40 viktima nga tërmeti, përfundojnë kërkimet në Thumanë, 15 persona nën rrënoja, toka dridhet sërish!

529
Sigal

40 persona të vdekur, 750 të plagosur, 15 të humbur dhe 47 të shpëtuar!

Ky është bilanci tragjik i tërmetit të së martës, i cili është pasuar në ditët në vijim me lëkundje të tjera toke. Në orën 11:52, u regjistrua edhe lëkundja më e fortë e ditës së sotme, me epiqendër në Detin Adriatik me magnitudë 5.1 të shkallës Rihter. Pas dy netësh ekipet e kërkim-shpëtimit kanë ndërprerë kërkimet në Thumanë pasi personat e raportuar nga familjarët si të humbur janë gjetur… fatkeqësisht të vdekur.

Ndërsa kërkimet vijojnë në zonën e ish-Kënetës në Durrës, në pallatin 6 katësh në lagjen numër 18, pranë Kryqit të Kuq dhe në 2 zona të tjera.

Aty po zhvillohen kërkimet për 15 persona të zhdukur. Një ditë më parë kryeministrit Edi Rama shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për qarqet Tiranë dhe Durrës. Ndërsa 27 nëntorit e shpalli ditë zie kombëtare.

Epiqendra e tërmetit të së martës ishte qyteti i Durrësit, dhe konkretisht zona e Thumanës dhe ish-kënetës, ku ka patur pallate, banesa dhe hotele të shembura, ndërkohë që problemet nuk mungojnë as në Fushë-Krujë, apo te Kavalishenca. Ndërkohë edhe lëkundjet nuk kanë ndaluar.

Dje në orën 15:45, dy goditje të forta janë regjistruar me magnitudë 5.6 të shkallës Rihter dhe 5.8. Nuk kanë munguar edhe lëkundjet gjatë natës. Herë pas here, toka në Tiranë dhe Durrës vijon të dridhet.