Mimoza Çobo: Ajo që dritëron shpirtin dhe zemrën e shqiptarëve

1039
Sigal

Me gazetën “Telegraf” dritërohet shpirti dhe zemra e shqiptarëve

( Me rastin e ditës së themelimit të gazetës Telegraf” )

“Me ne dita nis ndryshe “…është ky slogani i gazetës “Telegraf “, qysh nga dita e madhe kur kjo gazetë nisi rrugëtimin e gjatë e të vështirë, për përmbushjen e misionit të rëndësishëm në shërbim të shqiptarëve dhe kombit. Ndaj sot, në këtë përvjetor të themelimit të saj, gazeta “Telegraf “ valëvit me krenari, flamurin e idealit më të pastër kombëtar, në lartësitë alpine të panteonit të medias shqiptare. Përvjetori i datëlindjes së kësaj gazete, përkon me Ditën e Pavarësisë kombëtare, ndaj sot, e ndiej obligim moral e krenari kombëtare të përcjell urimet e mia si krijuese, me dëshirën e mirë për ta parë Shqipërinë zonjë të rëndë të Mesdheut, si dikur, ‘kur burrat e dheut e thirrshin nanë dhe jo me krye n’hi) e shpirt plagosur për varzat e bukra e djelm të ri’, (Pashko Vasa që me ëndrra të vrara e lot ndër sy, shtegtojnë drejt viseve të huaja, duke shkulur me dhimbje rrënjët natyrale nga trupi i saj i lashtë. Në këtë rrjedhë dëshiroj të përcjell urimin e përzemërt për gazetën “Telegraf”, për të gjithë gazetarët profesionistë dhe të guximshëm si dhe të nderoj rolin që luan kjo gazetë e lirë dhe e pavarur në konsolidimin e një demokracie të qëndrueshme, të një shoqërie të hapur e transparente në Shqipëri:

Gëzuar datëlindjen gazeta “Telegraf”!

Uroj që themelet e kësaj gazete të lidhura ngushtësisht me shpirtin e kombit, me të kaluarën ,të sotmen dhe të ardhmen e tij, të çelikosen, duke pasur në përbërje masën e duhur të sekretit të alkimisë, për jetëgjatësi në zemrat e shqiptarëve.

Uroj si çdo shqiptar që, kjo gazetë të jetë fanar yjësor për te kuruar diellin në sytë e shqiptarëve që po shndërrohet pak nga pak në një nebulozë, siç është sot Nebuloza Unaza, në kostelacionin Lira. Duke qenë lexuese e rregullt e gazetës “Telegraf”, e informacioneve politike, ekonomike, sociale e kulturore, me keqardhje mund të shprehem se Asteroidi “Politic Killer “ që po godet hapësirën shqiptare është më i tmerrshëm se Asteroidi “Killer “që shfarosi nga faqja e dheut dinozaurët, duke lënë dy vjet në errësirë të plotë planetin Tokë. Ky asteroid ka shtrirë kthetrat e errësirës mbi liritë e individit, drejtësinë, ekonominë, duke gllabëruar të gjitha sferat e jetës dhe varfëruar të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve. Ndaj misioni i kësaj gazete është dhe mbetet ideali kombëtar, për përmbushjen e të cilit duhen kapërcyer pengesa e vështirësi të panumërta, sepse në këtë vend ku sundon “arroganca e injorancës” siç ka thënë Mikelanxhelo, është e vështirë të shpalosësh dukshëm vlerat e kohës, të godasësh fenomenet shkatërrimtare që po gjymtojnë trurin dhe gjymtyrët e kombit. Rrugëtimin e gjatë, plot sfida të kësaj gazete e drejton me profesionalizëm e përkushtim të jashtëzakonshëm intelektuali dhe publicisti i shquar, z. Engjëll Musai, i cili është vlerë dhe potencial njerëzor për gazetarinë shqiptare dhe elitën e kombit. Hegel ka thënë: “Intelektual i vërtetë është ai që i përkushtohet kombit”. Në piedestalin madhështor të kësaj thënieje, e meriton të ketë një vend nderi për njeriun vizionar të medias së shkruar shqiptare, z. Engjëll Musai, i cili me punën e tij titanike, ka dhënë dhe jep kontributin e tij të çmuar në shërbim të shoqërisë shqiptare,të artit dhe kulturës kombëtare. Njerëzit e suksesshëm si Engjëll Musai janë shpirti, syri dhe truri i kombit. I cilësuar si një lider largpamës Ai udhëheq me optimizëm e vendosmëri ekipin e gazetarëve të gazetës “Telegraf”, duke qëndruar në fronin e medias si vlerë thelbësore në rrugëtimin e pandalshëm të përmbushjes së qëllimeve të larta kombëtare. Engjëll Musai, ky intelektual i përmasave kombëtare, një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar kauzës së shenjtë të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe SHBA. Si njeri elokuent e me aftësi të rralla dhe të veçanta prej mendimtari e diplomati në analizimin e problemeve të mëdha të kohës, që shqetësojnë shoqërinë shqiptare dhe Ballkanin, Engjëll Musai është vlerësuar me Certifikatë Mirënjohje nga kongresisti amerikan Eliot. L. Engel. Për të nderuar këtë lider model të gazetarisë shqiptare e më gjerë në ndërtesën e Kongresit Amerikan në Washington DC, u valëvit flamuri shqiptar. Askush tjetër si Ai nuk ka marrë vlerësime të tilla që mbartin çmimin e madhështisë. Gazeta “Telegraf”, nën kujdesin e tij, tashmë është gazeta më e dashur për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Kjo gazetë përcjell esencën e vërtetë të lajmit në një kohë të shkurtër. Faqet voluminoze të saj pasqyrojnë realisht jo vetëm aktualitetin, në periodicitetin publicistik dhe universalitetin, por gjithashtu dhe një vitrinë për muzën e pashtershme të krijuesve të letërsisë shqipe.

Letërsia si art i fjalës, si krijimtari e veçantë shpirtërore artistike, ka qenë dhe është pjesë e pandashme e gazetës “Telegraf” qysh në fillesat e saj, gjë që dëshmohet përmes publikimeve të krijimeve të ikonave të letërsisë shqipe si edhe përmes veprave të krijuesve të letërsisë së sotme moderne. Moderatorët e kësaj gazete, i japin frymë e dritëzim vlerave të kulturës dhe artit të letërsisë shqipe, me rubrikën letrare në suplementin “Pena shqiptare”. Kjo tribunë letrare emeton në eterin intelektual kënaqësi të veçanta estetike për lexuesit e artit poetik apo në prozë, duke u prezantuar si vlerë e margaritar,në përhapjen e mbresave të freskëta të poetëve e shkrimtarëve shqiptarë.

As teologët më të zotë, as oratorët në podiumet e parlamentit, as profesorët në auditore nuk kanë aq ndikim sa ka media e shkruar, në trurin njerëzor. Dhe pse për gazetarët e “Telegrafit”, gazetaria është mision i vështirë dhe interesant, duhet thënë se “Të flasësh dhe të shkruash të vërtetën është arti më i vështirë nga të gjitha artet.” (M.Gorki). Këtë padyshim që, ata e kanë zbuluar hap pas hapi në përditshmëritë e tyre, gjatë investigimit dhe zbërthimit të çdo problemi , në të mirë të shqiptarëve, të transparencës dhe respektit ndaj ligjit. Ndaj sot në në këtë përvjetor të bardhë të gazetës “Telegraf “ u përcjell gazetarëve të kësaj gazete urimet e sinqerta të të gjithë lexuesve shqiptarë:

Ju jeni heronj të heshtur, heronjtë e Shqipërisë që kërkon të rilindë mbi plagët e së kaluarës dramatike dhe plagët e freskëta të së tashmes tragjike.

Ju jeni drita dhe shpresa në syrin e çdo shqiptari, jeni oksigjeni që përtërin shpirtin e kombit, ndaj mesazhi që dua t’u përçoj është një dhe i vetëm: Vazhdoni kështu, jeni më të mirët, jeni shpirti frymëzues për çdo gazetar që kërkon t’i përkushtohet atdheut, mirëqenies së brezave, prosperitetit të kombit dhe, mbi të gjitha, të ardhmes së Shqipërisë!

Suksese në misionin tuaj të shenjtë në shërbim të shqiptarëve e interesave kombëtare!

Një urim special përcjell në emër të të gjithë shqiptarëve dhe në veçanti të krijuesve të letërsisë shqipe për njeriun elitar, Engjëll Musai:

“Gëzuar ditën e bekuar, kur ju çelët dritaren e shpresës, që shpërndan rrezet e së vërtetës në mbarë trojet shqiptare! Paçi përherë bekimin e mëmëdheut! U lartësoftë emri Juaj në piedestalin e elitës së kombit!”

“Jam e bindur se përkrahja e shqiptarëve ndaj Jush dhe gazetës që ju drejtoni me urtësi e mençuri, do të jetë përherë dashamirëse dhe suksesi juaj do të jetë i padiskutueshëm, sepse Ju jeni lideri i madh që udhëhiqni gazetarët dhe shqiptarët jo aty ku duan të shkojnë, po aty ku duhet të jenë.” (Rosalynn Carter)

Rrugëtim të mbarë gazeta “Telegraf”!