Gëzim Llojdia: Ku është fshati?

Gëzim Llojdia

«Eh, bariu, shokë bariu…», shkruante Andon Zako Çajupi.

1.Mora udhën për në Nivicë, në zemër të Kurveleshit të Sipërm. Ishte një ditë qershori. Dielli kishte zënë qiellin Dhe më tej rrezet e tij binin pingul mbi lugina.Një zagushi.Makina ngjitej ngadalë në kthesat e pafundme, sikur edhe ajo të ndiente peshën e vapës.

NOA

Nga radio dëgjoja këngë të vjetra. Zërat burrërorë, të ngrohtë e të thellë, përziheshin me zhurmën e motorit.

Në të dy brigjet e Lumit të Bardhë janë ca fusha dhe në mes është një xhade. Gjelbërimi që sjell pranvera, po e mbyste vapa.Fusha në të majtë dhe në të djathtë te lumit të Bardhë, kishin kositur barërat.Tani ishte stina, që bari mblidhej nëpër livadhe dhe pastaj bëhej kavaletë. Aroma e sanës së freskët .Ajo që mbushte ajrin dhe zgjonte kujtime. Që as koha dot nuk i zbeh.Atëherë kjo stinë i zgjonte herët.

Nuk ishte vetëm e lehura e qenve azat. Por një çangë, që binte diku larg.Dhe seç mu kujtua se një stinë e tillë.Një stinë kur barinjtë qethnin pëllajat.

Aso kohe nën një tëndë lisi burrat e fermës bujqësore atje në jug,mblidheshin dhe qethin pëllajat.Graria merrej me produktin e qethur.Kurse vashat sillni ujë nga burimi me ca kotruve ngjyrë kafe.Pastaj shtrohej vakti i drekës.Kriste kënga .Barinjtë edhe pse të lodhur.Në gjithë atë vap gjerbnin raki.Pëllajat atje nën hije merxenin.Dhe kur përfundonte e gjithë kjo.Dashi përçor me një byqe i printe kopesë.Ato urata e Perëndisë ,këpusnin bisqet.Dhe pastaj mbetej një varg bardhosh ,që zgjatej e zgjatej në jug dhe në muzg. Ishte koha e verimit.Dhe duheshin rreth 10-15 ditë të mira që të mbërrinin në malësit e Ostrovicës…Duke përshkuar tokat e ish-fermës bujqësore kërkoj me sy atë pamje. Nuk dëgjoj më tingujt e këmborëve. Dhe nuk i shoh më tufat. Nuk shoh më burrat nën lis.Apo gratë që bënin punësit nga më të rëndat.Heshtja ka zënë vendin e zhurmës së jetës.

«Eh, bariu, shokë bariu…», shkruante Andon Zako Çajupi. Këto vargje më erdhën në mendje. M’u kujtua koha kur punoja në fermë. Një ditë më zuri stuhia. U strehova në një nome. Brenda mbretëronte errësira, aroma e leshit dhe e drurit të lagur. Mbi disa sharqe të nxira nga koha ishte hedhur një libër i Andon Zakos. E mora në dorë.

Andon Z. Çajupi

FYELL’ I BARIUT

Bariu, shokë, bariu,

kur gjëmon e fryn veriu,

është përjashta fatziu,

e rreh breshëri dhe shiu!

Barinë, shokë, barinë,

mos e harroni fatzine,

se lë gruan e shtëpinë

t’u kullosë bagëtinë.

kullotni, moj bagëti,

ti, ti, ti. . .

Kullotni, biro, kullotni,

kur të vdes te me kujtoni,

Ndjesë pastë! të më thoni.

Shikoni barin’ e gjore:

në diell a në dëborë,

bariu me shkop në dorë

ruan deshtë me këmborë.

Vështronje barinë mirë,

me të ngrën’ e me të pirë,

t’u marrë dhëntë pa gdhirë,

t’i kullosë me dëshirë,

të rrijë bashkë me to,

to, to, to.

Hani, moj bagëti, hani,

kur të vdes do të më qani,

për mua zi do te mbani!

Po ngjiteshim në malësit e Kurveleshit.Dhe po udhëtoja edhe nëpër kohë.Arritëm në Buronja në kërkim të atij fshati të dikurshëm, plot zëra, këngë, kope dhe njerëz. Përreth shihja male, gurë, lisa dhe shtigje që njihnin ende gjurmët e brezave të tërë. Por diçka mungonte. Mungonin njerëzia. Mungonte zëri i jetës.

Dhe pa e kuptuar, pyetja që i jep kuptim gjithë këtij udhëtimi më doli vetvetiu nga zemra:

Ku është fshati?Ai nuk është zhdukur nga harta, por nga kujtesa jonë? Dhe shtëpi janë ato që më duken atje tej apo më bëjnë sytë.Po shtëpitë janë ende aty, por kanë mbetur pa zëra, pa tym oxhakësh, pa fëmijë, pa kope bagëtish dhe pa këngë?Ndoshta fshati jeton ende. Jo në gurët e tij, por në kujtimet e atyre që e deshën e punuan dhe e mbushën dikur me jetë.

2.Makina ngjitej ngadalë. Udha kishte kthesa të shumta. Ndërsa malet, të heshtura e hijerënda, ngriheshin në të dy anët e rrugës, kapërcyem Qafën e Dushkut. Ikëm më tutje. Kisha një parandjenjë. Mendoja se në atë udhë malore do të hasnim, patjetër, tufa bagëtish. Besoja se po shkonin në verim, do të ngjiteshin lart në male, atje ku bari ishte në majën e gjelbërimit, ku frynte veriu dhe juga të shpupuriste flokët.E kisha bërë shpesh këtë udhë. Në këto anë, dikur, mezi gjeje një copë rrugë të lirë. Delet, dhitë, lopët e kuajt e mbushnin peizazhin. Këmborët kumbonin nga njëra luginë në tjetrën dhe çobanët, me shkopin në dorë, u prinin tufave drejt kullotave. Kapërcyem edhe Qafën e Tavës. Rruga vazhdonte e zbrazët. Asnjë tufë. Asnjë këmborë. Asnjë çoban. Vetëm era që frynte lehtë dhe zhurma monotone e motorit. Ishte ende mëngjes. -Na vër një këngë për çobanët, – i thashë. Me siguri YouTube është plot me to.Pas pak makina u mbush me tingujt e këngëve labe. Në ekran shfaqeshin këngëtarë e valltarë me kostume popullore, që kërcenin rreth e qark. Dikur këto këngë nuk këndoheshin në skena. Ato lindnin në livadhe, pranë burimeve, në stanet e verës.U këndoheshin barinjve, tufave që shkonin për të pirë ujë në krua, vajzave të reja që mbushnin shtambat dhe ecnin kokulur, duke murmuritur ndonjë melodi. Më erdhën ndër mend vargjet e Naimit:

“Do të këndoj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,

O vendëthit e bekuar, ju mendjen ma dëfreni…”

Dy vargje që mbajnë brenda gjithë shpirtin e Shqipërisë baritore.

Brenda makinës gjallëronte kënga e bukur baritore. Mirëpo, jashtë dritares mbretëronte një heshtje e pazakontë.

Kaluan Gjormi, Lepenica e më pas Brataj. Kilometër pas kilometri kërkonim me sy ndonjë tufë bagëtish, ndonjë çoban, qoftë edhe një stan të ngritur buzë malit. Dhe asgjë.

…Ndoshta janë ngjitur më lart në kullota, – thashë. Kur bie vapa, zakonisht strehohen në hije.Pimë një kafe buzë udhës dhe i pyetëm:

-Ore, si ka mundësi, që nuk hasëm në rrugë asnjë tufë mos janë ngjtur sipër në male?

– Jo, mik. Nuk janë në male.

– Po ku janë?

– Kanë ikur…

-Si kanë ikur?

-Kanë marrë rrugën e kurbetit.

Bashkë me njerëzinë kanë ikur edhe tufat.Ikën barinjtë ruajnë dhëntë e dhitë e Greqisë.

-Çudi, thashë. Kemi bërë afro 60 km kilometra rrugë dhe nuk pamë asnjë tufë bagëtish, asnjë çoban.

-Prandaj e paske marrë aparatin fotografik…

– Mos u lodh kot. Tufa nuk ka më. Çobanë nuk ka më. Kanë ikur.

– Po ky vend ka jetuar me blegtori…

-Ka jetuar. E gjithë kjo krahinë mbahej me bagëti.Sot mali është atje ku ishte.Por bagëti nuk mbanë më, në supet e tij. Edhe njerëzit janë rralluar. Ka ditë të tëra që numëron vetëm katër a pesë makina. Heshtja është bërë banori më i vjetër i këtyre anëve.Fjalët e atij njeriu buzë udhe më tingëlluan më të rënda se vetë shkëmbinjtë.

3.Kur dolëm në Buronjë dhe morëm rrugën për në Gusmar, frenova papritur. Udhën ma kishte zënë një tufë dhish. Të bardha, të zeza, të përziera, ato lëviznin qetësisht mbi asfalt.

-Dre, po lëvizni! – u foli çobani.

Po ku dëgjonin ato! Çobani na pa me një buzëqeshje që dukej sikur thoshte:

“S’ke ç’bën, dhi të zgjebosura, bishtin përpjetë.”

Janë në sfilatë mode, -shtoi çobani.

-Dre ju hëngërt ujku po lëvizni moj të uruara se po pret ai zotëria…

-Me kë llafosesh or mik?

-Me kë tjetër ja me ato gjithë dita ky muhabet është…Po ato janë si zonja të rënda…

Nxora menjëherë aparatin fotografik. Ishte një fotografi e rrallë. Jo sepse tufa ishte e madhe. Përkundrazi. Ajo ishte e vetmja tufë, ose ndër të paktat, që kishim parë gjatë gjithë udhëtimit. Dhe atë çast kuptova se nuk po fotografoja vetëm disa dhi dhe një bari. Po fotografoja një copëz historie që po shuhej dalëngadalë në Labëri. Kjo krahinë, për shekuj me radhë, u njoh për blegtorinë, stanet dhe çobanët e saj. Mirëpo sot ajo po lufton të ruajë gjurmët e një tradite që dikur ishte vetë jeta e këtyre maleve. Ishte një copëz e gjallë e Kurveleshit që ende i rezistonte kohës.Dhe pikërisht kjo është drama më e madhe e këtyre maleve. Jo, atij mali nuk i mungon bari. Nuk i mungon as uji. Atij po i mungon njeriu. Pa bariun, mali mbetet vetëm një peizazh i bukur. Me bariun, ai është jetë.