Vladimir Dino: Historia e Kalasë së Korçës dhe vetqeverimi Shqiptarë  

735
Sigal

Dokumenti më i vjetër, që flet për qendrën e banuar me emrin Gjorica, është Regjistri turk i vitit 1431 – 1432

“ Vetqeverimi Shqiptar” i Korçës, i quajtur më vonë “ Republika Shqiptare”.

Të gjithë studiuesit e historisë së themelimit të qytetit të Korçës, ku banojmë ne sot, bien dakort që si fillesë e tij ka qenë fshati Peskopje- Peshkëpi, i cili varej nga një qendër tjetër urbane me emrin Gorica: italisht CORIZA, greqisht KORYTSA, turqisht GJORICA. Dokumenti më i vjetër, që flet për qendrën e banuar me emrin Gjorica, është Regjistri turk i vitit 1431 – 1432, i Korçës dhe i Përmetit, i hartuar pas pushtimit turk të Shqipërisë Jugëlindore dhe krijimit të Sanxhakut Arvanitas. Në këtë regjistër Korça na paraqitet si  “Vilajet”, pra si qendër krahine:

           “ Vilajeti i Korçës ”sipas regjistrave.

  • I kaloi Pasvanit (vdiq) të qytetit ( varoshit, shehrit – përkthyesi) me datë andej nga fillimi i Xhemadil – ulasë, në Edrene. Uvendos.
  • I kaloi Ud – Ogllani – Kasemit: me datë andej nga fillimi i dil – kaadese viti 845, në Edrene.
  • I kaloi Silshdar Mustafait; me datë andej nga mbarimi i Xhumadil – ulasë, viti 846, në qytetin e Edrenese.
  • I kaloi Kasëm Beut, vëllait të Daut beut; më datë andej nga mesi i shevvalit, viti 852,

Haset në zotërim të Subashit të Korçës – mevkuf – xhebelinj 7, çadëre 1, veshje metalike – tenktur 1. Fshati Mborje  (në tekst: Emborje ) – Taksa e tregut bashkë me nijabetin 5500 /akce/; shtëpi 70 beqare 4, vejushe 10. Të ardhurat gjithsejt: 10045. Vetë Korça, të pafetë që banojnë brënda në kështjellë: shtëpi 26, të veja 5, beqare 3. Të ardhurat 1695.’’Në këtë regjistër kemi krahinën e Korçës të kthyer në Vilajet dhe “Vetë  Korça” na paraqitet si kala e banuar me 26 shtëpi. Dhe duket fortifikimi ishte arsyeja që, siç do ta shohim më poshtë,  në këtë kala u vendos administrata turke për Vilajetin e Korçës, Subashi,  Dizdari, Myhtesibi,  Kadiu etj. Sipas regjistrit “Vetë Korça” dhe Mborja janë prona has të subashit të Korçës. Turqit  nuk e ndërtuan vetë këtë objekt të fortifikuar, por e gjetën të ndërtuar kalanë, gjë që vërtetohet nga fakti se banorët e saj ishin të krishterë. Turqit nuk mund të ndërtonin vetë një kala  dhe pastaj ta popullonin me “ të pafetë’’, d.m.th. me të krishterët.

Deri më sot nuk njohim ndonjë dokument të shkruar që të na njohë me kohën e ndërtimit të kalasë dhe me ndërtuesin e saj. Duke u mbështetur në dokumentat e kohës për të cilën po flasim, ne shohim se qëndra e banuar me emrin Gjorica, që paraqitet si kala e banuar, është shumë më e vjetër se ardhja e turqve në Krahinën e Korçës, pra shumë më e vjetër se viti 1431-1432 kur u regjistrua për herë të parë në dokumentat turke. Vetë emri sllav i saj, Gorica,  (turqizuar në Gjorica) tregon se ajo ka një histori ekzistence që në kohën kur në krahinën e Korçës sundonin sllavët, fiset bullgare. Ndërtimi prej tyre në vitin 898 i Kishës së Shën  Ristozit në Mborje është tregues i sundimit të krahinës së Korçës prej tyre, të paktën që nga shek.IX – X.

Por dokumenti që vërteton ekzistencën e kësaj qëndre të banuar urbane me emrin Gorica, shumë kohë para ardhjes së turqve në këtë zonë, është e dhëna që na vjen nga “MEMORJA’’ e Gjon Muzakës që u shkrua në vitin 1510 dhe u zbulua për herë të parë nga historiani i shquar gjerman Karl Hopf ( 1832 – 1873) në bibliotekën Brankaciane të Napolit më 1863. Autori Gjon Muzaka është i biri i fisnikut shqiptar Gjin Muzaka, zot i  Myzeqesë, Selenicës së Vlorës, Tomoricës, Skraparit, Oparit, Devollit, Korçës dhe Kosturit deri në Janinë. Gjon Muzaka luftoi përkrah Skënderbeut deri në fund të Epokës Skënderbejane dhe është ndër princat shqiptarë që largohet i fundit nga Shqipëria, më 1479, pas rënies së Shkodrës në duar të turqve.

“ MEMORJA” me titull “ Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve” shkruar nga Zot Gjon Muzaka, Despot i Epirit më 1510: u shkrua për t’u treguar djemve të tij të drejtat që kishin për  pronat në Shqipëri, në kushtet kur po pregatitej një kryqëzatë antiosmane, e cila ngjalli shpresa për rikthimin e princave shqiptarë në atdhe. Duke u treguar djemve të tij pronat që zotëronin në Shqipëri që nga parardhësi i tyre, krijuesi i principatës së Muzakajve, Andrea Muzaka, Sebastokrator në vitin 1281, Gjon Muzaka shkruan: “ Gjithashtu zotëroi dhe sundoi qytetin e Korçës ( në origjinal Corizza) deri në fshatin e quajtur Savojan…..’’.

Në origjinalin italisht  është: “E piu possedi e signoriggio la citta de Corizza per inssino alla villa nomine Savoiana…..).

Të njëjtën gjë përsërit më poshtë në “Memorje’’ kur ndan pronat e familjes princore Muzaka në të tre djemtë e tij, Teodorit, Adrianit dhe Kostandinit: “Ty, Don Adriani po të lë …….edhe vendet e Devollit të madh ( kështu quhej fusha e Korçës në mesjetë) me qytetin e Korçës dhe katundin Sovjan”. Në origjinal është: “ A voi Don Andriano… et anco le lasso il paese de Devoli maggiore con la citta de Corizza et casal de Savoiana”. Këtu del shumë qartë, se në shek XIII, kur krahina e Korçës (Devolli i Madh) sundohej nga familja princore Muzaka, ekzistonte një  qytet me emrin sllav Gorica, i shkruar në gjuhën italiane nga Gjon Muzaka në “MEMORJA” me emrin “ la citta de Corizza”, qytet, emri i të cilit pas pushtimit turk u turqizua në Gjorica. Por edhe ky dokument, që e çon ekzistencën e qytetit Gorica deri në shek.XIII, nuk na jep asnjë të dhënë për “ vendndodhjen” e këtij  qyteti – kala të regjistruar nga turqit në regjstrin e vitit 1431 – 1432 dhe të përmëndur nga Gjon Muzaka në

“ MEMORJA” se ekzistonte që nga shek. XIII.

Vendndodhja e kalasë së Korçës është një enigmë që i ka ndarë studjuesit e historisë së  Korçës në dy grupe. Duke parashtruar më poshtë mendimet dhe argumentet e sejcilit grup dhe duke i ballafaquar këto mendime dhe argumente me dokumentacionin e kohës, do të përpiqemi ta zgjidhim këtë enigmë, se ku ka qënë vendndodhja e kalasë së Korçës, e regjistruar nga turqit në vitin 1431 – 1432 si kala e banuar  nga “ të pafetë”. Një grup studjuesish e caktojnë vendndodhjen e kalasë së Korçës, të regjistruar nga turqit në vitin 1431 – 1432, si një kala të banuar me 26 familje, në fushë, në mes të qytetit të Korçës së sotme, në zonën ku ndodhet shtëpia ku në 10 Dhjetor 1916 u ngrit flamuri shqiptar dhe u shpall

“ Vetqeverimi Shqiptar” i Korçës, i quajtur më vonë “ Republika Shqiptare”.

Më të shquarit në këtë grup janë P. Thomo, P.Lera, A.Gjata dhe në disa raste edhe P.Pepo. Këta studjues, bashkë edhe me të tjerë, në  shkrimet e tyre për historinë e Korçës, veçanërisht për themelimin  e qytetit ku banojmë ne sot, shprehin pothuajse të njëjtin mendim për vendndodhjen e Kalasë së Korçës, që ajo ka qënë vendosur në fushë, në mes të qytetit ku banojmë ne sot.

P.Thomo në librin e tij , libri më i mirë i shkruar për qytetin e Korçës, botim i Akademisë së  Shkencave, “ Korça Urbanistika dhe Arkitektura” me disa botime, botimi i tretë doli kohët e fundit, në kapitullin II, pika 1, f 32, “Bërthamat e vjetra të qytetit”, shkruan:

“ Vendndodhja e kalasë mesjetare të Korçës mund të përcaktohet brënda teritorit të kufizuar nga lumi (sot shetitorja F.S.Noli) rruga “6 Deshmorët”, Shetitorja e Shën Gjergjit dhe rruga që të çon  në Pazar”.

Arkeologu P.Lera në shkrimin “ MBI EKZISTENCËN E KALASË SE KORÇËS” botuar  në  revistën “ TEMPULLI ” shkruan:  “ Të moshuarit e qytetit tonë të dy anët e bulevardit “ Themistokli Gërmënji” i thërasin me emrin “ kalaja’’, “ lagja e kalasë” ose “ sheshi i kalasë”. Këto toponime që ruhen në gojën e popullit,  janë sinjale që evokojnë praninë  e një ndërtimi  fortifikues.”  Edhe studjuesi A.Gjata në shkrimet e tij, shoqëruar edhe me një skicë amatore,  në këtë zonë e  vendos  Kalanë e Korçës: “ Vendosja e kësaj kalaje mesjetare mund të përcaktohet e shtrirë në lagjen kala, sic quhej deri në fillim të shek.XX, e kufizuar nga Bulevardi “ Shën Gjergji”, ish lumi dhe Hotel Turizmi  “ Grand”.   Edhe  në  një shkrim tjetër A.Gjata thotë  të njëjtën gjë  për vendndodhjen e  kalasë   “…….atje ku sot është banka, fillonte të ngrihej impozant manastiri i lashtë tip kështjelle i Shën Mërisë, e përballë tij atje ku sot është hotel Turizmi, fillonte të shtrihej kalaja e Korçës me portën përballë manastirit dhe me çezmat plot me ujë të quajtura deri vonë “ Çezmat e portës së kalasë”.  Në krah të kalasë ngrihej kisha e Shën Gjergjit……”. Përveç këtij argumenti toponomastik, për vendndodhjen në këtë zonë të kalasë së Korçës, P.Lera dhe A.Gjata kanë edhe një argument tjetër të fortë! Zbulimin në këtë zonë, në vitet 1923 dhe 2000 të disa themelE të vjetra, që janë konsideruar prej tyre si “themelet e kalasë së Korçës”. Për këtë “ argument” të  dytë P.Lera shkruan: “ Gati 70 vjet më parë kur u ndërtuan godinat që janë sot mbi shtëpinë e Sugarëve, atje ku u ngrit flamuri i “Republikës së Korçës”, gjatë punimeve për hapjen e themelive u zbulua një mur i vjetër (viti 1923). Simbas vrojtuesve amatorë, ky mur ishte ndërtuar me gurë të zinj të dimensioneve mesatare të lidhur me llaç gëlqereje. Gurët e murit nuk ishin të thyer, por të rrumbullakosur, ç’ka tregon se për ndërtimin e tij janë shfrytëzuar gurët e lumit të Korçës, që kalonte aty pranë. Muri kishte këto përmasa: i gjerë 1.8 – 2m, i gjatë 4m dhe zgjatohej nga perëndimi në lindje. Nuk ka më shumë se tre muaj ( viti 2000) dhe përsëri prej çeljes së themelive të  një ndërtese të re që po ngrihet në kopshtin e shtëpisë së Sugarëve ndërtuesit zbuluan përsëri në kufi të anës së brendëshme të trotuarit një trakt muri rreth 9m të gjatë dhe 2.5m të lartë të ndërtuar me gurë të zinj të rrumbullakuar dhe që zgjatej në drejtimin lindje – perëndim. Teknika e murit dhe përmasat e tij flasin për një ndërtim fortifikues dhe jo për një ndërtim të thjeshtë”.

Dhe me këto të dhëna P.Lera arrin në konkluzionin se:  “…këto trakte muresh përfaqësojnë mbetjet e murit rrethues të kalasë” (Tempulli 2). A.Gjata duke folur për vendndodhjen e Kalasë së Korçës e thekson edhe ai zbulimin e këtyre mureve: “Objekti më i rëndësishëm dhe zanafilla e qytetit të Korçës në truallin e sotëm ka qënë  kalaja, të cilën e përmëndëm në dokumentat e shkruara më sipër. Nga ky objekt nuk ka mbetur asnjë gjurmë e dukëshme, të paktën që nga shekulli XVIII. Fragmente muresh janë zbuluar gjatë ndërtimeve të këtij shekulli, si në shtëpinë e Sugarëve, Hotel Pallasi 1927, Hotel Turizmi dhe së fundi në objektin e Bazeve mbi hotel Turizmin.”(Tempulli 2). Por P.Lera e pranon vetë se këto fragmente muresh nuk janë studiuar nga specialistët: “…Me keqardhje vemë në dukje, ndonëse ishte mundësia për ta dokumentuar këtë trakt muri nuk u lejuam ta bënim një gjë të tillë.”! ( kush ishte i interesuar që këta mure të mos studiohen dhe i ndaloi  arkeologët ta bëjnë këtë gjë ? ). Pra nuk dihet se cilës periudhë i përkasin këto fragmente muresh që janë zbuluar në këtë  zonë, asaj bizantine, periudhës para turke apo asaj pas pushtimit turk. Me këtë rast dëshirojmë të vëmë në dukje se gjatë punimeve për ringritjen e shtëpisë së Sugarëve, në kuadrin e 100 vjetorit të “Vetqeverimit Shqiptar” të Korçës, më vonë “ Republika Shqiptare”, megjithëse gërmimet u bënë më thellë dhe më gjerë se themelet e vjetra, nuk u konstatuan gjurmë themelish të vjetra!!!.

Toponimi “ lagja kala” nuk është emërtim vetëm në gojën e popullit, por kemi të dokumentuar që ky emërtim është përdorur për herë të parë nga Harallamb Karmici, ish drejtor i shkollave greke në Korçë, në librin e tij të vitit 1888 “Gjeografia e Korçës dhe e rrethit”. Duke përshkruar ndarjet administrative të qytetit të Korçës, Karmici përmënd njërën prej tyre me emërtimin “ mëhalla kala”, por pa përmendur asgjë për “Kalanë” si objekt fortifikues që i dha kësaj zone këtë emërtim; a) Varoshi sipërm përfshin këto tetë mëhalla, 1) mëhalla Mano 2) mëhalla Barcit 3) mëhalla Jeni mëhalla ( mëhalla e re ) 4) mëhalla Qiro 5) mëhalla Penco 6) mëhalla Manco 7) mëhalla Mando 8) mëhalla Kala.”

Edhe Nuçi Naçi në dy librat e tij për Korçën, na tërheq vëmëndjen me disa ndryshime përsa i përket emërtimit të “ mëhallës kala”. Në librin e parë “ Korça dhe Fshatrat për qark”, botimi i vitit 1901, duke ndjekur Karmicin, dhe duke folur për ndarjen e Korçës, shkruan: “Varos’ i sipërmë ndahetë me 8 gastra që janë këto: gastr’ e Penços,        g.Manos, g. e Mantos,      g. e Qiros, g. e Barçit, g. e Re (turqisht Jeni Mahale) edhe   g.e Kalasë.”