verën e vitit 2026. Të organizosh një festë të përmasave të tilla është shumë e vështirë, por njerëzit me projekte bashkohore arrijnë të realizojnë veprimtari të bukura si këto.

Tashmë Vila është vetëm një copëz e Shqipërisë sonë të madhe turistike, ku malet dhe rrafshnaltat e këtij rrethi nuk janë vetëm peisazhe të thjeshta turistike, por edhe kala të historisë të kësaj zone. Vila është edhe pjesë e shpirtit dhe zemrës së turizmit elitar në Kukësin tonë të dashur. Turizmi këtu dita ditës po merr jetë dhe kuptim tjetër, kuptim më të thellë, më të vërtetë. Prandaj 1 qershori i këtij viti, si çdo verë tjetër, tashmë e çertifikoi “Lakun e Erës”, fshatin Vilë dhe gjithë Bushtricën, si portën e parë të hapjes së sezonit turistik për Bashkinë e Kukësit. Në këtë festë – hapje të sezonit turistik të këtij viti, morën pjesë qytetarë kuksianë, hasjanë, tropajanë, si edhe shqiptarë dhe turistë të huaj që kanë ardhur nga të katër anët e Europës e të Botës në Vilën tonë të dashur. Të gjithë ne aty, u bashkuam dhe u ndjemë si në shtëpinë tonë nga organizatorët e këtij eventi Z. Albert Halili Kryetar i Bashkisë Kukës dhe biznesmenin Z. Shefqet Billa. Kjo traditë që po vazhdon tash 3-vjet, ka shënuar një kthesë të rëndësishme në zhvillimin e një turizmi elitar malor, historik dhe kulturor, me ndikim ekonomik në rrethin e qarkun e Kukësit, por dhe në fshatin Vilë e fshatrat e Bushtricës.
E pikërisht për këto arsye dy protogonistët apo dy subjektet e sipër përmëndura edhe këtë vit zgjodhën “Lakun e Erës”, aty ku era sjell festën, të cilën e shpërndan në kodrat dhe malet për rreth. Kjo është vërtetë një ngjarje dhe arritje turistike e këtij viti, por edhe me pjesëmarrje rekord. Gjithashtu, ra në sy edhe pjesëmarrja ku të rinjt dhe të rejat ishin në shumicë. Ato i dhanë zë, jetë e gjallëri “Lakut të Erës”. Nuk munguan as burra e gra të brezit të tretë në kët event.

Për festën e Vilës dhe promovimin e sezionit turistik të Bashkisë Kukës 2025, kanë shkruar në portale, në shtypin e ditës, apo kanë folur në kanale televizive të vendit autor si: Aleksandër Ndoj, Qazim Domi, Halil Rama, Ali Hasani, TVSH Kuksi, e veçanërisht TV KLAN me gazetaren e talentuar Alma Çupi, e cila përgatiti në “Histori Shqiptare” një emision të shkëlqyer për të cilin punoi 3 ditë e netë pa u lodhur, duke na dhuruar një spektakël të vërtetë televiziv që ne kuksianët do ta quanim një show në përmasat e një “Festivali – Vilë 2025”. Gazetarja Alma çupi me atë rast është futur në shumë familje viljane e sidomos në kullën e Mifail Billës nga e cila i fliste me zë e figurë gjithë Shqipërisë dhe botës për organizimin dhe propogandimin e kësaj feste. Nga ky pozicion ajo falenderon ardhjen e të larguarve, si dhe miqve të tyre, që tashmë Vila nuk është një fshat i vogël, por me përmasa më të mëdhaja se ka qenë.

Me këtë rast, në mbyllje të shkrimit tim mu kujtua një vlerësimi i Kolonel Hys Hasës, emigrant Vilian në Filadelfia të SHBA, i cili ka shkruar: “Vila është pjesë e krenarisë Lumjane”. Ndërsa unë me këtë rast duke e përshëndetur mikun tim të dashur, do të shtoja se: Vila sot është edhe pjesë e turizmit elitar për Kukësin e Shqipërinë veriore! Urime Vilës, viljanëve e gjithë kuksianëve në realizimin e projekteve të turizmit elitar në Bashkinë e Kukësit. Urime Kryetarit të Bashkisë Kukës Z. Albert Halili urime dhe biznesmenit e “Albtruistit” Z. Shefqet Billa dhe stafit të kompanisë “BILLA”.





















