Rëfimet e Vehbi Furxhiu: Dutka gruaja më e bukur e Korçës dhe më e përvuajtura

Rrëfyer nga Vehbi Furxhiu, publicist dhe botues i gazetës Korça

Shkruar nga Vepror Hasani

NOA

Edhe sot shumëkush tregon se pas viteve 1944 në varret e qytetit të Korçës dëgjohej herë pas herë një vajtim gruaje. Ata që njihnin historinë e Dudkës, mendonin se ishin vajtimet e saj. Edhe pse e vdekur ajo ndjente se diçka e keqe po ndodhte me fëmijët e vet. Kishte shpresuar shumë te një Shqipëri e lirë, dhe te të gjithë ata që ishin përpjekur për një jetë më të mirë, por tashmë gjithë patriotët po nëpërkëmbeshin, burgoseshin dhe internoheshin. Po ndodhte ajo që Hafiz Ali Korça kishte shkruar në vitin 1927. Edhe e vdekur ndjente se diçka e keqe e kishte zaptuar vendin e saj. Askush nuk kujtohej më për Fan Nolin, miqtë e tij dhe njerëzit e ndershëm. Dudka kishte lindur për t’i dhënë dashuri kësaj bote. Edhe sot e kësaj dite në varret e Korçës ngjan sikur dëgjohet rrënkimi i saj.

Dudka

Ajo e kishte emrin Mamudi, por të gjithë e thërrisnin Dudka. Ishte vajza me e bukur e Korçës, një bukuri e tillë si ajo nuk kishte për të zbritur më në rrugët e kalladrëmta të qytetit. Ishte hyjneshë e zbritur nga qielli. Për të linin mendjen myslimanë e të krishterë. Trokitjet e nallaneve të saj çmendnin Korçën e tërë. Ishte kjo arsyeja që të gjithë e thërrisnin me përkëdheli “Dudka”. Askush nuk e dinte kush do të kishte fatin të ishte princ i saj. Gjithkush prej të pamartuarve kishte vetëm një dëshirë: të martohej me të, pa le të vdiste! Dudka rridhte nga familja Gjizma, nga më të vjetrat e Korçës. Djemtë e tregtarëve të mëdhenjë të qytetit bënin çdo lloj përpjekje për t’u afruar me të, por ajo çuditërisht dukej e paarritshme për cilindo. Zjarri i beqarëve ndizej edhe më tepër. Ishte njësoj sikur të thoshe: “Shih me sy e plas me zemër”. Dudka ishte mjeke popullore e talentuar, Këtë dhunti e kishte të trashëguar nga gjyshja. Prekja e duarve të saj e largonte dhimbjen si me magji. Kishte shpëtuar nga vdekja njerëz të sëmurë që kishin zënë shtratin e nuk shpresonin t’i riktheheshin më jetës. Tashmë të sëmurë ishin gjithë beqarët. Për cilin do të bëhej ilaç ajo? Në derën e shtëpisë së saj trokisnin vazhdimisht njerëz të pasur, tregëtarë me emër, myslimanë e të krishterë. Të gjithë kërkonin dorën e saj për djemtë e tyre. por deri atëherë babai i vajzës nuk ia kishte dhënë fjalën askujt. Ëndrra e Dudkës paskësh qenë një nga djemtë e familjes së Tabakëve, Shaqir bej Tabaku. “Ata janë jo vetëm të pasur, – kishte thënë ajo, – por edhe me shkollë, pasurinë e prishin për Shqipërinë; kështu ka bërë edhe stërgjyshi dhe gjyshi im”.

Vehbi Furxhi, rrëfën

Krushqia rriti miqësinë mes dy familjeve më të vjetra të Korçës. Tabakët kishin patur gjithnjë dëshirën për miqësi me familjen Gjizma, por edhe Gjizmat e dëshironte afrimin me Tabakët. Martesa e Dudkës i lidhi përjetësisht dy familjet e mëdha. Miqësia u dha krahë të ndihmonin më shumë Shqipërinë, vendi kishte nevojë për familjet e mëdha. Martesa u bë në vitin 1881, Shaqir bej Tabaku ishte vetëm 20 vjeç, dasma e çiftit mbeti e paharruar, edhe sot mbahet mend si një nga dasmat më të mëdha të Korçës. Ditën e dasmës nuk mbeti njeri pa hyrë në familjen e Tabakëve, urimi i të gjithëve ishte: “Shaban, djali të të trashëgohet dhe u bëftë me një rreth fëmijë!” Dhe ashtu ndodhi vërtet, Shaqir bej Tabaku dhe Dudka patën 7 fëmijë; katër djem dhe tri vajza. Shpresonin të ishin gjithnjë të lumtur, dhe ashtu si prindërit e tyre, të ndihmonin Shqipërinë. Nuk u shkoi kurrë nëpër mend se mund të vinte një ditë që mund të përballeshin me shkatërrimin, burgosje dhe internime. Dasma e çiftit vazhdoi deri në mëngjes, njerëzit po largoheshin me fjalët “Çiftit jetë të lumtur!”

Më shumë se pasurinë vlerësonin arsimin

Dudka ishte e kënaqur me djalin që kishte përzgjedhur. Më shumë se pasuria asaj i pëlqente shkollimi, në fisin e saj kishte patur gjithnjë njerëz të arsimuar. Edhe Shaqir bej Tabaku, bashkëshorti i saj, kishte përfunduar shkëlqyeshëm gjimnazin turko- francez të Manastirit dhe fliste disa gjuhë të huaja. Dudka e dinte këtë. Çdo vit priste që biri i Shaban bej Tabakut të kthehej nga Manastiri. Ajo e dinte me saktësi kur përfundonte viti shkollor dhe ditën kur kthehej i adhuruari i saj. Për Dudkën, Shaqiri ishte djali më i mirë i Korçës. Të gjitha këto i tregonte kur ishte e martuar. Edhe babai i Shaqirit, Shaban bej Tabaku, ishte njeri arsimdashës. Gjithnjë kishte ëndërruar që biri i tij të shkollohej dhe më në fund ia kishte mbërritur qëllimit. “Më shumë se pasuria, duhet shkolla”, – thoshte Shaban bej Tabaku. Fisi i Tabakve rridhte nga familjet më të vjetra dhe të pasura të Korçës. Tabakët që nga gjysh-stërgjyshi ishin marrë me prodhimin dhe tregtimin e lëkurës e të shollës. E tregtonin në Greqi, Maqedoni dhe vende të tjera, kurse një pjesë të mirë të mallit e shisnin në vend. Familja e Tabakve ishte në ortakëri me familjen e Vani Çevos, një nga prodhuesit e mëdhenj të lëkurës. Myslimanë dhe të krishterë punonin bashkë, madje thuhet se hanin bukë me një lugë dhe pinin ujë në të njëjtën gotë. Pasuria e tyre shtohej vit pas viti. Tabakët njiheshin edhe për patriotizmin e tyre. Ashtu si Shaban bej Tabaku edhe biri i tij, Shaqiri, kishte nisur të ëndërronte për një Shqipëri ndryshe që të kishte shkollën dhe gjuhën shqipe. Gjatë kohës që studionte në Manastir ishte njohur me Halil Bërzeshtën, Jashar Bitinckën dhe shumë të tjerë; me ta mbeti mik i përhershëm.

Shkolla shqipe

Edhe pse kishin kaluar disa vjet nga martesa e tyre, Shaqiri dhe Dudka vazhdonin të mbeteshin çifti më i adhuruar i qytetit të Korçës; ishin gjithnjë të dashuruar. Dudka gjatë gjithë kohës vazhdonte të mbetej shtatzënë. Nga kjo martesë lindën katër djem: Hasani, Arifi, Seiti, Refati dhe tri vajza. Deri atë çast askush nuk e dinte se jeta e fëmijve të Tabakëve do të ishte më e tmerrshme se skëterra; i priste një fat i keq. Dudka ëndërronte që edhe në Korçë të kishte një shkollë në gjuhën shqipe, të njëjtën ëndërr kishte edhe Shaqir bej Tabaku. “Do të ishte mirë, – që fëmijët të mësonin këtu dhe të mësonin shqip, do të shpenzoja gjithë floririn, – i thoshte ajo të shoqit, – vetëm të kishim shkollën tonë.” E mbështeste bashkëshortin në çdo iniciativë të tij. Shaqir bej Tabaku pas përfundimit të gjimnazit turko-francez në Manastir nisi të bënte gjithçka mundte për gjuhën shqipe. Përveç takimeve me Halil Bërzeshtën dhe Jashar Bitinckën në familjen e Tabakve kishte filluar të hynin Orhan Pojani, Vani Cico Kosturi, Thimi Marko e njerëz të tjerë të rëndësishëm. Ata ishin ndër veprimtarët e parë të gjuhës shqipe. Më në fund, më 8 mars 1887 u çel Mësonjtorja e parë Shqipe. Më pas, në mësonjëtoren e parë punoi si mësues edhe kushëriri i parë i Dudkës, Afiz Ali Korça. Dudka nuk përmbahej nga gëzimi.

Festuan çeljen e mësonjëtores

Më të vjetrit tregojnë se ditën e çeljes së mësonjtores, në lagjen e Tabakve u festua gjithë ditën. Kishte ardhur aty dhe familja Gjizma e Dudkës, ortaku, Vani Çevo dhe shumë familje të tjera. Tabakët porositën orkestër në Leskovik dhe Manastir. Tabakët dhe Mytevelinjtë ishin lagjet më të njohura të Korçës. Atë dtë festoi gjithë Korça, Dudka dukej edhe më e bukur se çdo herë tjetër. Nuk reshti asnjë çast për të qirasur mysafirët. Një vit më pas, bashkëshorti i saj, i aktivizuar prej kohësh me Rilindjen, u zgjodh anëtar i Këshillit të Mësimit Shqip. Dudka gjithnjë kishte shpresuar te zotësia e bashkëshortit të saj. Shpresonte edhe atëherë kur refuzonte dorën e kërkuar nga familjet e mëdha myslimane dhe të krishtera, sepse priste trokitjen e familjes së Tabakëve. “Tashmë ndihem mëse e kënaqur” – thoshte Dudka. E ardhmja dukej sikur do të ishte edhe më e mirë për të dhe familjen e saj.

Arrestimi i Shaqir bej Tabakut

Shaqir bej Tabaku bëri gjithçka mundi për gjuhën shqipe, por përkushtimi i tij ra në sy të Patriarkanës së Stambollit dhe Portës së Lartë. Në vitin 1902 e arrestuan në mesnatë dhe mes errësirës e morën me vete pa thënë asgjë se ku po e çonin. Ditë më pas u mor vesh se Shaqir bej Tabaku kishte përfunduar në Manastir në burgjet e Anadollit. Qëndroi atje për tre vjet me radhë. Ndoshta nuk do të kishte dalë kurrë prej andej, nëse nuk do të ishin përpjekur patriotët shqiptarë. U kthye në Korçë në vitin 1905. Për tre vjet me radhë, Dudka nuk doli nga shtëpia, qëndroi me fëmijët e vet duke iu lutur Zotit që burri i saj të kthehej shëndoshë e mirë. Për tre vjet edhe ajo qëndroi mbyllur si i shoqi. Në rrugët e Korçës e panë vetëm ditën kur Shaqir beu u kthye nga burgjet e Manastirit. Dolën bashkë, ashtu siç dilnin pas martesës. Lumturia e tyre ishte rikthyer. Dudka përsëri i kërkoi të shoqit të vazhdonte me gjuhën shqipe. “Përkrahja ime nuk do të mungojë kurrë” – i thoshte ajo. Fati i familjes Tabaku mbeti i lidhur me fatin e Shqipërisë. Në vitin 1908, Shaqir bej Tabaku, u zgjodh anëtar i Kryesisë së shoqërisë “Përparimi”, e cila synonte hapjen e shkollave shqipe në rajonin e Korçës. Gjatë kësaj kohe u çel shkolla e Radanecit, e Dvoranit, e Qatromit, e Ravonikut dhe disa shkolla të tjera. Në vitin 1912 tabakët festuan përsëri, kësaj radhe festohej Pavarësia e Shqipërisë. Shaqir bej Tabaku përshëndeti aktin e shumëpritur të ngritjes së flamurit në Vlorë. Tashmë shpresat ishin të mëdha.

Fan Noli kërkoi ndihmën e Tabakëve

Që nga viti 1912 kaluan katër vite të tjera. Korça u shpall Krahinë Autonome. Shaqir beu u zgjodh anëtar i Kryesisë prej 17 vetash. Roli i tij qe i rëndësishëm sepse ishte njohës i mirë i gjuhës frënge dhe mik i ngushtë i gjeneralit francez, De Kuen. Krahina Autonome e Korçës nuk zgjati shumë, por i mbështetur gjithnjë nga Dudka, Shaqir Tabaku vijoji rrugën patriotike. Në vitin 1923, në familjen e Tabakve mbërriti Fan Noli, hyri në shtëpinë e Shaban bej Shaqirit për një gotë raki dhe për të kërkuar përkrahjen e tyre. Tabakët e siguruan Nolin se do të ishin me të. Në familjen e Tabakëve erdhën edhe njerëzit e Afiz Ali Korçës, ky i fundit që nga viti 1920, kishte qenë kryetar i Komunitetit Mysliman për gjithë Shqipërinë, kishte dhënë shumë për tolerancën fetare, respektohej nga myslimanët dhe të krishterët. Brez pas brezi kishin shpresuar për një Shqipëri të lirë, ndoshta tashmë po gjendeshin pranë saj. Ajo ditë mbeti e paharruar edhe për hyjneshën e zbritur nga qielli që mbante emrin Dudkë. Ashtu si ajo që shëronte njerëzit me mjekime popullore edhe Noli iu duk si shëronjës i madh i Shqipërisë. Vitet kaluan shpejt, më 1927 Shaqir beu vdiq. Dudka nuk e përballoi dot dhimbjen, s’kaloi shumë kohë, vdiq edhe ajo. Ashtu si Shaqir Tabaku edhe Dudka u përcollën në banesen e fundit nga e gjithë Korça. Pas lanë 7 fëmijë, shumë nipër dhe mbesa.

Rrënimi i familjes Tabaku

Me fillimin e Luftës Nacionalçlirimtare 10 nipër dhe mbesa të Shaqir bej Tabakut luftuan për lirinë e vendit, por fatkeqësitë që përjetuan ishin të mëdha. Sabaedin Tabaku vdiq nga torturat e gjermanëve. Të zhgënjyer mbetën edhe nga ata që erdhën në pushtet: Refati, djali i Shaqir bej Tabakut u dënua dy herë radhazi: herën e parë sepse, sipas komunistëve, Tabakët nuk tregonin floririn që kishin fshehur, kurse herën e dytë për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor; vdiq në burgun e Laçit, as sot nuk dihet ku janë eshtrat e tij, la pas tri vajza jetime. Por e keqja nuk përfundoi këtu: djali i vajzës së Shaqir bej Tabakut, u pushkatua pa gjyq në vitin 1943, u akuzua për pikëpamje perëndimore dhe qendrim antibolshevik. Hakmarrja përfshiu edhe fisin e Dudkës: Hafëz Ali Korça, njeriu i disa shoqërive patriotike, autori i 23 botimeve letrare dhe shkencore, u burgos dhe u internua; vdiq në internim në qytetin e Kavajës në vitin 1957, u dënua sepse në vitin 1927 kishte dalë kundër bolshevizmit; sot është qytetar nderi i qytetit të Kavajës. Edhe dhëndri i Shaqir bej Tabakut, bashkëshorti i Cetka Tabakut, u burgos si shumë tabakë të tjerë. Që nga viti 1944, pasuria e tyre, floriri, banesat e gjithçka tjetër u sekuestrua. Megjithatë, fisi Tabaku la pas një sërë intelektualësh: Belul efendi Korçën, Nexhip Thëllimin, Idajet Thellimi, Osman Thëllimin, Muamer Liço Panaritin, Xhevat Korçën, por edhe jeta e tyre pati peripeci të shumtat, kështu e përfundoi tregimin e tij të trishtuar, dhe publicisti i njohur, Vehbi Furxhiu

Mbyllje

Çifti Tabaku, nuk arriti t’i shihte tmerret e komunistëve, nuk i panë burgosjet e fëmijve të tyre, por edhe të mbesave dhe të nipërve. Nuk i panë sekuestrimet dhe grabitjen e floririt, pasuri që e kishin vënë që nga gjysh-stërgjyshi. Megjithatë shumë kush në Korçë tregon se pas viteve 1944 në varret e qytetit të Korçës vazhdimisht dëgjohej një vajtim gruaje. Ata që kishin dëgjuar historinë e Dudkës, mendonin se ishin rënkimet e saj. Edhe pse e vdekur ajo ndjente atë çka po ndodhte me fëmijët e saj dhe me njerëzit me të cilët ishte rritur. Kishte shpresuar shumë te një Shqipëri e lirë, dhe te të gjithë ata që ishin përpjekur për të, por tashmë gjithë patriotët po arrestoheshin, burgoseshin dhe internoheshin. Këtë fat pati dhe fisi Tabaku. Edhe e vdekur ajo ndjente se diçka e keqe e kishte zaptuar vendin e saj. Po ndodhte ajo që kishte shkruar në vitin 1927 Hafëz Ali Korça për bolshevizmin. Ndaj edhe pse të vdekur ndjenin çfarë ndodhte me pasardhësit e tyre, ndaj here pas herë në varrezat e Korçës degjohej një vajtim i dhimbshëm, thoshin se ai vajtim ishte i Dudkës.

Kush është Vehbi Furxhiu

Vehbi Furxhi u lind në qytetin e Korçës në një familje nga më të vjetrat e këtij qyteti. Babai i tij ka qenë mësues, gjyshi patriot dhe mik i Fan Nolit, pjesë e parisë së Korçës.Vehbi Furxhi përfundoi studimet Në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Kursin pasuniversitar për Filozofi. Ka punuar si mësues, drejtor shkolle, drejtor i Pallatit të Kulturës Korçë, shef Arsimi-Kulturës dhe Sportit për Korçën dhe Devollin, Drejtor i Radio Korça. Në korrik të vitit 1989 botoi në revistën Hosteni Nr.13, në 2 faqe tregimin satiriko-humoristik me titull: “Tre refenjza të VËRTETA” . Mbas botimit të këtij tregimi i cili pati një jehone të madhe, për botuesin e saj u morën masa të rrepta nga pushteti i asaj kohe. Vehbi Furxhiu është i njohur si publicist. Ështe Zv/kryetar i Përgjithshem i Lëvizjes Shqiptare për Mirkuptim e Paqe dhe Kryetar i Kësaj Shoqate për Prefekturën e Korçës. Ka përfaqësuar Shqipërine në 2 kongrese të paqes në Athinë dhe Selenik. Që nga dhjetori 1992 e deri më sot boton pa ndërprerje Gazetën e Pavarur “Korça”. Si publicist ai ka shkruar e shkruan në shtypin qendor, përveç shkrimeve në gazetën “Korça”.