-Libri “Arvanitasit dhe prejardhja e grekërve” u botua që në vitin 1983 kur ende ishte gjallë Enver Hoxha.
-Siç më kanë thënë kur shërbeja në Gardën e Republikës ky libër i ra në dorë Enver Hoxhës. Atij ja shpuri në zyrë ambasadori ynë në Athinë Ksenofon Nushi.
– Aristidh Kola kur po kthehej nga Tirana dhe autobuzi ndalojë në Ujin e Ftohtë të Tepelenës në kafene një grup lebërish kishin rrethuar shkrimtarin Ismail Kadare dhe i këndonin.
-Aristidh Kola priste të takonte Kadarenë, por atë e rrethuan me këngë labët edhe në banjë
– Para se ta kalonte portën Shtrausi ai i tha Aleks Budës, që e shoqëronte dhe njëkohësisht e përkthente, se i kishte mbetur merak që nuk kishte takuar Enver Hoxhën.
– Aristidh Kola shkruan: – “Dhespua gruaja e famshme suljote e kish origjinën nga fara e Shehëve dhe Mehmet Shehu ishte nga kjo farë, pra pasardhës i saj.
-Në Hanin e Hotit, Shtrausin e kishte pritur Manush Myftiu ndrësa unë isha “hamalli” i një çante plot me libra.
-Këto ishin peshqeshet që ai kishte marrë nga Shqipëria. Nuk e di nëse në atë “thesin” e rëndë plot me libra ishte dhe libri i Aristidh Kolës për “Arvanitasit”.
– Hulumtimet tregojnë gjithashtu se Ariststidh Kola ka shkuar shumë hërë nëpër Çamëri për të përfunduar studimin mbi “Çamët”.
– Të dhënat për “Vallen Çame” Aristidh Kola i mblodhi nëpër Çamëri dhe ai u takua me nipër të Osman Takës, i cili kishte kërcyer dhe tek Hani i Kakavijës.
-Aristdh Kola shkruan se: “Vallja Çame” është vallja më përfaqësuese e fisit arbëresh”, “Është valle triumfale”.
Ishte hera e parë që shkoja në kryeqytetin grek, në Athinë. Kisha bërë dhe një listë se cilat vende do të vizitoja. Në krye ishte Akropoli. Por koha nuk më mjaftonte. Në Tiranë i kisha vënë vetes gjithashtu një detyrë. Do të vizitoja varrin e arvanitasit Aristidh Kola. Një zambak e kisha marë që në Prizren. Dy nga miqtë e mi ja dinin varrin Aristidh Kolës në vendlindjen e tij në Kaskavel të qytetit të Fivës në rrethin e Tebës dhe më çuan atje. Ata nuk kishin shumë njohuri për Aristidh Kolën. Unë e admiroj Aristidh Kolën si personalitet. Ai vdiq i ri. Moikom Zeqo në librin “Deti Kanibal” shkruan: – “Shekspiri vdiq 52 vjeç. U varros në Kishën e Trinisë së Shenjtë në Stratford. Kam qenë tek pllaka e varrit të tij në këtë kishë”. Sheksipiri vdiq 52 vjeç, kurse Aristidh Kola 58 them unë. Nuk dua të bëj krahasime se Shekspiri është një në planet, por guxoj të them që dhe studjuesi Aristidh Kola është një “Shekspir” i vogël për të gjithë shqiptarët. Vdekja e tij e “porositur” është një tragjedi më vete. Në i gjetësha mundësitë do të shkojë në spitalin “Vangjelizmo”, ku në katin e gjashtë në një cep të koridorit vdiq i përbuzur fenomeni shqiptar. Aristidh Kola ka shkruar disa vepra. Unë jam mik i ngushtë me djalin e Mehmet Shehut, me Skënderin, dhe i kam lexuar atij ato që shkruan Aristidh Kola për prejardhjen e fisit të Mehmet Shehut. Aristidh Kola shkruan: – “Dhespua gruaja e famëshme suljote; Dhespua nga nëna e saj e kish origjinën nga fara e Shehëve. Dhe ish Kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu ishte nga kjo farë, pra pasardhës i saj”.
E vështroj fotografinë e Aristidh Kolës në pllakën e varrit dhe bie në mendime.
Në intervistat që ka dhënë ai ka treguar se pas vitit 1990 ka ardhur disa herë në Shqipëri. Në Tiranë një nga punonjëset më të vjetra të Biblotekës Kombëtare më ka rrëfyer se Aristidh Kola është futur në Bibliotekë. Dhe është prezantuar se cili është dhe nga vjen. Personeli i ka afruar çfarë ai ka kërkuar. Atë e ka shoqëruar shkrimtari Anastas Kondo. Punonjësja më tregon se ai ka kërkuar fjalorët e Eqerem Çabejt. Në bibliotekë unë fiks në orën tetë zija vendin tim në dritaren nga ku duket xhamija e Hetem Beut. O zot i thoja vetes. Kam qenë me Aristidh Kolën në të njëjtën sallë. Oh sikur ta dija! Do t’i jepja dorën e do të zbrisnim në katin e parë me pamje nga monumenti i Skënderbeut. Kush e di mbase Aristidh Kola do më dhuronte ndonjë libër me autograf.
Për merak e lexova dhe njëherë mbiemrin e Aristidh Kolës.
Një nga biografët më të afërt të shkencëtarit shton tek mbiemri dhe bashkëtingëlloren “l”. Aristidh Kolja. Tek pllaka shkruhet Aristidh P. Kola. Edhe autorët grek, të cilët kanë polemizuar me Aristidh Kolën e kanë shkruar Aristidh Kola. Në fotografi më duket i menduar. Çoç do t’më thotë. Libri i fundit “Greqia në grackën e serbëve të Millosheviçit” e pa dritën e botimit në vitin 1994. Nuk e di sesa libra i mbetën këtij autori të papërsëritshëm pa u botuar. Libri “Arvanitasit dhe prejardhja e grekërve” u botua që në vitin 1983. Ishte gjallë Enver Hoxha. Siç më kanë thënë kur shërbeja në Gardën e Republikës ky libër i ra në dorë Enver Hoxhës. Atij ja shpuri në zyrë ambasadori ynë në Athinë Ksenofon Nushi.
Sa shumë që e qortoj veten…
Në lagjen “Ali Demi” ku banoj, jo shumë larg pallatit tim banonte dhe historiani Kristo Frashëri. Ai e pinte kafen çdo mëngjes në një nga kafenetë e zakonshme, ku nuk mungonin dhe pijanecët. Ndonjëherë i merrja lejë dhe ulesha në tavolinën e tij. Në bisedat krejt të zakoëshme Kristo Frashëri vetëm një herë ma ka zënë në gojë emrin e Aristidh Kolës. Po si nuk e pyeta hulumtuesin e madh nëse Aristidh Kola kishte të drejtë kur shkruante në një kapitull të librit se “Shqipja, është nëna e gjuhës greke”. Përveç Kristo Frashërit për studjuesin e pashoq Aristidh Kola më ka folur dhe mjeku nga Bodrishta e Dropullit të Sipërm, Arqile Boti. E mbaj mend mirë kur në Vrap të Tiranës ai më tha se e kishte vizituar në një spital privat të Athinës një arvanitas të çuditshëm që quhej Aristidh Kola. Unë e kisha lexuar librin “Arvanitasit dhe prejardhja e grekërve” dhe për fajin tim nuk e pyeta Kristo Frashërin gjithashtu për një sërë çështjesh që Aristidh Kola edhe pse u jep përgjigje nuk i zbërthen deri në fund misteret si për etimiologjinë e emrit kombëtar Pellazg. Por dhe për Ilirët, Helenët, Dorët, Grekët, Shqiptarët, Sllavët, Arbëreshët, Arvanitasit, Gegët, Toskët, Lebërit, Çamët e të tjera e të tjera.
Më bie celulari dhe një nga miqtë e mi më thotë se një emigrant që quhej Levjan Goga, 41 vjeç ishte hedhur në lumin e egër për të shpëtuar jetën e dy fëmijëve grek. E kishte rrezikur jetën e tij. Gjëmonte Greqia. Në medja thuhej se Levjan Gogës do t’i jepej nënshtetësia greke. Jeta ka ndryshuar për mirë. Ata që dikur përbuzeshin në Greqi dhe që Aristidh Kola shkruan në parathënien e vitit 1983 se “flisnin një gjuhë barbare”, tani janë shndëruar si ai Levjan Goga që e thithën valët e lumit 100 metra dhe luftoi për të shpëtuar dy fëmijët e një qytetari grek. Aristidh Kola është xhind, enigmë, mister dhe ububushmëri. Kapitullin “Lebërit” të librit “Arvanitasit” e kam mësuar përmendësh. E prapë se prapë gjendem në udhëkryq. Aristidh Kola shkruan : “Që nga kohët e Aleksandrit të Madh dhe të Pirros, dallimi midis ilirëve dhe helenëve nuk ekziston fare. Ushtritë dhe komandantët e këtyre dy burrave në pjesën më të madhe janë me prejardhje ilire dhe ashtu si dhe gjyshërit e tyre paraklasik nuk e dallojnë fisin e tyre nga ai i helenëve”. Largohemi nga varreza ku prehet Aristidh Kola e ndalojmë në një nga kafenetë në afërsi të autostradës që të çon në Athinë. Shfletojë tregimet gojore të Aristidh Kolës të cilat i kam shënuar në blloqet e mi. Njërin po ua tregoj dhe shoqëruesve të mi. Aristidh Kola po kthehej nga Tirana. Ishte vizita e parë. Autobuzi ndalojë në Ujin e Ftohtë të Tepelenës. Studjuesi futet në kafenenë, aty ku ujvara gurgullon nga lart. Ai brenda në kafene shikon një pamje e cila e tronditi. Një grup lebërish e kishin rrethuar shkrimtarin Ismail Kadare. Pinin dhe këndonin. Kishte pyetur shoferin e Kadaresë që quhej Blendi Hoxhalli. Dhe shoferi i kishte treguar se Kadareja ishte futur në tualet pa u ndjerë për nevojat personale. Por kur kishte dal prej tualetit shkrimtarin e kishin rrethuar lebërit e Tepelenës dhe këndonin këngë për “vizitën” e tij në Tepelenë. Kadareja kishte qeshur. Unë isha në tualet u kishte thënë ai. Po tepelenasit nuk donin t’ja dinin. Edhe tepelenasit janë lebër. Vet Aristidh Kola kishte shkruar: – “Shumë shekuj më vonë, një lap kësaj rradhe, Ali Pasha….”Pra, këta nuk janë tepelenas, por lebër i kishte thënë vetes Aristidh Kola. Në faqen 262 të librit “Arvanitasit” Aristidh Kola shkruan “Emri Lap dhe Lab është krejtësisht i njëjtë”. Lebërit e kishin ulur Kadrenë në një tavolinë, ku qe shtruar mishi i pjekur vera dhe rakia. Nuk kishin të sosur këngët që i këndoheshin shkrimtarit e që thureshin në çast. Kadareja që e pinte rakinë me karar qe detyruar t’i pinte dollitë me fund. Nuk i kishte ndodhur ndonjëherë që ai të dehej. Ishte hera e parë që edhe vet këndonte këngët që i kushtoheshin atij. Aristidh Kola që po e pinte kafen në këmbë kishte pasur dëshirë që t’i jepte dorën Ismail Kadaresë. Ishte kaq afër me të. Por shkrimtari qe “arrestuar” nga dollitë dhe këngët. Dhe Aristidh Kolës i kishte ardhur keq. Kur Aristidh Kola flet për karakteristikat e Lapve ai metaforikisht citon:- “Kukuvajka e quan folenë e saj që është ndërtuar nga gorrica si pallatin më të bukur”. Trimat shqiptar u thonë kundërshtarëve që ata: “të prishin fushat, që të mos arratisen kuajt e pashait”.
Nga hulumtimet që bëra të gjitha punët e Aristidh Kolës nuk janë sistemuar.
Vdekja e beftë nuk i la kohë studjuesit që të linte “amanetet” për ato që kishte botuar dhe të tjerat, të cilat i mbetën në dorëshkrim. Nuk dihet se çfarë ka bërë me punët nëpër sirtare gruaja e Aristidh Kolës, Nansi Kola. Ajo duhet takuar. Po a është gjallë? Unë u tregoj shoqëruesve se u bën vite që merrem me fatin e bibliotekekës së Androkli Kostallarit. Kur ai punonte në Akademinë e Shkencave me porosi të Enver Hoxhës i dhanë një vilë në Bllok. Dhe gjuhëtari të gjithë vilën e ktheu në bibliotekë. Por pas viteve nëntëdhjetë vilës i doli pronari. Ai qe xhelat dhe pasi ja mori vilën me dhunë mijëra libra i nxori në rrugë. Gjuhëtari pësoi arrest kardiak dhe vdiq. Familja ngeli pa shtëpi dhe librat i mori kush mundi. Disa nga librat e Kostallarit që i gjeta në kazanët e plehrave ja kam dhuruar Biblotëkës Komëbtare. Për këtë ka shkruar dhe shtypi. Emrin e Aristidh Kolës nuk e heqim nga goja. Ai është vetëm një teoricjen, por dhe një atdhetar i shquar. Në Skënderaj të Kosovës atij i është dhënë titulli “Qytetar Nderi” pas vdekjes. Miqtë më kërkuan që t’ju tregojë ndonjë motiv të bukur nga ai fis i largët. Dhe unë e kisha gati një tregim nga vendlindja e Hashim Thaçit nga fshati Burojë. Nëna e Hashim Thaçit, Hyra kur Hashimi ishte i vogël ja mbushte gojën me gjalp të freskët. Haje i thoshte nëna të birit se po ta hash gjalpin “nuk të mund dot qyqja”. Dhe e lidha motivin me tregimet e Aristidh Kolës për ngjarjet e jetuara, për legjendat, mitet dhe këngët. Në punët e tij Aristidh Kola nënvizon atë që thotë filozofi francez se: – “fisi helen bën pjesë tek ilirët”. Dhe shton proverbin: “Më mirë koka e harengës, sesa bishti i balenës”. Kurse për trimërinë e shqiptarëve Kola shkruan dy nga vargjet e një kënge: – /Dridhen duart e tyre//Sipër mbi dyfek//Dhe së prapthi i kapnin të errëtit fishekë/. Jam përpjekur gjatë kësaj periudhe, ku po mbedh materjale për biografinë e Aristidh Kolës, që të qëmtojë në botën e këtij njeriu, i cili nuk vjen më. Aristidhi shkonte shpesh në vendlindje. Në mënyrë të veçantë nga mesi i prillit. Në periferi të qytetit të Fivës ishte një kodër me pisha të larta mbi 100 e ca metra. Në fillim të vjeshtës kur fillonin shirat e parë mbi pishat në kodër shkarkoheshin me tonelata rrufe. Ato pishave ua hiqnin të gjithë lëkurën. Dhe pishat ngjanin si hosten, që shponin qiellin. Por për habi në majë të çdo pishe rrufetë nuk e preknin një syth disa centimetra. Dhe kur vinte pranvera në prill e në maj të gjitha pishat mbusheshin me dega e gjethe sikur mbi to të mos kishin rënë kurrë rrufe. Nëpër pisha të çmendnin këngët e bilbilave. Nën këto pisha ku këndonin bilbilat pushonte Aristidh Kola. Pushonte dhe punonte. Ai vet ka thënë se kishte nxjerë punë shumë më të mira nga ato që i shkruante nëpër kabinete. Dhe këtë e shpjegonte se mendja e njeriut do qetësi.
Nëpër Çamëri
Hulumtimet tregojnë gjithashtu se Kola ka shkuar shumë herë nëpër Çamëri për të përfuduar studimin mbi “Çamët”. Në Prevezë recitonte Ndre Mjedën: “/Prej Tivarit e në Prevezë/./Nji a gjuha dhe kombi nji/./Ku lëshon dielli njato rreze/!/Që veç toka jote i di/”. Në brigjet e lumit Kallamas kur Aristidhi shikonte lejlekët citonte Aristotelin që thotë: – “ Se lejlekët e rinj marrin më të moshuarit në shpatulla me qëllim që të emigrojnë”. Temat e mëdha, të cilave është e zorshme që t’u gjendet fillimi dhe fundi sidomos në librin “Arvanitasit” nuk e kanë lejuar autorin Aristidh Kola, që të merret shumë me baladat, legjendat, bëmat dhe dramat në përditshmëri, i cili siç e shkruan me dorën e tij: “Nga jeta në vdekje dhe nga vdekja në jetë”. Por pavarësisht nga llava e problemeve këngët i ka qëmtuar nëpër Greqi siç është dhe kënga: /Dola një ditë te kroi/./Kish çelur vasilikoi/./Gjetheja vasiliko/./Shkon skifteri përmbi to/. Borzilokut arvanitasit i thonë vasiliko. Ashtu i thonë dhe çamët dhe të gjithë lebërit. Ai e pëlqente gjuhën e pasur të arvanitasve. Tregojnë se në spitalin “Vangjelizmo” kur mjekët nuk ja tregonin diagnozën ai e porosiste të shoqen, Nansin, që t’i sillte nga shtëpia dega me vasiliko[borzilok] se nuk e duronte dot erën e ilaçeve. Pra nuk i thoshte gruas që t’i sillte gjethe borziloku, por vasilikoi.
Në kthim ndalova në Kakavijë.
Sa do të dëshiroja që një bust i Aristidh Kolës të vendosej në anë të rrugës. Qysh në Greqi kujtova një ngjarje, të cilën kurrë nuk e harrova. Isha i ri dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme sollën në Kakvijë për ta përcjell në Greqi Shtrausin. Në atë ceremoni modeste unë kisha detyrë që të hapja portën me tel me gjëmba. Para se ta kalonte portën Shtrausi ai i tha Aleks Budës, që e shoqëronte dhe njëkohësisht e përkthente, se i kishte mbetur merak që nuk kishte takuar Enver Hoxhën. Në Hanin e Hotit e kishte pritur Manush Myftiu. Unë isha “hamalli” i një çante plot me libra. Këto ishin peshqeshet që ai kishte marrë nga Shqipëria. Nuk e di nëse në atë “thesin” e rëndë plot me libra ishte dhe libri i Aristidh Kolës për “Arvanitasit”.