Rama reagon pas renditjes së Shqipërisë në krye të indeksit global të sigurisë kibernetike/ “Shqipëria e para në indeksin global të indeksimit”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të renditjes së Shqipërisë në National Cyber Security Index, ku vendi, sipas tij, është renditur në vendin e parë në nivel global me 98.33 pikë.

Në një postim në Facebook, Rama iu përgjigj kritikave dhe komenteve negative pas lajmit, duke e cilësuar renditjen si rezultat të një metodologjie ndërkombëtare dhe jo të një vlerësimi politik.

Sigal

Sipas Ramës, pikët e Shqipërisë janë matur mbi elementë që lidhen me kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit në fushën e sigurisë kibernetike.

Kryeministri e shoqëroi reagimin me kritika ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe përdoruesve që, sipas tij, kanë sulmuar lajmin për renditjen e Shqipërisë.

Rama deklaroi gjithashtu se reagimet negative, pavarësisht qëndrimit ndaj qeverisë, nuk e ndryshojnë rezultatin e publikuar në indeks.

Në pjesën e fundit të postimit, ai e cilësoi ngjitjen e Shqipërisë në krye të klasifikimit si një “arritje fantastike”, duke u shprehur se vendi tashmë është në një pozicion krejt tjetër nga ai i disa viteve më parë.

 

Reagimi i plotë i Kryeministrit Rama:

NJË SHËNIM I NEVOJSHËM për urrejtësit besnikë dhe ushtrinë e tyre të trollave.

Sapo postova lajmin që Shqipëria doli e para në indeksin global të sigurisë kibernetike, ata u vërsulën si tufa sorrash e korbash me turlilloj krrakrrash.

Po nëse lajmi ishte “gënjeshtër”, “propagandë”, “budallallëk”, atëherë pse gjithë ai mund i madh me gurë e me baltë? Asnjë njeri normal nuk harxhon energji për të shuar një qiri të fikur.

Në fakt renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll. E vendos një metodologji ndërkombëtare, me 98.33 pikë, të matura mbi kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit. Urrejtësit e mi besnikë mund të hidhen përpjetë, por tabela nuk ndryshon pse ata derdhin mllef e jargë mbi pasqyrat e tyre digjitale.

Mund të jetë e dhimbshme të jesh troll i një shteti që del në krye të klasifikimit botëror pikërisht në aftësinë mbrojtëse nga trollimet malinje, por s’ka ilaç për dhimbjen e urrejtësve.

Kështu që vazhdoni, forca, çdo koment i juaji është një klikim më shumë, një provë më shumë, dhe një buzëqeshje më shumë për mua, në këtë ditë të bukur arritjeje fantastike.

Miq dhe aleatë të vërtetë që e dinë mirë ç’është ky Index Global sot më uruan, ndërsa dështakzemërakët e Shqipërisë më sulmuan. Të dyja palët, në mënyrën e tyre konfirmuan të njëjtën gjë:

Shqipëria u ngjit në majë aty ku deri jo shumë vite më parë ishte në fund😍🇦🇱🦅

Dhe kjo u dhemb vetëm atyre që e duan medoemos në fund, e që prej muajsh për “inat të vjehrrës u bënë rrogoz i mullixhiut” duke parë ëndrra me revolucione, dorëheqje, pushtet dhe duke prodhuar deri edhe diasporë nga Prishtina e Tetova