Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Ç’do të thotë të jesh krijues?

28
Sigal

Nga intervistat …

Pyetje: Ç’do të thotë të jesh krijues?

Dritëro: Maksim Gorki përafërsisht thotë se të bëhesh shkrimtar është njëlloj sikur të ecësh zbathur në një rrugë të shtruar me gozhdë me maja përpjetë. Doemos, kjo thënie është hiperbolike dhe e stërzmadhuar për të treguar vështirësinë e të qënurit shkrimtar. Megjithatë e tregon një pjesë të së vërtetës. Të jesh shkrimtar, përveç talentit, duhet të kesh edhe këto gjëra, sipas meje :

E para, të mposhtësh dembelizmin për t’u ulur në tavolinë para letrës dhe penës. Të ulesh me lehtësinë e gazetarit dhe me mençurinë e filozofit. Të shkruash është e vështirë sa të ulesh. Vagneri, kompozitori i madh gjerman thoshte afërsisht: “Ju kujtoni se unë në piano ulem lehtë? Unë qaj nga zori kur ulem”. Faik Konica, që vuante nga dembelizmi për t’u ulur në tavolinë, asnjë roman nuk shkroi. Edhe romanin “ Doktor Gjilpëra” e la vetëm me fillimin. Ja çfarë i bëri tavolina Faik Konicës; këtij njeriu me talent dhe me “ dembelet”. Unë me qëllim e krijoj fjalën “ dembelet” nga fjala turko-perse “dembel”.

E dyta, të jesh shkrimtar do të thotë të vëresh çdo gjë, me një fjalë të dish të vëresh në natyrë dhe në shoqëri. Fjala vjen, të vëresh në natyrë lisin, që ka një xhungë dhe rrapin që ka një xhungë me eshkë. Apo të vëresh në shoqëri një deputet ose akademik që ka një kokërr të zezë, si nishan, në anën e djathtë të hundës, ku faqja bën një palë si të prerë. Por ndofta e vlen të dish se lepuri femër e mban fëmijën në bark 31 ditë dhe elefanti 22 muaj. Prandaj ne shkrimtarët që i mbajmë në duar romanet 31 ditë i quajmë lepuj dhe ata që i mbajnë nëpër duar 22 muaj i quajmë elefantë! Kështu që të vëresh do të thotë të kesh cilësi shkrimtari.

E treta, të bëhesh shkrimtar do të thotë të kesh zili pozitive dhe inat për të mos e quajtur veten inferior ndaj të tjerëve. Kjo nuk ka të bëjë me mendjemadhësinë e jashtme. Në njerëz mund të jesh i thjeshtë, por në vetvete të ruash “ mendjemadhësinë” për t’ua kaluar të tjerëve në krijimtari. Të marrësh hak ndaj atyre që nuk kanë besim tek ti, apo edhe që tallen. Është si në boks. Tallen me një boksier fillestar, pastaj ai del kampion. Dhe kjo është hakmarrja ndaj talljes.

E katërta, të jesh shkrimtar , do të thotë të marrësh pjesë në luftën politike. Pse? Politika është lufta për ndryshime në shoqëri, kundër status quo-së. Shkrimtari është luftëtari i parë në luftë për ndryshime në shoqëri.

E pesta, shkrimtar do të thotë të jesh zëri i kombit tënd, të qeshësh dhe të qash me kombin, si bir i tij, të goditësh padrejtësinë shoqërore dhe të luftosh për çlirimin e njeriut nga zgjedha e punës dhe e shfrytëzimit. Dhe bashkë me këtë të ngjallësh kënaqësi estetike.

Sidoqoftë, të jesh shkrimtar mbi të gjitha është të kesh talent, që vjen nga esenca e qumështit të nënës , pastaj janë edhe ato cilësi që numërova pak më lart.