Qeveria shqiptare po përgatitet të shtetëzojë koncesionin e kontrollit mjekësor bazë në shtator, duke ia kaluar shërbimin një kompanie publike. Në 12 vjet, koncesioni i check up-it mori rreth 66 milionë euro nga taksapaguesit, një pjesë për analiza të pakryera.
Qeveria shqiptare po përgatitet që të marrë mbrapsht koncesionin kontrovers të kontrollit mjekësor bazë në shtator, pas më shumë se 12 vitesh operimi nga një kompani private.
Koncesioni i check up-it ishte kontrata e parë e partneritetit publik privat të qeverisë së kryesuar nga kryeministri Edi Rama, e cila u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 66 milionë euro në total.
Ajo u firmos në vitin 2014 me bashkimin e kompanive “Marketing & Distribution” në pronësinë e biznesmenes Vilma Nushi dhe Trimed, të cilat themeluan së bashku kompaninë koncesionare 3P Life Logistic.
Megjithatë, më vonë u zbulua se formula koncesionare mundësonte pagesa të majme për shërbime të pakryera. Sipas kontratës, Ministria e Shëndetësisë i pagoi kompanisë 3P Life Logistic 730 milionë lekë çdo vit [rreth 7.8 milionë euro] për kontrollin mjekësor bazë për një numër të garantuar prej 475 mijë qytetarësh.
Kontrata për kontrollin mjekësor bazë ishte një nga katër koncesionet në sektorin e shëndetësisë së qeverisë “Rama”, të cilat u hetuan nga Prokuroria e Posaçme pas akuzave të ngritura për korrupsion.
Ky hetim nuk prodhoi rezultate, por në një çështje paralele për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, SPAK ngriti akuzë për shpërdorim detyre ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024 për abuzime me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, ndërkohë që masa e tij u lehtësua në “arrest shtëpie” më 31 korrik të këtij viti. Për koncesionin e sterilizimit, Beqaj ndodhet aktualisht në proces gjyqësor.





















