Në Kujtim të një masakre në Vermik

1153
Sigal

Seri Tushi

(Me Rastin e 75-Vjetorit)

Jemi një grup shokësh që e pimë kafenë bashkë tek klubi “Sevasteri” dhe Barjam Mezuri më thotë:

– Seri meqë ne jemi 2 personat që jetojmë akoma dhe kemi përjetuar 75 vjet më parë masakrat e Vermikut, në 3 Shkurt 1944. Të lutem na i tregoǃ

-Tregoji Seri, se do jenë interesante – thonë edhe shokët.

E unë fillova të tregoj: Armiku i egërsuar nga disfatat e njëpasnjëshme që pati nga forcat partizane në të gjithë vendin, vendosi të organizojë një operacion, duke grumbulluar forca të shumta dhe mjete nga më të mëdhatë e kohës, me qellim që të asgjësonte forcat partizane dhe gjithë lëvizjen çlirimtare në Shqipëri. Ky në histori u quajt Operacioni i Dimrit 1943 – 1944. Forcat gjermane që erdhën nga Vlora u shpërndanë në tre drejtime. Drejtimi i parë Vlorë–Brataj–Kuç, drejtimi i dytë Vlorë-Ramicë-Vermik dhe drejtimi i tretë Vlorë-Sevaster-Tepelenë. Në të tre drejtimet armiku u prit me luftë nga forcat partizane dhe çetat territoriale. Në këtë shkrim do të trajtojmë luftimet që u zhvilluan me forcën e dytë, Vlorë- Ramicë –Vermik –Kurvelesh. Më 28 janar 1944 nga drejtimet Ramicë – Bashaj –Vermik u drejtuan forca të mëdha armike, qëllimi: Asgjësimi i forcave partizane që ndodheshin të shumta në këtë zonë dhe kalimi i forcave gjermane në Kurvelesh. Ato gjatë rrugës Ramicë – Bashaj u goditën nga forcat partizane dhe banorët vendas. Një rezistencë e madhe u bë në territorin e Vermikut, në vijën Qafa e Zvorit, Gryka e Shtodhrit–Bregu i Bulle. Këtu forcat e shumta partizane dhe çeta territoriale e fshatit Vermik, e komanduar nga Ago Bleta dhe Elmas Kondi, i bënë një qëndresë prej tri ditësh, duke mos lejuar që forcat armike të kalojnë në Vermik. Kurse rezistenca e dytë iu bë armikut në qafën e Varreve-Qafë e Nikios–Cipini i vogël dhe këtu u bë një qëndresë prej tri ditësh. Një ndihmesë dhanë në këtë qëndresë edhe gratë dhe vajzat vermikase, të cilat furnizonin partizanët e territorialët me municione, ushqime dhe veshmbathje. Armiku duke përdorur mjete dhe forca të shumta, duke përdorur artilerinë e rëndë (mortaja), filloi të godasë zonën e Vermikut, forca të shumta gjermane erdhën edhe nga dy drejtime të tjera, njëra Bolenë-Qafë e Pishë-Vermik e tjetra, duke përfituar nga rruga e lirë nga Griba që nuk ishte mbushur me borë, mori drejtimin Vajzë – Tartare – Këndrevicë dhe zbret në Vermik nga lindja. Forcat partizane duke parë rrezikun e rrethimit vendosën të tërhiqen nga fronti i luftimit dhe bashkë me banorët e fshatit Vermik u larguan nga fshati në drejtim të pyjeve, shpellave dhe sidomos në Çipin, Zogoj, Meva dhe Ploda. Armiqtë si bisha të tërbuara iu derdhën fshatit dhe në një shtëpi u ndeshën me Xhemil Selën, të cilin e vranë në prag të shtëpisë (sot dëshmor). Ata i vunë zjarrin fshatit, duke djegur 85 shtëpi që kishte fshati. Terror i paparë, tym e flakë, ulërima qensh e mjaullima macesh, kakarisje të llahtarshme pulash që fluturonin ndërmjet flakëve. Rapsodi popullor Ago Bleta që së bashku me bashkëfshatarët dhe partizanë që ndodheshin karshi fshatit në pyllin e Poshtinës, nxori nga xhepi bllokun e shënimeve dhe lapsin që nuk i ndante në çdo kohë, filloi të përshkruajë këtë masakër:

Në vitin dyzetë e katër, shkurt i shkretë ishte tre.

Unë mora malin përpjetë, nga katundi vija re,

Ç’të shikoj, tym e flakë, zjarri qoshe më qoshe,

Gjithë u bënë shkrumb e hi, obobo ç’bëhej atje!

S’lanë kasolle as shtëpi, dogjën plakën Miase.

Armiqtë ishin betuar: Në Vermik, në shkofshim ne,

Do ta bëjmë tym e flakë, se bën rezistencë ndaj nesh.

Në këtë flakë u dogjën dy plaka, të cilat nuk mund të largoheshin: Shefiko Veshi, dhe Miase Gega. Këto i hodhën të gjalla në flakët e shtëpive të tyre. Banorët vermikas që ishin strehuar në shpella e pyje shihnin në mes të flakëve të tymit si shkrumboheshin banesat e tyre dykatëshe së bashku me orenditë, të cilat nuk mund t’i tërhiqnin. Shkrumbohej një pasuri që ishte vënë me mund e djersë në breza. Ata nuk u ligështuan, por u betuan se do të hakmerren, ndaj armikut dhe kështu ndodhi. Me datë 4 shkurt 1944 forcat gjermane u nisën në drejtim të Kurveleshit. Pasi kaluan territorin e Vermikut forcat e shumta gjermane, një skuadër gjermane, praparoja e përbërë nga 9 veta kaloi nëpër territorin e Vermikut, por nuk arriti t’i bashkohet me forcat e tjera se djemtë vermikas e ndalën në buzë të Luadhit. Barjami, Zybo e Goxho Capo hapën zjarr kundër tyre ku mbeti edhe një gjerman i vrarë. Të tjerët u kthyen mbrapsht. Në Pishkuara u ndeshën me Temo e Namik Tushini dhe Besho Mezuri, këtu mbetën të vrarë dhe tre gjermanë të tjerë. Në Rërë të madhe gjermanët që mbetën u ndeshën me Lala Gjonin, Difo Braken, Liko Zheku, Guxhe Cani, Sibo Alimuçi, Shefo Mezuri pas një luftimi prej dy orësh, gjermanët mbetën të vrarë, ndërsa nga ana e vermikasve u plagos Liko Zheku dhe mbetën të vrarë dy vëllezërit Hajro dhe Hajdin Mezuri .

Hajrua u njoh deshmor i LNÇ

Kështu u hakmorën Vermikasit brenda ditës ndaj armikut që i shkaktoi dëme materiale dhe njerëzore. Të nesërmen armiku u përqendrua në Kurvelesh, mësoi se në Vermik u asgjësua praparoja e tij. Ai dërgoi nga Nivica për në Vermik forcat e një batalioni. Mirëpo gjatë natës së 4 shkurtit dhe 5 shkurtit, koha bëri të sajën, filloi të bjerë një borë e madhe, që në shumë vende e kaloi metrin. Vermikasit që ndodheshin në pyje dhe male filluan të afroheshin në shpella e pyje që ndodheshin afër fshatit. Acari po rritej, drurët kërcisnin dhe thyheshin nga pasha e borës. Banorët e lagjes Perze që ishin strehuar në pyllin e Lilos, Ploda rreth 17 familje zbritën në shtëpitë e Balil e Teno Tushit, të cilat shpëtuan pa djegur nga Nefua, Vasijeja, dhe Nexhmia, të cilat ishin fshehur në pyje pranë shtëpive ku gjermani u vuri zjarrin dhe ato sa u larguan gjermanët i fikën dhe shpëtuan pa u rrëzuar çatia. Kështu në këtë shtëpi ndodheshin mbi 100 frymë, kur forcat gjermane iu afruan shtëpisë. Hetem Cepo që ishte roje u ndesh me pararojën gjermane dhe ata qëlluan me breshëri ndaj tij. Hetemi ra 100 m larg shtëpisë. Në këtë kohë Havaja nuk mendoi për fëmijë as për vajzën 13 vjeçare që e kish të sëmurë dhe mbas 3 ditësh i vdiq, por menjëherë u kujtua se në fundin e shtëpisë, të mbuluara me një batanije ndodheshin dy çanta të gjermanëve të vrarë dy ditë më parë. Merr çantat dhe me shpejtësi i hedh prapa shtëpisë duke i mbuluar me borë. Kurse burrat që ishin brenda si Elmas Kondi, Xebo Mezuri, Gozho Barjami, Zybo Capo, Pasho Lloji e të tjerë dolën me shpejtësi nga shtëpia dhe u larguan në drejtim të veriut dhe u futën në pyll. Kurse Toto Capo, Asllan Capo, Abedin Lloi dhe një Niviciot Nebi Liza dolën dhe morën drejtim nga jugu. Ata u ndeshën me gjermanët dhe mbetën të vrarë. Kur hynë Gjermanët në shtëpi, nxorën fëmijë, plaka e gra i rreshtuan në oborrin e shtëpisë ku ish mbushur me borë të skuqur nga gjaku i njerëzve të vrarë. Kontrolluan shtëpitë se mos gjenin ndonjë send nga gjermanët e vrarë, por nuk gjetën.

Në Lagjen Perze

Kështu trimëria dhe guximi i Havasë shpëtoi me shumë se shtatëdhjetë fëmijë e gra, të cilët u torturuan, por nuk u pushkatuan. Gjermanët pasi grumbulluan në qendër të shtëpisë gjithë ushqimet dhe rrobat e familjeve i spërkatën me benzinë dhe u vunë zjarrin, u larguan për në drejtim të Vermikut. Kështu vepruan edhe në Vermik dhe në lagjen Manastir, duke torturuar fëmijë e gra. Kështu te shtëpia e Balil e Temo Tushit mbetën të vrarë 5 burra, prej të cilëve Hetem Toto dhe Asllan Capo dhe Abedin Lloi, të cilët janë shpallur dëshmorë të LANÇ.

Gjatë këtij operacioni Vermiku pësoi dëme të mëdha njerëzore dhe materiale. U vranë dhe u dogjën të gjallë 10 veta. Nga torturat dhe vuajtjet vdiqën mbi 5 fëmijë, u dogjën 85 shtëpi me gjithë orenditë e tyre, u dogjën 40 stalla duke qenë brenda dhe kecat, u dëmtuan qindra bagëti dhe bletë. Pra, Vermiku u dogj totalisht. Me gjithë dëmet e mëdha vermikasit nuk e humbën toruan. Ata u betuan se do të hakmerren përsëri ndaj armikut, prandaj me dhjetëra djem e vajza rrëmbyen armët dhe u inkuadruan në njësitet partizane. Në përfundim të luftës Vermiku kish 59 Partizanë e partizane dhe 67 burra e gra të inkuadruar në çetën territoriale “Vermiku”. Lufta i mori 15 dëshmorë, ndërmjet tyre një hero, të internuar në kampet e përqendrimit nga katër prej të cilëve dy nuk u kthyen, invalidë 4 veta, viktima 5 veta dhe dhjetëra fëmijë e pleq vdiqën nga torturat dhe vuajtjet e shumta pa strehë e ushqime.

Vitet ikin tutje, ato kalojnë, por ngjarjet afrohen bëhen më të freskëta dhe më të dhimbshme se kujtohen njerëzit që s’janë më sot. Në tregimet që u bëjmë nipërve dhe mbesave të brezit të parë për këto ngjarje, ata megjithëse nuk kanë lindur në Vermik thonë me krenari: “Jemi Vermikas“ se historia e Vermikut qenka e njëjtë me atë të Borovës që kemi mësuar në Histori.