Sefer Pasha
Pa vajtur në qytetin e Pukës në vendin e quajtur Qafa e Qerretit në të dy anët e rrugës automobilistike udhëtarët vështrojnë vetura të renditura nën hijen e lisave. Qysh në shikim të parë të krijohej përshtypja se do të ketë ndodhur ndonjë “aksident”. Por jo. Gjithçkamerret vesh. Në qafën e Qerretit të Epërm në një rudinë të gjerë bjeshke një emigrant nga Puka ka filluar nga puna për ngritjen e një resorti magjik.
Siç më thanë pukjanët dhe vendasit ndërtuesit nuk kanë asnjë pengesë si ato të Zvërnecit. Emigranti është nga fshati Xath. Ai quhet Agron Xhauri. Emri i resortit do të jetë “XhauriResort”. Jemi në lartësitë mbi 900 metra mbi nivelin e detit. Të deh bjeshka. Majë maleve ka rënë dëborë. Dhe jemi në fund të muajt korrik.
Pyjet me lisa e gurët e rudinës ngjajnë si yjet në të aguar. Udha mes pyllit është e kafshëve të egra. Copëra mjegullash si të jenë tufa arinjsh enden mbi majat e lisave të vjetër dhe të rinj. Një erë gërnjare luan violinë. Mbas dite do të ketë stuhi. Kështu kanë paralajmëruar meteorologët.
Gazetari që po filmon dhe që është drejtor i një gazete e ka emrin Halil Rama. Ai më ankohet se është veshur hollë. E ndjen të ftohtin e këtij korriku të pazakontë. Mua më duhet që të shkojë në fshatin Qerret. Aty kam shumë kujtime. Miku im që nuk rron më Zyber Djaloshi kur ishte mësues i letërsisë më tregonte se të gjitha vajzat e klasave të pesta ishin të fejuara. Sot vajzat nuk pranojnë të martohen.
Botë e çuditëshme. Në Qafën e Qerretit të Epërm dëgjon shumë balada. Tregojnë se PjetërGaci pasi kishte dhënë një koncert në Pukë dhe po zbriste për në Shkodër ndaloi në një kreshtë dhe u dha dorën kositësve të dushqeve. Aty takoi rastësisht NdueShtytin. Instrumentisi këndonte dhe i binte gjethit.
PjetërGaci bisedoi me emocion me Ndue Shytin. Vështro i tha ai mjeshtrit të çiftelive. Dielli është në të perënduar. Ç’peisazh magjik kemi në drejtim të detit! Po kështu dhe lart nga Alpet. Shqipëria është e mrekullueshme. Ja vlen të sakrifikosh për këtë Atdhe. Unë i dashur Ndue po kompozojë këngën “Për ty Atdhe!”. Më ndiq në koncertet e majit. Do të jetë dhe Ai……. Dhe kështu ndodhi. Edhe pas kaq motesh pukjanët të thonë se PjetërGaci është nga Puka. Në visin e Pukës zuri fara e këngës “Për ty Atdhe”!
Në udhën që të nxjerr në Pukë vente dhe vinte Migjeni që nga Shkodra.
Kjo është udha e karvanëve dhe e legjendës së misrit. Vizitori i zakonshëm me fantazinë e tij kërkon rrugët ku luante Luli i Vocërr. Skulptura në qendër të qytetit i thotë të gjitha. Tregtarët nga Shkodra e pinin kafen në Pukë, kalonin Qafën e Malit dhe yjet e Sharrit i gjenin në Prizren. Në festën e 90 vjetorit të lindjes së studiuesit Xheml Meçe ai na dhuron një fotografi, ku është fiksuar me Eqerem Çabejn. Duke vështruar peizazhin e përfytyrojë një çast Migjnin në restorantin “XhauriResort”.
Dikur Migjeni në qytetin e Pukës i mbante me vete pjatat dhe lugët në një qese të veçantë. I merrte me vete. Ai nuk donte që të infektonte njeri meqenëse e dinte që ishte i sëmurë me turbekuloz. Migjeni ishte shumë sedërli. Edhe në pyll më thoshte botuesi i veprës së tij Moikom Zeqo i lustronte këpucët.
Vizitori i zakonshëm me fantazinë e tij kërkon rrugët dhe sheshet ku luante Luli i Vocërr. Turistët në shënimet e tyre e prekin faktin se Puka është qytet i pastër dhe plot dritë. Por e ka një të metë. Nuk mbillet as grurë, as tërshërë dhe as thekër. Kjo ka bërë që harabelat të zbresin në Shkodër. Aty i kanë ngritur foletë. Por në liqenin e qytetit të Pukës kanë ardhur rosa të egra që nga larg.
Rosat kanë filluar të shtohen. Dhe kalamajtë që luajnë në skutat e liqenit nuk i ngacmojnë vezët e rosave që kanë ardhur nga vise të tjera. Rosat janë në ngjyrën e pishave të zeza. Ato ja kanë shtuar bukurinë liqenit.
Edhe qyteti i Pukës dhe fshatrat përreth janë zbrazur.
Është larguar sidomos brezi i ri. Por tani pukjanët kanë shpresë. Në takimin që bëm me Xhemal Meçin ai na tregoj rrugën që të nxjerr në Qafën e Malit. Poshtë “Hanit të Përparim Lajçit” dikur një ditë po flinte një udhëtar nën hijen e gorricës. Kur udhëtarit i doli pak gjumi ai i hapi pakëz sytë dhe pa lart në degën e gorricës një gjarpër me pika të bardha. Kur gjarpri e pa që njeriu i hapi sytë ai zbriti me të shpejtë për ta kafshuar njeriun që u zgjua. Por udhëtari qëllojë njeri i fortë. Me të ardhur gjarpri tek koka e tij dhe u bë gati ta pickonte njeriu i mbylli sytë. Gjarpri u nervozua dhe u ngjit përsëri në çatallin e gorricës dhe nisi ta vështrojë. Ai donte ta helmonte njeriun kur ai të jet me sytë hapur. Dhe siç e ka treguar udhëtari që flinte gjumë loja me gjarprin vazhdoi gjatë.
Ngjitu e zbrit nëpër gorricë. Gjarpri nuk donte që ta helmonte njeriun me sy të mbyllur. Kur e pa këtë skenë udhëtari i zgjati gjarpërinjtë një shkop të gjatë dhe pasi ai u mbështoll rreth shkopit ai e çoi në pyll. Ky udhëtar u ka thënë vendasve se në Pukë edhe gjarpri ka besë.
Një bisedë e ashpër po zhvillohej në fund të bjeshkës që është bërë për tu korrur. Zogjtë e Iballës kanë mbjellë vreshtat me qershi në Gjakovë. – “Ç’janë këto gjamë që po i bien era”? u hodh e tha një tjetër që punonte në bashki. Ai e tha me zë të lart se Vuçiçi në Beogard u ka bërë thirrje ushtarëve që ta pushtojnë Kosovën se ajo “është djepi i Serbisë”. Nuk e kisha dëgjuar këtë lajm dhe u trondita.
Dhe mu kujtua ajo që më kishte thënë miku im nga Qerreti Zyber Djaloshi. Kur ai ishte fëmijë qerretasit i kishin treguar se ata kishin parë një kral të Serbisë të hipur në një dhomë të mbuluar në të katër anët me qelq. Krali serb kishte pësuar dështim. Ai nuk kishte mundur që të futej në Shkodër dhe po kthehej i mbyllur në një dhomë xhami. Atë e mbanin mbi supe një tog me ushtar të Serbisë.
Dhe tani një tjetër kral i ri si Vuçiç kërkon që të përsëritet historia. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të arteve të Serbisë Aleksandar Despiqi ka thënë se: – “Kosova është një luginë e artë”. Ditët e fundit është zbuluar dhe një varrezë masive në Zubin Patok. Agron Xhauri poshtë resortit në lugjet e Qerretit do të bënte mirë që të ngrinte dhe një punishte për të prodhuar dron. Prej majës së Epërme dronët të gradohen për në Beograd.
Megjithëse Puka është e boshatisur këto ditë kudo të tregojnë histori.
Një veteran më flet për pukjanin trim Bardhok Jakun i cili së bashku me katër kufitar për të kapur një bandë të UDB -së në Qafën e Ali Çelës në Tropojë rrezikojë jetën dhe ata që të pestë vdiqën në mes të acarit dhe ortekëve. Për ngjarjen e kufitarëve të Qafës së Ali Çelës, DriteroAgolli ka shkruar një poemë.
Ai ka zbuluar dhe një ditar ku shkruhej: – “Dje dëbora e bjeshkëve gëlltiti pesë kufitarë, që ishin nisur të zinin qafën e Ali Çelës, ku mundi të kalonte armiku”. Ja disa nga vargjet: – /Kallkan e bëre kufitarë/…../Dhe mbeti si karrakoll i tmerrshëm// Me sy çelë// Ah Qafë e Ali Çelës// Ali Çelë/. Më mbeti një merak. Nuk munda të takoj Agron Xhaurin i cili ishte i zënë me punë. Emri i Agronit në faqen e bllokut mbeti si një livadh pa bar e pa lule bjeshke. Po ta takoja do t’i thoja atë që i kam thënë nipit tim Belbi Pashës që jeton në Çikago të Amerikës.
Po shkonim në Morinë të Kukësit. Ndaluam tek Fabrika e Shkrirjes së Bakrit. Belbit i tregova oxhakët që shpërndanin në ajër tym dhe flakë prej të cilëve qe djegur mali i Gjallicës, Gryka e Vanave dhe të gjitha pronat e kosovarëve në komunën e Dragashit në Kosovë, ku shteti paguante dëmshpërblim.
Nga të gjitha tregimet Belbit i mbeti mendja tek një lule që lulëzonte në grykën e oxhakut me temperaturë qindra gardë. Ishte e habitshme sesi kjo lule rritej në periferinë e grykës së oxhakut që digjte malin e Gjallicës. Lulja që ishte si një kurorë i rezistonte temperaturës që po gllabëronte male e lugina. Agron Xhaurin do ta krahasoja me atë lulen që rritej në grykën e vullkanit të oxhakut të Uzinës së Bakrit. Ai po e ngre resortin pas një pune të mundimshme.
Nëpër botë u rezistoi flakëve si ato të oxhakut të Uzinës së Bakrit në Kukës dhe tani po shkëlqen në qiellin e qytetit të Pukës. Në Pukë dhe në fshatrat rreth e qark takon personazhe me botë të madhe si bjeshkët e Tërbunit. Në qytetin e Pukës ndaloi aktori që vinte nga Hollivudi Bekim Fehmiu kur zbriti që nga Qafa e Malit. Tregojnë se aktori i madh bëri shumë pyetje për Migjenin. Tek Muzeu i Migjenit bëri dhe fotografi. Udhës gjarpërore të tregojnë vendin kur vjen nga Shkodra dhe ku vdiq në aksident e bija e diplomatit Mehmet Çaka nga Shishtaveci.
Ne u takuam dhe me alpinistin Përparim Lajçi i cili ka mundur të ngjitet me alpinistët në majën e Himalajave. Xhemal Meçi i shpie vizitorët aty ku përgatiteshin varkat e Lekë Dukagjinit e gjithashtu do të tregojë për mullinjtë ku bluanin miell zanat dhe vitat e Pukës.
Në çdo bisedë të shfaqet në skenë lufta me pushtuesit serb. Mbi fshatin Kryezi janë “muret e serbit”, ku qenë pozicionuar ushtarët serb. Pikërisht tek “muret e serbit” janë gjetur libra të Vaso Çubrilloviqit i njohur për librin famëkeq “Shpërngulja e shqiptarëve”. Të gjithë pukjanët që takuam flisnin me zemërim nëse shteti shqiptar do të hap konsullatën serbe në Shkodër.
Serbët nuk kanë dal dot në det me ushtri. Më duket se po ja arrijnë me diplomaci. Ministri i Jashtëm shqiptar Ferit Hoxha ta mbaj vath në vesh atë që ka thënë Stefanoviq Karxhiqi, i cili është dhe themeluesi i gjuhës letrare serbe. Karagjigji thotë: – “Ku ka një serb është tokë serbe”.
Është i njohur fakti kur më 2 prill Udbashët e Beogradit që nga ballkoni i Hotel Turizmit në Shkodër kontrollonin operacionin e vrasjes së Arben Brozit. Ishte koha kur Millosheviçi kishte thënë botërisht se ai me një skuadër gjahtarësh do e pushtonte Tiranën. Edhe kur u hapën ambasadat UDB -ja ishte shumë aktive.
Putini kur vizitoi Beogradin mori me vete për në fermën e tij një këlysh qeni nga të malit të Sharrit. Takimet freskojnë kujtesën dhe zgjojnë tregimet e jetuara. Në Pukë do të promovohej një libër për një dëshmor të Policisë së Shtetit. Ai quhej Allaman Dervishi dhe qe vrarë në moshën 33 vjeç dhe la një djalë të vogël dy vjeç.
Përse u vonove më tha studiuesi Tonin Alia?. Ju përgjigja. Isha në Kosovë. Në Krushën e Madhe profesor Ukshin Hoti kishte mbjellë në bahçen e tij një mollë të vogël. Por po ato ditë Ukshin Hotin e arrestuan dhe ai mbeti burgjeve dhe kurrë nuk e pa mollën që mbolli deri sa ata e zhdukën më 16 maj 1999. Molla u rrit dhe hodhi shtat në tërë ato vite kur i zoti i saj dergjej në burgjet e Serbisë.
Unë para se të nisesha nga Krusha për në Pukë i them rojës së muzeut të Ukshin Hotit që ai të më këpuste një kokërr mollë nga ajo që e ka mbjellë me dorën e tij Ukshin Hoti. Roja nuk pranoi. Unë të jap një qerre me mollë tha ai. Këtu ka mollë që të shesësh në pazarin e Prizrenit.
Kokrrat e mollës të cilën e ka mbjellë Ukshin Hoti nuk ma bën zemra që ta këpusë. Ato le të kalben lart në degë. Bëm debat dhe ai me zor e këputi një kokërr mollë. Këtë tregim ja tregova Tonin Alisë i cili i mbushi sytë me lot. Unë i thashë se kokrrën e mollës do ta var në bibliotekën time në Tiranë, që ajo të më kujtoj Ukshin Hotin.
Bota e pukjanëve pasurohet jo vetëm nga baladat, por dhe nga tregimet e reja të personazheve enigmatike. Këto ditë kishte ardhur një vizitor në Qerret. Ai jetonte në Irlandë. Djali i tij qe martuar me të bijën e një emigranti po nga Qerreti. Në mëngjes irlandezi kishte dal për tu freskuar nëpër pyll. Por duke ecur herë anës së lumit dhe herë nëpër pyllin me lisa ai ngatërron rrugën.
Rrëzë një shkëmbi irlandezi gjeti një tufë me dhi të cilat e panë dhe nisën të blegërinin. Ai e merr tufën me dhi dhe shpie tek shtëpia e krushkut nga Qerreti ku ai pushonte. Kur e panë krushqit filluan të qeshin. Na bëre me bagëti i thanë ata irlandezit të largët. Ishim pa dhallë.




















