Aleksandër Bojaxhi: Kush e ngjiti Partizanin në majën e Tomorit?

Jemi në muajin që më kujton malin Tomor. Kjo ndodh për dy arësye.

Së pari në rininë time kam qenë alpinist, dhe sikundër edhe shokët e mi alpinistë e kemi për zemër këtë mal. Është djepi i alpinizmit në vendin tonë. Si alpinist në gusht 1963 shkova për herë të parë në këtë mal. Së dyti sepse që nga thellësia e shekujve të parët tanë e kishin të shënjtë këtë mal, dhe e kanë. E konsideronin, dhe e konsiderojnë, Olimpin tonë, aty shqiptari ka menduar se ka edhe Dodonën e tij. Ndër shekuj për të shprehur adhurime hyjnore njerzit ngjiteshin në dy majat kryesore të këtij mali: në atë verioren 2.416 m dhe sidomos në atë jugoren, 2.396 m, që është edhe më popullore ngaqë është më e thjeshtë për tu ngjitur. Nuk jemi vetëm ne shqiptatët që majën e lartë të një mali e konsiderojmë si vendin e perëndive: i tillë është Olimpi në Greqi, Adami në Cejlon, Futzijama në Japoni, disa maja në Andet e Amerikës Jugore, etj. Në kohën e partisë mali Tomor u bë mali i parë që u godit nga propaganda kundra fesë nga ana e partisë. U godit adhurimi për Abass Ali-në, më të adhuruarin e bektashinjve, që ngjiteshin, dhe ngjiten aty në periudhën 20-25 gusht. Ja kronika e parë për këtë.

Sigal

Gazeta Sport, gusht 1949, shkruhet:

PËR NDER TË HERONJVE TË RINJ PARTIZANË NË MAJË TË TOMORIT NGULET NJË FLAMUR

Në mëngjesin e datës 27 korrikut nga disa drejtime të ndryshme, arritën në Teqenë e Kulmakut ekipet e ndryshme të alpinistëve, të ardhur nga shumë vende të Shqipërisë: nga Ushtria Popullore 4 veta, nga Berati 11, nga Tirana 3, nga Elbasani 5, nga Policia Popullore 3, nga axhensia telegrafike 1, nga artileria 1 toger dhe 5 ushtarë, nga Kapinova 5, dy nga Borgullasi.

E gjithë kompania e ekspeditës, e ndarë në tre toga: njëra ushtarake dhe dy të tjera komandohej, në aksionin e sulmit mbi Çukën e Tomorit, nga inspektori i sporteve të rënda Luigj Shala. Ekspeditës ju shtua edhe plaku Baba i Teqesë, 50 vjeçar Baba Abdurahman Hoxha i Teqesë së Kulmakut (Kujdes: nuk kërcen vetëm Prifti nga belaja!). Ekskursionistët kaluan natën e 27 korrikut në Teqenë e Kulmakut të pritur me dashamirësi. Aty nga mesnata e 28 korrikut kompania e ekspeditës nga tre drejtime të ndryshme, e ngarkuar me ushqime të bollëshme, filloi sulmin e fundit për të zaptuar Çukën e Tomorit. Maja u arrit në orën 04:30, pak kohë para lindjes së diellit. Të shëndetshëm, pak të lodhur nga vrulli i ngjitjes, por plot gjak dhe entuziasëm, si të rinjtë dhe pleqtë, me këngë, valle muzikë festuan fitore. Pas pushimit çlodhës u mbajt një konferencë përkujtimore dhe një minutë zi për dëshmorët e rinj të rënë në luftën N. Çl. Pas konferencës u përpiluan dy telegrame përshëndetje dhe falenderimi për Sekretarin e Përgjithshëm të P.P.Sh. shokun Enver Hoxha dhe për Komitetin e Kulturës Fizike dhe Sporteve të Republikës.. Në kthim ekspedita mori një rrugë shkëmbore të pa provuar ndonjëherë që e nxori në Kapinovë. Si gjatë ngjitjes dhe zbritjes alpinistët, si dikur partizanët, janë pritur me përzëmëri prej stanarëve. Kompania hyri në Berat me këngë dhe me muzikë. Ekspedita është një aksion i madh fiskulturor, i pari i këtij lloji i zhvilluar në vendin tonë dhe që hedh hapat e para të këtij sporti në Shqipëri. Ky aksion u kurorëzua me sukses për hir të vullnetit të alpinistëve, të punës drejturese të Komitetit të Fiskulturës të Republikës, të ndihmës së dhënë nga katundarët dhe këshillat e komunave nga përshkoi itenerari i ekspeditës.

Telegram nga Çuka e Tomorit.

K.K. F. S. (Komiteti Kombëtar i Fiskulturës dhe Sportit) të Republikës i ka ardhur telegrami që vijon: Ne pjesëmarrësit e ekspeditës alpiniste, nga maja më e lartë e Tomorit, ju shprehim falenderimet tona të përzëmërta për mundësinë që na u dha, për të marrë pjesë në këtë ekspeditë, që shënon hapat e para të alpinizmit [Kujdes: edhe në sport çdo gjë fillonte nga e para në kohën e PPSH-së] Republikën tonë popullore. Jemi të kënaqur që plotësuam me sukses detyrën që na u ngarkua dhe ju premtojmë se jemi të gatshëm për të plotësuar të gjitha dertyrat që do t’na ngarkohen, për ta zhvilluar edhe alpinizmin ashtu na mëson Partia e Punës dhe shoku Enver Hoxha.

43 alpinistët e ekspeditës Tomori.

Propagandë e pastër. Dhe mos harojmë se nga marsi i vitit 1967 e më pas, nëse ndonjë besimtar u ngjit për ritet e tij të besimit në këtë majë, u ngjit fshehurazi. Por të paktën sa kohë që u mora me sportin e alpinizmit nuk pashë hartë topografike ushtarake, apo të llojeve të tjera, që në majën Abass Ali të vendosej emërtesa e re Çuka Partizane, ndonëse më 21 Maj 1950 u bë një ceremoni tjetër në majë ku morën pjesë 49 vetë dhe kësaj maje ju dha emri Çuka Partizani. Por ja që erdhën vitet e shumë dëshiruara të demokracisë. Shoh harta topografike ushtarake që në majën më të lartë të malit (2.416 m) vihet emërtesa Maja PARTIZAN;

shoh tabelat e parkut të malit, orientuese për turistat, që shënojnë të njëjtën emërtesë;

po kështu në hartat kur i kërkoj në internet.

Pyes veten: kush e ngjiti fjalën Partizan në majë të malit Tomor? Tomorin populli e quan mal të shënjtë. Partizani nuk i shkon shënjtërisë sepse ai ka armë dhe shënjtëve nuk u shkon arma. Andaj mendoj që ky fakt është një faj që është bërë nga një zyrë e Institutit të Topografisë Ushtarake. E quaj FAJ sepse lexoj nga studiues sa më poshtë: Robert Elsie në botimin e tij “A dictionary of Albanian Religion, Mythology, and Folk Culture” na jep informacionin si më poshtë për këtë mal.

“Mali i Tomorit është vend i shenjtë dhe gojdhanë. Tomori është një vargmal me drejtim nga veri-perëndimi në jug-lindje që shtrihet në krahinat e Beratit e të Skraparit, ku hyn edhe, në pjesën veriore të vargmalit, maja më e lartë e Shqipërisë Qëndrore, me lartësinë 2.416 metra. Në besimet popullore shqiptare, Mali Tomor del si vend ku banojnë perënditë. Mali, është personifikuar vetë si perëndi: Baba Tomori. Banorët përreth malit bëjnë be për Baba Tomorin, be që quhet më e fortë se betë për Biblën a për Kuranin. Shumë banorë të këtyre krahinave, nga nderimi ose nga ndroja, kur duan të përmendin këtë mal, e thonë me eufemizëm, thjesht “ai”, dhe bëjnë be “për atë çukë.” Malin Tomor e kanë të shenjtë si të krishterët, të cilët venë atje më 15 Gusht, Ditën e të Ngriturit të Zonjës në Qiell (për nder të Shën Mërisë), ashtu edhe bektashinjtë, të cilët i falen Abaz Aliut gjatë peligrinazhit vjetor në periudhën 20-25 Gusht”.aleksandër

Ky studjues më bën të kujtoj se mali Tomor dhe maja e tij është adhuruar nga të parët tanë paganë, nga të parët tanë të krishterë dhe sot e kësaj dite nga bektashinjtë dhe më gjërë. Tomori është një mal që ka historinë e besimit të popullit tonë dhe kjo është vlerë kombëtare.

Mendoj që shteti ynë, nëpërmjet institucioneve të tij të:

Sqarojë kush është fajtori për këtë ofezë me emërtesën Partizan në këtë vend të shenjtë. Mendoni o bashkëatdhetarë se çfarë do ishte bërë në Greqi nëse do botohej qoftë edhe një hartë e vetme ku në majë të Olimpit të lexohej Maja Partizan!!

Ta konsiderojë majën e Tomorit aset kulturor dhe bash në majë të ndërtojë një DIÇKA që pasqyron historinë e besimeve të popullit tonë.

Të mos lejojë që bizneset që ndërtohen përqark këtij mali të abuzojnë me ndjesitë fetare të besimeve të ndryshme.

Uroj të dëgjohem!

Aleksandër Bojaxhi