Derdhje masive nafte në brigjet e Omanit, alarm për një katastrofë ekologjike

Një derdhje e madhe nafte në brigjet e Omanit po kërcënon ekosistemet detare dhe komunitetet që varen nga peshkimi, ndërsa autoritetet dhe ekipet ndërkombëtare po përpiqen të kufizojnë përhapjen e ndotjes.

Sipas analizës së imazheve satelitore nga Greenpeace, nafta është shpërndarë në disa zona dhe nuk formon një masë të vetme të vazhdueshme.

Sigal

Deri më 4 gusht, sipërfaqja e prekur kishte arritur në rreth 600 kilometra katrorë, ndërsa autoritetet omaneze kanë paralajmëruar qytetarët të shmangin peshkimin në zonat e prekura dhe të raportojnë çdo shenjë të pazakontë ndotjeje.

Në tregje pritet gjithashtu të kryhen kontrolle të produkteve të detit për të evidentuar praninë e ndotësve.

Në qendër të incidentit ndodhet cisterna Caroline Bezengi, e cila thuhet se transportonte rreth 800 mijë fuçi naftë. Anija, e sanksionuar dhe e dyshuar se është pjesë e flotës së ashtuquajtur “në hije” të Rusisë, pësoi një incident të paqartë më 6 qershor në brigjet e Omanit dhe më 21 qershor u bllokua pranë ishullit Al-Qibliyya.

Derdhja u zbulua në javën e parë të korrikut dhe më pas u përhap me shpejtësi. Autoritetet omaneze kanë konfirmuar se nafta ka arritur edhe në tokë, duke prekur rreth 40 kilometra të vijës bregdetare të Ras Madraqës.

Shqetësimi më i madh lidhet me pasojat ekologjike. Zona e prekur përfshin shkëmbinj koralorë, shtretër me bar deti dhe zona ku folezojnë breshkat e rrezikuara, ndërsa konsiderohet gjithashtu habitat i balenës së Detit Arabik, një prej specieve më të rralla të balenave në botë.